Çun Mula me hotjanë
Një nga ato familje të mëdha që ka nxjerrë burra të shquar dhe ka bërë emër të madh në historinë e Shqipërisë, është dhe familja e Çun Mulës apo siç njihet ndryshe Bajraktari i Hotit dhe i Malësisë së Madhe. Që nga shekulli i XV-të kjo familje ka qenë e përmëndur gjithmonë në Veriun e Shqipërisë, përkrah familjeve Zogolli të Matit, Gjonmarkajve të Mirditës, Kaloshëve të Dibrës dhe Mulosmanëve të Krasniqes. Sipas disa gojdhënave dhe dëshmive të ndryshme, historia e kësaj familje apo më saktë e fisit të Bajraktarëve të Hotit dhe Malësisë së Madhe njihet që prej dymbëdhjetë brezash dhe një nga të parët e trungut të saj ka qenë Luc Gjori.
Po kështu thuhet se ky person ishte ai që fitoi dhe mori parinë e Bajrakut të Hotit, të cilën e trashëgoi më pas dhe fisi i tij brez pas brezi deri në mesin e shekullit të kaluar. Luc Gjori e fitoi të drejtën të mbante Bajrakun e Hotit dhe Malësisë së Madhe pasi u shqua për guxim dhe trimëri të rrallë në Luftën e Tivarit në Malin e Zi. Po kështu nga pozita e Bajraktarit që u fitua prej Luc Gjorit, ajo familje kishte të drejtë të përfaqësohej në krye të vëndit në kuvendet e ndryshme që mbaheshin në Shqipërinë e Veriut dhe bashkë me fisin të ishin si udhëheqës (flamurtarë) në krye të luftrave që zhvilloheshin në atë krahinë dhe zonat përreth. Nisur nga të drejtat e detyrimet që i jepte posti i Bajraktarit shtëpisë së tij, Luc Gjori krijoi Beslidhjen e Malësisë së Madhe për të bërë të mundur mbrojtjen e krahinës dhe bajrakut të tij nga situatat e vështira që krijoheshin herë pas here.
Një nga kushtet e para që u vu dhe u pranua në atë Beslidhje të krijuar prej Luc Gjorit, ishte dhënia e besës për ndalimin e çdo vrasje, grabitje apo gjakmarrje brenda krahinës, gjë e cila u mbajt nga të gjitha fiset e Bajrakut të Hotit dhe e gjithë Malësisë së Madhe. Pas Luc Gjorit, një nga figurat më të njohura dhe më të famshëm të asaj familje i cili ka bërë emër të madh jo vetëm në krahinën e tij por në të gjithë Veriun e Shqipërisë, ka qenë dhe Çun Mula i cili u lind në vitin 1818-të. Sipas të drejtës zakonore të sanksionuar në Kanunin e Maleve, Çun Mula trashëgoi parinë e Bajrakut që kishte pasur familja e tij dhe u vu në krye të malsorëve duke i udhëhequr ata me trimëri e besnikëri në luftrat e shumta që u zhvilluan në atë krahinë kundra forcave serbo-malazeze dhe atyre turke.
Po kështu nga dëshmi të ndryshme rezulton se Çun Mula të ketë marrë pjesë si ushtar i Perandorisë Osmane në luftrat e Krimesë dhe Moresë. Nisur nga emri i madh që krijoi Çun Mula në atë krahinë, në vitin 1878 paria e Hotit dhe e Malësisë së Madhe e zgjodhi atë si përfaqësues të saj në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit që u mbajt më dhjetë qershor të atij viti nën kryesinë e Iljaz Pashë Dibrës (Qokut). Në këtë kuvend, Çun Mulës iu caktua edhe funksioni i Komandantit të forcave vullnetare ushtarake për gjithë Malësinë e Madhe. Një nga betejat më të mëdha që udhëhoqi Çun Mula, ku dhe u shqua për guxim e trimëri të rrallë, ka qenë lufta e Zharnicës, ku ai me malsorët vullnetarë që komandonte i theu keqasi forcat ushtarake të rregullta të Krajl Nikollës së Malit të Zi.
