IDRIZ ZEQIRAJ
Koordinimi pozitiv opozitar, pas rrëzimit të qeverisë Mustafa, nga banda PAN, me pjesëmarrjen edhe të VV-së, ngjalli frikën e PAN-istëve. Ata vunë në lëvizje propagandën lehaqene, tipike komuniste, se “këto dy subjekte janë në armiqësi, veç ideologjike, edhe personale dhe dështimi i krijimit të qeverisë të përbashkët është i parathënë!”
Në fakt, kundërshtitë e dhunshme të VV-së nuk ishin as ideologjike dhe aq më pak personale. Përkundrazi, ishin thellësisht kombëtare, që nga ndarja e Mitrovicës, 6 pikët e Baki Munit, Fusnota, Asociacioni, Demarkacioni, refuzimi i Hashimit president dhe të tjera batakçillëqe të PDK-së, të aprovuara dhe të nënshkruara edhe nga LDK-ja.
E konsiderojnë sakrificë uljen në dialog të ish-kryeministrit Mustafa, me shefin e VV-së Albin Kurtin. Mendoj se është e kundërta. Kryetari Isë, nga obligimet e marra ndaj Hashimit, me insistimin për aprovimin e Demarkacionit, ka provokuar shqiptarët e kudondodhur në botë. Për habinë e të gjithëve, fajësinë e tij e përsëriti edhe tani, kur thotë se “Kosova, me vijën aktuale kufitare me Malin e Zi, nuk humbë asnjë pëllambë tokë!?”
Ndarja e pushtetit 5+5 ministri dhe kryeministri për VV-në e kryekuvendari për LDK-në, ishte objektive, racionale. Matematikat se kryeministri është më shumë se sa Presidenti e Kryekuvendari ose sa 4 ministri, të marra së bashku, ishin jo reale dhe komplikoi dialogun në mes të VV-së dhe LDK-së. Oreksi i shtuar i LDK-së, thartoi dialogun. Shpikja e postit të presidentit, ngjalli shumë dyshime, për mungesë serioziteti dhe jo e gatshme për koalicion.
Dihet se Vetëvendosje ka dënuar pazaret e pista të zgjedhjes të Hashimit president. Dhe, kishte të drejtë. Këtë e dinte LDK-ja, qysh më parë. Atëherë, pse provokoi, jo vetëm VV-në, por edhe popullin, kur pasojat e asaj zgjedhjeje, vazhdojnë t`i vuajnë shqiptarët. Nga ai pazar, më se shumti e pësoi Kosova, populli i saj dhe LDK-ja, si subjekt politik. Andaj, futja e presidentit, si pykë, në dialog, kundërmon padurueshëm dhe stopoi rrjedhën normale të dialogut.
Deri këtu fajësia ishte e LDK-së, më saktë, e klanit të njohur brenda Kryesisë të LDK-së. Arsyeja është e brendshme. Ethet e trashëgimisë të kryetarit të LDK-së, janë bombë e kurdisur. Themi trashëgimisë dhe jo të zgjedhjes, sepse klani pas Kryetarit Rugova, rrënoi sistemin zgjedhor demokratik partiak, duke e zëvendësuar me emërime nepotike e klanore aklamative. Një sondazh i bërë drejtëpërdrejtë, rezulton i saktë: 83 % LDK-ja ka devijuar rrugën rugoviane dhe vetëm 17 % ka ruajtur nga ajo trashëgimi.
Ruajtja e monopolit në Kryesinë e LDK-së, në Kuvendin e 9-të dhe deklarimi i njërit nga nënkryetarit të saj se “këta janë të rinj, për ta udhëhequr partinë”, kur dihet se janë në pragun e 40-ve e disa syrësh kaluar këtë moshë, flet për statusquon, uzurpimin e partisë. Kenedy dhe Obama, veçsa kishin kaluar të 40-at, kur u bënë presidentë të Amerikës apo Sabastian Kurz vetëm 31 vjeç Kancelar i Austrisë, Sanna Marin, 34 vjeçe, kryeminstre e Finlandës. Andaj, shqetësimi i nënkryetarit, më parë se mosha, është ruajtja e klanit, tashmë, të konsoliduar.
LDK-ja, si parti akademike, me shumësi intelektualësh të mirëfilltë, duhej të ishte shembull demokracie, për partitë e tjera, qofshin edhe ato parti-banda, siç janë koalicioni PAN, duke aplikuar debatin e shpenguar, konkurrencën e ndershme dhe votimin e fshehtë demokratik. Si delegat i tri Kuvendeve “Zgjedhore”, përkatësisht, 7-të, 8-të dhe 9-të, të LDK-së, konstatoj se kjo parti ka degjeneruar demokracinë, njësoj si partitë tjera, duke ngulfatur LDK-në, gjë që pamundëson çfarëdo ndikimi pozitiv tek partitë tjera.
Cilat janë rrjedhojat e përqendrimit të pushtetit tek kreu i partisë?
Mendësia ballkanike ende vazhdon të jetë anadollake! Prandaj kreu i partisë ka etje pushtetare të pakufishme. Nënkryetari, të cilin e ndajnë vetëm tri gërma nga kryetari, kompetenca, e drejta e tij është vetëm aprovuese e veprimeve të kryetarit, qorrazi! Kjo ka reflektuar edhe për zëvendës-kryeministrat, zëvendës-ministrat. Përndryshe, një zëvendës-kryeministre si Vjosë Osmani, do ta relativizonte gjithëpushtetshmërinë e Kurtit, si kryeministër, plus Haki Abazi, si zëvendës i dytë. Dibranët kanë një urtësi të artë: Një mendje – asnjë mendje; dy mendje – gjysmë mendje; tri mendje – një mendje.
