FAMILJA E HOTIT E SHUAR PËR ATDHE

0
2485

Dedë Gjo Luli, Nik Gjelosh Luli, Gjergj Dedë Gjo Luli, Kol Dedë Gjo Luli, Luc Nishi, Pal Luc Nishi, Gjelosh Luli.

Nga KOLEC TRABOINI

Nga largësia e një shekulli emri e vepra e Dedë Gjo Lulit shfaqet akoma më madhështore. Me një figurë të tillë në histori krejt ngjashëm të krijohet imazhi i largimit prej një mali. Kur je afër nuk mbërrin me e pa të gjithin, por duke u larguar në hapësirë mali të shfaqet me tërë madhështinë e vet. Koha prej njëqind vjetësh ka qenë një gur prove për shumë figura historike, për mirë apo për keq. Disa lartësohen gjithnjë e më shumë dhe vepra e tyre merr vlerë të jashtëzakonshme për ekzistencën e shtetit shqiptar, mjafton të përmendim Gjergj Kastriotin, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Dedë Gjo Lulin, Isa Buletinin e plot të tjerë. Disa prej këtyre burrave të kombit iu pre jeta në mes, e disa edhe e mbyllën përgjithmonë derën e shtëpisë së vet. Dedë Gjo Luli i Traboinit të Hotit ishte nga fisi Gozdjen ku përfshihen(Dedvukajt, Nicajt, Gjelajt dhe Camajt), që ishte në vllazni me Gojçajt dhe Dushajt. Ishin tre vëllezër pra bijtë e Geg Lazër Keqa Prekës, e prej këtij të fundit burojnë tërë familjet e Hotit.

Dedë Gjo Luli ka lindur në Bardhaj të Traboinit në vitin 1840 dhe ishte vojvoda i Traboinit, por për shkak të urtësisë së tij, fjala e tij peshonte në 500 shtëpitë e Hotit dhe dëgjohej me urti edhe nga bajraktari Mul Delia. Dedë Gjoni kishte marrë pjesë në shumë luftëra, por pesha më e madhe mbi supet e tij ra në kryengritjen e vitit 1911, kur ai ishte në moshën 71-vjeçare. Barrë tepër e rëndë për një burrë në moshë kaq të madhe, por ai e përballoi si të ishte në rininë e tij. E paimagjinueshme se ai me disa familje të Hotit, ma së shumti të fisit të vet Dedvukaj, por edhe Gojçaj e Dushaj, do të lëshonte Hotin e do të kalonte kufirin në Mal të Zi për t’u përgatitur për një kryengritje të madhe, kur i kishte apo s’i kishte pesëdhjetë pushkë. E megjithatë ia nisi një lufte që për çdo mendje të kthjelltë apo profesionale ushtarake do të ishte llogaritur humbëse. Por Dedë Gjo Luli nuk i bënte hesapet me pushkë e fishekë, apo plane shtabesh ushtarake, por me djem e burra të malësisë, duke i armatosur edhe me kmesa, se pushkët ia marrin armikut në luftë.

“New York Times” duke ju referuar “International Herald Tribune” botonte këtë lajm në pranverë 1911: “Nga Shkodra, sot më 30 mars, njoftohemi se Valiu ka deklaruar se Tuzi po e përballon tani për tani mundësinë e sulmeve të më se 5,000 deri në 6,000 shqiptarëve. Pozita e tij megjithatë është e dëshpëruar. Lajmi i shpërthimit të lëvizjes duket se kanë sjellë një situatë të ngjashme me panik në qytetin e Shkodrës, sepse garnizoni (turk) është i dobësuar për shkak të ekspeditës në jug të qytetit, në Lezhë. Valiu bëri thirrje për vullnetarë nëpërmjet kasnecëve në qytet, të cilët krijuan një ndjesi se ishte duke u shpallur një luftë fetare ose luftë e shenjtë kundër shqiptarëve të krishterë.” Çfarë nuk përdorën pushtuesit otomanë për të përçarë popullin shqiptar e për të izoluar malësorët kryengritës. Arritën të mashtrojnë shumë djem myslimanë shqiptarë të cilët u nisën kundër kryengritësve, por u shpartalluan e u kapën të gjallë me të zbritur në breg të Liqenit dhe u çarmatosën. I kthyen mbrapsht në qytet me varka përmes liqenit pa u dëmtuar, por të turpëruar, me porosinë se duhej të luftonin për atdheun e jo për pushtuesin.

Ishte një akt i pashembullt që fitoi simpatinë e gjithë qytetarëve të Shkodrës pavarësisht çfarë feje i përkisnin. Po bëjmë luftë për kombin. Nuk e derdhim gjakun tonë. – ishte fjala e mençur e kuptimplotë e trimit të maleve Dedë Gjo Luli. Jo vetëm në trimëri, por edhe në fushën morale kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli qëndronin shumë lart. Këtu kuptohen sakrificat e ndërgjegjshme të luftëtarëve malësorë që dëshironin që lufta të mos ish vetëm e tyre por e mbarë shqiptarisë. Malësorët as donin t’ia dinin për kërcënimet e forcave perandorake që dyndeshin si stuhi e zezë nga Stambolli. Më mirë të vdisnin se sa të vazhdonin të jetonin nën shtypje e nën robëri. Ndjesia e sakrificës ishte e madhe. Jetën e vet askush nuk e vinte në peshore përpara qëllimit të lartë. Të luftoje për liri ishte një nder për çdo malësor kryengritës. Të vriteshe për Atdhe ishte lavdi. Të tilla ngjarje nuk përsëriten shumë herë në histori. Një përkushtim ky i jashtëzakonshëm në ideal të lirisë, një sakrificë deri në kufijtë e të paimagjinueshmes.

Tipike ka qenë biseda e nënës së Luigj Gurakuqit me djalin e vet. Po një nuse, more bir se koha po të ikën, – i tha nëna. Luigj Gurakuqi iu përgjigj: “E kam marrë nusen teme, moj nanë, nusen ma të bukur që mund të gjendet e ajo është Shqypnija”. Ajo çfarë na vë në mendime në këto kohëra të turbullta, është se këta burra të kombit i kishin vënë interesat e Atdheut mbi të gjitha interesat e tjera, madje edhe jetën e shkrinë për Atdhe. E kështu në sakrificë sublime fati tragjik e deshi të shuhen shumë familje shqiptare. Ndër familjet shqiptare të Malësisë së Hotit, më tipikja në histori deri në kufijtë e mitit është familja e Dedë Gjo Lulit, që me bijtë e me kushërinj u shua e gjitha për Atdhe.

