FAZILE GIMOLLI RAMA, FLET PËR JETËN DHE VUAJTJET E SAJ

0
3141
Fazile Gimolli me Avdullahin

Fazile Gimolli – Rama me birin e saj, Avdullahin

Gani I. Mehmeti

Është ca vështirë të shkruajmë dhe të shprehim gjithë vuajtjet shpirtërore e fizike të Lokes Fazile në fshatin Potok të Mavriqit të Llapit. Kjo është Nënëlokja që simbolizon Loken e Mjedës tek « Andrra e jetës ». Stoike, besnike, punëtore, e dashur, e vuajtur, që nuk i dorëzohet asnjë vështirësie, që nga rinia e hershme e saj.

Gani I. Mehmeti
Gani I. Mehmeti

Fazile Gimolli, fëmija më i madh i prindërve, që nga fëmijëria, nga mjerimi, merr mbi supet e saja për mbajtjen e familjes – prindërve dhe dy vëllezërve të saj më të vegjël. Duke mos pasur asnjë mundësi tjetër të vijë deri tek ushqimi i familjes, kjo sakrifikon fëmijërinë dhe rininë e saj për prindërit dhe vëllezërit, duke pranuar të bëhej rrogëtare tek kushëriri i tyre – t’ia ruajë bagëtinë për plot pesë vite, pse kishte prindër të mbetur, vëllezër të vegjël dhe  mungesë të tokës së bukës për ushqimin e familjes.

Një vuajtje e tillë e përcjellë edhe pas martesës, ku bashkëjetesa e saj me burrin ishte e shkurtër, për të mbetur vetëm me një djalë të sajë të posalindur, për të cilin kishte dhënë besën, fjalën bashkëshortit se do ia ruajë për tërë jetën e saj, pa u ndarë kurrë prej tij, përkundër të gjitha vështirësive.

Të gjitha Nënat meritojnë gjithçka për sakrificat që bëjnë për fëmijët e tyre, por meritat e kësaj Lokeje janë me dhjetëra fish më të mëdha se të disa të tjerave. Për ne është një Heroinë e Madhe!

Është ajo që nuk ia mbylli Oxhakun burrit të saj, ajo që vazhdimisht ia ndezi zjarrin shtëpisë së burrit, e mbetur e vetme, me një djalë të posalindur nëntë muajsh. Edhe ambienti është i ngjashëm me ambientin e Lokes së Mjedës, ambient malor, shumë i thyeshëm, me tradita e zakone të ashpra për gruan.

Lokja Fazile, e martuar për njeriun e gjithëdijshëm, atdhetar, njeri i shkolluar, njeri luftarak, njeri ushtarak, mësues, tregtar e gjithçka, ai u shkollua edhe në Ukrainë për oficer pas Luftës së Dytë Botërore. Ai, si Mavriqas, gjaknxehtë, nuk mundi të duronte nëpërkëmbjen e shqiptarit nga serbi menjëherë pas LDB, prandaj vrau mu në kazermën e Nishit shkaun, ai që kishte shkrimin më të bukur nga mësuesit e kohës dhe që ishte nga tregtarët më të mirë, nuk iu lejua e drejta e jetës, dhe la gruan me djalin e tij nëntëmuajsh !

Ai, që i kishte thënë Faziles se do ta vriste djalin e posalindur, me qëllimin që të mos vunate gjatë gjithë jetës në një ambient e rreth të tillë, por që nusja e re e tij, Fazilja,  i thotë se Djalin do t’ia ruajë, dhe për së gjalli, nuk do ndahet kurrë prej tij, e shpëton nga vdekja djalin e tyre, të cilin e rriti, e shkolloi dhe, deri sa ajo e kishte mbajtur të vogël, rritës së të cilit po i gëzohej, i vetmi motiv që e mbante të gjallë për jetë, mundi i së cilës u shpërblye, pse kishte qëllimin e mirë, dhe, sot, po ai djali nëntë muajsh, ia kthen borxhin dhe e mban e kujdeset për gjithçka që ka nevojë Nëna e tij, tani e verbër nga të dy syt.

Më në detaje, ndjekim rrëfimet e Lokes Fazile për ngjarjet dhe vuajtjet e saja dhe të bashkëshortit të saj. Rrëfimet i japim në të folmen e Lokes, pa ndërhyrje gjuhësore:

Kur jena ike pej Luftës të  Dytë Botnore, na Gimollët jena shkue në Dërvar  të Komunës së  Vushtrrisë dhe kena ndejtë gjashtë jave ditë në mal.

Kur jena kthye mas gjashtë jave pej Dërvari, jena ardhë në livadhe të Revuçit.
Na duelen shkiet përpara e na i kanë marrë kiet në zgiedhë e tana gjanë na i muerën e kerret na kanë metë qaty !

Çikat e reja edhe djelt e ri shkojshin bieshkve, se shkiet djelt na i mytshin çikat i marshin.

Kur erdhëm te shpia te Gimollët, shpiat na i kishin pasë sosë krejt. Erdhën shkiet me ushtri te shpia jonë si na kishin pa si jena ardhë.

Mixha Sherif u kanë tue piek ni bukë të kallamojt. E rrehën niherë babën, Ferizin, e tonej ja nisën me rrehë mixhen ! Unë kam bertitë e nji ushtar i shkieve më ka ra shuplakë ! I kam pase 8 vjet atëherë.

E muerën mixhën e çuen maleve të Repës e prrojeve edhe  e rrehshin. Na sosën, drithin na e kishin pa marrë.

Nuk kishim qa me hanger as qa me pi. Mas do muejve, shkova rrogtar. Më çoj baba te bali Hog.

Erdh bali Hog i tha babës a po ma jep rrogtare të m’i ruen gjanë. U goditen, me ja dhanë babës nji dhi edhe 300 kg kallamoq, une me ja ruejt 15 lopë e 20 copa dhenë edhe 30 copa dhi per ni vjet.

Une i kam pase dy vllazën Rexhepin dhe Zenelin, Isha fëmia më i madhi në familje.
Me idare senet i kishim shume ngusht. Baba u detyrue me me çue te një kusheri i joni rrogtare.
Te Shaban Gimolli, tanë i thojshim Hog Gimolli, Une i kam thanë Bali Hog!

Për idare të qatyne vllaznive si hiqshin edhe uni. Te Bali Hog i kam ruejt dhetë,dhitë  e lopët e tij 5 vjet.
Bali Hog më ka kqyrë shumë, si me kanë çikë e tina. Zati unë aty shkova 9 vjeçare e aty u rrita edhe une. U adaptova si me kanë shpia e jeme e niehsha veten.

Edhe sod qashtu nihna. Gjithë të panin e kam ba tu bali Hog, tonej te Haliti, djali i Hogut e deri sa kam pasë fuqi, te Shema, djali i Halitit.

Bagëtin i ruejshim me Zylen.e balit Dibran. Shpesh na i sulmojke ujku, bile kah i bijshim pej Bozheci ni ven te Lungjet,  ma së shumti qaty na dalke.

Nji ditë, na duel e na i tremi. Unë ngat tyne isha. I pashë dy dhenë me nji kingj hinë në lug të mullinit aq shumë si i tremi !

Duelën edhe burrat me i njeh, qato dy dhenë e nji kingj, nuk dalshin.

I thash balit:

  • Vallahi s’i ka marrë se tu Lugjet u ra ! – Ish mullini i Sylevicës aty afër, e i thashë, – në lug të mullinit janë hi!

Masi i ngujuem kto tjerat, ai kujtojke njiherë si jam tutë pej uqëve, po unë ju teka veç po shkojmë te mullini.

Dikur me tha masi tu ka tekë hajde shkojmë. E dhezi nji fener e shkuem. Kur kemi kqyrë ishin truq në lug të mullinit !

Po ujtë ka dalë për cifuni të lugut e nuk i ki pa plasë.

I thirrëm te shpia edhe nji herë e erdhen burrat, e, dy dhetë e kingjin të gjallë i kanë nxjerrë.

Thojke bali Hog, vallahi çudë me ty ! Une kujtojsha si pej tute tu ka ga si janë hi në lug të mullinit, po përnime koka kanë.

Kur ke ditë pazari, shkoi në Pazar. Shkojke gjithë. E ka pasë kalin e mirë.

Kur erdh ma ki ble nji kmishë të pamukut të ktyneherit. E, kur hangrëm darkë ma dha.

  • Fazile qyre, pata qef e ta bleva, si mi ke pshtue qato dhenë pej ukut.

Puna e thmisë, po shumë u gzova, kurrë s’e  harroj këtë rast.

Ke kysmet e u martova në Potok për Hamitin

Hamiti o kanë shpirtmirë. O kanë për vatan. Ai e ka dashtë shumë venin e vet edhe popullin. Nuk ka mujt me pranue padrejtsinë. Edhe në familje ka pasë rregulla, po nuk janë kanë të rana. Ai si ushtarak ka pasë qef me pasë ren gjithku, edhe në shpi, edhe në punë. Kjo i ka shkaktue shumë telashe e kokçamje deri sa u vra.

Masi punojke herë në ushtri, herë me tregti e herë në shkollë, nuk u merrke shumë me punët e tokës. Ma shumë me do gja i majshim. – thotë Fazilja sot. Pse ishte ashtu, ai pati telashet në ushtri me serbin, me atë Zharkun në shitore. Nuk pati telashe në arsim, po e hoqën pej atyhit se nuk ia deshtën të mirën as atij e as shkollës shqipe.

Sa kam jetue me ta e kemi kalue mirë. Ra nuk më ka kurrë e  as sha. Mrena shpie u kanë i mirë. As nuk më ka lanë me hjek për veshë as për mathë. Mirë e kemi kalue me ta. Nuk ma ka ba të padrejtën asnjihere. Kurrë nuk m’ka nënçmue pse une isha e nji shpie  fukare, bile, veç i ka ardhë keq.

Edhe siellja e ti, po edhe besen si ja dhashë me e ruejt Avdullahin,  jane dy faktet kryesore që nuk jam pishman si e ruejta djalin. Kjo, që ia dola, më ban të ndjehem shumë e lumtun jam e knaqne edhe krenare, se nuk asht e lehtë, mos i raftë kurrë kurrkuj!

KUJTESE NGA BISLIM ABAZI

  • Vetë ky kujtim, flet për karakterin e Hamit Ramës –

Kur e hapi Hamiti shitoren në Pollatë, masi e kishin largue prej punës në shkollë,  une punojsha në Komunë të Pollatës si kurir.

Kryesori i UDB -së për Komunë të Pollatës o kanë Zharku.

Shkuem në shitore në Pollatë ku punojke Hamiti. Zharku u ulë në tezgë të dugajës edhe u zgjanue.

Hamiti i tha :

  • Hiqu poshtë se kjo nuk asht me u ulë në ta se s’asht karrikë po tezgë me ju shërbye njerëzve !

Zharku i tha :

  • Qysh due une rri, nuk asht punë për ty! Hamiti i tha:
  • A asht dugaja e jeme a e jotja?

Nuk kemi ditë gja veç ja ka ngjitë shitores drynin i ka përviel duert e ju ka gjue Zharkut !

Pasha zotin as me hi nërmjet nuk kemi guxue. E bani llam Zharkun. E ndreqi e i tha :

  • A po hyp qitash apet? Ai, ma, as me i fol nuk guxofti.

Duelëm e si shkuem në komnë ai i rrehun, e thirri kryetarin. I tha :

  • Bane vendimin pej kti momenti me e mshel shitoren në Pollatë.

Hamitin e qitën prej pune e shitoren e mbyllën.

Mas do dite u hap shitorja e ne ven te Hamitit e mueren Ajetin e Fazlisë prej Pollatës që ka punue deri në pension.

Arrestimi i Hamitit për serbin e Repës që nuk e kish vrarë ! 

Kur e qiten Hamitin ne vendngjarje, une isha e martueme. Bashkë me balin Rrahman Gimollin[1], shkuem para komune në Pollatë.

Hamiti u akuzojke për vrasjen e Radojes të Dakiqve[2] t’Repës. Ishin ba tubë shumë njerëz. Në njenën anë shkie e  shkina bërtitshin. »Smrtna kazna za dushmana (Pushkatim me vdekje për anmikun)! »  e në anën tjetër shqiptarë, shumica kajshin. E veti gjykatsi kryetarin e komunës në Pollatë.

  • Çfare nieri o kanë Hamiti, para se me e marrë në burg ?

Ai. Kryetari i tha :

  • Në telashe jena kanë prej tina, problem e në emën të popullit kërkojmë dënimin ma të randë ! Shkinat kcejshin e britshin : « Smrtna kazna » ! (dënim me vdekje).

Tonej,  mbas do dite shkuem në Gjykatë në Prishtinë.  Hamitin e denuen 20 vjet burg dhe me ja marrë pasuninë!

Hamiti i majti dy vjet burg në qeli ma shumë. Çdo të marte kamë ja kemi çue bukën në Prishtinë, se veq ka 250 gramë bukë i ka pase pej burgu në ditë.

Hamiti u lirue mbas 2 vjete se u ankue e ka pasë ni avokat të fortë.Tanë Mavriqi kanë dhanë pare avokatit me lirue. Ma së shumti ka dhanë  Zeqa i Jahs pej Reçice[3].

Kur erdhen me marë Hamitin në burg për Radojn, une isha nuse e re, nji vjet  kisha martesë. Ishte natë, diku para mëngjesi. Ishim fjetun, veq kur kanë krisë dyert e na i kanë thye dritaret e janë hi mrena. Hamitin e lidhen! Hamiti ka pasë shumë libra në shpi, ia mueren tana. Mueren krejt çka gjetën. Njifarë Zharku i UDB-ës m’u drejtue. Më tha:

  • Ti shko te baba i yt menjihere se Hamiti i ka vra dy shkie; nja ne Nish e nja ne Repë e kurrë me sy ma nuk kie me pa!

l thash :

  • Ti kryeje punën tane, nuk kam nevojë ti me m’kallxue çka baj une, a kah shkoj une. – I erdhi inati, tha :
  • Nëse rri ktu kur te vi se dyti, kam me ta kallë edhe shpinë.
  • Ti je hyqmet e ban çka të duesh, a une pej shpisë të burrit nuk dal! – i thashë.

Meta pa burrë, vendosa me e ruejt djalin këtu. Po mue nuk m’u ndalën do telashe, sa, kur vendosa me e ruejt djalin, kurrë nuk i kisha mendue se mund të më ndodhshin.

E para : I bana dokumentat për ndihmë sociale. Më refuzuen dy herë.  Së treti, kur shkova me djalë ngryk prej Potoku e në Podujevë, afër 20 kilometra, nji shka qi punojke aty, më tha:

  • Po më dhimesh, po mos u end kot, se ty shkaku i burrit, nuk po ta japin socialin !

U ktheva edhe kurrë ma nuk kam kërkue social e as nuk më kanë dhanë.

Serbi ia merr edhe arën për tatim!

Kur i bani djali 6 vjet, më erdh nji thirrje me shkue në Podujevë. Apet, me djalë deri në Podujevë kamë kam shkue. Kur shkova aty, gjykatësi më tha :

  • A të ka kallxue burri, se vjehrri yt, Avdia, e ka punue arën te Reka, e ajo arë o kanë e Mitrit prej Trëmke, e, as porezin për atë arë s’e kini pague kurrë.
  • Jo, – i thashë, – une jam ndalë me e ruejt këtë fëmi jetim. Atë arë e ka punue edhe burri gjithë, edhe unë e punoj. Prej asaj are rrnojmë se asht e bukës, tjerat janë livadhe.
  • Po e kërkon çika e Mitrit, – tha, – arën e babës miras. Ajo asht grueja e Lekiqit të Repës.
  • Sod po të niej ty, nuk e di as kush asht Mitri e as çika e ti ! – i thashë.

E thirri shkinen. Hini e tha:

  • Baba i jem u kanë delovogj në opshtinë të Pollatës, Avdia nuk e ka la porezin shtetit e baba e ka ble arën prej shteti. Unë e due pronën e babës tem ! – tha shkina.

Gjykata na thirri 4 herë. Në fund ma mueren arën. Dy vjet në kodër millsha thekën e me thekën e kam rritë Avdullahin.

Fazilja e blen sërish arën e vetë!

Mas dy vjete erdh Jahiri me qat Lekën. Jahiri më tha :

Fazile ky Leka ka ardhë po thot po e shes arën. N’e blefsh ti kush me hi nuk guxon me ble.

U solla e u kujtova. Ligsht isha boll, po i kam pase dy lopë, i shita e paret tjera mi çoi vllau, Zeneli, punojke ne Nikshiq. E bleva arën teme edhe njihere !

Arën e muer se qai Mitri kur ish kanë kryetar në Komunë te Pollatës ja ka lyp viehrrit porezin. Ai nuk ja ka la. E i paska thanë « a po e lanë porezin a arën e qes ne emën tem ». Ky i paska thanë:

Shkruej çka të duesh e në ta majt hajde punoje! Sa u kan gjallë Hamiti, nuk kanë guxue me përmen. Po kur meta veq me Avdullahin, arën ma muer me gjyq, ma muer edhe m’u dasht me ble edhe njihere.

Arën, mbasi e kemi ble, ja nisëm vjetin e tretë me e punue. Ish ba livadh. Erdh i ngrati, bali Ilaz Gimolli[4] me kie, e thej.

E bamë arë apet. E jona o kanë e jona u ba.

Blem truell në Podievë e ja shitem Jahirit,  kusherinit të Hamitit.

E punuem në at truell nji shpi me dy dhoma. Po gjinja vishin me pajtue. Kur duelëm nër gjin në pajtesë, gjinja thanë : Vrasësit i bjen me dalë se Avdullahi nuk pajtojke me met apet dytë në Potok. Po, Avdullahi i tha se cili të thonë gjinja, po dalim.

Gjinja i thanë vrasësit me dalë. Pajtuen. Ai e qiti tokën me shitë. Na i kishim mexhat perziet me ta.  I thash Avdullahit « N’ hiftë nejkush këtu, edhe këta tokën tonë te mer, se na nuk kemi te nejtun këtu ».

Avdullahi me tha:
Nanë, po e shes shtëpinë në Podievë me 5 ari truell e  po i blejmë kodrat. Haku i të parëve si kanë hiek këtu kaq shumë.

E shitem 20 mijë marka shpinë me truell në Podievë. Blemë 5 hektarë kodra e mal ne Potok.

Në vitin 2012 i kemi ble 6 ari truell në Letanc. E kemi marue nji shpi dykatëshe. Sod atje banon Hamiti[5] me grue e me dy vajza. Hamiti asht arsimtar i biologjisë në Pollatë e në Dobratin. Shoqja e tij e ka mbarue Fakultetin e Historisë, dega  Edukatë Qytetare, e pa punë. Iliri punon mobileri, e shoqja e tij asht frizere, punon në Prishtinë.

Në Potok jena unë, Fazilja, Avdullahi me të shoqen Zymrinë edhe Agroni, djali i vogël i Avdullahit.

Mue, atje ne Letanc, po më zinet fryma. I  thash Avdullahit bile edhe nji vjet rrimë, se vend atje kemi për tanë familjen. Po edhe tjetra, po pritoj se unë e kam hupë rininë teme me mbrojt këtë pasuni të burrit.  Edhe qit djalë, këtu e kam rritë. Po, vetëm për mue me nejt kha, nuk i la. Veç deri ne vitin tjetër se që kam jetë kena me shkue edhe na.

Sot nuk hjek keq për përkujdesje. Jo vetëm djali i saj, Avdullahi, por krejt familja interesohen për të pa përtuar. Gjithsej janë 13 anëtarë në familje : Stërgjyshja – Lokja Fazile, Avdullahu me bashkëshorten, katër nipër, një mbesë, rejat e djalit, dy stërnipër e dy stërmbesa fëmijët e djemve të djalit.

Prej tyre, dhjetë janë në Kosovë, ndërsa djali i madh i Avdullahut, Jetoni me bashkëshorten kanë migruar në SHBA, në Njujork.

Fazilja, e shumëvuajtura, që sot ndjehet mjaft e lumtur, kujton të kaluarën:

Mue nuk m’u ndalën do telashe, që ato, kur vendsosa me e ruejt djalin nuk i kam mendue.
Une vendosa me e ruejt Avdullahin. Do veshtirsi ti tregova. Po kanihere kisha edhe gzime.
Kur ish i vogël menojsha, thojsha t’e kisha prit me u rrite, bile deri ne shitore me shkue me mi ble senet e nevojshme për shpi.
Nji ditë erdhi Bislim Abazi, kurir i shkolles në Pollatë, tha:

  • Djali i ka ba 7 vjet, duhet me e pru ne shkulle ! – U gzova shumë. Ja bleva librat, e çova në shkollë. Ja nisi, msojke mirë e mue m’u gajke ma lehtë masi msojke edhe m’i blejke senet e nevojshme për shpi e ma letoj shumë punën, se une nuk dalsha ma. Për nji kilë kryp mu dashke me i thanë babës tem kur vike me ma ble. Tash kto i blejke Avdullahi. Shitke voe në shitore të Ajetit e me qato pare i blejshim senet e nevojshme për shpi.

Avdullahi banon te daja i tij në Podujevë gjatë shkollimit të mesëm!

 Shkuen tetë vjet qashtu. E kreu shkollën fillore. Po qysh me e çue në të mesmen në Podievë ? Msojke mirë, me ndalë pej shkolle m’u dhimke. Shkova te Haliti[6] i jonë e ja kajta hallin. Më tha :

  • Bjere se e kqyrim na! – Sa shumë u gëzova. Nuk dita as me e falënderue pej gzimit! E çova. 4 vjet e ka kqyrë Haliti. Avdullahi e kreu shkollën e mesme. Merita ishte e Halitit tonë se nuk disha ku me çue.

E ka kqyrë mirë 4 vjet, nuk kam bajt ves për ta. Reja e tij,  Zaha edhe teshat ja ka la e nuk e lejke me i pru te une në Potok me i la. Po i tha,  jo mos i enë teshat poshtë e nalt se une ti pastroi.

Atëhere komuna u jepke bursa nxënësve. I qiti Avdullahi letrat për bursë e nuk ja dhanë. E shkollova 4 vjet pa nihmën e shtetit veç me ndihmen e Halitit me familje që na edhe sod i falenderojmë shumë.

Shkoi dy vjet në shkollë në Prishtinë. As atje nuk ja dhanë as bursën e as kredinë studentore. Verës prashitke e kositke argatishi e me qato pare shkojke në Prishtinë.

Gëzimi ma i madh, kur Avdullahi nis punën në shkollën e fshatit Pollatë!

Me 01 09 1976 e pranuen arsimtar në Pollatë! Valla gzim ma të madh nuk kisha pasë ma përpara ! Pej kur menojsha a asht jetë me e pritë me shkue deri në shitore, e prita deri me pasë rrogën e vet! U ba i zoti i veti. Pej kti momenti, për idare nuk kemi hiek.

Mu ba marak me martue! E kysmet ish kanë e u martue me 01 10 1978 me Zymrinë. Jau fali zoti fëmijët.  Fimijën e parë djalë, Jetonin. Tash asht i martuem dhe punon në Nju Jork, në Amerike. E ka te kryem masterin drejtimi histori. U gëzova si kur i bajsha punët e shpisë, mu gajshin shumë letë, se une veç kositë nuk kam, tierat punë deri u rritë Avdullahi, i kam krye tana.

Po mas pak dite e thirrën Avdullahin për ushtar. Shkoi në Shkup, masanej në Dibër, 15 muej. I qitëm letrat me ja ba 12 muej po na refuzuen bile nja i Pollates u kanë kryesor kesh me Shemën e Halitit, e vetem tha, valla ju kanë refuzue. Meta me re e me ni nip të vogël në Potok pa kurfarë të ardhunash 15 muej! Valla boll zor më ka ardhë. Ditët ma të shtira në jetë se nuk kishim, djali i vogel. Veç vike baba i jem Ferizi, na nimojke edhe na e blejke harçin.

Gjithë kam ba të pane te Bali Hog, se atje u rrita tue ja ruejt gjanë tonej te Haliti e te Shema. Aty u rrita, pej atyhi më dhanë në Potok. U martova me Hamitin. Edhe tash aty e kam ba të panin sa kam mujtë me shkue.

Tash nuk po muj shkoj, po Shema me Zahen vinë gjithë e më shohin edhe ata tjerët, Murseli me grue, Sadiku,  Isufi, Kadrushi e Hajdari e tanë tjerët.

Ka dy deri tri herë në javë Zaha e Shemës më thirrë në telefon. Flasim e po më hiekun merzi. Bile, Zaha edhe grue bash të vllaut me kanë, nuk më kish kqyrë sa më kqyrë ajo mue.

Nuk ja harroj kurrë, as asaj, as atyne tjerëve. Se për mue Zoti e paska pa shkrue qishtu me u provue, njiherë me hieka e tash me smundje.

Mbasi diq Hamiti,  meta me ruejt Avdullahin. Do më thojshin e re je e mos e ruej, munet fruthi me ta myte a kolli i keq. Po së fundi nji bimë asht, mos të hi në jetë rrezik. Po unë e vendosa me e ruejt, se Hamiti e dike si po e mysin, e nji muej përpara, atij ja kam dhanë besën si kam me e ruejtë !


Shtëpia që flet shumë ! Kjo mbahet me nostalgji  sepse është ruajtur për 62 vite, nga kur Fazilja jetoi e vetme, vetëm me djalin e saj deri vonë. Kjo është shtëpia e burrit që ia la dhe ruhet për dashurinë, respektin ndaj Hamit Ramës nga bashkëshortja, djali dhe nipërit e tij.

  • Unë do ta ruajë deri sa të jem gjallë vetë, – thotë Avdullahi, djali i Hamitit, sepse e kam të babës.

Mu ka dufte me shkue në mal me pre dru me sakicë, e, djalin në dorë edhe drutë në dorë e me i pru te shpia.

Revole kam bajtë gjithë se jam kanë e re. Me përdorë më ka pa mësue Hamiti.
Kam livrue me lopë e kam majt pllugun vetë. Avdullahi deri u rritë u ka pri love. Tonej u nrruem: ai e majke pllugun une u prijsha love.

Qato ara si i punojshim na e jepshin idaren, se neve socialen, haku i Hamitit, nuk na e kanë dhanë kurrë, as stependi me u shkollue Avdullahi nuk i kanë dhanë, as ushtrinë nji vjet nuk ja banë po në ven me nejt 12 muej, ka nejt 15 muej.

Drithin e bardhe si e gjajsha theken e elb e fshijsha me lopë. E shtrejsha në lamë e tue i ene lopët e tue rrutullue kashtën bike drithi, e hidhësha me teplote, e çojsha në mulli.

Ne mulli ma çojke baba i jem deri u rritë Avdullahi, kur u rrit djali edhe ky ma shumë në krah e ka çue edhe e ka kthye të bluem.
Kah jam shkue, djalin me veti e kam mare, se u tutsha po ma mytë najkush.
Me kosite nuk kam dite veç për nji kosaq m’u ka dashtë me shkue e me korrë grun tri dite me ardhë për nji  kosaq.

Me na nimue, veç baba na ka nimue. Edhe me kosit u dufte me marrë kushëri të Avdyllahit, se me marrë jabangji, nuk kam guxue.
Me mledh sanen e mlidhsha, po me vnue sanen nuk disha Me ma vnue ni sane m’u ka dufte me ja u ba dy argat me xhvosh kallamoq.
Porezin m’u ka dashte për çdo vjet me pague a ata neve nuk na nimojshin kurgja.
Po une ja dhash besën Hamitit sa u kane gjallë si kurr pej veti nuk e daj Avdulkahin, e kam me e ruejtë.

Se Hamiti ni muej para deke tha :

  • Fazile mue po me vrasin, po djalin po e myti vete mos t’e la me hiek në duer të hueja!

Po une nuk pranova e ja dhash besën si kam me e ruejt, se ku e patëm fjalën, boll kam hiek me e rritë.

Hoqa boll me e ruejt, u tuta boll si po ma mysin, u lidha tu Zoti e tu besa si ja dhashë burrit.

