FASLLI HALITI – 47 POEZI nga libri im i parë poetik integral “SOT”

0
858
Faslli Haliti - Sot

Poeti lushnjar Faslli Haliti e hëngri keq, nga vëllimi me 47 poezi, që botoi në vitin 1969 në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” dhe nga poema “Dielli dhe rrëkerat”. Këtu jepen disa nga poezitë në këtë vëllim, si dhe trajtimet që i bënë Kadare dhe Kapllan Resuli vëllimit të poetit të ri të asaj kohe. Kadare e kritikon, por edhe e mbron, kurse Kapllan Resuli e kryqëzon! Nga kjo, Faslli Haliti u dërgua në kooperativë bujqësore të punonte 4 vjet e 6 vjet në komunale.

Kaplan Resuli, i lindur në Ulqin, u arratis nga Kosova në Shqipëri, e tregoi veten se sa servil e partizan i partisë dhe komunizmit ishte, por edhe njeri me karakter jo-fisnik, prandaj edhe e hëngri, u persekutua dhe u internua për 20 vjet rresht nga partia e asaj kohe. Lexoni shkrime te Kadaresë, dhe të Resulit, të paraqitura këtu, për të parë karakteret e këtyre shkrimtarëve dhe gjykoni vetë, dashamirësinë dhe finesën e Kadaresë dhe dashakeqësinë e urrejtjen e Resulit…

Arben Çokaj

POEZI

Redaktore: Donika Omari
Recensent: ISMAIL KADARE
Kopertina: Çlirim Ceka
Shtëpia Botuese Naim Frashëri, Tiranë, 1969

Po i dërgoj për botim gazetave VOAL, Fjala e lirë e [email protected]

Libri SOT
Integral me (47 poezi)

dhe dy recensa me mendime e vlerësime kontraverse
nga Ismail Kadare e Kapllan Resuli

KUDO

PPSH
Me lule mbjellë në lulishte,
PPSH mbi mezhda shkruar,
Shkruar me zaje të kuqe bri rrugësh,
Shkruar me rrahe në ballin e malit,
Shkruar vitrinash mbi faqen e xhamit.
PPSH,
Në hyrjen e një fabrike, uzine,
PPSH në prolog të një poeme
Dhe tani në vjershën time.

KULLIMI

Vatra të shpërndara ujërash mbi grunja
Hapin fshatarët vija.
Rrjedhin, kullojnë ujërat,
Rinohen,
Çelen grunjat.
Puna e mbarë! Vija po hapni, miq fshatarë?
Pellgje dhe ujëra ka grunjave shumë.
Ka dhe në vjershat e mia ujë,
Në ndërgjegjen time ka:
Këneta, pellgje, moçale…
Në ndërgjegjen,
Në vjershat e mia, ja – si juve po hap edhe unë
Vija kulluese, kanale…

KALOJ

Buzë dashurive,
Bukurive,
Buzë buzëve vishnje,
Buzë syve aksioniste,
Buzë vetullave, trupave të hijshëm,
Buzë flokëve që tunden, fëshfërijnë,
Buzë plepave bleroshë,
Që pluhurin e kuq perëndimit,
Si fshesa vigane ia fshijnë,
Unë i lidhur nuk kaloj,
Siç kalonte pranë sirenave, i lidhur Odisea.
Buzë tyre shkoj i lirë,
I mbushur me ndjenja të reja.
Ato, me qindra ma bëjnë me dorë,
Aty, tek traseja.

FRYMA REVOLUCIONARE

Fryma revolucionare
Nga mendjet
Pluhurat dhe mjegullat i fshin,
Si në muajin prill,
Si në muajin maj,
Kur bije mbi grunja mjegulla e parë,
Që ndryshku kallinjtë e grurit mos prekë,
Fshatarët grurin e shkundin,
Mëngjeseve shpejt me litarë

KOKËFORTËSI MBLEDHJESH

Vjersha jote mbi mbledhjet – Majakovski –
Mbledhjet fare s’i bindi…
Njëra pas tjetrës mbledhjet merrnin valle,
Mbledhjet vazhdonin si dhembje koke,
Mbledhjet vazhdonin si dhembje dhëmballe.
Si dhe pas «Letrës së hapur»,
Akoma s’e prisni ju llapën e zgjatur?…

Gjersa jeni gjak i Partisë!

KUADROVE QË NUK U IKET

Filloi qarkullimi i madh i gjakut.
Kuadro kudo nëpër poste ku jeni,
Që dot nuk ju iket,
Që dot nuk ju zbritet:
Gufoni,
Buçitni,
Vërshoni,
Vërshoni nër dej, në trup të Shqipërisë,
Qarkullimin e madh të gjakut vazhdoni,
Gjersa jeni gjak i Partisë!

PAS MBLEDHJES

Ty të kritikuan
Dhe veten kritikove,
Dhe dole nga mbledhja…
Dole kokulur, i skuqur, sigurisht,
Ashtu si sëpata që del nga kovaçi,
Pakëz e skuqur, e nxehur,
Por e kalitur, e mprehur, dyfish,
Dhe bie
Mbi trungjet
E vjetër
Pastaj,
Dhe trungjet e vjetër i ndan më dysh.

LUSHNJA NATËN

Drita
Që shtohen,
Që çelin,
Si boçe pambuku
Të bardha përnatë.
Një parcelë e mbjellë
Lushnja,
Me drita, dritare,
Ballkone,
Pallate.

NATA

Nata –
Si nënë dëshmori me sharpin e zi,
Mbi varre dëshmorësh yjet e artë,
Si tufa lulesh i hodhi që lartë.
26

A J O

U ndeshën sytë e saj me shikimin tim,
Si dy ajsbergë u ndeshën,
U thyen.
E fyer më tha:
– Jam qytetare!
Jeni fshatar!
S’mund të martohemi bashkë!
Të kuptova, e qartë:
Je copë dëbore në mes të beharit,
Mos u ngut –
Shkrirjen e ke të sigurt!

UNË, MËSUESI I FSHATIT

Çaj baltërat e rrugës.
Çizmet mbyten e zhyten në baltë.
Prapa, në llucë,
Mbeten gjurmët e mia,
Si mbresa të thella në trurin e rrugës,
Mbeten gjurmët e çizmeve
Të NISH-gomave-Durrës.
Eci.
Në kokë formula,
Konvencione,
Kryengritje fshatare,
Eksklamacione dhe vargje poetësh
Dhe imazhi i vajzës brune,
Që prapa mbeti,
Kur mua më përcolli Herët nga qyteti.
Futem në klasë.
Era shtyn xhamat me gjoks.
Nxënësit shikojnë çizmet e mia me baltë,
Pantallonat e mia zhytur në çizme,
Flokët e mi të qullur,
Që kullojnë,

Që varen teposhtë,
Si flokët e Senekës,
Shikojnë ditarin e lagur
Dhe supet qull të xhaketës.
Dhe lodhja më ikën, më zhduket pas kësaj,
Si balta që rrugëve thahet,
Si balta që zhduket në maj…

VEÇ KUJDES

Në pranverën e jetës ne jemi?
Jeta jonë pranverë?
Po!
Dhe po me zë të fuqishëm e themi.
Veç kujdes, barishtet e këqija…
Barishtet e këqija pranverës mbijnë.
Veç kujdes… pranverës, shokë,
Pranverës, ditëve me diell,
Hijet më tepër nxijnë.
Në arën e blertë të shoqërisë socialiste
Me herbicidin e kritikës së rreptë,
Rreptë t’i spërkasim barishtet e këqija,
Me herbicidin e kritikës së rreptë
Barishtet e këqija fare t’i thajmë,
Fije për fije burokratët t’i shkulim,
Mikroborgjezët si mollër t’i harrim,
Hijet e zeza fare t’i zhdukim,
Hijet e zeza,
Si napa të zeza,
Botës së vjetër në qafë t’ia varim.

RRUDHAT

Ballin e kisha shesh,
Ballin e kisha si djerre,
Me brazda, shikoje, u mbush si ugar,
Koha pleqërinë nisi të mbjellë..
Mbillma pleqërinë, po deshe, moj kohë,
Mbillma pleqërinë, po deshe, në ballë,
Shpirti im nuk bëhet ugar,
Shpirti im do mbetet lëndinë,
Shpirti im do mbetet vilar…

PANORAMË MYZEQARE

Bredhin dy syt’ e mi
Mbi gjelbërimin e fushës pa kufi.
Cicërojnë kore harabelash,
Sikur këndojnë kore pionierësh.
M’i madhi mik i fushës, plugu,
Mbi skenën e blertë këndon.
Një kor drapinjsh, kazmash, kombajnash
E shoqëron.
Të entuziazmuara, duartrokasin gjethet,
Duartrokasin plepat, shelgjet,
Puhitë fërshëllejnë,
Grunjat, misrat dehen,
Rrëketë meken,
Kanaleve ujërat ndrijnë.
Vetëm pesimistja qyqe – Ku, ku… qan,
Pesimistja qyqe vetëm vajton.
Iku qyqe ajo kohë,
Kur mëngjeseve vajtimi yt
Myzeqarin barkbosh e tmerronte,
Kur qyqari myzeqar,
Mëngjeseve,

Vajtimin tënd dëgjonte.
Ata mëngjese ikën, qyqe,
Ikën ato kohë.
Iku mjerimi së bashku me to,
Thyej qafën, pra, qyqe,
Pusho!
Këndoni kore kombajnash, belash,
Plug, ligjëro,
Gëzim vërsho!
Grunja vallëzoni, shushurini,
Shtyjini ujërat kanale, këndoni,
Hapësira myzeqare –
Bleroni!