Po kështu disa vjet më pas, Çun Mula luftoi përsëri edhe kundra forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, kur ajo doli hapur në favor të Malit të Zi për lëshimin e Hotit, Grudës, Plavës dhe Gucisë. Një nga betejat më të njohura që zhvilloi Çun Mula kundra forcave turke, është ajo e zhvilluar në Bajzë të Kastratit kundra forcave ushtarake të Bedri Pashës. Gjatë asaj beteje Çun Mula kërkoi mbështetjen e kapidan Hodo Beg Sokolit i cili ishte Komandant ushtarak i Veriut të Shqipërisë me qendër në Shkodër dhe ai e furnizoi me armatime të shumta për forcat vullnetare që Çun Mula i mblodhi në Postribë, Shkrel dhe Kastrat. Thuhet se komandanti i forcave turke Bedri Pasha, duke e parë të pamundur përplasjen me malsorët e udhëhequr prej Bajraktarit të Hotit, të cilët ishin të vendosur të luftonin me çdo kush për të mbrojtur tokat e tyre, iu shmang përpjekjes së armatosur dhe i hapi rrugën Çun Mulës.
Kjo ngjarje asokohe bëri bujë të madhe aq sa u përjetësua edhe në këngët e folklorin popullor duke u kënduar me lahutë nga disa breza. Në një nga ato këngë ndër të tjera thuhet: “Ku po shkon more Çun Mula / Prej Kelmendi sot u ula / Kam marrë vesht se m’ashtë zanë rruga / M’ashtë zanë rruga me shumicë / Prej Kastrati deri në Kamicë”. Nga ato këngë të kënduara prej malsorëve të asaj krahine është frymëzuar dhe Padër Gjergj Fishta i cili në veprën e tij madhore “Lahuta e Malcisë”, ndër të tjera shkruan: “Vjen Çun Mula, e vjen Mark Lula / Njeni i Hot e tjetri i Shalë / Të rrebtë për pushkë e të urtë për fjalë”. Përveç aktivitetit të tij si prijës ushtarak në krye të malsorëve, Bajraktari i Hotit Çun Mula njihej dhe respektohej edhe si burrë i urtë në pajtimin e gjaqeve apo ndarjen e gjyqësive të ndryshme jo vetëm në krahinën e tij por edhe më gjërë.
Po kështu Çun Mula është i njohur edhe për kontributin e dhënë në pajtimin në mes parisë së Lezhës dhe bajraktarëve të Mirditës në grindjet e tyre të vazhdueshme për caktimin e kufijve në mes dy krahinave. Në atë kohë që ato grindje në mes dy krahinave ishin acaruar jashtë mase dhe kishin arritur kulmin, kapidani i Mirditës Gjon Markagjoni, me pëlqimin edhe të bajraktarëve të Lezhës, e thërriti Çun Mulën, i cili i ndau kufijtë duke i lënë të kënaqur të dy palët. Thuhet se ato kufij ku i nguli gurët Çun Mula, vazhdojnë të jenë edhe sot kufijtë që ndajnë dy krahinat e Lezhës dhe Mirditës që asokohe kishin probleme të vazhdueshme me njëra-tjetrën. Çun Mula vdiq në vitin 1896 në moshën shtatëdhjetegjashtë vjeçare dhe u varros me nderime të mëdha aty në trojet e të parëve të tij në krahinën e Hotit.
Pas vdekjes së Çun Mulës një nga burrat e shquar që nxorri ajo familje ishte nipi i tij Deli Meta i cili u lind në vitin 1857. Ashtu si të parët e familjes së tij edhe Deli Meta pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në luftra kundra forcave serbo-malazeze. Nga dëshmi gojore të shumta thuhet se Deli Meta u bë tmerri i serbo-malazezëve nga trimëritë që ai tregoi në Luftën e Qytezës, Nën-Helmësit e Grabanicit. Po kështu një nga betejat e famshme ku u shqua Deli Meta ka qenë edhe ajo Koplikut në vitin 1912 kundër forcave serbo-malazeze të cilat kërkonin që t’ia aneksonin Shkodrën Malit të Zi. Në këto luftime përkrah Deli Metës luftoi edhe i biri i tij Mul Bajraktari, si dhe Luc Nishi që ishte prej fisit të Dedë Gjon Lulit. Pas asaj beteje në shënjë hakmarrje forcat malazeze ia dogjën tri herë shtëpinë Deli Metës në Hot dhe tri herë Krajl Nikolla i Malit të Zi bashkë me Mbretin Aleksandër i kërkuan atij që t’ju hapte rrugë në këmbim të florijve dhe gradave, gjë e cila u refuzua në mënyrë kategorike nga Bajraktari i Hotit dhe i Malësisë së Madhe.
