FALSIFIKIMI I BIOGRAFIVE

1
592
Shefqet Dibrani, kala

Letër ambasadorëve (13) / FALSIFIKIMI I BIOGRAFIVE

Problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!

Shkruan: Shefqet DIBRANI, 28 shtator 2019

SHTREMBËRIMI DHE FALSIFIKIMI I BIOGRAFIVE

Të nderuar Ambasadorë dhe staf diplomatik në Kosovë, rreziku nga falsifikimi i biografive është i madh, pavarësisht se bota ka përvoja të mëdha, në vendin tim elita intelektuale, është e izoluar, injoruar dhe mbytur nga injoranca politike. Për fat të keq as përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit diplomatik të SHBA-ve, nuk kanë pasur interes për fjalën dhe dijen e tyre. Sot në Kosovë e tërë elita intelektuale dhe njerëzit e ndërgjegjshëm ndjehen se atyre iu ka kthyer shpina, prandaj ne mendojmë se për tu pastruar si duhet sindromi bolshevik në udhëheqjen e tanishme në Kosovë, duhet ripërsëritur edhe një tranzicion 20 vjeçar, atëherë kur në pushtet do të vjen një gjeneratë pa dogmat e së kaluarës dhe pa ndikimet e së tashmes.

Gjithsesi ndryshimet në Kosovë do t’i bëjë një brez tjetër i cili do të ketë qasje evropiane për proceset në Kosovë edhe pa u pajisur me diplomë e certifikatë nëpër vendet euro-amerikane. Kjo gjeneratë që iu fabrikua Kosovës në mënyrë kaq artificiale, bashkë me nomenklaturën e LKJ dhe bijtë e asaj nomenklature, mjaftë e kanë falsifikuar historinë, mjaftë na kanë mashtruar se do ta avancojnë demokracinë, mjaftë na kanë mashtruar se do ta zhvillojnë Kosovën dhe se do ta ruajnë partneritetin e përhershëm me vendet e BE-së dhe SHBA-të. Kjo strukturë politike ka falsifikuar gjithçka për të mbetur alternativa e vetme në Kosovë, për ti ndërtuar ata raportet me vendet e BE-së dhe SHBA-të, prandaj me mjeshtri i kanë njollosur biografitë e një elite intelektuale, biografitë e të gjithë atyre që i kanë kategorizuar për kundërshtar.

Kjo analizë është esenca e problemit me të cilin ballafaqohet Kosova dhe partneret ndërkombëtar, prandaj Amerika dhe vendeve të BE-së, duhet të kenë kujdes për rrezikun e grackës që po e përgatitë doktrina Staliniste, qoftë duke falsifikuar historinë ose duke ua njollosur biografitë elitës intelektuale dhe personaliteteve të caktuara, koncept ky ideologjik që e pat tronditur shekullin e kaluar.

Për të kuptuar nëse ka lidhshmëri taktike, mjafton të shikohet lufta ideologjike në mes Stalinit dhe Trockit, për të kuptuar se si komunistët dhe bijtë e tyre, me të përfunduar Lufta në Kosovë, u shtiren viktima të së majtës ekstreme e cila nga Lufta u kthye fitimtare. Derisa komandantët përvetësuan, jo vetëm meritat e dëshmorëve dhe heronjve, por edhe luftën e drejt të UÇK-së, madje edhe meritat e Aleancës e cila ndihmoi dhe sponsorizoi fitoren mbi luftën në Kosovë.

Në anën tjetër, nomenklatura e LKJ-së, po sidomos bijtë e tyre, sa mundnin njollosnin biografitë e Komandantëve, (tashmë me bagazhin edhe të krimit ekonomik), në njërën anë, kurse në anën tjetër shantazhonin aq sa mundnin elitën intelektuale për të cilën Bashkësia Ndërkombëtare, nuk tregoi interesim. Përkundrazi janë manifestuar qasjet refuzuese duke mos treguar vullnet për tu takuar, dhe për të dëgjuar mendim ndryshe, përkitazi me ecuritë e proceseve në këtë vend, përplot dogma të së majtës ideologjike!

Pikërisht, struktura që priste tortën me duar në xhepa, shtirej se ishte viktimë, pasi ndjehej se po humbte pushtetin nga komandantët e rebeluar. Ky brez ishte i kamur, pasi trashëgonin privilegjet ekonomike, bashkë me përvojën e baballarëve të tyre për t’ua falsifikuar biografitë të gjithë atyre që i konsideronin rival dhe ata të tjerët që i konsideronin intelektual.

Dikush nga këto struktura kanë drejtuar shtypin dhe mediat edhe në kohën e sistemit duke na treguar se “Rruga e Kosovës për në Evropë, kalon nëpër Beograd”?! Çuditërisht edhe në kohë lufte, të njëjtit kishin vënë kontakte me grupet e armatosura në zonat e luftës. Atje hynin e dilnin pa pengesë, raportonin për vete e për të tjerë, duke thurur plane e duke intriguar procese të dhembshme në favor të një procesi që po përfundonte, por sakaq arritën brenda ditës të rikonfigurohen dhe t’i përshtateshin forcës që triumfonte. Nga kjo që thamë, edhe tash duket si e paqartë se si veprimet e tyre nuk i ndëshkonte askush, sidomos kur akuzonin pushtetin serb, ndonëse më me ëndje kanë intriguar proceset nëpër të cilat kalonte vendi ynë. Këtu nuk kemi pse të mos besojmë, kur vet Sllobodan Millosheviçi në Tribunalin e Hagës, ua zbuloi fytyrën se ishin bashkëpunëtorë të tyre.

Pa dyshim kjo gjeneratë që ishte e indoktrinuar me ideologjinë komuniste të vëllazërim-bashkimit jugosllav, përveç se i përbiruan situatat pa pasoja, me sukses arritën t’i përvetësojnë simpatitë e perëndimorëve dhe në të njëjtën kohë edhe ta fitojnë besueshmërinë e tyre, veçmas të atyre mekanizmave që merreshin ekskluzivisht me hetime për krime dhe me mbikëqyrjen e Kosovës.

Në këtë rrafsh hyjnë përvetësimi i mbikëqyrjes hetuese dhe në shërbimet hulumtuese, ndihmat e fondacioneve perëndimore, pastaj kanë përftuar infuzione për sforcimin e mediave të tyre private, e në anën tjetër, me dorën e vet, shqiptarët etnik të Kosovës, e shuan gazetën me traditë “RILINDJA”, dhe ndaluan vazhdimësinë e punës së RTP-së, e për paradoks të të gjithave në kapitalin e së cilës e themeluan RTK, në vend se të bëhej një lloj transformimi i RTP-së në RTK. Se për çfarë falsifikimi bëhet fjalë për historikun e këtyre dy institucioneve themelore të informimit, mund të flasin përkthyesit dhe ata që kanë raportuar, por që ishte një shkatërrim i fakteve historike, një falsifikim i pashembullt, i traditës, i kulturës, i informimit nuk ka dyshim.

Se ndodhte një luftë ideologjike e së majtës komuniste nuk ka dyshim, pasi ajo pjesë që konsiderohej nomenklaturë e sistemit paraprak në emër të privatizimit përftonin miliona, kurse e majta tjetër në emër të Luftës dhe sidomos të Fitores mbi Luftën, arritën të vendosin kontroll edhe mbi shtypin e shkruar, radiot, televizionet deri tek portalet e shumta të internetit. Në këtë degradim të vlerave dhe të falsifikimit historik, mund të futen edhe botimet tjera pa kriter, me vlera minimale dhe me përmirësime të shumta. Gjatë këtyre viteve kem pasur një propagandim kulturor me devijime të mëdha estetike dhe cilësore pasi kjo literaturë që vërshoi ishte jashtë kontrollit, veçmas ai zhanër që përshkruante aspekte historike do të dominohet me ngjarje jashtë kontekstit historik, andaj shumë sish janë radhitur si ngjarje dhe zhvillime të falsifikuara, glorifikuara dhe të stërlavdëruara.

Në vazhdën e këtyre degradimeve mund të shihen të gjitha ngjarjet, siç janë mitingjet, akademitë, përvjetorët, e bashkë me to, të gjitha rekuizitat mbi varre dhe statujat për heronjtë janë të ndikuara nga koncepti i realizmit sovjetik, diku i viteve të 40-ta. Tashmë Kosova po mbulohej me fakte të falsifikuara me ngjarje të shëmtuara, dhe kjo ndodhte e bëhej në sy të aleatëve tanë të cilët ma mirë se sa ne i njihnin ato zhvillime, por çuditërisht nuk ndërhynin, prandaj militantët ideologjik, papengueshëm janë lejuar të veprojnë, të përvetësojnë, të falsifikojnë dhe biografitë ti shtrembërojnë.

Në këtë periudhë në të cilën kanë dominuar antivlerat, janë injoruar luftëtarët dhe heronjtë real, ashtu siç vepronin të tjerë kundër elitës intelektuale dhe kundër patriotëve të vërtetë. Në anën tjetër janë inkurajuar banda, sikur të ishin trajnuar për ide të cilat tashmë kanë prodhuar efektin e vet, prandaj kemi këtë kaos çfarë e kemi.

Pavarësisht rrethanave, askush nuk mundet ta mohoj se paralel së keqes është rritur e zhvilluar një gjeneratë e cila mund ta ndryshoj Kosovën, por ajo është mbytur nga injoranca, është izoluar dhe përjashtuar, sidomos një luftë shkatërruese e ka bërë një klientelë e cila si falsifikatore e realitetit, po lavdërohen me certifikatat e diplomat e marra në vendet me demokraci të konsoliduar, kurse veprimet e tyre ngjasojnë me sjelljet e diktatorëve në vendet komuniste.

IKJA NGA “PAVARËSIA PERSONALE” DREJT “VARËSISË POLITIKE”

Sado që gjërat po lëvizin, proceset po ecin ngadalë, andaj rezultatet janë të pamjaftueshme. Në këtë prizëm i shohim edhe zgjedhjet e tanishme (6 tetor 2019), të cilat u ndikuan nga disa turbulenca, përkatësisht ndodhën disa lëvizje individësh të cilët nga “pavarësia personale?!”, shkuan drejt “varësisë politike”, ku të bënë me dyshuar për moralin e vrarë që kanë. Kjo klientelë është aktivizuar duke u sistemuar nëpër partitë politike, dhe çuditërisht janë disa të cilët me lehtësi iu kanë përbiruar sistemeve. Të tjerë nën sloganin “Brezi i Republikës”, janë rehabilituar më mirë, madje me ambicie për ta drejtuar qeverinë, kurse në anën tjetër pëlqehen edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare, e cila sikur i konsideron partner pa bërë një Vetting mbi të kaluarën e tyre.

Tashmë shihet se në Kosovë është prodhuar një gjeneratë politike, (pa përjashtim), e orientuar gabimisht, sepse gabimisht kanë qenë të frymëzuar në gënjeshtrat e Stalinit kur fliste për shtetin, por për falsifikimin e historisë janë treguar të shkathët. Kjo ideologji i ka kushtuar botës, vuajtje të llahtarshme dhe likuidime të pashembullta, duke spastruar trurin e kombit. Si duket edhe tek ne, pikërisht kjo metodologji është përvetësuar duke e grabitur “Pushtetin Popullor”, e me të edhe sektorët e rëndësisë së veçantë, pastaj krahas kësaj, edhe pasuritë e shumta për tu bërë të kamur. Në anën tjetër duket se janë marrë edhe me falsifikime të biografive, për t’i eliminuar, izoluar e shantazhuar elitën intelektuale, dhe kjo histori e falsifikuar po rishkruhej para syve të ndërkombëtarëve.

Në shkurt të vitit 1956, Hrushovi, në Kongresin e Njëzetë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik para të pranishmëve pranoi pak a shumë se Stalini ishte një vrasës masiv. Ai bënte përpjekjet për të diskredituar secilin intelektual pa pasur asnjë provë, që janë veprime shqetësuese. Edhe në Kosovë, grupe jo aq mirë të organizuara, (pasi nuk kanë as ushtri dhe as polici të tyre), kanë arritur të mbulojnë tërë hapësirën dhe të kontrollojnë secilin që bënë përpjekje për të reformuar rrethin ku ai jeton ose punon.

LUFTA PËR TË SHKATËRRUAR “JETËN E VARROSUR”

Kjo luftë ideologjike e pashpirt ka për qëllimi për të shkatërruar edhe “jetën e varrosur” të Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova. Mënyra e veprimit është shqetësuese, për vet faktin se “jetën e jetuar”, ia kanë shkatërruar format primitive të interesit dhe njerëzit primitiv rreth tij. Përsëri, këtë “jetën e varrosur”, po ia bënë partia dhe bashkëpunëtoret e tij, të cilët nuk u kujdesen për familjen, por e lanë në mëshirën e grupeve të interesit. Çuditërisht pasardhësit presidencial nuk e nxorën “Ligjin për Presidentin”, i cili do ti rregullonte këto çështje dhe as nuk u krijuan rregulla se si duhet ruajtur, mbrojtur dhe përkujdesur me Familjen dhe pasardhësit e Presidentit.

Përkundrazi, partia e tij ka lejuar për tu shantazhuar familja, qoftë duke prodhuar skandale të shumta ose duke i privilegjuar në vende të dukshme, vetëm për t’i komprometuar, dhe kjo bëhej për marketing të brendshëm politik. Çuditërisht në zgjedhjet e tashme kjo familje është e përjashtuar jo vetëm nga lista zgjedhore, por edhe nga pjesëmarrja nëpër tubime elektorale. Të tjerë mbllaçitin dhe çirren për dashurinë e tyre që paskan dashur ta kenë me presidentin?! Këto falsifikime dhe këto gënjeshtra duartrokiten në mënyrë patetike dhe askush nuk frikësohet nga Mallkimi Historik?!…

Tashmë po shihet se falsifikimi i biografive dhe shkatërrimi i personaliteteve ka marrë përmasa shqetësuese. Turma, e cila nuk seleksionon, tashmë e ka vënë në ballë të proceseve atë kuadrin e dështuar nëpër zyrat e presidentëve, të cilët nuk kanë ditur me këshilluar presidentët ose edhe atyre ua kanë falsifikuar të dhënat. Tashmë Kosova është shndërruar në një vend përplot paradokse, pasi askush nuk mundet me e shpjeguar se si kanë mundësi të pretendojnë për drejtimin e shtetit këshilltarët e një presidenti të dështuar, ose ka mundësi ta kenë këshilluar me hile, për ta shantazhuar e pastaj për ta urryer presidentin që e kanë tradhtuar, për ma keq duket se paskan qenë në mision për ta dështuar presidentin, pa u merakosur për proceset dhe përgjithësisht për Kosovën. Shantazhi dhe forma e linçimit, edhe përmes falsifikimit të fakteve dhe biografive është shndërruar në pasion të atyre që qenkan shkolluar në Amerikë?!

Shoqërisë sonë nuk i paskan mjaftuar proceset e dështuara për të bërë reforma, ku të tillët kanë shantazhuar për tu sistemuar nga brenda, nëse edhe atëherë nuk paskan qenë në mision për të mashtruar, dhe çuditërisht në debatet televizive konsiderohen si rikuperim i raporteve me shefin idhnak, ndërsa analistët heshtin edhe kur i shohin se janë klientelë e klaneve të majta komuniste, që kanë pasur rol dhe mision të caktuar në një kohë të caktuar, për të falsifikuar biografitë e secilit. Këto forma rrënuese jonë me pasoja, pasi nuk bëhet fjala për individët por për personalitetet të shquara me ndikim në rrjedhën e proceseve.

Shoqëria jonë, përkatësisht mediat do të duhej të bënin analiza hulumtuese për të parë se çfarë dhe si paskan këshilluar e udhëhequr ky brez të cilëve për vite me radhë po iu shkojmë pas për ti duartrokitur në mënyrë patetike. Se si kanë arritur për t’i bërë gjithë këto falsifikime kjo nuk do mend, pasi doktrina e majtë është e njohur për falsifikime të mëdha historike, pastrimin e biografive, dhe etiketimin dhe shantazhimin e të gjithë kundërshtarëve, përkatësisht elitës intelektuale të cilës i frikësohen së tepërmi.

DILEMA PËR FALSIFIKIMIN E BIOGRAFIVE

Natyrisht mbetet për tu hulumtuar mënyra si janë prezantuar përpara Bashkësisë Ndërkombëtare, veçmas para Amerikës, por diplomacia ndërkombëtare në Kosovë, njeh vende diktatoriale, njeh udhëheqës tradhtar dhe të shitur që iu kanë shkaktuar dëme proceseve të tyre dhe të vendeve të caktuara, andaj një sistem kontrolli (Vetting), është domosdoshmëri e kohës.

Dilema për falsifikime të biografive që i kanë bërë për vete dhe për të tjerët, për çdo ditë bëhet më e madhe. Sidomos kur shohim grupet e njohura kriminale duke fshehin pasuritë e tyre dhe të baballarëve, duke minimizuar referencat për biografitë e tyre, e në anën tjetër shohim se si fabrikojnë gënjeshtra e shantazhojnë intelektualët, dhe pa i pranuar cilësitë e tyre kriminale ata përpiqen për t’i fshehur dhe falsifikuar biografitë e tjerëve. Kjo kohë do të duhej të mbahej mend për “përjashtime dhe ndryshime”, pastaj edhe për mënyrën për ti lustruar “biografitë artistike”.

Nëse shërbimi inteligjent i Amerikës dhe ai i Bashkimit Evropian dëshiron për të ndriçuar këto raste do të ishte mirë për të bërë rishikim në vendet e tyre se si e kanë fituar azilin politike e majta shqiptare, ndërsa në anën tjetër do të ishte mirë të shikohen letrat pse iu kanë mbyllur dyert, dhe pse hezitojnë për tu takuar me elitën intelektuale e cila mund të bëjë ndryshime cilësore. Dyshimi për falsifikimin e biografive është i mundshëm, momentalisht askush nuk është hetuar në këtë plan, andaj është krijuar kjo mjegull mbi Kosovë!

KUJT TI SHKRUAJM LETËR

Të nderuar Ambasadorë dhe Misione Diplomatike në Kosovë, dilema për falsifikimin e biografive bëhet edhe më shqetësuese kur kuptojmë se Ambasadorët dhe Misionet Diplomatike në Kosovë nuk pranojnë për të dëgjuar një mendim ndryshe karshi atij që e prezantojnë mediat e kontrolluara nga mendësia e sistemit komunist, përkatësisht nga bijtë e atyre etërve që ishin nomenklaturë e dhunës komuniste në Kosovë. Ne nuk e kuptojmë dilemën pse edhe Ambasadorët dhe përfaqësuesit e Misioneve Diplomatike në Kosovë, nuk kanë bërë një hulumtim për të kuptuar se çfarë po ndodh në këtë vend në të cilin po udhëheqin grupe kriminale dhe një klientelë e sofistikuar prapa të cilëve nuk qëndrojnë ushtritë dhe as policitë e armatosura, por efekti mediatik ka krijuar imazhin e të pamundurës.

Kur të kuptojmë se edhe në Kosovë janë falsifikuar biografitë e elitës intelektuale, pasi ata vullnetarisht nuk kanë dashur me qëndruar indiferent ndoshta do të bëhet vonë, por gjendja në të cilën është Kosova na obligon të gjithëve që të ndryshojmë qasjen dhe besimin për ata njerëz të cilët edhe për 20 vjet nuk e ndryshuan vetën, dhe as nuk e ndryshuan për të mirë atdheun e tyre.

Elita intelektuale ka mbetur e izoluar sepse nuk ka kujt t’i shkruaj letër, atë nuk e dëgjon askush, as institucionet përkatëse të atdheut, por as Diplomatët Ndërkombëtar të akredituar në Kosovë. Refuzimi i përpjekjeve të intelektualit po has në vesh të shurdhër kudo në atdheun e tyre dhe fatkeqësisht edhe nëpër Ambasadat e vendeve mike dhe aleate. Intelektualit i cili nuk është pjesë e klientelës nuk i epët rasti për të shprehur mendimin e tij ndryshe, as nëpër mediat e kontrolluara nga një klientelë e cila është “shtylla e tretë, nëse jo e para”, e krimit të përgjithshëm në Kosovë. Tashmë nëpër mediat e Kosovës frekuentojnë grupe të interesit, pastaj është krijuar një klientelë e re që po merret me politikë, për të cilën mendohet se po ndryshojnë, por askush nuk ka bërë verifikim se si dhe kush ua hapi udhët atij brezi, kurse në anën tjetër shtypen, injorohen dhe izolohen intelektualët e dëshmuar, të cilëve iu pamundësohet angazhimi.

Ne nuk kemi pse të hamendemi kur dihet se edhe kriminelët dhe diktatorët më të njohur kudo në botë janë shkolluar dhe edukuar nëpër universitete të njohura kudo në Evropë dhe në Amerikë, por kur janë kthyer në atdheun e tyre edhe ata janë bërë diktator nga të cilat është lodhur shekulli ynë. Por një gjë është e saktë, elita intelektuale po injorohet kudo në Kosovë. Ajo nëse proteston do të injorohet, do të izolohet dhe askund mendimin e tyre shkencor e kulturor nuk e publikon.

Madje as poezitë e kritikat letrare nuk ua botojnë, sepse shtypi dhe mediat janë pjesë e shantazhit të madh antiamerikan, dhe vazhdimisht atakojnë demokracinë të cilën e kultivojnë vendet e Bashkimit Evropian, andaj përmes kësaj letre publike iu bëhet thirrje Aleatëve të Kosovës për të gjetur mundësi dhe mënyra për t’i dëgjuar edhe intelektualët, sidomos ata të cilët kanë bërë përpjekje për vite të tëra për ta ndryshuar Kosovën, dhe vazhdimisht janë penguar, për të mos i shtyrë proceset përpara.

Injorimi që i bëhet elitës intelektuale, nga vet Ambasadat dhe Ambasadorët është me pasoja fatale për të tashmen dhe të ardhmen e proceseve dhe të vet Kosovës, andaj të nderuar ambasadorë gjeni forma dhe mënyra për t’i takuar ata intelektual të cilët për vite të tëra bëjnë përpjekje për t’i ndryshuar proceset dhe për t’i reformuar partitë dhe institucionet e Kosovës. Në fund të fundit, le të mbesin këto letra publike, si thirrje humane në emër të shumë intelektualëve të cilët përbuzen nga grupet e interesit dhe vazhdimisht injorohen edhe nga përfaqësuesit diplomatik të akredituar në Kosovë!

Vijon…

St. Gallen, 27 shtator 2019.

*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.

1 KOMENT

  1. O i rrejshem,
    Ti veç rri ne Zvicër prej vitit 1982 (kur ike si frikacak)…
    E na ambasadoret e rregullijmë Kosoven, qe ti e braktise per 37 vite.
    Ti veç na e dergo e-mail adresēn tende, dhe kur te e rregullojme ne Kosoven, ashtu siç ke deshire ti atje larg, kur ta bëjmë Kosovën si Zvicra, ne te informojmë, të themi kthehu në Kosovë…
    Pershendetje,
    Ambasadori qe jeton ne Kosovë

Komentet janë mbyllur.