TI NIPÇE, KËTË NUK E DI

Ti nipçe, këtë nuk e di.
Kjo ka kohë,
Kjo nuk ka ndodhur tani.
Flokë të dendura drizash ka pasur
Myzeqeja,
Flokë ferrash kjo fushë ka pasë,
Si flokët e tua, nipçe, kaçurrela,
Si flokët e tua të shpeshta pa masë.
Veç, kooperativa berbere e rreptë
Flokët e ferrave fare ia qethi
Në diell –
Morri i pronës së vogël ngeli
Dhe ngordhi, o nipçe, pëlciti nga dielli.

Ç’KAM PARË NË FËMIJËRI

Kalbte trarët kalbësira,
Hante, brente qeprat mola,
Nëpër sqetulla qoshesh – blozë,
Nëpër qepra të trasha, të holla,
Ndërtonte fole brumbulli,
Flaka e kandilit lulëzonte e verdhë,
Si një lule kungulli.
Në gardh të kasolles,
Me hijen e gishtërinjve,
Na bënte ca lepuj në mbrëmje babai,
Shfaqje na jepte neve fëmijëve.
Kënaqesha duke parë këtë film primitiv,
Kënaqesha duke parë këtë shfaqje primitive.
Fëmijëri,
Fëmijëri,
Sa gjëra, sa gjëra…
Më ke fshehur ti!

KISH UJË NË SHPATULL MYZEQEJA

Mijëra vjet Myzeqeja,
Mijëra vjet Tërbufin e shkretë,
Si ujë në shpatull e mbante;
Kush t’ia gjente diagnozën asaj,
Kush ujin në shpatull t’ia thante?
Vetë qeveritë qenë të ndërtuara,
Që shpirtin e mbanin me gjëra të sëmura.
Diagnozën
Partia sa erdhi diktoi.
«Ujë në shpatull»
Recetën lëshoi.
Vret misri sot kokën në kupën e qiellit,
Gruri kërcen nën dritën e diellit,
Me të lehtën,
Të shkathëtën,
Të butën puhi,
Aty ku dije këneta
Qelbej me ujërat e verdha zhabi.

NË FUSHË

Nuk prashitet më,
Nuk korret më.
Vapë Sa s’ka.
Dielli në kupën e qiellit si çangë
Me trokitje rrezesh vapën lajmëron.
Ngulur mes misrit në dhe Kazmën le,
Le draprin mes grurit mbi duaj,
Balli djersë,
Kanotiera ujë.
Gorrica,
Si çadër e kaltër mes fushës, gorrica.
Hedh shpatullave çarçafin blu të hijes së saj.
Si mbi një kolltuk të butë special,
Ulem mbi poplën e plisit pastaj.
Shuhen mushkëritë e djegura me ajër.
Kamerierja puhi
Servir freski.
Gjoksi gjithë djersë,
Gjoksi im i nxehur,
Gjoksin katruves ia than.
Gjethet tunden, ftohin ajrin,
Ma djegin më shpejt cigarin.
Kazma çlodhet e ngulur në dhe.
Unë i mbuluar me çarçafin blu të hijes,
Bije, fle.

KTHIMI I SKËNDERBEUT NË KRUJË

Ra perëndimi me hënë e re
Si flamur otoman,
Kur Skënderbeu rrufe
Mbi, dherat e tij u shfaq.
U ndezën yjet e shuar
Në qiellin e zi shqiptar
Dhe Krujës i mbinë në gjoks
Si qindra dhe mija lulëkuqe,
Qindra dhe mija pishtarë.
Pastaj një mëngjes i qashtër agoi,
U ngrit një shqiponjë nga shkrepat,
Pezull mbi qiellin e purpurt qëndroi.
Ishte mëngjesi i parë,
Si flamur i kuq shqiptar.

PRANVERË

I dogji dielli retë si kaçube.
Ngecin balona tabake ndër tela.
Me gërshërën e bishtin dallëndyshja
Shiritin e inaugurimit të pranverës e preu.
Një kumbull të lulëzuar pemishtet
Pranverës i dhanë buqetë.
Mbi stola lulishtesh u ulën pensionistët,
U ngjiz,
U vak dheu,
Kopsat e këmishës rinia zbërtheu.

S O T

Agjenci,
Njerëz.
Njerëz që venë në kampin e Lurës,
Që venë të takojnë të fejuarën,
Që nisen të shohin një ndeshje futbolli,
Që nisen të marrin provimin e parë,
Që nisen të marrin provimin e fundit,
Njerëz që nisen kufirit ushtarë.
Njerëz që ikin kudo.
Ku të mund,
Rrugë,
Njerëz,
Qëllime pa fund…

KTHIMI I PUNTORËVE

Skuq qielli i perëndimit
Si sfond i tendosur tribune.
Gjysmë dielli edhe rrezet
Fiksohen në sfondin e kuq.
Parakalojnë brigadat punëtore pas pune.
Parakalojnë brigadat punëtore
Përpara kësaj tribune përnatë,
Shikoj çdo mbrëmje këtu
Një grafikë,
Një pllakat…

RRUGA

Para meje rrugët si teza provimi:
Xhade,
Monopate,
Bulevarde.
Jam përpara provimit të jetës.
Kë të marr e kë të zgjedh?!…
Atë që këmbën ta mban të pastër,
A tjetrën që baltërash të zhyt e të kredh?!
Vetes i them i vendosur:
– Merr pa frikë monopatin,
Ky, vërtet të lodh nëpër male,
Porse të ngjit e të ngre,
Ky të nxjerr në rrugë të madhe !

KOLEGU

Nata,
Bulevardi,
Fshesari dhe unë.
Eja fshesar,
Jemi kolegë –
Ndize një cigar!
Mëngjeseve, ti, me natë.
Plehra fshin me fshesë në bulevard.
Fshij plehra dhe unë me këngën time.
Plehra shekullore
Në ndërgjegje shtruar qilim,
Fshij me vjershën time,
Fshij me vargun tim.
Jemi kolegë, shoku fshesar,
Merre –
Ndize një cigar!

AGRONOMI
Shokut tim agronom Alfred Xhomo.

Prill,
Baltëra,
Shira,
Zbath këpucët e reja,
Var prapa derës rrobat e mira.
Mushama meshini vesh,
Ve në kokë kasketë,
Çizme vendi mbath,
Fushave, arave zbret,
Mëngjesi akoma pa zbardhur
Dhe ecën mbi barin, mbi tokën e ardhur.
Përpara, ja dolën parcelat.
Ti po afrohesh, po mbërrin,
Grunjat të presin me gazin jeshil,
Në thirrje shushurimash pastaj shpërthejnë,
Kur duke ardhur ty të vërejnë.

PORTRET SHQIPTARI

Si dy harqe urash dy vetullat.
Tre rrugë rrudhash të thella mbi ballë
Mbi rrugën e rrudhave ecin të tria:
Besnikëria,
Krenaria,
Trimëria.

RINI E RE

Malet shkëmb shkallëzon kudo.
Në to nuk ngjiten legjione, ushtri,
Legjione drithërash do ngjiten në to,
Buka, pra, do ngjitet në të tilla lartësi.
Cilët breza bukën e ngritën kaq lart,
Cilët breza bukën e vlerësuan kaq?
Malet bënin luftën zakonisht,
Po nesër nevoja po qe,
Në malet do bëhet dhe lufta,
Do bëhet dhe buka atje!

KUR VININ PRANVERAT…

Kur në fushë pranvera vinte,
Varte lëkurën gjarpri në ferrë.
Në gjoksin anemik
Pranverat i vinin fushës flutura,
Myzeqarit në gjoks i vinin hoxhallarët nuska.
Nga që fushës i mungonte uji pranverës, verës,
I ngordhnin në gjoks fushës fluturat,
Nga që myzeqarit i mungonte buka
Hante myzeqari
Dyllin nuskave.
Si myzeqarkat që linin pajën përgjysmë e vdisnin,
Në Myzeqe pranverat vinin;
Nga malarja mbi ujërat e Tërbufit të sëmura binin,
Përgjysmë pranverat
Linin
Blerimin.
Mbeteshin pranverat pa bleruar,
Si myzeqarkat, që vdisnin pa u martuar…
Si kalamajtë, që vdisnin pa u burrëruar.

