Historiani turk Nexhip Alpan, ka shkruar një libër historik për themeluesin e shtetit shqiptar, Ismail Qemalin. Megjithëse dokumentet nga arkivat janë autentike, këto të dhëna ende nuk janë hedhur në biografinë zyrtare të Ismail Qemalit. P.sh. ditëlindja e Ismail Qemalit u mbajt e ‘fsheht’ për shumë dekada, pasi binte në një ditë me të Enver Hoxhës.
Deri në vitet ’90 të shekullit të kalular, teksti zyrtar i historisë së Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik, por edhe në memuare të tjera, Ismail Qemali nuk ka pasur një datë të lindjes, por shënohej vetëm viti 1846. Është historiani turk Alpan që thotë se ditëlindja e saktë e Ismail Qemalit është 16 tetori 1846, por duke qenë se Enver Hoxha kishte lindur në këtë ditë, ajo është mbajtur e fshehtë.
Në atë kohë u është dhënë porosi institucioneve shkencore nga Instituti i Studimeve Marksiste, që drejtohej nga Nexhmije Hoxha, që të eliminohej data e lindjes që binte më 16 tetor nga çdo personalitet tjetër historik, në mënyrë që të mbetej dhe të festohej vetëm ditëlindja e Enverit, dhe që vetëm ditëlindja e tij të ishte festë zyrtare. Një tjetër kuriozitet nga jeta e themeluesit të shtetit është se në të gjitha dokumentet e kohës ai quhet Ismail Bej Vlora dhe jo Ismail Qemali, apo Ismail Bej Qemali.
Emërtimi Ismail Qemali u përdor gjatë regjimit komunist, i cili për arsye botëkuptimi nuk mund t’ia linte titullin “Bej”. Sidoqoftë, Ismail Qemali pa “bej”, duket se ka fituar të drejtën e qytetarisë, pasi kështu gjendet pothuajse në të gjithë librat zyrtarë të historisë.
Ismail Qemali u martua dy herë dhe të dy herët me shtetase greke. Për herë të parë me një vejushë nga Konica, që vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën, e herën e dytë u martua në vitin 1886 me Kleoniqi Surmeli, vajzën e një fisniku grek nga krahina e Edrenesë. Ismail Qemali u detyrua ta rrëmbente gruan e dytë, pasi ligjet e ndalonim martesën e një myslimani me një ortodokse.
Nga martesa e dytë Ismail Qemali pati nëntë fëmijë: tri vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie. Ndërsa, djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qami Bej. Ismail Qemali dinte, veç shqipes, edhe shtatë gjuhë tjera, të cilat ishin: osmanishtja, turqishtja e re, greqishtja e vjetër, latinishtja, italishtja, frëngjishtja, sllavishtja.
Ismail Qemali vdiq në rrethana misterioze në Peruxha të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka një variant përfundimtar të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime. Mendohet se ai është helmuar. Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por, kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë
Kufoma e balsamosur e Ismail Qemalit u varros sipas porosisë së tij, në Kaninë. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919, ditën e mërkurë. Pas 13 vitesh të prehjes në kalanë e Kaninës, trupi i pajetë i kryeministrit të parë të shtetit shqiptar u zbrit në Vlorë, në datën e shënuar të 28 nëntorit 1932, me rastin e 20 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Trupi i Ismail Qemalit u vendos në atë vend ku ndodhet edhe sot, në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë. Varri monumental i Ismail Qemalit ka figurën e “Flamurtarit”, një vepër kjo e skulptorit të shquar Odise Paskali.
Ka pasur diskutime dhe ende nuk është zgjidhur se cili flamur është ngritur më 28 Nëntor 1912 në ballkonin e shtëpisë historike të Vlorës. Një variant është se flamurin e qëndisi Marigo Pozio, një nuse e shtëpisë ku fjeti Ismaili natën e fundit; një variant tjetër është se flamurin e solli Spiridon Ilo nga SHBA-të; ndërsa varianti i tretë është ai Eqrem bej Vlorës sipas të cilit flamurin ia kishte falur Aleadro Kasstriota, burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.
Fotoja simbol e Shpalljes së Pavarësisë ka ngelur ajo e datës 1 dhjetor 1912. Deri më sot nuk ekziston asnjë fotografi nga momenti i Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912.
Nuk është gjetur as dokumenti origjinal i Shpalljes së Pavarësisë. Ai ekzistues është kopje që mendohet se i përket Lef Nosit, i cili në Qeverinë e parë shqiptare ishte ministër i Postë-Telegrafës.
Ismail Qemali, si kryeministër dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar, qëndroi në krye të Qeverisë nga data 28 nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914, d.m.th., 12 muaj e 56 ditë.