Edhe politizimi i Ministrisë të Punëve të Brendshme, madje , edhe nga anëtarët e LDK-së, kishte një arsye të provuar më parë. Kryetari Isë emëroi njeriun e kulturës, ministër të brendshëm! U kuptua se ai ishte preferencë e Hashimit. I njëjti ish-ministër, mbrojti hapur qeverinë e PAN-it, sa të dobët, aq edhe kriminale, duke thënë se “rrëzimi i qeverisë aktuale, është difekt i madh!!!” Megjithatë, ai edhe pas kësaj marrëzie politike, është anëtar i Kryesisë! Klani ruan, dhunshëm, monopolin mbi partinë!
Nëse Zëvendës-ministri i Brendshëm nga VV-ja, ta zëmë, Liburn Aliu apo Xhelal Sveçla, do të ishin, vërtet, të dytë, pas ministrit të LDK-së, VV-ja nuk kishte pse të merakosej, për pengesë të realizimit të premtimit të luftimit të korrupsionit. Themi të korrupsionit dhe jo të krimit të organizuar vrastar, sepse Kurti, me pozicionimin kundër Gjykatës Speciale, rrjedhimisht, del në mbrojtje të hapur të krimit!
Vetëvendosja nismon provokimet ndaj LDK-së
Nga 26 dhjetori negativiteti i përket VV-së. Vërtet, kërkesa e LDK-së, për t`i dhënë edhe një javë afat, ishte e padrejtë, sepse takimet e përsëritura mumllëke, të heshtura, kishin edhe elemente të kotësisë së dukshme, sepse për çështjen e presidentit ishte dhënë përgjigje e prerë nga VV-ja, duke nënkuptuar si zgjedhje e popullit, jashtë partiak dhe jo me pazare politike partiake. Por, propozimi i kandidatit të VV-së për kryekuvendar, pa paralajmërim, aq më keq kur dihet se ky post ishte rezervuar për LDK-në, është provokim i VV-së, që vënë në dyshim një qasje serioze për koalicion.
Ndërsa pauza 12 ditore e LDK-së, 26 dhjetor – 6 janar, me “justifikimin” se ishin pushimet e Vitit të Ri, ndërkohë që Evropa ka vetëm një ditë pushimi – 1 janarin -, është bajat, tërësisht, i papërgjegjshëm, para besimit dhe zotimit të marrë nga dhe ndaj elektoratit, popullit.
Shpallja e listës emërore të ministrave, nga shefi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me një përgaditje solide profesionale, antipod i qeverisë katastrofale të PAN-it, është pritur mirë nga opinioni. Veçse, njëanshmëria, emërimet pa konsultim, me partnerin në dialog për koalicion, është provokimi i dytë i radhës, që na kujton thënien e malësorës mirditore: “Me pas majtë fëmija shpi, Kola jem i kish majtë tri!” Paparashikueshmëria është veti e fëminore, papjekuri. Një sjellje e tillë e Kurtit, është jo vetëm provokuese për LDK-në, por edhe irrituese për shqiptarët, që vazhdojnë të presin krijimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.
Realisht, VV-ja dhe LDK-ja, përkatësisht, krerët e dy subjekteve, me bashkëpunëtorë, duhet të konsultoheshin për secilin ministër dhe të dakordoheshin. Sepse, vetëm kështu suksesi i një qeverie të përbashkët, do të ishte i garantuar. Përndryshe, shembulli negativ, deri në dështimin total të qeverisë PAN, duhet t`u shërbejë për reflektim palëve në dialog.
Asnjë marrëveshje e suksesshme, nuk mund të arrihet pa kompromise dy palëshe. Vet fjala – Marrëveshje -, presupozon kompromisin. Dhe, kompromiset, gjithëherë, dhembin, për palët në bisedime. LDK-ja është përpjekur ta “arsyetojë” koalicionin me partinë-bandë, PDK-në, madje, edhe pas “Zanzibar-it, se mbetja në opozitë po e dëmton atë. Por, tani, që mundësia e koalicionit, të ngritjes në pozitë, është pa atë sakrificën e madhe, deri në shkeljen mbi gjakun e shumë qindra veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve luftëbërës, FARK-istë të Ibrahim Rugovës, të listuar dhe të vrarë ngeshëm e mizorisht, përgjatë dhe pas luftës, pse heziton, më saktë, neglizhon, për të mos thënë, përjashton koalicionin me Vetëvendosjen?!?
E përsërisim, rrjedhën normale të koalicionit e pengoi, madje, deri në stopim klani brenda LDK-së, me kërkesën absurde të zgjedhjes së parakohshme të presidentit. Edhe pse populli i ngopur, deri në gërdi, me presidentin aktual, si rrjedhojë e pazareve të pista partiake, kërkon ndryshim të ligjit zgjedhor dhe zgjedhje të presidentit me votim plebishitar, LDK-ja ngulmon, çuditshëm, statusquon, me pazaret e përsëritura. Anëtarësia e LDK-së mendon ndryshe. Por, zëri i saj është mbytur, si rrjedhojë e ngulfatjes, të mungesës të demokracisë së brendshme zgjedhore.