SHI MAJI

Shiu bije, shushurin,
Si një e çarë shalqinit,
Vetëtima, vetëtin.
Të trullos grahma e tokës së lagur,
Shkrihet i kënaqur, thërrmohet plisi,
Çarton patatja, bizelja, pambuku,
Nuk përmbahet gruri, misri,
S’e përmban buzëqeshjen bujku.
Shiu bije, shushurin.
Bulon buzëqeshja nëpër bujq,
Bulon buzëqeshja nëpër bimë.

ARDHJA E VJESHTËS

Mbi koka jeshile pemësh
Natyra derdhi bojë të verdhë,
Vjeshta krahët e artë
Mbi fusha i hodhi
Dhe kodrave lart.
Fytyrën pa vjeshta mbi pellgjet me ujë,
Flokët bionde pakrehur, rrëmujë.
Shirat ardhjen e sajë
E shpallën me gaz e me bujë.
Qielli si lodër vigane gjëmoi,
Krisën si pushkë rrufetë,
Si pushkë gazmore në ditën e dasmës,
Në pritje të nuses që zbret.

MARTON VJESHTA VAJZAT

Marton vjeshta vajzat,
Marton vjeshta djemtë,
Daulleve të bubullimave qiejt
Me shkopinj vetëtimash u bien.
Degët e vidhave belin e dredhin,
Fushave valle erërat seç hedhin.
Dridhuni degë,
Dridhuni lladike!
Nën ritme bubullimash kërceni degë,
Kërceni nën ritme sqotash lirike.
T’u trashëgofshin, vjeshtë, vajzat,
Vajzat, nuset, djemtë!
Rend moj lumturi fushave,
Rend moj dashuri, rend.

UNË NUHAS PRANVERËN

Nyja, nyjën thërret.
Me rrezet paralele zgjaten kërcejtë,
Blerimi hap syrin e gjelbër gjithë qejf,
Ujërat pranverore buzëqeshin të qeta,
Pemishteve pjeshka fustanin e purpur
Nis zbukuron me lulet e veta.
Nyja, nyjën thërret,
Zgjaten kërcejtë,
Rrinë përpjetë…

MIK NË FSHAT

Mik me nusen vajta në fshat,
Që nusen time të gjithë të shikonin,
Dolën gocat, plakat, gratë.

«Kjo qenka, moj, nusja e nipit Shahinit?!
Ç’qenka, moj qyqe, kjo nuse kështu?!
Kjo të shikoka në kokrrën e syrit,
Supet përjashta, fustanin në gju?!»

Po daja fshatarëve nuk la pa u thënë:
– Nusen me nipin sonte kam miq!
Po dreqi ta hajë karamele s’më ndodhen,
U turpërova që dreqi ta hajë,
Nisu, or çun, edhe shko në dyqan!
Ç’dajë, ore, qenkam,
Më thoni dhe dajë…
Po dajës, fshatarët i folën të gjithë:
– Nxirru përpara kaçilen me rrush,
Nxirru përpara kaçilen me fiq!

Daja fshatarëve nuk la pa u thënë:
– Nusen me nipin sonte kam miq,
Po dreqi ta hajë, se sot bukë gruri
Plaka ime nuk paska gatuar!
Po jemi në kohën e lëmit, moj plakë,

Kur thasët e grurit tërbojnë në lëmë,
Pse t’u japim bukë misri të hanë?
Ç’dajë dreqi, ahere më paskan,
Ç’dajë dreqi, ahere më kanë!?

Po dajës fshatarët i folën të gjithë:
Po hë, o Shahin, se buka e misrit,
Po buka e misrit ata i ka rritë,
Pse neve, çfarë jemi që bukën e misrit
Si bukën e grurit e hamë e na ngjit?!*
Pra, vërju bukë misri përpara të hanë
Dhe preju pas buke një kokërr shalqi
Dhe preju pas buke një kokërr bostan.

Daja fshatarëve nuk la pa u thënë:
– Nusen me nipin sonte kam miq,
Po, dreqi ta hajë, krevate nuk kam,
Kam mbetur prapa, shokë, e kuptoj,
Krevati si buka qenka njësoj.

Po dajës fshatarët i folën të gjithë:
– Shtroju përtokë dyshekun në qoshe,
Hidhu përsipër jorganin e larë,
Fle nusja, fle nipi,
Flenë, ata, flenë,
Nuk janë agallarë…
Mik me nusen unë vajta në fshat,
Po nusen time kur shohin tani,
Duke korrur e duke prashitur,
Mbeten plakat, dhe gocat, dhe gratë,
Mbeten dhe burrat krejt të habitur.

ngjit?!* — na sijom

IKE

Në livadhin e blerët të shpirtit të ri
Me lule ndjenjash, dashuri të njomë,
Ishe.
Por ike,
Ike shkretëtirës së shpirtit të tij,
Ku lulëzonte vetëm një diplomë…

MARSI NË SERENADË

Marsi –
Me kokën e kaltër,
Me trupin e gjelbër,
Kitarën e ujërave vari në qafë,
Si tela kitare rrëketë i dredh,
Luleve, blerimit, iu bën serenadë.
Si vajzat që kokat nxjerrin dritaresh,
Kur natën dëgjojnë të bjerë një fyell,
Lulet kokat nxjerrin nga dheu,
Serenadën e blertë të marsit dëgjojnë,
Thithin si tingujt, veriun e vakët,
Me mijëra nga toka bulojnë.

KUJTIMI IM NGA NJË EKSKURSION

Niset…
Dyqind
Kilometra rrufiti –
Ndalet autobusi, shëmon.
Përpara
Kalaja, liqeni,
Shkodra.
Buna si grua kabahe
Me bluzën e bruztë,
Trupin duke dredhur,
Futet në gjirin e detit,
Bri bregut liqeni mërmëron.
Shkodra!
Kalaja plagët akoma mjekon.
Rrugët
E Shkodrës.
Këtu ka ecur Migjeni.
Gjurmët e Migjenit
Si fosile fiksuar mbi rrugë.
Ja ku ka ecur Migjeni!
Ja si ka ecur Migjeni!
Prapa,

Bjeri, prapa!
Shikoja ku këmbët i shkojnë,
Shikoja ku këmbët i ndalin! –
Migjeni ka shkelur kudo.
Këmbët i ndalin,
Në majën
E malit!
Sa shumë
Ka ecur Migjeni!
Sa mirë ka ecur Migjeni!
Shkodër!
Rrugët e tua pështilli si rul.
Dërgoja muzeut «Migjen»,
Në rrugët e tua të incizuara,
T’i shohin brezat gjurmët e viganit.
Brodha,
Me gjurmët e Migjenit,
Brodha nëpër rrugë, –
Ja ktheva programin ekskursionit.
Shokët,
Kur të vetëm më shikonin,
Që bridhja serioz, vizitoja rrugët,
Rrugët, vetëm rrugët,
Më quanin pa shije njeri.
Dhe thoshin, pse rrugëve bëja vizita,

Kur në Shkodër kishte
Muzè dhe fabrika.
Shokët,
Me shokët
Poza bënin në sfonde antikash,
Poza bënin përpara liqenit, bri Bunës,
Kurse për vete unë,
Përpara teatrit «Migjeni»,
Poza bëra me Migjenin. –
Poza me Migjenin
Bust.
Kthimi.
Gota
Shporta,
Servise,
Sapunë «Venus» –
Merr kujtime nga Shkodra, dikush.
Dy gjurma mora,
Shkula nga rruga, –
Dy gjurma të Migjenit mora kujtim.
Në borsetën time kujtimi më i mirë!

SHIJE TE REJA

Retë lëshojnë shiun mbi tokë,
Zbardhon si vijë e bardhë horizonti,
Zverdhin zhabinat e verdha,
Më kërkuat fusha?
Ara, fshatra –
Erdha.
Zbresin,
Rrokullisen ujërat rrëpirash,
“Delikatesa” zhytet në baltë,
Shijojnë shpatullat shije shirash,
Shijon balli shije sqotash stuhirash prapë.

Po vij në fushë, po kthehem në fshat.

DHURIM GJAKU

Vietnamit lulëkuqes së botës

Desha të bëja dhuratë,
Të bëja dhurat’ një buqetë,
Nevojë më tepër ti kishe për gjak,
Të sjell, pra, gjak shqiptari,
Gjak shqiptari, të nxehtë.
Mbushe shiringën, doktor!
Vietnamit kët’ gjak ia dhuroj.
Ky është gjak i kuq shqiptari,
S’ësht’ i bardhë e i zbehtë,
Ky e ngre në këmbë të rënin.
Gjaku im,
Vietnam,
Është i një grupi me tëndin.
Shqiptarët gjakun e tyre,
Një grupi me tëndin e kanë,
O lulëkuqe e botës – Vietnam.