DEDË GJO LULI
Rënë për Atdhe në vitin 1915

Vrasja e Dedë Gjo Lulit është trajtuar aq shumë sa mund të krijosh libra të pafund me rrëfime që thonë të kundërta sipas qëllimeve dhe orekseve që kanë njerëzit që i pëlqejnë histori të tilla duke i veshur me konspiracione provincialësh. Kemi pasur luftëtarë të mëdhenj në histori, por duhet pranuar se kemi edhe përrallëtarë të mëdhenj. Dedë Gjo Luli e ka shkruar historinë e vet. E dinte rrugën që kishte nisur që në moshën 20-vjeçare kur shkoi të luftonte në Urën e Rrzhanicës. Që atë kohë e deri sa mbylli sytë përjetë, ai nuk reshti së luftuari për trojet e lirinë e vet e të bashkatdhetarëve të vet, sa fjalët që tha për të kur e priti në derë Ismail Qemali janë lapidare. “Dedë Gjo Luli, pushkë e ngrehun për Shqipërinë.” Dedë Gjo Luli e dinte mirëfilli çfarë po bënte kur mori familjet e Hotit dhe doli në Podgoricë, prej ku nisi organizimin e burrave të Hotit, por edhe në lidhje me tërë Malësinë e Madhe për të shporrur halldupin nga trojet shqiptare.

Dedë Gjo Luli e dinte se fuqia e tij ishte e vogël, se edhe jetën nuk e kishte të gjatë, ishte shtatëdhjetë e një vjeç, por ai dinte gjithashtu se të luftosh edhe një ditë për vendin e Atdheun tënd është si të kesh lindur. Prandaj i thoshin në Malësi fjalët madhështore për atë që binte në luftë: “E bëri dekën si me le”. Në të vërtetë Dedë Gjo Luli ashtu e bëri dekën e vet. Ai nuk e donte çastin e fundit ta kishte në shtrat. Vdekjen e mendonte. Ndaj e shkroi testamentin e vet në Kallmet të Lezhës, më 24 qershor 1915. Tokë e mall e çka kishte në Bardhaj të Traboinit të Hotit ia linte Pretë Diloshes, së shoqes dhe të resë Nore Kola, gruas së të birit Kolës. Dedë Gjo Luli vuri vulën, Kola, i biri, vuri gishtin me bojë, po ashtu bëri edhe dëshmitari Lek Prel Martini. Më pas u strehuan në shtëpinë e Kol Tomës së Velës, ku nuk ndenji shumë se forcat esadiste ishin aty rrotull. Ndaj mori rrugën për në veri.

Kishte pleqëruar mendimin për të kaluar në Malësi të Madhe. I rëndë ky udhëtim përmes malesh për një burrë shtatëdhjetë e pesë vjeç. Ishin kohë të vështira për Shqipërinë. Shtetet ballkanike kërkonin ricopëtimin e tokave shqiptare, sikur të mos mjaftonte hanxhari i vitit të tmerrshëm 1913, kur edhe trojet e Dedë Gjo Lulit e hotjanëve të tjerë që luftuan e mundën një perandori, mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe bënë një luftë aq të madhe, aq heroike, bënë një luftë që gazetarët amerikanë e përshkruanin në New York Times në 1911 si “Termopilet shqiptare”, për të mbetur pa troje. Mbërrin në Spaç, por atje një korrier i dërguar nga Kol Toma i Velës i dorëzon një letër dërguar nga kapedan Marka Gjoni që e ftonte për një kuvend për punët e Shqipërisë. Dedë Gjo Luli kthen rrugë e niset për tek Kisha e Oroshit ku do të mbahej kuvendi. Të tjerat dihen. Forcat serbe kishin pushtuar Oroshin dhe me ta ishin forcat e Esat Pashë Toptanit, kryetradhtarit të Shqipërisë. Tre emrat që duhen përmendur për masakrën në Sheshëz të Oroshit janë Kapiten Gjura i Serbisë, Sheh Hamdiu dhe Ali Fehmiu, esadistë, bashkëpunëtorë të pushtuesve.

Këta dy të fundit ndërsa morën me vete Kolë Tomën dhe Preng Mark Prengën e të tjerët, Dedë Gjo Lulin ua lanë në dorë serbëve, të cilët e morën të lidhur për në vendkomandën e tyre në Nënshejt, por rrugës e ekzekutuan. Është shkruar për Dedë Gjo Lulin e do të vazhdojë të shkruhet, sepse atij populli i ka kënduar dhe e ka ngritur në lartësinë e një miti. Por jo nga ato mite që i sajojnë agjenturat e shteteve apo veglat qorre të qeverive me qëllime të caktuara. Ai ishte një mit real, tokësor, gjithçka që përshkruhet për të është tokësore. Ai nuk kishte shkuar në asnjë shkollë ushtarake e megjithatë mundi gjeneralët që perandoria otomane i kish dërguar në shkollat më të mira ushtarake në botë. Suksesi i tij nuk qëndronte tek planet ushtarake, tek llogaritë, por thjesht tek prakticiteti. Rrethohej nga njerëz besnikë të cilët nuk kishin asnjë rrugë tjetër veç luftës dhe që kishin krenarinë që të vriteshe për Atdheun është përjetësi.

Shumë gjëra kanë ndryshuar në një shekull shqiptar, por ajo çfarë bënë malësorët me Dedë Gjo Lulin mbetet në analet e historisë si akti më i pashembullt i vendosmërisë së shqiptarëve për ta fituar lirinë pas pesëqind vjetëve robëri. Dedë Gjo Luli mbeti burri i panjollë, njeriu me ndërgjegje kristal, njeriu i besës, i burrërisë, i cilësive më të mira të shqiptarit që tashmë reliket kombëtare me të cilat i mburremi sadopak botës. Fundi i Dedë Gjo Lulit si fundi i një tragjedie të madhe. Me vrasjen e Dedë Gjo Lulit, Hotit iu shua ai mit i madh i ngritur në disa shekuj për të cilët populli kishte thënë fjalë që mbetën në histori e kalonin gojë më gojë: “Bafti i Zotit, pushka e Hotit”, legjendë që kish nisur kush e di sa shekuj më parë, kur dikush vrau një malësor nga Hoti, e si e pa që ra, shkoi t’i marrë pushkën. Tërhoqi tytën e armës, por qe e pamundur, sepse hotjani i vdekur e kishte gishtin të ngrirë në këmbëz. Pushka shkrepi dhe vrasësi me plumbin në lule të ballit u përmbys pikë vdekur. Ata që e panë këtë skenë e treguan, e kështu fjalë pas fjale, ngjarja mori dhenë. Dedë Gjo Luli ishte nga një malësi që kishte emër të madh, por ai me krenarinë e një malësori që e do lirinë mbi gjithçka e çoi edhe më lart lavdinë e të parëve të vet, të Traboinit të Hotit, por edhe mbarë Shqipërisë.

