FEMRA SHQIPTARE GJATË GJITHË HISTORISË…

0
3438

ME DINJITET E FISNIKËRI TË LARTË, U TREGUA E ZONJA QË GJITHMONË TË MBAJË LART FLAMURIN E QËNDRESËS DHE TË FAMILJES

Shkruan prof. Zymer Mehani

I.
Vërtet femra shqiptare është një nga më trimet dhe më besniket në Ballkan. Qëndresa dhe sakrifica e gruas shqiptare, si formë e rezistencës së saj, dëshmohet si vazhdimësi. Nga shumica e femrave shqiptare, të cilat qëndruan dhe vepruan në rrethana ngulfatëse të kohëve të ndryshme, dolën heroina të shquara, trimëritë e të cilave i tejkaluan kufijtë gjinorë dhe kombëtarë.

Dua që femra shqiptare të triumfojë dhe të arrijë suksese në çdo fushë të jetës, ashtu siç arriti gjatë historisë Mbretëreshë Teuta, e më pas Laskarina Bubulina, gjatë LDB Ibe Palikuqa e Ganimete Tërbeshi, gjatë rezistencës për Republikën e Kosovës, Myrvete Maksuti e Ylfete Humolli, sikur në luftën çlirimtare: Xheva, Antigona, Ganimeti, Hyra, luftëtarja Sanije REXHA e shumë të tjera, po edhe në humanizëm, siç është rasti me të madhen Nënë Tereza, Sevdije Ramadani Osmani, Dita Mushica etj. në sport Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova edhe në letërsi Elena Kadare, Flutura Açka, Elhame Gjyrevci, Behare Rexhepi, Xhemile Aliu, Minire Rukovci, Rabije Bytyçi, Lousiana Markou, Agetina Ruqi, Drita Kosumi Syla, Hazbije Brahimi, Elza Muçolli e shumë e shumë të tjera.

Dua që bija, motra, shoqja, nëna shqiptare të mbështetet fuqishëm, dhe pse jo të jenë zëri ynë në institucionet e shtetit tonë.
Mbështetje dhe respekt, vëllezër e motra për VLERËN edhe intelektuale, edhe njerëzore, edhe kombëtare, që ka vetëm një emër – NËNË, MOTËR, BASHKËSHORTE, BIJË!…

II.
Historia jonë kombëtare gjatë shekujve të rëndë të robërisë është e mbushur përplot shembuj të heroizmit të femrës shqiptare. Roli dhe kontributi i saj në periudha të ndryshme historike për lirinë e atdheut është shumë i rëndësishëm, për të cilin ka se çka të shkruhet dhe të flitet. Prandaj, është fakt i pamohueshëm se femra shqiptare zë një vend të rëndësishëm në historinë kombëtare të popullit tonë, duke filluar që nga periudha ilire e këndej.

Femra shqiptare gjatë gjithë historisë, me dinjitet e fisnikëri të lartë, u tregua e zonja që gjithmonë të mbajë lart flamurin e qëndresës dhe të familjes. Nënat, motrat, bijat dhe bashkëshortet tona, epokë pas epoke, luftë pas lufte, marshuan krenare së bashku me burrat, djemtë, vëllezërit, prindërit ashtu të papërkulura nëpër shekuj e mijëvjeçarë dhe arritën, erdhën krenare deri këtu, por të vetëdijshme se edhe më tutje, rrugën duhet vazhduar.

Gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë të historisë, falë femrës shqiptare, populli ynë arriti që të shpëtojë nga asimilimi, duke ruajtur në të njëjtën kohë gjuhën, historinë, traditën, kulturën dhe përkatësinë tonë kombëtare. Ajo, në rrethanat më të përshtatshme historike inkuadrohet në rrjedhat që i imponoheshin nga vetë faktori kohë. “Burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nënat trimëresha”, thotë një fjalë e popullit. Femra shqiptare e ka përbuzur kurdoherë frikacakun. Nëna shqiptare e ka përbuzur dhe e ka mallkuar madje edhe birin e saj kur plogështohej përpara vdekjes.

Duke shfletuar faqet e historisë, femrat shqiptare i gjejmë pjesëmarrëse aktive në luftërat e vrullshme të kryetrimit Skënderbe. Gjatë rrethimit të parë të Krujës, në vitin 1450, kur në Shqipëri erdhi mbarë ushtria otomane me në krye sulltan Muratin II, Skënderbeu urdhëroi të zbrazej plotësisht qyteti nga gratë, fëmijët dhe pleqtë dhe të mbeteshin vetëm luftëtarët, që duhej të mbronin kështjellën deri në vdekje.

Për këtë ngjarje humanisti i njohur Marin Barleti shkruan: “kur dhembja u ul pakëz e ngopur prej lotëve, nënat u kthyen nga djemtë e tyre… dhe me fjalë të përsëdytura iu epnin porosi krenare”, ndërsa kronisti venedikas i asaj periudhe legjendare, A. Sabellico, më 1478 shkruante: “në mes të zjarrit të luftës, kur çdo gjë shungullonte nga armët e barbarëve, në ato qytete ku Skënderbeu kishte mbretëruar, grupe vajzash e kishin zakon që në çdo tetë ditë të mblidheshin e të këndonin lavditë e princit të vdekur, ashtu siç bënin të moçmit për heronjtë e mëdhenj”.