E ruejta, e prita me u martue me Zymrijen. Lindën nipat Jetoni, Hamiti, Iliri, Agroni e mesa Hamidja. I prita me u rrite edhe këta tanë. Ma i vogli djalë i Avdullahit tash i ka 28 vjet.

I prita edhe me u martue nipi Jetoni, Hamiti, Iliri dhe mesa Hamidja.
Tash jam ba katragjyshe i kam Bleartin e Artin sternipa e Anisen e Dorisen stërmesa.

I kam pasë dy vllazën, të dy ma të ri se une.

Rexhepi vdiq i ri, i ra priftimi edhe e myti për dy javë në moshën 15 vjeçar kur ish, boll shumë u mërzita!

Zeneli shkoi në Mal të Zi. Atje shkoi e met. Edhe sa ke nuk kam mujt me u çmallë me ta, se u martue me nji malazeze e ajo nuk e lejke as me ardhë e as me i shkue. Ka vdekë edhe ai në vitin 2004. La nji djalë, Demushin edhe nji vajzë, Danielën. Nuk i ka lanë malazezja me ardhë e kshtu na harruen. Nuk ka dashtë as me i shkue e i kemi bajtë mallë si vllaun edhe thminë e tij. Dy muej mas vdekjes të zenelit, kemi nie për ta. Përmes Ramadan Ukës, i cili ishte duke punuar atje, na ka tregue

I vetmi shqiptar që ka marrë pjesë në varrimin e Znel Gimollit në Nikshiq, o kanë Fehat Blakçori nga Letanci, shok i ngushtë me Zenelin.

Me grue nuk e ka çue mirë,  kurre ajo se ka lane kurrë kërkan në banesë me shkue te Zeneli, bile as Fehatin. Tanë shqiptarëve ja u ka pasë mërzi.

Avdullahi i ka shkrue Zenelit se po don me shkue, por Zeneli ia ka kthye letrën e i ka thanë jo – se lajmëron në polici menjiherë e shoqja – Vukica.

Kështu humb gjaku i shqiptarit!

Dha Zoti, e edhe pse me hieka shumë, sod jam e kënaqne se asht mbush shpia e burrit tem me mashkuj. Edhe une, nesër me dekë, nuk ma len marak, se shpinë po e la plot!

24 shtator 2019 familja e tij, ngriti përmendoren e Hamit Ramës[7].

Kjo ishte shtëpia e vjetër e Fazile dhe Avdullah ramës, para se ta ndërtonin të renë, në të cilën ishin rritur të gjithë fëmijët e Avdullahit

Në Kodër të Potokut, delet e Avdullahit, duke kullotur. Ai tani mban edhe disa dhjetëra koshere bletësh.

REFERENCA:

[1] Rrahman Gimolli, kushëri i Faziles. Fazilja ishte e Gimollëve të Repës, e Ferizit. Gimollët ishin të gjithë të afërm, por disa jetonin në fshatin Sylevicë e disa në Repë.
[2] Hamiti, bashkëshorti i Faziles, po akuzohej për vrasjen e një serbi në fshatin Repë, se gjoja ai e kishte vrarë diku në vitin 1938 në Repë. Ky ishte një shkas për të mos e lënë të qetë Hamitin.
[3] Zeqa i Jahë Reçicës, i njohur për këtë anë si i mençur, i drejtë, human.
[4] Ilaz Gimolli, i vëllai i Rrahmanit, që e kemi më lart.
[5] Tani e kemi Hamitin e Ri, nipin e Faziles dhe të bashkëshortit të saj…
[6]  Haliti, është halit Gimolli, kushëri i faziles, i cili, nga Sylevica, qe shpërngulur në Podujevë në vjeshtën e vitit 1969.  Tek halit Gimolli ka banuar Avdullahi për katër vite të shkollimit të tij të mesëm, natyrisht, në mënyrën solidare. Dhe, për këto katër vite, fazilja ka qenë e vetmja në shtëpinë e saj në Potok, pa asnjë njeri tjetër!
[7] Për Hamit Ramën kemi shkruar më heret tek Zemra Shqiptare