Shteti komunist e ka vlerësuar Dedë Gjo Lulin, por në një anë e vlerësonte në anën tjetër gjithë familjen e fisin e tij e persekutoi në mënyrën më të egër e më çnjerëzore. Ai u përpoq të shfrytëzonte ngjarjen tragjike të 25 shtatorit 1915, për të ulur në sytë e popullit familjen e kapedanëve të Mirditës. Dhe kjo propagandë e stërholluar nuk ishte pa efekt në popull. Ka njerëz që edhe sot thonë se kreshniku i Hotit u tradhtua. Por këta njerëz nuk kanë parasysh faktin se Dedë Gjo Luli e kish dhënë fjalën të dilte në Orosh, madje edhe kur i thanë “kthehu”, ai vendosi të vazhdonte rrugën. Ai nuk mund të vdiste duke e ndjekur me plumb mbas shpine. Dedë Gjo Luli ishte mësuar në jetën e tij të kishte përballë këdo, mik dhe armik. Prandaj iu ngjit Oroshit e ia doli që me faqe të bardhë të mbetej përjetë në histori. Kush nuk e kupton karakterin e malësorit, cilësive të tij të larta, besnikërisë së tij, që sot të shfaqen si ëndrra në këtë kaos ku ndodhemi e ka të vështirë të kuptojë jetën e njeriu që ka principe të larta.

Ata që e vranë ishin serbët që kishin pushtuar trojet shqiptare në bashkëpunim me tradhtarët si Esat Pashë Toptani dhe asnjë variant njerëzish që kërkojnë ndasi e përçarje mes shqiptarësh nuk qëndron. Fakti që Dedë Gjo Luli u vra krah për krah shumë mirditorëve trima që i dolën në mbrojtje tregon shumë më tepër se thëniet e liga që duan të trazojnë ujëra në jetën e shqiptarëve. Monumenti i Dedë Gjo Lulit në qendër të Tiranës që u vendos në njëqind vjetorin e vrasjes, për të cilën dha ndihmesë të madhe diaspora e shqiptarëve në Amerikë, është padyshim triumfi i plotë i madhështisë së figurës së Dedë Gjo Lulit si një nga burrat më të shquar të kombit shqiptar.

NIK GJELOSH LULI
Rënë për Atdhe në Deçiq në vitin 1911.

Kryengritja e nisur më 23 mars 1911 është me të vërtetë si një shkreptimë rrufeje që bie në një pyll të thatë. Gjithë ajo perandori osmane do të lëshohej ta shuante zjarrin për liri që nisi në Malësinë e Hotit dhe u përhap në të gjithë Malësinë e Madhe, por nuk qe e mundur. Por edhe shumë burra nga Malësia u vranë. Deri tani nuk kemi një listë të plotë se sa luftëtarë dhanë jetën në kryengritje( Studiuesi Ndue Bacaj sjell një listë me 104 dëshmorë nga Hoti në kryengritjen e vitit 1911) por edhe në vazhdimin e luftimeve edhe në 1912, ani pse kjo e fundit është lënë në harresë. Gjatë vitit 1912 janë bërë po aq luftime të ashpra e këtë e tregojnë edhe emrat e atyre që u vranë gjatë luftimeve. I pari që u vra në luftë në ditën e parë të kryengritjes më 23 mars 1911 ka qenë Kol Marash Vata e bashkë me të trimi Lek Marash Peci, të dy nga fisi Gojçaj.

Më 25 mars 1911, mbas dy ditësh bien në luftë edhe 6 burra e këta të gjithë të fisit Gozdjen, që i përkiste edhe Dedë Gjo Luli. Po i përmendim këtu në nderim të flijimit për mëvehtësimin e Shqipërisë, meqë askush nuk i kujton në Shqipëri e asnjë institucion nuk është kujdesur për dekorimin e tyre. Dy vëllezërit Gjon e Zef Lulash Zeka, xhaxhai i tyre Gjon Lulash Zeka, Zef Lan Ula, Ujk Gjelosh Leka, Zef Vuksan Leka. Më 28 mars 1911 pasi çliruan Tuzin, nisën luftime për marrjen e kalasë së Shipshanikut ku ishin jo pak, por 600 ushtarë e oficerë turq. Në këto luftime të rrepta ku mbetën rreth 80 nizamë ishte vrarë një prej luftëtarëve më të shquar, Gjon Ujk Çeku, Gojçaj. Vijmë kështu në ditën kur bie dëshmor kushëriri i parë i Dedë Gjo Lulit, miku i tij më i ngushtë, kryekomandanti ushtarak i tërë forcave kryengritëse, Nik Gjelosh Luli. Ja çfarë shkruan në poemën e tij historike “Lufta e Maleve” bashkëluftëtari i tij Palok Traboini:

“U thye astjeri kahë Miloshi,
Urra djelm si Shala e Shoshi!»
Por si ndien ky Nik Gjeloshi
hof! prej pritet në kambë çohet,
nafakpremi! shpejt, a rrzohet,
i ra plumbi lules s’ballit
e përmbys ra anës s’zallit,
si pra tash me ia ba hallit?
Nik Gjelosh, ora e Malsis,
shpresa e fortë e gjith djelmnis,
Idhtë në jaz ti ne na mblove,
edhe shpresën na e pakove,
t’tanë bajrakun e ligshtove.

Vrasja e Nik Gjelosh Lulit ishte e rëndë për Dedë Gjo Lulin. Për gjithçka në nisjen e kryengritjes e pleqëronte me Nikën. Atij i kishte ngarkuar barrën më të rëndë për kryengritjen. E caktoi komandant të gjithë forcave kryengritëse të Malësisë së Madhe. Ishte Nik Gjelosh Luli që i koordinonte veprimet ushtarake me forcat e tjera. Ai ishte një burrë i shtruar dhe trim. E veçanta e Nik Gjelosh Lulit ishte se gjendej kurdoherë në ballë të frontit. Ndërkohë që trupat kryengritëse të Hotit i komandonte i biri i Dedë Gjo Lulit, Kola. Nik Gjelosh Luli kishte një djalë që atëbotë ishte i ri, Luc Nishi që edhe ai mori pjesë në kryengritje përkrah babait të vet.