Mbasi Serbija dhe Mali i Zi aneksuan gjysmën e krahinës së Hotit, Grudës dhe Tuzin, Krajl Nikolla i Malit të Zi dërgoi Ministrin e tij të Jashtëm që ta bindëte Deli Metën dhe parinë e Hotit që të firmosnin një deklaratë ku pjesa e mbetur e Hotit të bashkohej me Malin e Zi. Për këtë gjë Ministri i Krajl Nikollës u propozoj Deli Metës një shumë të madhe me florij si dhe grada të larta, por Deli Meta bashkë me parinë e Hotit e refuzuan me neveri propozimin e ministrit malazez. Thuhet se gjatë një gostije të zhvilluar në Pallatin e Krajl Nikollës ku ishin ftuar oficerët më të shquar të Malit të Zi, Krajli i pyeste ata se kush ishin prijsit shqiptarë më të rrezikshëm që u paraqisnin atyre probleme serioze. Pas shumë përgjigjieve të ndryshme të oficerëve malazezë që jipnin mendimet e tyre, Krajl Nikolla u drejtua të pranishëmëve duke u thënë: “Unë dy vetave ua kam frikën: Bajraktarit të Hotit Deli Meta që është myslyman dhe qeveris një krahinë katolike dhe Bajraktarit të Grudës që është katolik dhe qeveris një krahinë myslymane. Sepse në rast të një konflikti ata të dy e kanë të gjithë popullin me vete”.
Me ardhjen e trupave austro-hungarze në vitin 1916, Deli Meta së bashku me të birin e tij Mul Bajraktarin dhe 150-të burra të tjerë nga Hoti dhe Malësia e Madhe u internuan në Ashah Dynave (afër Vjenës) ku u mbajtën deri në vitin 1918-të kur mbaroi Lufta e Parë Botërore. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, konsulli italian Meloni i propozoi dy herë Deli Metës që t’ia ndërtonte kullat e djegura në Hot dhe t’i jepte një shume të madhe me para, në këmbim të ndjekjes së politikës së tij proitaliane në atë krahinë. Por Deli Meta ia refuzoi në mënyrë kategorike atë propozim dhe pas kësaj autoritetet italiane e internuan atë në fshatrat e Beratit, edhe pse ai në atë kohë ishte në moshën 92-vjeçare. Deli Meta vdiq në vitin 1945 dhe trashëgiminë e Bajrakut të Hotit prej vitesh ia kishte lënë të birit të tij Mul Bajraktarit, i cili ishte shkolluar në Austri dhe gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë mbante gradën e nënkolonelit.
Në gjashtë prillin e vitit 1939 kur u dha lajmi se Italia fashiste po sulmonte Shqipërinë, Mbreti Zog e thërriti babanë tim Mul Bajraktarin i cili asokohe mbante gradën e majorit dhe e caktoi në detyrën e komandantit të forcave ushtarake për mbrojtjen e Vlorës. Por ndërsa Mul Bajraktari në krye të forcave të armatosura që iu dhanë nën komandë po përgatitej të nisej për në qytetin e Vlorës, u ndryshua urdhëri dhe Komanda e Përgjithshme e Mbrojtjes Kombëtare që sapo ishte formuar e caktoi atë me detyrën e Komandantit të Batalionit “Deja” të cilit i ishte dhënë urdhërin për t’u vendosur në rrëzë të kodrave të Shijakut ku ishte dhe vija e dytë e rajonit të mbrojtjes.
Babai im Mul Bajraktari në krye të forcave që komandonte sipas urdhërit të dhënë u instalua në atë vënd ku qëndroi deri në pasdreken e shtatë prillit ku forcat italiane e thyen qëndresën e Batalionit “Deja” i cili ishte i paisur keq dhe me ushtarë të mobilizuar në 24 orët e fundit. Pas disfatës që pësoi batalioni i tij, babai së bashku me disa oficerë të tjerë u kthyen në Tiranë ku u informuan se Mbreti me Oborrin e tij dhe një pjesë të Gardës ishin nisur për në Korçë”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 72-vjeçari Kastriot Bajraktari, djali i madh i nënkolonel Mul Deli Bajraktarit që rrjedh nga familja e famshme bajraktarëve të Hotit dhe Malsisë së Madhe të cilët për disa shekuj udhëhoqën malsorët e asaj krahine në luftrat e tyre kundra forcave turke dhe serbo-malazeze.
Po cila është historia e familjes së Mul Bajraktarit dhe kush ishin pinjollët më të njohur të atij fisi të famshëm në Veriun e Shqipërisë? Cilat ishin betejat dhe ngjarjet që lidhen me emrat e burrave të asaj familje dhe cilat ishin përpjekjet e Krajlit të Malit të Zi dhe Mbretit Aleksandër për t’i shmangur ata nga rruga e tyre? Cilët ishin pasardhësit e Çun Mulës të cilit i ka kënduar padër Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcisë” dhe si u persektua familja e nënkolonel Mul Deli Bajraktarit, pinjollit të fundit të kësaj familje që trashëgoi dhe mbajti Bajrakun e Hotit e Malësisë së Madhe.
Kush ishte Mul Bajraktari
Mul Bajraktari u lind në vitin 1894 në krahinën e Hotit dhe ai ishte fëmija e dytë nga tre djemtë e Deli Metës, që trashëgonte parinë e Bajraktarit të Hotit dhe Malësisë së Madhe. Mul Delia apo siç njihet ndryshe Mul Bajraktari, fëmijrinë e tij e kaloi aty në trojet e të parëve dhe mësimet e para i mori në qytetin e Shkodrës ku familja e tij kishte miqësi të madhe me pjesën më të madhe të parisë së vëndit. Lidhur me të kaluarën e Mul Bajraktarit, i biri i tij Kastrioti, tashmë në moshën 72-vjeçare dëshmon: “Në fillimin e vitit 1916 kur Muli nuk ishte më shumë se 22-vjeç, së bashku me babanë e tij Deli Metën dhe 150 malsorë të tjerë nga paria e Malësisë së Madhe u internuan nga austro-hungarezët në një kamp afër Vjenës të quajtur Ashah Dynave. Në atë vënd ata qëndruan deri në mbarimin e Luftës së Parë Botërore në vitin 1918-të, kohë në të cilën u liruan dhe u kthyen në Shqipëri. Në vitin 1919-20-të Mul Bajraktari mori pjesë në Luftën e Koplikut bashkë me forcat vulllnetare të Malësisë së Madhe të kryesuara nga babai i tij Deli Met Bajraktari dhe gjatë asaj beteje atij iu vra dhe shoku më i ngushtë Luc Nishi.
Mul Delia, Bajraktari që u arrestua nga gjermanët
Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e së dielës, u njohëm me një histori të shkurtër të familjes së bajraktarëve të Hotit dhe të Malësisë së Madhe i njohur ndryshe si fisi i Çun Mulës i cili është i përmëndur edhe nga Padër Gjergj Fishta në veprën e tij madhore “Lahuta e Malcisë”. Kjo familje e madhe e bajraktarëve të Hotit ka qenë e përmëndur gjithmonë me fiset e tjera të njohur të Veriut të Shqipërisë përkrah Zogollëve Matit, Gjonmarkajve të Mirditës, Kaloshëve të Dibrës dhe Mulosmanëve të Krasniqes. Ndër burrat më të shquar që ka nxjerrë ajo familje që prej tre-katër shekujsh, përmënden Luc Gjori, Çun Mula, Deli Meta dhe Mul Deli Bajraktari, të cilët janë të njohur për luftrat e tyre kundër turqve, serbo-malazezëve, italianëve dhe gjermanëve.
Po kështu babai im Mul Bajraktari asokohe mori pjesë dhe në Luftën e Kakarriqit kundër forcave serbo-malazeze të cilat invaduan kufijtë veri-perendimorë të Shqipërisë. Në vitin 1921 kur plasi revolta separatiste e Mirditës, përkrah forcave qeveritare të komanduara nga Major Preng Jaku që u dërguan për ta shtypur atë, me urdhërin e Ministrit të Brendshëm Ahmet Zogu aty mori pjesë dhe babai im Mul Bajraktari në krye të forcave vullnetare të nisura nga Malësia e Madhe. Gjatë betejave që u zhvilluan aty mori pjesë dhe një kolonel austriak i cili u plagos rëndë. Kur e mori vesh këtë gjë kapidani i Mirditës Gjon Markagjoni, i kërkoi takim Mul Bajraktarit dhe i tha: “Megjithse jemi në pozicione të kundërta, duke pasur konsideratat ma të larta për fisin e derën e familjes tuej, po ta dorzoj në besën tënde këtë kolonel që të ma përcjellësh deri në Arqipeshkvinë e Shkodrës”.
Muli e mori në besë kolonelin austriak dhe e përcolli deri në Arqipeshkvinë e Shkodrës, nga ku më pas ai u dërgua për në Vjenë. Për këtë nder që i bëri kolonelit austriak, përpara largimit nga Shqipëria ai i dorzoi Mulit në shenjë kujtimi shpatën e tij të cilën familja jonë e pati ruajtur deri sa ajo u bastits prej partizanëve. Disa vjet më vonë, në 1925-ën, pasi ishte shtypur Kryengritja e Dukagjinit, kryetari i Shtetit Ahmet Zogu e ngarkoi babanë tonë Mulin që të shkonte në Kroin e Bradhë për të kapur Dom Loro Cakën i cili konsiderohej një nga organizatorët kryesorë të asaj revolte. Sipas urdhërit që mori nga Zogu, babai shkoi në zonëën e Dukagjinit ku pasi mblodhi parinë e e saj u tha se kishte shkuar aty për të arrestuar Dom Loro Cakën, sepse qeveria kishte informata të sakta që ai strehoej aty.
Ndonëse kishte marrë atë urdhër prej Zogut, babai nuk donte ta arrestonte atë dhe foli me të zotin e shtëpisë ku strehoej Dom Loro Caka duke i thënë atij që ta largonte prej andej pasi ai ishte në kërkim nga qeveria dhe do vinte dikush tjetër që ta arrestonte. Kur u kthye në Tiranë, Zogu e thërriti Mulin në Pallat dhe i tha: “Bajraktar, më thuej të drejtën pse nuk e arrestove Dom Loro Cakën?” Muli iu përgjigj: “Nuk e arrestova se e pashë të arsyeshme se Dom Lora Caka duhej të jetonte dhe ju naltmadhëni nuk do të kishit asnjë dam prej kësaj”. Pas këtyre fjalëve të babës, Zogu iu përgjigj: “Nuk kam çka me të ba o Bajraktar se të kam mik”, kujton Kastriot Bajraktari takimin e babait të tij Mulit me Zogun pas misionit që ai i kishte ngarkuar për kapjen e Dom Loro Cakës, organizatorit të kryengritjes së Dukagjinit të vitit 1925 e cila ishte financuar nga ana e Beogradit për rrëzimin e Zogut.
Karriera ushtarake e Mul Bajraktarit
Pas vitit 1925 kur Ahmet Zogu urdhëroi Ministrinë e Brendshmë të ndërrmerte aksionin e çarmatimit të zonave më të nxehta të Shqipërisë, në krahinën e Dukagjinit ai dërgoi Mul Bajraktarin i cili me sjelljet e tija shumë të mira e kreu atë detyrë me sukses dhe pa asnjë incident me banorët e atyre zonave. Pas atij misioni karriera ushtarake e Mul Bajraktarit filloi një ngjitje të shpejtë, për të cilën i biri i tij, Kastrioti dëshmon: “Në vitin 1927 Zogu e transferoi Mulin në rrethin e Gjirokastrës duke e caktuar në Rojen Mbretërore të Kufirit. Një vit më vonë duke qenë në atë atë detyrë, Muli u caktua si përfaqësues i palës shqiptare në Komisjonin që u ngrit asokohe për rregullimin e kufirit jugor të Shqipërisë me Greqinë.
Pas përfundimit të asaj detyre në vitin 1929 Muli erdhi në Tiranë për të ndjekur kursin e organizimit të Rojes Mbretërore të Kufirit, të cilin nën drejtimin e instruktorëve italianë e përfundoi në vitin 1930-të. Pas mbarimit të këtij kursi dyvjeçar Zogu e emëroi Mulin me detyrën e Komandantit të batalionit të tretë të Rojes Mbretërore të Kufirit në zonën e Pogradecit dhe Korçës. Nga viti 1930 e deri në vitin 1937 që babai shërbeu në këtë zonë, ai punoi me një korrektësi shëmbullore dhe me inisitaivën e tij ngriti kazermën e Leskovikut si dhe disa çezma përgjatë kufirit të cilat u shërbenin jo vetëm ushtarëve që ishin aty por dhe banorëve të atyre fshatrave kufitare.
Aty nga viti 1935 ndërsa Muli po udhëtonte me kalë për një inspektim në atë zonë kufitare që mbulonte, ai u bë objekt i një atentati të organizuar nga jugosllavët duke u plagosur lehtë në krah. Atentatorët u kapën dhe gjyqi kërkoi t’i dënonte shumë rëndë, por me ndërhyrjen e Mulit ata u dënuan vetëm me nga tre vjet. Babai ndërhyri për dënimin e lehtë të tyre sepse ajo gjë ishte kurdisur nga sekretari shqiptar i Legatës Jugosllave në Tiranë (Z. P.) i cili u arrestua më pas. Për atë punë shëmbëllore që bëri në zonën e Pogradecit dhe Korçës, Muli u dekorua disa herë nga Mbreti Zog dhe iu dha grada e kapitenit të parë”, kujton Kastriot Bajraktari lidhur me karrierën ushtarake të babait të tij Mulit
7 Prill 1939, lufton në Shijak
Pas një karriere ushtarake të suksesëshme të Mul Bajraktarit, aty nga fillimi i vitit 1938 Mbreti Zog e transferua atë në qytetin e Durrësit me detyrën e komandantit të portit detar ku ai punoi deri në fillimin e vitit 1939 kur u caktua për të ndjekur kursin e perfeksionimit të oficerëve në Tiranë i cili do të drejtohej nga instruktori francez Andrea De Leo. Lidhur me këtë periudhë, Kastriot Bajraktari dëshmon: “Muli nuk arriti që ta përfundonte dot kursin e perfeksionimit të oficerëve që u hap në Tiranë në fillimin e vitit 1939 për arsye se ai u mbyll prej agresionit ushtarak që Italia ndërrmori ndaj Shqipërisë. Në paraditen e gjashtë prillit të vitit 1939, Mul Bajraktarit iu ngarkua detyra e komandantit të forcave ushtarake dhe rezerviste për mbrojtjen e Vlorës.
Por ndërsa ai po bëhej gati që në krye të forcave që komandonte të nisej në drejtim të Vlorës, Komanda e Përgjithshme e Mbrojtjes Kombëtare e porsaformuar e ndryshoi urdhërin dhe ngarkoi atë me detyrën e Komandantit të Batalionit “Deja”, të cilit iu ngarkua detyra luftarake të për tu vendosur në Kodrat e Shijakut ku ishte dhe rajoni i dytë i mbrojtjes i frontit të luftës. Sipas urdhërit të dhënë nga komanda eprore, babai im Mul Bajraktari me forcat ushtarake që komandonte u instalua në Kodrat e Shijakut ku qëndroi deri në pasdreken e shtatë prillit ku forcat e shumta italiane që zbarkun në Durrës udhëtuan në drejtim të Tiraanë duke e thyer qëndresën e Batalionit “Deja”i cili ishte i paisur keq nga ana e armatimeve dhe me ushtarë të rekrutuar vetëm në 24 orët e fundit. Pas disfatës që pësoi ai batalion, babai së bashku me disa ushtarakë të tjerë u nisën në drejtim të Tiranës dhe prej aty në drejtim të Korçës ku ishin nisur më parë karvani i automjeteve që shoqëronin Mbretin Zog dhe një pjesë të Oborrit Mbretëror”, kujton Kastriot Bajraktari lidhur me agresionin fashist të shtatë prillit të vitit 1939 ku babai i tij Muli u caktua me detyrën e komandantit të Batalionit “Deja” për të bërë rezistencë në Kodrat e Shijakut.
Mbron trojet shqiptare në Mal të Zi
Më datën nëntë prill të vitit 1939 kur Ministri i Oborrit i Mbretit Zog lëshoi një komunikatë që të gjithë oficerët e Monarkisë dhe nënpunësit të ktheheshin në vendet e tyre të mëparshme edhe Mul Bajraktari me shumë oficerë të tjerë u kthyen në Tiranë. Në atë kohë Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare e emëroi Mulin me detyrën e Komandantit të Rojes së Financës në qytetin e Durrësit. Lidhur me këtë Kastriot Bajraktari dëshmon: “Edhe pse u caktua në atë detyrë, organet e SIM-it nisën hetimet ndaj tij duke e cilësuar si një nga oficerët që kishte kundërshtuar me armë zbarkimin ushtarak në Durrës. Ndërsa ai ishte futur në listat e atyre që do internoheshin të cilat kishin shkuar në Romë për aprovim, i erdhi urdhëri i transferimit për në Sarandë ku ishte caktuar komandant kompanije. Babai u detyrua ta pranonte atë detyrë, për arsye se në atë kohë babën e tij dhe gjyshin tonë Deli Met Bajraktarin që ishte në moshëm 84-vjeçare, autoritetet fashiste e kishin internuar në fshatrat e Beratit.
Pas tre muajsh Mulin e thërritën në Tiranë ku dhe i komunikuan lirimin nga detyra ushtarake. Në atë kohë i detyruar nga nevoja ekonomike pasi babai kishte në ngarkim familjen prej nëntë vetësh, ai u muar me tregti. Gjatë kësaj kohe atij i propozuan që të shërbente me gradën e majorit në Milici, por ai nuk pranoi. Po kështu ai refuzoi edhe detyrën e Prefektit në Kosovë dhe funksionin e këshilltarit Koroprativ. Aty nga fillimi i vitit 1942 ai ra në kontakt me persona antifashiste dhe bashkë me ta u angazhua që të organizonin në një lëvizje të Malësisë kundra forcave pushtuese italiane. Në kuadër të kësaj lëvizje asokohe ai pati kontakte të vazhdueshme me Arqipeshkvin e Shkodrës Monsinjor Gaspër Thaçin dhe Patër Anton Harapin. Aty nga fillimi i vitit 1943 forcat çetnike dhe ato partizane të Titos ishin organizuar në formacione ushtarake të rregullta dhe ishin afruar në kufijtë e Veriut të Shqipërisë me synim për të rimarrë Ulqinin, Tivarin, Hotin, Tuzin dhe Grudën.
Malësia e Madhe duke pasur parasysh Masakrën e Bihorit ku u masakruan 5000 shqiptarë, u alarmua dhe në mënyrë që të mos përsëritej më ajo vendosi që të mbrohej. Në mbledhjen që u organizua në Malësinë e Madhe për këtë gjë, u caktua Mul Bajraktari si kryetar i saj dhe atu u zgjodh një delagacion prej 50 vetash që nën kryesninë e Mulit do të vinin në Tiranë për të kërkuar armë. Pas një organizimi që bëri Mul Bajraktari, autoritetet italiane i dhanë atij 2500 armë për Malësinë e Madhe dhe 500 të tjera ia dhanë Prenk Calit për mprojtjen e Kelmendit. Në atë kohë që Muli mori armët dhe organizoi forcat vullnetare të Malësisë së Madhe, në zonën Reç-Lohje-Rrjoll ishin grumbulluar çetat nacionaliste dhe ato partizane të nacional-çlirimtares.
Autoritetet italiane i dhanë dy herë urdhër Mulit që t’i sulmonte ato forca, por ai nuk pranoi me asnjë kusht. Ndërsa Muli ndodhej në Tuz, ai iu dha urdhër forcave të tija që të mos luftonin në zonën e Reçit kundër partizanëve e nacionalistëve ku i kishin dërguar italianët me forcë. Si rezultat i refuzimit të forcave që komandoheshin nga Muli, italianët pësuan disfatë në Reç ku lanë 25 të vrarë dhe 50 të plagosur. Në shenjë hakmarrje ndaj kësaj humbje, Koloneli Klementis e arrestoi Mulin dhe e mbajti për 20 ditë në burgun e Distrellos nga ku u detyrua ta lironte pas ndërhyrjeve të shumta të miqve të tij dhe kërkesave të vazhdueshme të vullnetarëve që Muli kishte nën komandë”, kujton Kastriot Bajraktari përpjekjet e babait të tij Mulit në mbrojtjen e viseve shqiptare në Mal të Zi të cilat më pas ranë përsëri në duart e serbo-malazezëve.
Internohet nga gjermanët
Pas kapitullimit të Italisë ndonëse Mul Bajraktari mbante detyrën e Komandantit të Kufirit Verior me gradën e nënkolonelit, si nacionalist që ishte bashkëpunoi ngushtë me misionet angleze që ishin në Veri për të organizuar rezistencën kundër forcave gjermane. Lidhur me aktivitetin e Mul Bajraktarit në atë kohë, i biri Kastrioti dëshmon: “Duke e ditur influencën e Mulit në gjithë Malësinë, komandanti gjerman i Gestapos, majori Husding që ishte në Shkodër i propozoi atij që në krye të një fuqie prej 2500 forcave vullnetare të kryente një operacion në Vlorë dhe në Korçë, por Muli e refuzoi. Po kështu ai u thërrit në Tiranë ku iu propozua detyra e komandantit të forcave të Operacionit të Dimrit të cilën ai përsëri e refuzoi. Pas kësaj më 27 prill të vitit 1944 majori gjerman Hofman Husding nxorri urdhërin e arrestimit për Mulin i cili në fillim u dërgua në Prizëren dhe më pas në kampin e Prishtinës.
Pas tre muajve që e mbajtën në Prishtinë, Mulin e dërguan në kampin Kerstoplatz të Vjenës në Austri, nga ku ai u lirua vetëm me ndërhyrjen e forcave aleate anglo-amerikane dhe atyre sovjetike. Më pas ai shkoi në Itali ku qëndroi në kampin e Rexhio-Emilias deri në vitin 1947. Në atë kohë me ndërhyrjen e Mbretit Zog, bashkë me 35 ish-ushtarakë të tjerë ai u lirua prej andej dhe shkoi në Siri ku i gjithë grupi i oficerëve u inkuadruan në ushtrinë Siriane po me gradat që kishin pasur në Shqipëri. Në vitin 1949 bashkë me ushtarakët e tjerë ata u pushuan nga shërbimi ushtarak dhe në atë kohë ai mbeti në gjëndje mjaft të keqe ekonomike. Në vitin 1951 Shefit i Zbulimit Jugosllav, Çedo Mijoviç i propozoi Mulit për të shkuar në Jugosllavi dhe të merrej me organizimin e emigracionit antikomunist që ai të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri.
Pasi u konsultua me Mbretin Zog, Muli iu përgjigj atij me këto fjalë: “Me armët dhe me gradat e Jugosllavisë unë nuk mund ta sulmoj atdheun tim Shqipërinë”. Babai im Mul Bajraktari vdiq në Damask të Sirisë në vitin 1952 dhe vetëm pas shëmbjes së diktaturës komuniste, në vitin 1994, me ndihmën e diasporës shqiptare të SHBA-së eshtrat e tij u sollën në atdhe dhe sot ato prehen aty në Hot tek vorret e të parëve tanë” , e përfundon rrëfimin e tij Kastriot Bajraktari, djali i madh i Mulit i cili së bashku me vëllanë Melekun e katër motrat Lirien, Bukurien, Teftën e Dritën vuajtën për shume vjet të internuar në kampet e Myzeqesë. Internimi i tyre erdhi pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës babanë e tyre Mul Deli Bajraktarin e kishte shpallur armik të popullit edhe pse fotografia dhe emri i tij ndodhen edhe sot në parcelën e ish-të burgosurve të kampit gjerman Kerstoplatz në afërsi të Vjenës.