Nga e majta: B. Gashi e M. Gecaj…
Skicë
Nga: Murat Gecaj
1.
Një telefonatë me celular, në mëngjesin e sotëm, më solli një kënaqësi tjetër të veçantë, nga takimet e pandërprera, me kolegë e miq të mi, publicistë, poetë e shkrimtarë. Ishte pikërisht miku i dashur dhe i respektuar Bajram Gashi, ai që më ftonte për kafe, në lokalin “Galaxy-Bar”, aty ku fillon Bulevardi i Ri i kryeqytetit. Nuk ishte hera e parë, që ne takoheshim. Më parë, ne kemi qenë, po këtu, në shoqërinë e disa kolegëve e miqëve tanë krijues. Ai ka ardhur nga Durrësi me një tjetër mik tonin të kahershëm, Kadri Tarellin dhe kanë qenë të pranishëm Viron Kona, Sejdo Harka etj.
Është për t’u shënuar këtu, se Bajram Halil Gashi është autor edhe i librit të dytë të tij, me 358 faqe dhe me redaktor Kdri Tarellin. Ai e ka titullin: “Ah…, Shqipni…, mos thuj mbarova!”, kushtuar legjendës së folklorit shqiptar, Dervish Shaqja, si dhe Demush Nezirit e Grupit Kosovar” (Tiranë, 2018). Në faqen e brendshme, ato vargje vijojnë:”…Se djemt’ tu edhe janë gjall’,/ n’ kamb’ asht çue tanë Kosova,/e bajnë luftën ball’ për ballë!…”.
Kisha nderin që, në këtë botim, të kisha dhe unë një shkrim modest, me kujtime nga njohjet e takimet me këngëtarin brilant popullor, Dervish Shaqja. Këtë libër monografik, Bajrami na e ka dhuruar ne, me shënimet e tij dashamirëse. Në atë, që më ka dhuruar mua, ka shskruar: “I ndruar prof.Murati! Është kënaqësi dhe privilegj për mua, që të dhuroj një simbol për Kosovën…Faleminderit për ndihmën tuaj!Autori, Tiranë, 30 maj 2018”.
Kapaku i parë i librit, kushtuar Dervish Shaqjes,
Demush Nezirit e Grupit Kosovar, me autor B.Gashin…
2.
Po, një ndër këto takime të paharruara ishte edhe ai, kur Bajrami erdhi bashkë me mikun pejan, Dush Zeqiraj. Ishin njohur e miqësuar bashkë që në vitet e luftës në Kosovë, kur ata ishin shpërngulur familjarisht dhe kishin qendruar në Shënavlash të Durrësit. Po Dushi nuk e ka harruar asnjëherë atë kohë dhe as mikprijen bujare të Bajram Gashit e familjes së tij. Prandaj, çdo përvjetor, ai kthehet këtu, duke rikuajtuar atë kohë të stuhishme dhe duke rishprehur mirënjohjen e falënderimin e tij e tërë familjes.
Ishte pikërisht data 31 mars 2019, kur Bajrami erdhi, nga Durrësi në Tiranë, me mikun e tij Dush Zeqiraj, që ta na takonte. Së bashku me ata, unë, Viron Kona e Sejdo Harka, kaluam çaste të bukura e të paharruara. Atë takim e fiksuam dhe në disa fotografi.
Por edhe kur u kthye në Pejë, miku ynë i ri, Dush Zeqiraj nuk e harroi atë takim mbresëlënës. Prandaj u ul e shkroi një letër, të cilën e postoi dhe erdhi në adresën time. Aty, ai rikujonte takimin tonë dhe shprehte falënderimet e tij.
Ndërsa sot, Bajrami kishte një “suprizë” për ne. Ai na solli, ne të treve, ato fotografi të asaj dite, të cilat i kishte stampuar në Pejë, miku ynë Dush Zeqiraj dhe përmes këtij, na i kishte dërguar, që t’i kemi një tjetër kujtim, nga takimet tona. Ne i falënderojmë të dy këta miq tanë dhe ju urojmë, nga zemra:
Shëndet e mbarësi, gëzime e lumturi, si për veten dhe familjet e tyre!
Tiranë, 12 maj 2019