Nga kjo, mund të konstatojmë se femra shqiptare ishte aktive edhe atëherë, kur nuk dilte në fushën e betejës, por në një mënyrë tjetër e luftonte armikun – me armën e kurajos që u jepte luftëtarëve.

Shekulli XV, theksohet si shekull i kthesave të mëdha për femrën shqiptare, duke pasur parasysh normat morale e juridike të vendosura gjatë shekujve mesjetarë.

femrën shqiptare edhe më aktive e gjejmë në shekullin XIX gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë periudhë ajo me armë në dorë merr pjesë në luftërat për liri e pavarësi dhe me këtë dëshmoi se nuk ishte vetëm nënë e bashkëshorte e mirë, por mbi supet e saja të forta e krenare para armiqve të shumtë njësoj bartte tempullin e shenjtë dhe të fortë – çështjen e atdheut.

Historia jonë kombëtare e dëshmon se femra shqiptare, qoftë myslimane, qoftë e krishtere, edhe pse është e nënshtruar ndaj burrit, ai këshillohet me të jo vetëm për punët e familjes, por edhe për çështjet e vendit. Femrat shqiptare dinë t’i mbajnë lotët e dhembjes edhe kur janë përpara njerëzve të tyre më të shtrenjtë të shtrirë për dhé, shpeshherë duke mbajtur nëpër duar edhe kufomat e tyre.

Femra shqiptare ishte pjesëmarrëse aktive sidomos në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, në luftërat për çlirim kombëtar të atdheut. Me qindra femra ndihmuan kryengritjet me mjete e me strehim, me informata e kurajo. Në ato vite revolucionare femra shqiptare nuk qëndroi vetëm në prapavijë. Me një guxim të rrallë ajo kaloi edhe në vijën e zjarrit. Femrat kosovare dolën me armë në dorë në Grykën e Kaçanikut, ballëpërballë armikut.

Shembullin e tyre e ndoqën edhe femrat e Malësisë së Mbi – Shkodrës e të Dibrës. Femrat dolën në luftë anekënd Shqipërisë, aty ku kishte nevojë dhe ku buçiste lufta. Historia jonë dëshmon se ndërmjet kryengritësve shqiptarë kishte edhe femra. Në luftimet që u bënë në rrethet e Tuzit kishte edhe femra të veshura me rroba burrash…bile disa nga këto kanë treguar edhe trimërinë e tyre, aq sa të kalojnë në radhët e para të luftës.

Femra jonë shqiptare, qoftë si nënë, motër, bijë apo bashkëshorte me krenarinë shqiptare nuk e ka duruar kurrë tradhtinë dhe pabesinë ndaj atdheut.

Virtytet e femrës shqiptare ishin frymëzim i luftërave për liri të atdheut. Ajo tek shqiptarët trajtohet me respektin më të lartë dhe vërtet punon në shtëpi, por zë një vend të nderuar në shoqëri dhe se jeta e saj fisnikërohet me të qenit nënë. Është e vërtetë se ajo vlerësonte dhe vlerëson edhe sot shumë lartë të qenit nënë dhe bashkëshorte. Gjithë jeta e saj ndërtohet në këto dy shtylla kryesore, por edhe jo rrallëherë ajo ka dëshmuar se që të dyja i sakrifikon për liri, gjë që e ngritë atë në piedestalin e barazisë me heronjtë.

Duhet theksuar se femra shqiptare në asnjë periudhë, kur ishte vendi në rrezik nuk qëndroi duarkryq. Shembujt e pjesëmarrjes së femrës shqiptare në luftërat për liri janë të shumta, sidomos duhet përmendur luftërat që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej. Ky atdhetarizëm i njohur i gruas shqiptare, këto cilësi të rralla morale të saj, morën një përmbajtje të re dhe u shfaqën me forcë në ato gra e vajza të popullit që ngjeshën amët dhe luftuan krah për krah me burrat edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Femrat shqiptare në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, krah për krah me burrat u ndodhën në krye të detyrës duke organizuar fillimisht grupe e organizata ilegale e më vonë morën pjesë në demonstratat gjithëpopullore të vitit 1968, 1981, 1989. Por, me formimin e UÇK-së, dolën edhe në male duke u bërë pjesë e denjë e luftës për liri.

Femrat shqiptare përballuan me stoicizëm promethean tufanin e egërsuar shovinist pansllav. Me gjithë plagët dhe dëmet e mëdha që i shkaktuan truallit tonë, ajo përsëri ngadhënjeu mbi egërsinë e armiqve pushtues. I hodhi si të pavlera planet shkombëtarizuese e sllavizuese të Karagjorgjeviqëve, Pashiqëve, Andriqëve, Rankoviqëve, e mbi të gjitha, e mundi babanë e Elaboratit shkombëtarizues e shfarosës ndaj shqiptarëve- Vasa Çubrilloviqin, kur kjo nënë, e detyroi atë, që të pranojë haptas, para vdekjes, një të vërtetë se “megjithatë luftën në Kosovë e fitoi nëna shqiptare”.

Edhe pse populli ynë shpesh u përgjak e u përflak, mori plagë e riplagë, kombi ynë edhe më tutje eci, ecën dhe do të ecën gjithmonë përpara në rrugën e mundimshme, ama të ndritshme të lirisë kombëtare, deri te Ribashkimi. Kjo ëndërr jona shekullore, është një e drejt objektive, të cilën nuk ka forcë që mund ta ndalë, sepse kombit tonë ngadalë, por sigurt, po i hapen shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë.