Dita, 29 tetor 2016
Në Fakultetin më të madh të Universitetit të Tiranës, te Shkencat e Natyrës, nga 10 degë studimi, regjistrimi për shpalljen e fituesve duke ulur vijën e kuqe vijon vetëm në 4 programe, pasi në 6 programe të tjera nuk ka më kandidatë. Kjo gjë u deklarua për “GSH” nga dekani i Shkencave të Natyrës, Spiro Drushku.
“Me shtyrjen e afatit të regjistrimeve në fakultetin tonë vijon plotësimi i kuotave të parealizuara vetëm në 4 programe studimi nga 10 programe që kemi në total. Pasi në 6 programe të tjera, edhe pse kemi shumë kuota të lira, nuk ka më kandidatë, janë ezauruar listat e aplikuesve, pasi regjistrimi u zhvillua në 6-7 faza”, sqaron dekani Drushku.
Sipas tij, programet e studimit ku nuk ka më kandidatë dhe nuk ka çfarë vije të ulet, janë degët e Kimisë, Matematika dhe Fizika, në total këto programe studimi kanë 126 kuota të lira. “Bëhet fjalë për programet Kimi, Kimi Industrial dhe Mjedisore, Kimi dhe Teknologji Ushqimore, Fizikë, Matematikë, Inxhinieri Matematike dhe Informatike. Në këto programe, listat e kandidatëve aplikues poshtë vijës janë ezauruar që në fazën e fundit pa u shtyrë ende afati nga MAS”, thekson Drushku.
Po ashtu, ky fenomen është hasur edhe në një nga degët më të kërkuara, pikërisht në degën Farmaci, ku do të mbesin 14 kuota të lira, pasi nuk ka më kandidatë që të mund të regjistrohen. Sipas rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, kjo situatë ka ndodhur pasi kandidatët nga frika se mos mbeten pa shkollë janë regjistruar në programet e tjera ku janë shpallur fitues.
Faktikisht, sipas ekspertit të arsimit, Ndriçim Mehmeti, kjo gjë pritej që të ndodhte nga tejzgjatja e regjistrimeve. Dhe më e mira sipas tij do ishte që kandidatëve t’u jepej një tjetër mundësi, duke aplikuar për këto kuota të liria, në mënyrë që ato të mos digjen raporton Gazeta Shqiptare.