GJERGJ DEDË GJO LULI
Rënë për Atdhe në vitin 1912

Gjergj Dedë Gjo Luli, i biri i Dedë Gjo Lulit ka marrë pjesë në të gjitha luftimet e vitit 1911, por për të ka pak materiale dhe nuk gjendet një fotografi, veç pohime të dëshmitarëve të ndryshëm, të cilat janë kontradiktore. Në poemën “Lufta e maleve” të Palok Traboinit, pjesëmarrës në të gjitha luftimet, ku përmenden shumë dëshmorë të kryengritjes së vitit 1911 nuk përmendet në asnjë rast emri i Gjergj Dedë Gjo Lulit. Kjo poemë është shkruar në dhjetor 1911 kur kryengritja kishte përfunduar. Në librin e Pal Doçit shkruhet mbështetur në burime që nuk i citon, se Gjergji është vrarë më 29 maj 1911 dhe në një vrasje të veçuar, “një turk i fshehur në do guva e qëlloi mbas shpine”. Ne nuk e dimë se kush nga 12 personat që kanë dhënë tregime gojore për këtë libër e ka dhënë këtë fakt. Por dimë se Pal Doçi ka marrë në Hot të Ri në Shkodër në vitin 1962 shënimet me kujtime të vëllait të Gjok Ujk Çekut- dëshmor, Martinit dhe jo vetëm nuk ia ka kthyer, por as nuk e ka cituar ndër dëshmitarët e vet.

Martin Ujk Çeku më ka dhënë edhe mua disa faqe kujtime të rishkruara. Ai që ka qenë pjesëmarrës i kryengritjes, është edhe në fotografi bashkë me vëllanë e vet dëshmor dhe Dedë Gjo Lulin. Martin Ujk Çeku shkruan se Gjergj Dedë Gjo Luli është vrarë në luftë më 20 shtator 1912 prej nizamëve të ushtrisë turke. Dhe në luftën që është bërë ai nuk ka qenë i vetmi, por janë vrarë edhe gjashtë luftëtarë të tjerë bashkë me të, të cilët po i citojmë: Gjok Kol Preli, Gojç, Dedë Gjoni, Gjon Tom Hasi, Gjon Marash Loshi, Luc Gjergji dhe Preloc Mark Gjeka, të gjithë këta të fisit Gozdjen, të cilit i përkisnin edhe Dedvukajt. Ne nuk e dimë pse nuk i ka përdorur Pal Doçi shënimet e Martin Ujkës. Nëse i ka do të qe me vlerë t’i ballafaqonim me shënimet që ka lënë për mua në vitin 1972 dhe për të parë pse në librin e tij, studiuesi me një shprehje të shkurtër thotë: “Malësia e Madhe mbeti e veçuar dhe e shkëputun nga lëvizja kombëtare dhe si rrjedhim në kryengritjen e vjetit 1912, nuk dha ndonjë ndihmë të dukshme” (Pal Doçi “Dedë Gjo Luli” f.136, bot. “Geer”, Tiranë, 2003).

Nëse i referohemi Petraq Pepos në librin e tij “Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912”, (f. 446-44, Tiranë, 1962, Kujtime të Martin Ujkës) kemi një pasqyrë të zhvillimeve të luftimit të kryengritësve malësorë edhe gjatë vitit 1912. Aty shkruhet për ngritjen e dytë të flamurit te Kisha e Traboinit, si dhe për luftime të zhvilluara në mes të malësorëve kryengritës e trupave ushtarake turke. Në kapitujt me emrin e vendeve “Përpjekja e Samoborrit” shkruhet: “Natën e 11 korrikut 1912 rrethuem Samoborrin dhe e mormë pa lind dielli. Më 12 korrik u ramë 50 nizamëve që po ktheheshin prej Bukoviçit, ku kishin çue ushqim. I qitme fare, gadi krejt, veç disave që ranë në dorë. Mbetën dekun prej nesh Lek Dedë Vuji dhe u varrue Zef Met Haxhia”. Ndërsa në episodin tjetër “Përpjekja e Nokonjelit” shkruhet: “Në at gjak të nxehtë, mbas një çerek sahati, rrethueme Nokonjelin, nji kodër me istikam përballë Bukoviqit. Mark Ded Gjo Staka, Palok Traboini dhe unë ja mbrrime buzë istikamit. Nji nizam qiti mauzerren për frangi për t’na çartë. Mark Ded Gjo Staka i ndëj gati e i kapi pushkën. Nizami s’e lëshoi, Por Marku, burrë i lidhun i dha vedit e ra ledhi megjithë nizam. Paloka (Traboini) pa lanë kohë ndërmjet vrau oficerin turk. Atëherë Hoti u turr nëpër ledh e afër 80 nizamë ranë në dorë se s’ kish kush t’i udhëhiqte.”

Pra kemi një mospërputhje sa i përket zhvillimit të luftimeve dhe datës së rënies së Gjergj Dedë Gjo Lulit. Dihet që Dedë Gjo Lulit shkuan e i thanë se kanë mbetë në luftë shumë djem Hoti. Ai ra në hidhërim të thellë, por për të mos e lshue veten ua ktheu: “Po burrat në luftë do të mbesin.” Ma vonë ia sollën fjalën se kishte ra në luftë edhe Gjergji, djali i tij. Dedë Gjo Luli pa e dhënë veten u përqendrua e tha: “Po edhe ai djalë nane ishte”. Në një shkrim mbi 100-vjetorin e vrasjes së Dedë Gjo Lulit, në faqen elektronike Malësia.org, u gjendën shumë komente mbi atë që kishte ngjarë më 25 shtator 1915, madje dikush i ushqyer me frymën e konspiracioneve përcolli një ide që solli një reagim të ashpër tek shumë lexues. Komentuesi me pseudonim “Malësori 2020” hodhi në diskutim gjoja një ngjarje që nuk e dimë nga e kishte gjetur. Sikur Gjergjin, të birin e Dedë Gjo Lulit, e kishin vrarë vetë fisi i vet dhe nuk ishte vrarë në luftë. Madje shtonte edhe ca iniciale për ta bërë me të besueshme rrenën e vet: “Të njëjtin vend ku vrau Gj.D., e vrau edhe Gj.K.C. nga mbrapa, atëherë Hotjani M.Gj.M.N. automatikisht jau mori gjakun të dy Gjergjave duke e lanë të vdekur vrastarin e vëllezërve të vet”. Mesa duket fshehaniku me epitetin “Malësori 2020” mbas mbi 100-vjetësh që i biri i Dedë Gjo Lulit është vrarë në luftë, nis e tjerr histori, të cilat duken hapur se janë të thurura me pe të kuq a të bëra me porosi.

Ne nuk kemi ndërmend t’i japim rëndësi një shpifjeje sepse ajo nuk qëndron, por ka rëndësi të zbulojmë shkaqet se pse bëhen këto insinuata për fisin e Dedë Gjo Lulit, Dedvukajt, që aq shumë kanë sakrifikuar për kombin shqiptar. Është krejt e natyrshme që të vëmë edhe pyetjen se kujt i intereson e gjithë kjo? Kujt i shërben? Të tjerëve sigurisht, se shqiptarëve e Malësisë tonë jo e jo. Së pari ne nuk kemi as dhe një emër të vrari, në ato që ranë në një ditë me Gjergj Dedë Gjo Lulin që të ketë pasur inicialet GJ. K. C. siç thotë provokatori me pseudonimin malësori. Po si është e mundur që nga ndonjë pinjoll bastard i shqiptarëve të mbetur në Malin e Zi ta ketë gërmuar këtë histori varrezash e ta ketë mbajtur gjallë deri më sot. Kur lexova ato komente njerëzish të shitur që paguhen për të sjellë përçarje e vëllavrasje ndër shqiptarë, m’u kujtua libri i Prenk Grudës me pseudonimin Fatmir Kosova mbi veprimtarinë e UDB-së në radhët e emigracionit shqiptar në Amerikë. Atje shpjegohet shumë mirë se si kanë vepruar agjenturat duke kompromentuar disa shqiptarë me qëllim që ta mbanin gjithnjë nën kontroll komunitetin shqiptar në Amerikë, veçmas ata që vinin nga Malësia e Madhe dhe Kosova.

Edhe mjaft vrasje që janë bërë nga malësorët në mes veti në Detroit apo qytete të tjera, kanë qenë dora e zgjatur e UDB-së. Shumë gjëra kanë ndodhur, por agjenturat e vjetra pas një periudhe letargjie për shkak të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë kanë nisur të aktivizohen. Aq më tepër bie poshtë gjithë kjo shpifje ogurzezë, sepse askush nga malësorët e Hotit të shpërngulur në Shqipëri pas vitit 1920 e të vendosur kryesisht në Hot të Ri, në Shkodër, nuk e di këtë bëmë-gjëmë që na e përcjell një anonim si Jago. Personalisht në vitet 1960-1970 kam takuar njerëz të cilët kanë qenë pjesëmarrës në kryengritjen e vitit 1911 dhe asnjë prej tyre nuk e kishte në kujtesë një histori të tillë. Dhe nuk është shkruar askund e nuk është folur në asnjë rast. Nore Kolja, gruaja e Kol Dedë Gjo Lulit, vëllait të Gjergjit, me të cilën bisedoja kur isha në moshë shkollore, sepse ishim me shtëpi pranë e pranë, nuk e ka përmendur asnjë herë një gjë të tillë.

Si erdhi kësisoj e na u shfaq në vitin 2016? Veç ata që i shërbyen UDB-së me devotshmëri apo bijtë e tyre mund të kenë interes për të sjellë grindje e përçarje ndër shqiptarë përzier kjo edhe me një xhelozi të fëlliqur, sepse Dedvukajt e New York-ut, të Detroitit apo kudo ndodhen, pra fisi i Dedë Gjo Lulit, janë jo vetëm atdhetarë të spikatur, por edhe biznesmenë të suksesshëm. Dhe zilia ta plas syrin e të shtyn që si krimb i zi dheu të kërkosh fakte të sajuara nëpër varreza shekullore, pa e lënë të qetë as dëshmorin e Atdheut Gjergj Dedë Gjo Lulin.

KOL DEDË GJO LULI
Helmuar nga armiqtë e Shqipërisë 1918

Nuk e kishte veç bir Kolën, i ati Dedë Gjo Luli e kishte edhe një nga bashkluftëtarët më të aftë dhe krahu i djathtë i tij në veprimet luftarake në Hot. I rritur pranë të atit në të gjitha veprimtaritë që zhvillonte prijësi i Hotit, Kola mësoi shumë nga trimëria, por mbi të gjitha nga urtia e Dedë Gjo Lulit. Me fillimin e kryengritjes Kol Dedë Gjo Luli u caktua komandant i luftëtarëve të Hotit. Dihet se qendra e kryengritjes ishte në Hot dhe forcat turke të gjithë goditjen e kishin përqëndruar në këtë krahinë, megjithëse luftime bëheshin kahmot në Malësi të Madhe me qëllim që t’i çorientonin trupat otomane. Para se të fillonte kryengritja, Dedë Gjo Luli e mendoi punën hollë. Vendosi që të porosiste një flamur si flamujt e të gjitha mbretërive e shteteve të Europës e për këtë dërgoi në Vjenë të birin, Kolën. Kola shkoi në Vjenë e atje bie në kontakt me Alardo Kastriotin.

Duhet thënë se Alardo Kastrioti ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare në skenën europiane, por kjo veprimtari e tij është lënë qëllimisht në heshtje nga historianët e epokës së komunizmit. Dihet një gjë se Alardo Kastioti e ka ndihmuar Faik Konicën, ka qenë i pari që ka porositur një flamur të Gjergj Kastriotit dhe të tillë flamuj ka shpërndarë që në 1902 në Paris dhe të gjithë flamurët e futur në Shqipëri kanë qenë porositur e financuar prej tij. Madje edhe ai që është ngritur në Deçiq, por edhe në Vlorë është i njëjti njeri që i ka porositur. Kush lexon shënimet historike të Eqerem Vlorës e ka vënë re se flamurin atij ia kishte dhuruar Alardo Kastrioti. Kola, i biri i Dedë Gjo Lulit, në Vjenë shkoi me një mision tjetër, sigurimin e armëve dhe ndihma nga Austria dhe për këtë janë bërë takime të fshehta. Të gjithë në Hot e kanë ditur se Kol Dedë Gjo Luli ka shkuar në Vjenë dhe atje i është premtuar ndihma për Malësinë në rast të një lufte me forcat turke. Por takimet e Kol Dedë Gjo Lulit kanë qenë sekrete dhe për këtë as që është folur.

Shkaku ka qenë se perandoria Austro Hungareze druhej se angazhimi i saj në ndihmë të kryengritësve do të sillte një konflikt luftarak me Perandorinë Otomane dhe këtë ajo nuk e dëshironte. Ndoshta për këtë nuk kemi të regjistuar apo të botuar asnjë material ku kryengritësit e Malësisë së Madhe të kenë patur lidhje apo takime me autoritete të Vjenës. Megjithatë dihet tashmë se Austria në marrëveshje të fshehta përdori një kanal tjetër për të ndihmuar kryengritësit. I kaloi ato nëpërmjet Malit të Zi. Ka njerëz ndër shqiptarë që me prirje dhe aspirim të otomanizmit të ri në Ballkan nxjerrin shkrime a foto sikur malësorët ishin mercenarë të Malit të Zi në luftën kundër Perandorisë Otomane. Ky është vetëm një mashtrim historik. Nga Mali i zi kanë ardhur ndihma ushqimore dhe armatim, i cili ishte i financuar nga Austria, por kjo nuk dëshironte të dilte në skenë.

Në këtë kuadër ishte dhe vizita e Kol Dedë Gjo Lulit në Vjenë, ku siç thamë u gjet rasti dhe u bë porosia për Flamurin që do të punohej e do të ishte simboli i kryengritjes shqiptare e jo thjesht një revoltë e veçuar krahinore. Ishte lënë që Flamuri të vinte e më pas të niste kryengritja. Por, Flamuri po vononte siç thonë dëshmitarët dhe kryengritja filloi. Menjëherë ka arritur njoftimi se Flamuri nga Vjena ishte nisur. Kolë Dedë Gjo Luli që komandonte trupat kryengritëse të Hotit nuk mund të largohej nga skena e luftës, prandaj Dedë Gjo Luli ka ngarkuar me këtë detyrë mësuesin kryengritës Palok Traboini, i cili e solli flamurin përmes Dalmacisë. Ky është ai që quhet Flamuri i Dedë Gjo Lulit, por edhe i Deçiqit. Duhet thënë se para se të shpalosej Flamuri në Deçiq është shpalosur në vendin e quajtur Logu i Kishës në Traboin të Hotit. Gjithherë është harruar ky fakt, por ky është i regjistruar në poemën e vetë Palok Traboinit shkruajtur në Prizren më dhjetor 1911, ku thotë:

Tue krisë pushka shpat e n’shpat
gjimojnë malet lak e n’lak
nji djalë Hotit* vjen prej larg
pa pikë frymë prej Dallmacis,
Dedë Gjo Luli ku e kish nisë
me pru flamurin e Shqipnis.
N’log të Kishsë kur djali a kapë
dy flamurë n’ erë ka hapë,
dy flamurë kuq e zi
qindisë n’ar për bukuri.
Aty at-herë Kolë Dedë Gjo Luli
njenin flamur n’bli e nguli
prej të gjithve me u soditë,
pala-pala tue valvitë.

Pra siç shihet flamuri i parë i ngritur ka qenë ai i ngulur në blirin e Logut të Kishës në Traboin të Hotit. Më pas autori që ka qenë vetë protagonist i kësaj ngjarjeje vazhdon në këtë kronikë historike në vargje: N’ kambë u çuen në shej nderimit të tanë djelt e Traboinit; kërset pushka prej gëzimit, gjithkah hapet brohorija:

“Rrnoftë flamuri e rrnoftë Shqipnija,
orën çuet e ka Malsija!”
Dedë Gjo Luli u çue n’ kambë,
tjetrin flamur ja u ka dhanë
djelve t’Hotit e u ka thanë:
“Çonju tash, djelt e mi,
me dekë sot për flamuri
se i erdh dita ksaj Shqipni.
Në Deçiq ja u due n’ket ditë flamurin
n’majë me e ngritë,
qi ta shohin krali e mbreti
se bajmë luftë na veç për veti
me qitë n’dritë Shqipnin n’ditë t’sotit,
tue u djegë gjallë në flakë t’barotit.

Kjo dëshmi historike na thotë qartë se për herë të parë flamurin e kryengritjes e ka ngritur Kol Dedë Gjo Luli më 6 prill 1911 në Traboin të Hotit në vendin e quajtur Logu i Kishës, dhe flamurin tjetër, me urdhër të Dedë Gjo Lulit e kanë ngritur në një grumbull gurësh në Bratilë, në mal të Deçiqit, sepse ishte pika më e lartë nga mund të shihej prej të gjitha anëve, madje edhe prej Tuzit. Ka edhe historianë të cilët kanë rënë në kurthin e kujtimeve sporadike të atyre që mbase as nuk kanë qenë pjesëmarrës ngjarjesh. Dhe një protagonisti të madh në kryengritjen e vitit 1911 si Kol Dedë Gjo Luli, që ishte edhe komandat i luftëtarëve të Hotit shpesh i është anashkaluar çdo meritë, duke e lënë në hije të babait të vet.

Është fatkeqësi kur mendësia e kultit të një individi i ngjitet historianëve në kokë si rriqna, sepse nuk ka kryengritje në botë që bëhet me një luftëtar, sado i jashtëzakonshëm të jetë. Dedë Gjo Luli kishte rreth vetes luftëtarë të mëdhenj, emra të mëdhenj që meritojnë të shkruhen në histori me gërma të arta. Dedë Gjo Luli e dinte këtë, e dinte kë kish rreth vetes prandaj dhe mori guximin dhe e filloi kryengritjen. Kryengritja nuk ishte një trill, as një inat apo zemërim i malësorëve, as thjesht se sundimtarët otomanë kërkonin t’u hiqnin armët, por se kishte ardhur koha e shpëtimit të trojeve shqiptare prej sundimit shekullor. Mbas kryengritjes së vitit 1911, Kolë Dedë Gjo Luli e vazhdoi veprimtarinë luftarake me trimat e Hotit në mbrojtje të trojeve shqiptare.

Në ndërrim të viteve 1912-1913 Kola e shoqëron babain e vet në Vlorë, ku u prit nga Ismail Qemali, në maj 1914 u takua me princ Vidin, po atje ishte ministër Esat Toptani që kishte armiqësi me Hotin e Dedë Gjo Lulin. Për këtë forcat e Esat Toptanit që ishin përqëndruar në Durrës, të shumta në numër arritën t’i rrethojnë luftëtarët e Hotit, u zhvillua një betejë në Rrashbull, por në sajë të aftësive të veçanta të komandantit të tyre Kolë Dedë Gjo Luli, malësorët arritën të çajnë rrethimin. Megjithëse në librin e Pal Doçit thuhet se hotjanët nuk patën asnjë humbje në këto luftime, në të vërtetë mbeti i vrarë luftëtari i Hotit Gjok Prel Çeku, Gojçaj më 22 qershor 1914. Në vitin 1915, Kolë Dedë Gjo Luli u bashkua sërish me babain e vet dhe kudo u gjendën bashkë deri në çastin e fundit në Orosh, ku më 25 shtator 1915 trupat esadiste që bashkëpunonin me ushtrinë serbe e ekzekutojnë kreshnikun e malësisë.

Kolë Dedë Gjo Lulin e burgosur forcat esadiste të cilat ia dorëzuan italianëve, ata e internuan në Siçili. Sipas kujtimit të një bashkëkohësi, Ibrahim Shyti nga Vlora, Kol Dedë Gjo Luli erdhi i sëmurë nga Italia. Ishte fundi i vitit 1918. I strehuar në hotelin e këtij qyteti, e helmuan ata që nuk e donin të gjallë këtë luftëtar të madh, këtë simbol trimërie e fisnikërie. Më ndihmën e Ali Asllanit, Osman Haxhiut e disa atdhetarëve të tjerë u shtrua në spitalin e qytetit, por ishte e pamundur të shpëtonte. Kishte shpëtuar prej plumbave të armiqve në frontin e luftës për pavarësi, por tradhtia arriti të bënte atë që nuk e bëri dot plumbi i armikut. Me vrasjen e Kolës, që nuk la fëmijë pas vetes, shuhet familja Dedë Gjo Lulit, dera më e shquar e Malësisë së Hotit.

LUC NISHI
Rënë për Atdhe në vitin 1920

Luc Nishi, i biri i kushëririt të parë të Dedë Gjo Lulit, Nik Gjelosh Lulit, ka lindur në Traboin të Hotit në vitin 1893. Ishte fort i ri në kryengritjen e vitit 1911, por megjithatë mori pjesë në luftime. I edukuar me frymë atdhetare, bir i një luftëtari të madh, Luc Nishi ndoqi karrierën ushtarake. Ishin kohë të turbullta, kur shpesh Shqipëria kalonte nëpër rreziqe të mëdha, ndaj Luc Nishi ndoqi atë rrugë për t’i shërbyer sa më mirë vendit të vet. U martua me Katrinën, bijën e Kol Kurtit të Pikalës së Grudës, që ishte motra më e vogël e Nore Kolës, gruas së Kol Dedë Gjo Lulit, e njohur nga të gjithë si Nore e Hotit, ani pse bijë Grude. Nga kjo martesë oficerit Luc Nishi i lindi një djalë të cilit ia vuri emrin Pal.

Në vitin 1920 ai shërbente në ushtrinë shqiptare. Pikërisht në këtë vit kufiri shqiptar u sulmua nga forcat e bashkuara serbo-malazeze. Shqipëria ishte ende një shtet i dobët dhe fqinjët e veriut menduan se ishte koha më e mirë për të realizuar një ëndërr të kahershme për pushtimin e trojeve shqiptare. Në këtë luftë kombëtare që zgjati 203 ditë, filloi më 27 korrik 1920 e vazhdoi deri më 14 shkurt 1921(megjithëse ishin bërë luftime sporadike dhe më parë) morën pjesë luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Sipas studiuesit Ndue Baca në radhët e luftëtarëve ishin përfshirë edhe 120 trupa nga Rapsha e Hotit si dhe 102 nga Traboini. U zhvilluan beteja në Vrakë, Gruemirë, Grizhë, tek Prroi i Thatë, tek Kodrat e Koplikut, Buzë Ujit, madje luftime u zhvilluan deri në Qytezë të Hotit e deri në Bardhaj e Traboin që ishin lënë jashtë kufijve të vitit 1913. Një prej betejave më të ashpra ishte ajo të Sukat e Moksetit ku agresorët serbo-malazes përdorën edhe artilerinë e ku sipas studiuesit Bacaj, “Beteja në Suka të Moksetit përsëriti heroizmin e vitit 1911”. Në këtë betejë më 25 gusht 1920 mbeti i vrarë nga një e shtënë topi oficeri Luc Nishi, i biri i Nik Gjelosh Lulit, në moshën 27 vjeçare – at e bir në altarin e lirisë së kombit shqiptar.

PAL LUC NISHI
Vdekur në Itali më 1936

Tashmë ishin dy motra, Nora e Katrina, e të dyja me burra të vrarë. Ndryshe prej Nore Kolës që nuk kishte fëmijë, Katrinës së Luc Nishit gjithsesi i kishte mbetë një ngushëllim, i biri Pali, të cilin e rriti me sa e sa mundime, e rriti si një filiz i ri në derën hotiane të Nik Gjelosh Lulit, e rriti me dëshirën për t’i ngja atij trungu familjar që lindi legjenda, por fati për Katrinën u tregua i pamëshirshëm duke i pre shpresën e fundit ashtu si të motrës Nore Kolës. Pal Luc Nishi, i biri i Katrinës, kishte prirje për letërsi, krijonte poezi dhe la të shkruar pjesë nga historia e trungut të fisit Luli që i përkiste. Pjesë nga krijimet e tij u botuan në almanakun Shkodra, në vitin 1962.

Dorëshkrimet origjinale pas vdekjes së Nore Kolës e Katrinës së Luc Nishit, që duhej të ishin në atë kashunin që kisha parë në fëmini, nuk dihet se ku përfunduan. Ndoshta humbën përgjithmonë. Ndoshta i përpiu koha, si shumë e shumë relike e ngjarje. Por kanë mbetur një tufëz shkrime që, siç shkruante redaksia e Almanakut “Shkodra” 1962, megjithë do “zbrasti dhe ndërpremje, të cilat autori mendonte me i plotësue ma vonë, prap se prap përshkohen nga një frymë e zjarrtë patriotike që i bajnë mjaft interesante. Ai andrronte, siç dëshmon e ama, me mbledhë kujtimet e familjes së vet, që kish dhanë aq njerës për lirinë e vendit.” Po ku janë tani këto shkrime të pinjollit të fundit të familjes atdhetare të Nik Gjelosh Lulit? Nuk dimë ku mund të marrim një gjegje për t’i sjellë në dritën e botimit ato shënime.

Disa prej vjershave të veta, Pal Luc Nishi ia kushton aktit sublim të babës së vet që ra dëshmor për Atdhe. Një prej tyre është edhe kjo e shkruar në Chieri të Italisë më 12 maj 1932, kur ishte me studime: LAMTUMIRË… Lamtumirë, o grue, o shoqe e kësaj jete, ushtrinat n’ luftë janë nisë me hi, e unë në front me ba mos me u gjetë kishte me kenë si një tradhëti. Trompeta, pra, ka ra, e prej këndej më duhet me u largue, s’ke pse mekësh, duhet me u nda, pse në detyrë më duhet me shkue. N’anmik unë me ra, po sa kam me mujtë, pse gjaku për vatan gjithherë më ka luejte. E, jo mue vetëm, por edhe të parëve të mi, të cilët dhanë jetën të gjithë për Shqipni. Pse deka për vatan, s’asht gja, thonë, ma e qetë, çdo kurban qi don me i ba atmes në këtë jetë … Pal Luc Nishi ndërroi jetë në një sanatorium në bjeshkët e Torinos, Itali, më 31 tetor 1936. Ishte në moshën 22-vjeçare. Ky mort i fundit e mbylli derën e Lucë e Nik Gjelosh Lulit përgjithmonë.

GJELOSH LULI
Masakruar nga komunistët në vitin 1947

Gjelosh Luli është nip i kësaj familje të madhe. Ai lindi në shtëpinë e Dedë Gjo Lulit në Bardhaj të Traboinit të Hotit në vitin 1912. Babai i tij Gjok Luli, u shpërngul e u vendos në Hot të Ri, pranë Shkodrës. Atëherë Gjelosh Luli ishte shtatë vjeç. Duke qenë një nxënës i dalluar dhe nga familje e madhe hotjane iu dha bursa për në Akademinë Ushtarake në Torino prej nga doli oficer. Pas studimeve kthehet në Shqipëri dhe emërohet me gradën toger në Regjimentin e Artilerisë në qytetin e Tiranës. Më pas transferohet në Shkodër me gradën kapiten i parë dhe martohet me Elenën, bijë e familjes së njohur Mirakaj nga Puka. Gjelosh Luli, njohës i disa gjuhëve, jepte edhe mësim në gjimnazin e Shkodrës dhe herë pas here botonte shkrime në shtypin e kohës në të cilën shprehte edhe mendime antikomuniste mbi rrezikun që përbënte për Shqipërinë kjo ideologji e mbështetur dhe përhapur nga sllavo-bolshevikët e Rusisë. Nuk e priti mirë pushtimin fashist, por më pas pranoi të shërbente si ushtarak në ushtrinë kombëtare, siç e cilësonin në atë kohë, por pa angazhime politike.

Forcimi i lëvizjes komuniste e detyroi Gjelosh Lulin të merrte pjesë në veprimtari që zhvillonin forcat nacionaliste në përpjekje për të penguar ardhjen në pushtet të komunistëve, por kur kjo ndodhi ai nuk pa rrugë tjetër, por të shkonte e të jetonte në male dhe të organizonte qëndresën. Bashkëpunoi me Llesh Marashin për të organizuar një kryengritje kundër qeverisë komuniste, por kjo dështoi. Mbajti dhe një takim me popullin në Koplik Nuk pranoi ta braktiste Shqipërinë. Por edhe jeta në male qe e vështirë. Rezistoi mjaft kohë duke u strehuar herë në Traboin të Hotit, por herë në vende të tjera në kushte shumë të rënda moti. Është e njohur strehimi që i bënë vëllezërit Mark e Kol Miri, të cilët anipse të torturuar madje me zjarr e në rrezik vdekje, nuk e dorëzuan Gjelosh Lulin. U strehua gjithashtu në Kastrat. Në dimrin e egër 1947 e mbanin edhe në vig, sepse i ishin ngrirë këmbët. Tregoi një qëndresë të pashoqe. Së fundi u strehua në një shpellë. U rrethua dy herë nga forcat komuniste të ndjekjes, por arriti t’u ikte. Por herën e dytë ndërsa çante rrethimin ngriu nga të ftohtit në dëborë.

Ishte në moshën tridhjetë e pesë vjeçare dhe bëri emër aq të madh në një jetë aq të shkurtër. Komunistët e gjetën dikur, por nuk ishin të bindur se ishte ai, ngaqë emri i tij ishte kthyer në legjendën e një trimi që nuk prekej as me dorë e as me plumb. I prenë kokën dhe trupin ia lanë në dëborë. Vetëm kështu, duke ua treguar njerëzve kokën e prerë, më së fundi e verifikuan se ai ishte kapiteni trim Gjelosh Luli që nuk u dorëzua i gjallë. Në të dalë të dimrit, në mars të vitit 1948, trupin e tij e gjeti një malësor, i cili e varrosi dhe vuri një shenjë që të mos e harronte vendin. Mbas vitit 1991 dy të bijat e gjetën varrin dhe eshtrat e Gjelosh Lulit, ish-komandantit të përgjithshëm të Forcave Nacionaliste të Malësisë së Madhe, u vendosën në varret e Rrmajit, në qytetin e Shkodrës. Ky ishte luftëtari i fundit nga dera e Gjon Lulëve të Hotit që u shua për Atdhe.

Janar 2016

BURIME
“Shkodra” – Almanak 1962
“Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912” – Petraq Pepo 1962
“Lufta e maleve” Palok Traboini, dorëshkrim, Prizren 1911
“Flamuri në Deçiq” – Palok Traboini, Pantheon Book 2012
“Gazeta shqiptare” – Kujtimet e Izabela Lulit nga Dashnor Kaloçi
“Lufta e Koplikut”- Ndue Bacaj
“Dorëshkrime” – Pal Luc Nishi, 1932
“Dorëshkrime” – Martin Ujka 1972
“Dedë Gjo Luli” – Pal Doçi, Geer 2003
“New York Times”- New York, mars 1911
“Gjurmë në histori”- Kolec Traboini, Athinë 1995
“Kujtime” – Dom Ndoc Nikaj, Plejad 2003

Burimi: Shkrimi në faqen e autorit