LULZIMI DHE NE

Ne jemi si pemët,
Si pemët që s’çelin njëherësh,
Megjithëse pranvera për to
Vjen për të gjitha njëherësh
Të gjitha njëherësh i ngroh.
Do të lulëzojmë të gjithë njëherësh
Veç rrënjët t’i kallim në tokën e ëmbël
Dhe rrezet
kaltërsinë, blerimin pranverës
T’ia thithim me etje, o njerëz.

ZHURMË

Para meje në rrugë,
Motoçikleta kaloi plot zhurmë.
Dhe humbi mes kamionësh, tutje, në muzg.
Ca krisma skapamentosh plot gaz,
Si brazhem reaktivi la pas.
E pashë:
E thashë:
E gjërat e vogla sa zhurmë që bëjnë…

BISEDË ME BABANË

Fare s’paska pasur dashuri në ditët tona?
Përgjigju bir këtu!
Nga dashuritë tona
A nuk lindët ju?
Ka pasë në ditët tuaja
Baba dhe dashuri,
Pakëz dashuri
Dhe shumë tregti.
Si kumbulla jeshile që vilen në prill
Dhe shiten ashtu të pabëra në treg,
Këputeshin zemrat në kohërat tuaja
Dhe bliheshin zemrat e vajzave tona,
Siç blihen në treg
Kumbullat e njoma.

TRE HERONJVE

A. Reka, M. Shehu, M. Kepi

Dhe ujit Dhe zjarrit
Përpara s’u dilet – thosh’ fjala e urtë:
Por ju të tre ua dolët,
Dhe ujin dhe zjarrin i bëtë me turp.

JU DHE NE

Ju kishit ara,
Kishit çifligje,
Kulla,
Pallate,
Pare.
Ne kishim ara – arnat,
Kishim pare – arnat në shallvare;
Por përpara ne kishim atë,
Përpara ne kishim të ardhmen e madhe,
Të ardhmen e madhe që ju nuk e kishit,
Se ju atë e shitët me pare.
Në cohën e kohës suaj të vjetruar
Ju arnoni kujtimin e copëtuar.
Si endëset e reja qëndisim ne sot
Në copën e kuqe të kohës, aksionet,
Malet i mbushim me valle tarracash,
Si mbushnit ju me ballo sallonet.

AI LULËZON
I. Bruçaj

Edhe mes dimrit e dhjetorit po të jetë
Kur fryn fryma e ngrohtë e partisë
Bulojnë dhe çelin të gjithë:
Rrapi i pleqve,
Lisi i burrave,
Por e para çel
Qershia e rinisë.
Në qershinë e rinisë
Ismeti s’u shkund prej erës
Ismeti s’ra si petale,
Por çeli mes borës,
Çeli mes stuhisë
Dhe lulëzon atje në male.

DUHEJ TE KËNDOJA I PARI, E DI

E kam hekurudhën te dera e shtëpisë
Duhej të këndoja i pari, e di.
Nuk këndova,
Isha i mpirë, i hutuar,
Isha si dhëndri në dasmën e tij
Si dhëndri që pret e përcjell,
Ndërsa të tjerët këndojnë, kërcejnë,
Ndërsa ai në qoshe i lumtur rri.
Duhej të këndoja i pari, e di.

VAHU I DEJËS

Ndoshta i ndjekur prej mblesërish me vrap
Kaloi këtu malësorja Deje një ditë
Dhe mbeti vau…
Va për udhëtarin
Va për dhentë e dhitë.
Këtu fshatrat kalojnë dhe hidhen matanë
Dhe prapë do kalojnë udhëtarët këtu,
Veç ujërat e Drinit më s’do kalojnë,
Por ballin ujor do përplasin në digë
Dhe nga sytë e kaltra të ujërave nevrike
Do dalin xixa…
Jo xixa
Por llamba elektrike!

KONTROLLI PUNËTOR

Shikoi punëtorët në mbledhje!
Flasin.
Fryn sipër mbledhjes erë e kontrollit punëtor.
Salla, det i dallgëzuar.
Varka e krisur e këtij shefi të çajë, ka zor.
Çohet shefi si perëndesha Tetis,
Detin
e mbledhjes
ta qetësojë,
i shqetësuar,
Që me varkën e krisur të tij
Të lundrojë mbi detin e shtruar.
Por spirancat e fjalëve të tij
S’takojnë në fundin e detit të mbledhjes,
Ky det mbledhje është i thellë
Është më i dallgëzuari det,
Nuk mundet mbi të të lundrojë
Varka e shefit,
E krisur,
Me defekt.


Po paraqes këtu dy shkrime
kontrovers si një ballafaqim në klimën e sotme Demokraike…!

DITËT E SOTME NË POEZINË E NJË TË RIU
REÇENCË E VITIT 1969 E LIBRIT «SOT»

NGA
ISMAIL KADARE

Kur disa vite më parë një djalë i ri nga Lushnja, Faslli Haliti sillte në redaksi vjershat e para për t’i botuar, ishte e vështirë që të besoje se shpejt do të vinte koha që ai do të botonte librin e tij të parë. Kjo ndodhte sepse vjershat e tij ishin shkruar me mungesa të mëdha teknike, me gjuhë të çrregullt; idetë disa herë nuk ishin të qarta; vjershat disa herë nuk kishin kuptim. E megjithatë, midis strofave të shumta të këtij fillestari shkëlqente tek tuk ndonjë copë e bukur origjinale poetike, e cila për fat të keq humbte përsëri në grumbullin e madh të vargjeve të tij. Sikur Faslli Haliti të ishte dashuruar ahere pas vargjeve të tij, sikur ai të ngulte këmbë dhe të mbronte dobësitë e tij, ishte e sigurtë se nuk do të kishim librin e tij «Sot», që është një nga librat më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit nga Shtëpia botonjëse Naim Frashëri.

Por ai vinte nga Lushnja, i thjeshtë dhe serioz, si njeri i vërtetë i punës, dëgjonte me vëmendje vërejtjet, mundohej t’i kuptonte ato, nuk «përgjërohej» për ato që kishte shkruar, por i vihej punës të shkruante më mirë, duke flakur dobësitë e shumta. Pas një kohe të shkurtër iu botuan vjershat e para. Koha e botimit të parë është disa herë periudhë e rrezikshme për një fillestar. Pikërisht në këtë kohë mund të krijohet tek ai një vetëbesim i tepruar, i cili për fat të keq bëhet nganjëherë shkaktari kryesor që disa të rinj e fillojnë mbarë punën, mirëpo pastaj, në vend që të bëjnë përpara, bëjnë prapa.

Faslli Haliti, si shumë shokë të tij të talentuar, e kaloi me sukses këtë periudhe. Ai ishte po aq i vëmendshëm ndaj vërejtjeve, po aq serioz në punë si dhe më parë. Ne besojmë se edhe pas botimit të librit të tij të parë «Sot», Faslli Haliti, duke e kuptuar thellë se arti është një pasuri që krijohet për popullin, do të vazhdojë të punojë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të madhe, ashtu siç ka bërë gjer tani, për të shkruar dhe më mirë, për të zhdukur gjer në fund ato mungesa dhe dobësi, që vihen re edhe ne librin e bukur «Sot».

Gjëja e parë që të bie në sy në këtë përmbledhje poetike është aftësia e poetit të ri, për të komunikuar drejtpërdrejt me lexuesin. F. Haliti nuk mbështillet me «aureolën e krijuesit», duke i folur lexuesit nga lart. Ai, në mënyrë të thjeshtë dhe të natyrshme, e konsideron lexuesin si shokun e vet dhe pa asnjë pozë letrare, i flet për problemet që e shqetësojnë:

Nata,
Bulevardi,
Fshesari dhe unë.
Eja fshesar,
Jemi kolegë.
Ndize një cigare.

Kjo nuk është një thjeshtësi e shtirur e intelektualit, që duket sikur do të thotë «Shikoni sa poet i thjeshtë jam unë, bisedoj edhe me një fshesar». Po të lexosh librin e Faslli Halitit vë re që nga krej në fund e përshkon një thjeshtësi e vërtetë burrërore:

Mik me nusen vajta në fshat,
Që nusen time të gjithë të shikonin

Dualën plakat, gratë:

Kjo qenka moj nusja e nipit Shahinit,
Ç’qenka, moj qyqe, kjo nuse kështu?
Kjo të shikoka në kokrrën e syrit,
Supet përjashta, fustanin në gju.

Poeti vazhdon të tregojë historinë e vajtjes mysafir në fshat me nusen; me ngjyra të gjalla, të këndshme, duke bërë humor me veten dhe njëkohësisht duke dhënë një tablo shumë reale të një fshati myzeqar, ku shprehitë e reja po zëvendësojnë çdo ditë etikën e vjetër.

Në një vjershë tjetër ai shkruan:

Futem në klasë,
Nxënësit e mi shikojnë çizmet e mia me baltë,
Flokët e mi të qullur
Që kullojnë
Që varen të poshtë
Si flokët e Senekës.
Shikojnë ditarin e lagur,
Dhe supet qull të xhaketës.

Në faqet e librit të tij e shikojmë poetin t’i bjerë kryq e tërthor Myzeqesë, të korrë grurë me kooperativistët, të ndezë një cigare me fshesaxhinë, të çojë nusen në fshat, të dalë nga një mbledhje e fortë, të shkojë për të dhënë mësim mes përmes shiut, të diskutojë për probleme të ndryshme, të mbrojë me forcë dhe të mohojë me forcë.

Në të gjitha këto vjersha ka diçka të brendshme progresiste. Kjo është një meritë kryesore e poetit të ri. Në vjershat e Faslli Halitit përparimtarja nuk qëndron në fjalë, ajo është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave. Duke i lexuar t’i kupton përnjëherësh se këto ngjyra, këto preokupime, këto mendime, këto ngjarje të thjeshta, ndodhin në Myzeqenë tonë, midis njerëzve tanë, në ditët tona. Faslli Haliti mundohet t’i përshkruajë ato në mënyrë të freskët, origjinale, pa shabllonë poetike, të cilat krijojnë gjithmonë një perde tymi rreth poezisë.

Natyrisht kjo është një gjë shumë e vështirë dhe jo gjithmonë ai arrin ta realizojë, por disa herë e ka realizuar në mënyrë të shkëlqyer si tek vjersha Duhej të këndoja i pari, e di. Po e citoj krejt vjershën:

E kam hekurudhën tek dera e shtëpisë
Duhej të këndoja i pari, e di.
Nuk këndova.
Isha i mpirë, i hutuar.
Isha si dhëndri në dasmën e tij.
Si dhëndri që pret e përcjell,
Ndërsa të tjerët këndojnë, kërcejnë
Ndërsa ai, në qoshe i lumtur rri.
Duhej të këndoja i pari, e di.

Për hekurudhën Rrogozhinë-Fier janë shkruar qindra e qindra vjersha nga të rinjtë e të gjithë anëve të Shqipërisë, që morën pjesë në ndërtimin e saj. Ndërsa kjo është fjala e ngrohtë, e sinqertë, e thjeshtë e vendasit, e myzeqarit, për të cilin hekurudha qe dasma e tij. Faslli Haliti duke iu shmangur uniformitetit, që vihet re se në vjershat kushtuar aksioneve, në një mënyrë sa origjinale aq dhe të thjeshtë shkroi këtë vjershë të bukur.

Origjinaliteti nuk është vetëm meritë e poezisë, por është kërkesë objektive, që poezia të pasqyrojë sa më gjerësisht jetën e popullit. Duke u përpjekur të tërheqim një numër sa më të madh të rinjsh në punën letrare, e bëjmë këtë gjë jo për të nxitur uniformitetin, por pikërisht për ta luftuar. Mbyllja e poezisë në kuadrin e një numri të kufizuar autorësh, rrit shabllonet poetike, nxit imitimet, krijon një ndarje midis poezisë dhe jetës dhe shton uniformitetin. Zgjerimi i radhëve të letrarëve duhet të bëjë të kundërtën.

Origjinaliteti nuk është luks. Pasqyrimi sa më në mënyrë origjinale i realitetit tonë në veprat e sa më shumë autorëve, do të krijojë një tablo që mund t’i afrohet pak a shumë tablosë jashtëzakonisht të larmishme të realitetit tonë. Uniformiteti varfëron edhe zbeh tepër pasqyrimin e jetës sonë. Shablonnet, skemat e gatshme, parafabrikatet letrare nuk sjellin asgjë të mirë. Natyrisht ka një ndryshim të madh midis origjinalitetit dhe manisë për të qenë origjinal, mani e cila kthehet kundër autorëve dhe dëmton rëndë punën e tyre.

Në librin «Sot» bie në sy hapësira, ajri, drita, freskia e motiveve, ngjyrat e çelëta të fushës. Në të gjitha këto ka diçka nga Myzeqeja, nga gëzimi dhe çiltërsia e saj. Për të dhënë imazhet e fushës, që e ka lindur dhe që poeti e do me gjithë shpirt, ai përdor një gjuhë të figurshme, me krahasime tepër të kapshme, të guximshme dhe konkrete. Konkretësia është një cilësi tjetër e tij e mirë, që nuk e le të bjerë rob i spekulimeve të fjalëve. Ja një tablo e së kaluarës:

Kur në fushë pranvera vinte,
Varte lëkurën gjarpri në ferrë,
Në gjoksin anemik
Pranverat i vinin fushës flutura,
Myzeqarit në gjoks i vinin hoxhallarët nuska.

Këtu Myzeqeja dhe myzeqari gati-gati janë perceptuar si diçka unike, ku nuk kuptohet ku mbaron fusha dhe ku fillon njeriu. Gjoksi i fushës me fluturat e thara dhe gjoksi i myzeqarit me nuska shtrihen në një krahasim, që ka një trishtim madhështor.

Krahasimet e ndërtuara me element konkretë të jetës janë shumë interesante kur përdoren me vend. Për njeriun që del nga mbledhja e kolektivit, ku e kanë kritikuar, poeti shkruan:

Dole kokulur, i skuqur, sigurisht,
Ashtu si sëpata që del nga kovaçi,
Pakëz e skuqur, e nxehur
Por e kalitur, e mprehur dyfish.

Ose për kënetat e Myzeqesë ai thotë se «kish ujë në shpatull Myzeqeja». Disa herë krahasimet bëhen edhe më të guximshme: “Si e çarë e shalqinit Vetëtima vetëtin”. Ndoshta konkretësia është tepruar, por sidoqoftë tendenca është e mirë. Në vend që të përdorte krahasimin e stërpërdorur gjatë mijëra vjetëve «vetëtima si gjarpër», e cila jep vërtet deri diku lëvizjen e vetëtimës, por le jashtë ngjyrën, poeti nga jeta e përditshme fusharake mori një krahasim edhe më konkret, ku jepet më mire ngjyra, megjithëse lihet jashtë lëvizja.

Faslli Haliti është një poet që arrin rezultate të mira me përpjekje të mëdha. Kjo është mënyra e të punuarit të tij. Shpesh herë një vjershë e bukur e tij qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë. Kjo nuk është një gjë shqetësuese, përderisa poeti do të vazhdojë ndaj dobësive të tij, do t’i luftojë këto, të ruajë të mprehur vëmendjen duke u ndarë vazhdimisht prej tyre.

Në librin «Sot» gjithashtu ka mjaft dobësi. Disa herë vjershat janë të cunguara, fragmentare, pa ide të rëndësishme; ato duken si skica të paarrira, që nuk bëjnë përgjithësime. Duket sikur autori i ka lënë përgjysmë nga shpejtësia ose hutimi.

Nganjëherë vjersha nuk del nga kuadri i një konstatimi ose i një krahasimi të thjeshtë. Ka një farë «skeletizmi» në vjersha. Poeti i ri duhet që, duke ruajtur cilësitë e tij më të mira të thjeshtësisë, konkretësisë, lakonizmit, të mos i shndërrojë ato kurrë në qëllim në vetvete. Në vjershat e tij F. Haliti ka shpesh impresione të shkurtra, të cilat mbeten thjesht impresione kur nuk shoqërohen me një ide të rëndësishme. Ai duhet të përpiqet t’i shmanget një farë «akuarelizmi», i cili duket edhe në vëllimin «Sot».

Ai duhet të përpiqet nga ana tjetër të zgjerojë diapazonin e tematikës së tij. Pa hequr dorë nga freskia lirikës së fushës, Do ta pasuronte poezinë e tij edhe një frymë më e gjerë epike, një nerv më i fortë ndaj ngjarjeve të mëdha me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Të gjitha këto nuk ka pse të kërkohen përnjëherësh. Këto janë elementë që objektivisht e pasurojnë poezinë e një poeti të ri, i cili nuk mbetet në vend por ecën përpara.

Shkrimtarët tanë të rinj kanë shumë për të mësuar, në radhë të parë nga jeta dhe pastaj nga librat. Ata kanë shumë nevojë për ndihmë. Ata duhet të ndihmohen nga shkrimtarët më me përvoje. Nga ana tjetër është e domosdoshme të ndihmohen të rinjtë për të kapërcyer ndjenjën e vetëkënaqësisë pas sukseseve të para. Kur të punohet mirë me të rinjtë, ata do ta kuptojnë shumë mirë se kjo gjë që po bëjmë ne, krijimtaria letrare, nuk është diçka e mbinatyrshme, por është një përpjekje në kuadrin e përgjithshëm të përpjekjeve për përparimin e vendit. Tek të gjithë letrarët, e sidomos tek fillestarët, duhet të rrënjoset ideja se letërsia nuk është një stolì që zbukuron dhe bën interesante vetveten, po është një pasuri kombëtare dhe, si të gjitha pasuritë shpirtërore të popullit, ajo krijohet me vështirësi dhe mundime të jashtëzakonshme, nga shumë breza e nga shumë njerëz.

Gazeta «Drita», 12 tetor 1969


II

JA DHE NJË RECNSË KONTROVERSE PËR LIBRIN “SOT”
NGA SHKRIMTARI KAPLLAN RESULI

POEZI QË S’PASQYRON TIPIKEN

Lidhur me vëllimin “Sot” të Faslli Halitit

Ca kohë më parë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nxorri në dritë vëllimin “Sot” të letrarit lushnjar, Faslli Haliti.

Libri përmbledh 47 vjersha, shumica të botuar në organet e shtypit këto tre-katër vjetët e fundit. Bien në sy menjëherë se vjershat e Faslli Halitit janë të shkurtëra e kryesisht me varg të lirë; dromca të vogla që lexohen shpejt e poashtu shpejt edhe harrohen se kalojnë pa lënë ndonjë mbresë më të thellë. Ka mes tyre edhe krijime më të mira, por shumica porsa janë të dala nga djepi diletantesk e pa ndonjë vlerë, ashtu siç e ka konstatuar edhe Ismail Kadareja, që thotë: “Shpesh herë vjerasht e tij (të Faslli Halitit), janë të parealizuara. Shpesh herë një vjershë e tij qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë.” (“Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, gazeta “Drita” Nr. 42, datë 12.X.1969).

Një numër i konsiderueshëm i vjershave të këtij vëllimi, jo vetëm që janë të parealizuara dhe pa asnjë vlerë, por paraqesin edhe pikëpamje të gabuara ideo-politike dhe si të tilla janë denigruese dhe në kundërshtim flagrant me realitetin dhe mësimet e partisë.

Ndër krijimet më të mira të këtij vëllimi, duken “Mbas mbledhjes”, “Panoramë myzeqare”, “Kish ujë në shpatull Myzeqeja”, “Kur vinin pranverat”, “Dhurim gjaku”, “Bisedë me babanë”, “Ai lulëzon”, dhe “Deri diku mund të këndoja i pari, e di”.

Kur themi se këto janë krijimet më të mira të Faslli Halitit, kjo s’do të thotë se këto krijime janë të përsosura e pa të meta. Edhe këto krijime kush më shumë dhe kush më pak, kush në përmbajtje dhe kush në formë, çalojnë aty këtu dhe hapin shteg për diskutime, duke i lënë kështu lexuesit shumë për të dëshiruar. Fjala vjen vjersha “Dhurim gjaku”, është e mirë por në katër vargjet e fundit, janë të tepërta dhe s’mund të thonë asgjë të re, kështu që s’i kanë mujtë redaktorët e vëllimit lirisht t’i hjekin vargjet që paraprijnë;

“Gjaku im Vietnam,
Eshtë i një grupi me tëndin”

E kanë thënë njëherë atë që pa ndonjë nevojë na e përsërit Faslli Haliti në vargjet “Shqiptarët gjakun e tyre, një grupi me tëndin e kanë”.

Përsëritje të tilla të panevojshme, që e dëmtojnë poezinë ka shumë në krijimet e Faslli Halitit. Në vjershën “Kullimi”, ai thotë: “Në ndërgjegjen time ka këneta, pellgje, moçale”. Fjalët ‘keneta’ dhe ‘moçale’, kanë të njëtën kuptim. E dyta është dhe fjalin e huaj, sllave (moçvara), në kuptimin ad literum të fjalës kënetë, kështu që kemi jo vetëm një përsëritje që s’thotë asgjë të re, një përsëritje që e dëmton poezinë, por kemi dhe futjen e panevojshme dhe të padëshiruar të një fjale të huaj.

Tek poezia “Duhet të këndoja i pari, e di”, përsëritjen e fjalës ndërsa, në fillim të vargut të parë dhe të tetë, jo vetem që s’Ia kanë arrijtë qëllimit, efektit artistik, por edhe e dëmton shumëm ritmin e poezisë dhe rrjedhën e mendimit, duke krijuar kështu një frazë në kundërshtim me sintaksën e shqipes. Për këtë poezi, meqë thamë se është e mirë, duhet të shtojmë se ajo është e mirë vetëm në qoftë se e shikojmë si një autokritikë personale.

Mirpo po ta shikojmë në planin e përgjithshëm, ashtu siç duhet shikuar një vepër artistike, ku uni i poetit duhet të shkrihet me unin e përgjithshëm, atëhere na duhet të themi se kjo poezi, jo vetëm që s’është e mirë, por edhe shtrembëron realitetin, se s’është e vërtetë se rinia e Myzeqësë qëndroi “Si dhëndrri që pret dhe përcjell”, ndërsa të tjerët po ja shtronin “hekurudhën te dera e shtëpisë”. Rinia e Myzeqesë hodhi kazmat e para dhe të fundit krah për krah me rininë e krahinave të tjera, që vërshoi në Myzeqe. Rinia e Myzeqesë i priti dhe i përcolli vëllezërit dhe motrat e krahinave të tjera, jo e “mpirë” dhe “e hutuar” siç thotë F. Haliti, por me këngë dhe valle, duke kënduar dhe duke kërcyer.

Ndaj edhe themi se për këtë poezi, Faslli Halitin është për t’u përgëzuar për rrëfimin dhe autokritikën e sinqertë të ngritur në art, por ama ai duhet të dijë, se çështja personale që nuk shkrihen në çështjet e përgjithshme, lexuesit pak ose aspak i interesojnë. E kur këto çështjet lënë shteg edhe për interpretime të padëshiruara, atëhere është më mirë që të mos ngrihen fare, në qoftë se s’kemi aftësitë dhe forcat për të ngritur në art ashtu siç duhet, duke i shikuar përmes kuadrit të përgjithshëm, përmes asaj që është tipike.

Ndër krijimet që posa kanë dalë nga djepi diletantesk mund të përmëndim “Kullimi”, “Veç kujdes”, “Kthimi i Skënderbeut”, “Rruga”, “Kolegu”, “Rini”, “Lulzimi dhe ne”, dhe “Zhurmë”.

Mendimi ynë si lexues është që vëllimi duhet të kishte dalë vetëm me këto vjersha. Sa u përket 31 vjershave të tjera ne rezervojmë mendimin tonë. Pejsazhet “Pranverë”, “Shi maji”, “Ardhja e vjeshtës”, “Unë nuhas pranverë”, “Marsi në Sarandë”, dhe “Shije të reja”, ne na duken tepër të përgjithshëme, pa jetë pa ngjyrë kombëtare.

“Marsi,
Me kokën e kaltër
Me trupin e gjelbër
Kitarë e ujrave vari në qafë
Si tela kitarash rrëkerat i dredh
Luleve, blerimit, iu bën serenadë”.

(Marsi në Sarandë)

“Mbi koka jeshile pemësh
Natyra derdhi bojë të verdhë
Vjeshta krahët e artë
Mbi fusha i hodhi,
Dhe kodrave lart”.

(Ardhja e vjeshtës)

“Nyja nyjën thërret
Me rrezet paralele zgjaten kërcellet
Blerimi kap syrin e gjelbërt gjithë qejf,
Ujrat pranverore buzëqeshin të qeta
Pemishteve pjeshka fustanin e purpurt
Nis zbukuron me lulet e veta.”

(Unë nuhas pranverën)

Ja disa strofa të këtyre pejsazheve ku manija dhe dora e njeriut tonë nuk duket asgjëkundi. Këto pejsazhe bien erë kozmopolitizëm, s’e kjo natyrë që na vizaton autori, nuk pasqyron transformimin socialist në fshatin tonë fushor, apo malor, nuk ka asgjë kombëtare, asgjë shqiptare. Vargje të tilla, për natyrën kanë shkruar dikur romantikët dhe sot shkruajnë poetët e rrymave të ndryshme, por kurrsesi shkrimtarët e realizmit socialist, për të cilët kozmopolitizmi, si armë e nacionalizmit borgjez, është i huaj.

Panorama e Myzeqesë që na jep Faslli Haliti, nuk është ajo e ditëve tona. Ai thotë:

“M’i madh mik i fushës, plugu
Mbi skenën e blertë këndon
Një kor drapërinjsh, kazmash, kombajnash
E shoqëron”.

Është e vërtetë se dikur ka qenë “M’i madhi mik i fushës plugu”, Mirpo sot kjo panoramë ka ndryshuar. Në vënd të plugut kemi traktorët që buçasin anëembanë Myzeqesë dhe në vend të krahëve të njëri-tjetrit, kemi kombajnat dhe maqineritë e tjera agroteknike. Buqësia jonë është modernizuar dhe plugu s’është më “miku më i madh i fushës”.

Dhe, ajo që është më e rendësishme, në Myzeqë sot vjeshta nuk sheh më fytyrën e vet “mbi pellgje me ujë” (“Ardhja e vjeshtës”). Këtë pasqyrim e ka pas vjeshta në Myzeqenë e bejlerëve dhe agallarëve, por jo në Myzeqenë e partisë dhe të popullit punues.

Me plot të drejtë na thotë një agronom në Lushnje:
Në qoftë se është e vërtëtë ajo që thotë Faslli Haliti në vëllimin e tij “Sot”, për Myzeqenë, në qoftë se është e vërtetë se vjeshta sheh fytyrën e vetë mbi pellgjet me ujë këtu në Myzeqe, atëhere Partia dhe Qeveria duhet të më hedhin hekurat në duar, se më kanë vënë në dispozicion miliarda për t’ia ndryshuar pamjen Myzeqesë, për të tharë kënetat dhe pellgjet, që vjeshtat më të mos shohin fytyrën e tyre mbi pellgjet me ujë. E këtë gjë duhet ta dijë fare mirë Faslli Haliti, se edhe në qoftë se s’ka kaluar në fushë për të parë ndryshimet kolosale, sihariqi i këtyre ndryshimeve duhet t’i ketë arrijtur edhe në dhomën e tij prej fildishi, ku me siguri nuk dëgjohet piskama e mushkonjave”.

Ja dhe disa vargje nga vjersha “Shije të reja”:

“Retë lëshojnë shiun
Zbardhon si vijë e bardhë horizonti
Zverdhen zhabinat e verdha
Më kërkuat fusha
arat fshatrat
Erdha”.

Vallë, tre vargjet e fundit të kësaj strofe, a nuk edukojnë tek lexuesi pasivitetin, nënshtrimin e njeriut prej natyrës? Si është e mundur që fshatari ynë kooperativist i edukuar nga partia me botkuptimin materialist, sot, mbas 25 vjetëve, përsëri të presë lëmoshë nga natyra? Kësaj i thonë të shkruash larg fshatit dhe fshatarit, që nga tavolina. Do të ishte mirë që më parë autori të vizitonte rezervuarët e Thanës, hauzet dhe kanalet vaditëse anë e kënd Republikës… Por e keqja s’qëndron këtu?

Le të ndalemi tek vjerash “Sot”, “Kuadrove që nuk u iket”, “Në fushë”, “Unë, mësuesi i fshatit”, “Mik në fshat”, “Ike”, “Ajo”, “Kaloj”, “Nata”, etj.

“Njerëz që venë në kamp në Durrës
Që venë të takojnë të fejuarën
Që nisen të shohin një ndeshje futbolli
Që nisen të marrin provimin e parë
Që nisen të marrin provimin e fundit
Që nisen kufirit ushtarë”.

Po të heqi vargun e fundit, autori në vjershën “Sot”, na servir si problemet më shqetësonjëse të kohës sonë, pushimin, dashurinë dhe diplomën për të garantuar qetësinë personale…

Ç’vargje të neveritëshme?!

Vallë s’kishte mundësi autori në vjershën “Sot” të na paraqistë inisiativa, që kanë lindur në gjirin e të rinjëve dhe të masave, për të zbukuruar malet me taraca, për të përvetësuar mësimet e partisë dhe të shokut Enver, për të hequr dorë nga prona personale, për të mësuar gjithë artin ushtarak etj.

“Sot”! Vallë, ku duket heroizimi masiv, ku duket solidariteti popullor, ku spikat uniteti moralo-politik Parti-Popull…?! Askund, askund, veç predikimeve të sëmura… veç predikimeve alla-revizioniste… veç rrugëve pakrye:

“Njerëz që ikin kudo
ku të mundin…”.

Sot

Besnikëria dhe gadishëmria e kuadrove tona, të edukuar nga mësimet e mëdha të partisë për të vërshuar poshtë, ku e lyp nevoja e atdheut – ja lajtmotivi që duhet të frymëzonte Faslli Halitin. Por këtë fakt autori e ka injoruar në vëllimin e tij duke shkruar:

“Kuadro kudo nëpër poste ku jini,
Që dot nuk ju iket
Që dot nuk ju zbritet…?!”

(“Kuadrove, që nuk ju iket”).

Vallë ky është realiteti ynë? Kurrsesi! Faslli Haliti do të bëjë mirë që të njihet me të gjithë kuadrot e reja, që kanë zbritur nga kryeqyteti në qytetin e Lushnjës dhe ndër të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, për të kuptuar se tipari karakteristik i kuadrove tona nuk është “ngurrimi i imagjinuar nga Faslli Haliti, por besnikëria dhe gatishëmria e tyre. Nëse autorin e zë meraku për ata pak individë trumykur e burokrat, që nuk shohin më tej nga hunda e tyre, e këshillojmë që të mos shqetësohet, sepse Revolucionit fitimatar nuk i bëhet vonë, për të tillë bashkëudhëtarë miopë dhe egoistë.

Kemi përpara vjershën “Në fushë”, Lexojmë;

“Nuk prashitet më
Nuk korret më
Vapë
Sa s’ka”.

Stepjen nga vështirësitë, ja ç’na edukojnë këto katër vargje?! Sjellim ndërmënd vargjet e poetit tonë të respektuar, F. S. Noli:

“T’u tha gryka, po s’të pihet
T’u mpi këmba po s’të rrihet
Se mileti po të pret…
………………………………………
Shpejt or Marathonomak”!

Ç’optimizëm na ngjallin këto vargje të shkruara 39 vjet më parë?!

Sa keq na vjen që Faslli Haliti, në vënd që të na japën figurën e Marathonomakut të ri, të kalitur në kudhërën e partisë, na servir një fshatar, individ i cili, pasi i than gjoksin katruveve, ngul kazmën në tokë dhe ja fut gjumit nën hijen e goricës? E ç’mund të mësojë lexuesi prej një vjershe të këtillë, ku as nuk duket puna kolektive, ku askund nuk vështrohet teknkika dhe agroteknika, ku veç misrit dhe grurit, nuk mbillet asnjë kulturë tjetër, ku autori predikon përtacinë dhe stepjen nga vështirësitë? Dhe kur? 39 vjet mbas Marathonomakut të F. S. Nolit, kur ne me plot të drejtë presim prej poetëve tanë, që s’ë paku nga ana ideore, të qëndrojnë më lart se F. S. Noli.

Lidhur me vjershën “Mik në fshat”, që është një ndër vjerasht më të mira të këtij vëllimi dhe që ka vargje dhe pasazhe të mrekullueshme, është shkruar në ndonjë artikull kritik, se gjoja këtu na u pasqyruakan ndryshimet social-ekonomike që po ndodhin në fshatin tonë socialist, etj. S’ka si të mos qeshim me këtë vlersim subjektivist, që bien në kontraditë me vargjet e letrarit të ri, i cili në mes të tjerash thotë:

“Daja fshatrave nuk la pa u thënë:
Nusen me nipin sonte kam miq,
Po dreqi ta hajë se sot bukë gruri
Plaka ime s’paska gatuar!
Po jemi në kohën e lëmit moj plakë”!

A nuk flasin këto vargje për një fshat më të prapambetur, edhe të pakolektivizuar, ku sejcili fshatar ka magjen dhe lëmin e tij?

Nëse Shahini do të paraqitej si anëtar i kooperatisvës, ankesa e tij do të ishte absurd, sepse në kooperativë anëtarët bukë nuk gatuajnë vetë, por e marrin në dyqanin e bukës, ndersa lëmenjtë janë pronë e paprekëshme e kolektivit të bashkuar. Autori gjithashtu ka harruar faktin se shallvaret dhe tumanet nëpër fshatra tona fushore dhe malore janë zëvëndësuar me veshjen e lehtë socialiste?!

“Kjo qenka moj nusja e nipit të Shahinit?!
Ç’qënka moj qyqe kjo nuse kështu?!
Kjo të shikoka në kokërr të syrit
Supet përjashta fustanin nën gju”?!

Ky fanatizëm ky ambijent fshataresk, bien në kontraditë me fshatin e ri socialist, ku të rejat dhe nuset po shkallmojnë dita ditës zakonet e vjetra, po luftojnë thashethemet, po përqafojnë normat e moralit të ri, po futen gjithnjë e më shumë në rrugën e përparimit, po marrin pjesë gjallërisht në të gjitha fushat e jetës.

Asnjë përgëzim nuk meriton as vjersha “Unë mësuesi i fshatit”, sepe autori, në vend të figurës së mësuesit, komisar drite dhe përçonjës i politikës së partisë në fshat, na ka dhënë figurën e një mësuesi qesharak;

“Pantallonat e mia zhytur në çizme
Flokët e mi të qullur
Që kullojnë
Që varen teposhtë
Si flokët e Senekës”.

Ky mësues ka katandisur në këtë gjendje, sepse “imazhi i vajzës bukuroshe”, e tërheq vazhdimisht drejt qytetit. Në asnjë varg ky mësues nuk del si aktivist shoqëror në fshat. Mëndja e tij është e mbarsur vetëm me formula, konveksjone dhe “eksklamacione”. Ky lloj mësuesi s’ka asgjë të përbashkët me Ndrec Ndue Gjokën, Ismet Sali Bruçajn, me mësuesit e Kolonjës e të Mirditës, dhe me mijra e mijra mësues të tjerë, që lumturinë e gjejnë në fshat, në gjirin e fshatarësisë kooperativiste.

Në një kohë kur Partia lufton për emancipimin e femrës shqiptare, në një kohë kur udhëheqësi ynë i madh shoku Enver Hoxha ngre lart gjestin e qytetares Athina Mile, që zgjodhi për bashkëshort një të ri kooperativist nga Malësia e Mirditës, Faslli Haliti në poezinë “Ajo” dhe “Ike”, na e paraqet femrën të varfër shpirtërisht dhe të prapambetur nga ana ideore:

“Jam fshatar (qytetare)
Jeni fshatar!
S’mund të martohemi bashkë!”

(“Ajo”).

“Në livadhin e blertë të shpirtit të ri
Me lule ndjenjash, dashuri të njomë,
Ishe
Por ike
Ike skëterrës së shpirtit të tij
Ku lulëzonte vetëm një diplomë”.

(“Ike”)

Ashtu si te vjersha “Kuadrove që nuk u iket”, edhe në këto dy vjersha të vogla, autori nuk ka kapur tipiken, që ne e shohim të mishëruar në gjestin e Athina Miles dhe të qindra arsimtarëve myzeqare dhe korçarë, që vullnetarisht kanë shkuar në zonat e thella malore të Veriut, për të shërbyer si edukatore të brezit të ri.

I padrejtë na duket krahasimi i natës me nënën e dëshmorit, që i dha Luftës Nacional-Çlirimtare djalin apo vajzën e vet: “Nata, si nënë dëshmori me sharpin e zi…”. Dhe jo vetëm në këtë vjershë. Krahasimet e Faslli Halitit thuajse nga vjershë në vjershë çalojnë. Paralelizmi i pranverës me hoxhallarët dhe i fluturave me nuska në poezinë “Kur vinin pranverat”, tregojnë papjekuri të theksuar.

Shenja formalizmi dhe manjerizmi vëmë re te vjersha “Kaloj”, ku e gjithë amfora na duket e kërkuar artificialisht, në kundërshtim edhe me natyrën e gjuhës sonë, e cila pranon të tilla frazeologji; “buzë lumit”, “buzë liqenit”, “buzë detit”, “buzë malit”, por kurrsesi; “buzë vetullve”, “buzë syve”, “buzë flokëve”, “buzë buzëve”, etj.

S’jemi dakort as me konceptin ideo-politik të autorit që duke kaluar tek traseja, nuk sheh tek aksionet tona dashurinë ndaj Atdheut, por dashurinë seksuale; nuk sheh bukuritë e sakrificës dhe të vetmohimit, bukuri të entuziazmit rinor, të patriotizmit dhe të ndërgjegjies së lartë socialiste, por bukuritë e syrit të aksionistëve, të buzëve vishnje, të syrit, të vetullave, të trupit të hijshëm dhe flokëve.

Dhe autori shpif me paturpësinë më të madhe kundër aksionistëve tona, kundër motrave dhe bijave tona, duke thënë se një njeriu të tillë, ato me qindra ja bëjnë me dorë, e ftojnë për dashuri seksuale. Kjo siç thamë është një shpifje e paturpshme dhe e palejueshme, se njerëzve të tillë, aksioinistet tona, rinia jonë, jo vetëm që s’ua ka bërë dhe s’ja bën me dorë, por u ka pështyrë dhe u pështyn në surrat dhe ka marrë dhe merr masa kudo që i zbulon për edukimin e tyre. Një mendim i tillë i autorit asesi s’pajtohet me realitetin ndër aksionet tona, ku shkohet për t’u kalitur ideologjikisht e fizikisht edhe jo për t’u dashuruar.

Partisë Faslli Haliti i kushton vetëm vjershën “Kudo” e cila s’është gjë tjetër veçse pllakat, ku PPSH-në e gjejmë vetëm të shkruar vetëm; “mbi mezhda”, “bri rrugës”, ”në ballin e malit”, “mbi faqen e xhamit”, “në hyrjen e një fabrike”, “në prolog të një poeme”, por jo në zemrat e njerëzve, të cilët nën emrin e saj munden me furtunën, me zjarrin, me tërmetin, me armiqtë e revolucionit dhe kurdoherë dalin fitimtarë.

Në vëllimin “Sot”, ndeshemi edhe me krijime shumë të dobta nga ana artistike, si fjala vjen “Lushnja natën”, që s’paraqet asgjë të re, asgjë të veçantë për Lushnjën si qytet i rëndësishëm bujqësor dhe industrial.

Fakti që autori s’na flet as për punëtorët e turnit të natës, as për bisedat e nxënësve, që kthehen nga shkolla e bashkuar pa shkëputje nga puna, as për traktorët që në periferi të qytetit zhurmojnë gjer në orët më të vona të natës, na bën të mendojmë se Faslli Haliti e sodit jetën vetëm nga larg.

Vjerash “Kujtimi im nga një eskursion”, inkuadrohet ndër krijimet më të dobta, të pafrymëzuara, ku vetëm përmënden dhe objekte ku autori dhe kolegët e tij kanë parë dhe kanë marrë me vete. Në përgjithësi poezia e Faslli Halitit është një poezi e përciptë, pa frymëzim, e ftohtë, e për më tepër denigruese, sepse Faslli Haliti nuk e vështron realitetin tonë ashtu siç është, por siç ka qenë dikur, nuk krijon poezi të realizmit socialist, por poezi të sëmura, që dalin duke e vështruar realitetin përmes një prizmi personal e të huaj për ideologjinë tonë.

Çuditemi me autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit? Partishmëria jonë tek vëllimi i Faslli Halitit është e jashtëme, qëndron vetëm në fjalë dhe nuk futet në brendi të subjektit. E përsa i përket vjershave të gabuara, ajo është edhe e huaj.

Ne dhe shumë pjesmarrës të diskutimit krijonjës të organizuar nga Shtëpia e Kulturës e qytetit tonë për lbrin “Sot”, s’pajtohemi as me mendimet subjektive të Ismail Kadaresë dhe as me çmimin e tretë, që zhuria e poezisë i dha këtij vëllimi në konkursin e madh kombëtar të shpallur me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut tonë. Ne jemi të mendimit që autorëve të rinj u duhet dhënë ndihmë për të përvehtësuar mësimet e partisë, për të njohur jetën dhe për të zotëruar artin e të shkruarit, por në asnjë mënyrë të mos u bëhen lëshime në ideologji ose t’u fërkohen krahët kur ata nuk e meritojnë. Tek autorët e rinj nuk duhet vlerësuar vetëm manitë e tyre për të krijuar figura bajate;

Kamarieria puhi
servir freski
”.

Apo;
Kooperativa berbere e rreptë
flokrat e ferrave fare i qethi
”.

E themi këtë se figura të tilla, tendenca formaliste dhe manjerizmi, e bëjnë lexuesin tonë të rëvoltohet, të pështyjnë në atë poezi e të thotë; “Kjo nuk është poezia, që unë kërkoj nga poetët e realizmit socialist”.

Kapllan Resuli, shkrimtar
Spiro Dinaku, nënpunës
Hysen Kurti, punëtor

Arkivi Qëndror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973

Partisë, Faslli Haliti i kushton vetëm vjershën “KUDO”, e cila s’është gjë tjetër veçse pllakat, ku PPSH-në e gjejmë vetëm të shkruar vetëm; “mbi mezhda”, “bri rrugës”,”në ballin e malit”, “mbi faqen e xhamit”, “në hyrjen e një fabrike”, “në prolog të një poeme”, por jo në zemrat e njerëzve, të cilët nën emrin e saj munden me furtunën, me zjarrin, me tërmetin, me armiqtë e revolucionit dhe kurdoherë dalin fitimtarë.