Fahri Musliu: Bekim Fehmiu kërkoi të luajë filmin e Skënderbeut, por roli iu refuzua për arsye ideologjike

0
781
Fahri Musliu - Bekim Fehmiu

SHKUP – Publicisti dhe gazetari Fahri Musliu, miku i aktorit shqiptar që luajti në filmat e hapësirës së ish Jugosllavisë, Bekim Fehmiu, yllit të parë nga Evropa Juglindore në Hollywood gjatë Luftës së Ftohtë, pas promovimit të monografisë “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës” në Shkup, ka folur për të arriturat e aktorit shqiptar, sfidat, shkakun e vetëvrasjes së tij në moshën 74-vjeçare si dhe respektimin e emrit të tij në ditët e sotme.

Musliu, i cili për një kohë të gjatë ka raportuar nga Beogradi për mediat ndërkombëtare dhe ato shqipe, po ashtu ishte i pari që raportoi për vdekjen e Bekim Fehmiut. Ai me Fehmiun është njohur në vitet e 80-ta, ndërsa shoqërimi i tij më i ngushtë ka filluar në vitet e 90-ta e deri në vdekjen e në vitin 2010.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Musliu thotë se jeta e aktorit shqiptar është interesante, sepse ka lindur në Sarajevë në vitin 1936, është shpërngulur në Shkodër, ka jetuar në Prizren, ka filluar karrierën e tij në Prishtinë dhe ka arritur kulmin e sukseseve në Beograd.

“Është interesante jeta e Bekimit, sepse ka lindur në Sarajevë, ku ka emigruar familja e tij pasi ka qenë e përndjekur prej pushtetit të atëhershëm jugosllav, por pastaj edhe prej Mbretit Zog të Shqipërisë, për shkak të aktiviteteve politike që i ka bërë babai i tij, Ibrahim Fehmiu, i cili ka qenë punëtor i madh i arsimit dhe një njeri me vizione të përgjithshme humane”, shprehet Musliu.

Pasi në vitin 1955 kalon nga Prizreni në Prishtinë, ku pranohet si aktor profesionist i teatrit të atëhershëm krahinor, me ndihmën e vëllait të tij, i cili ishte student në Beograd, Fehmiu bindet që në vitin 1956 të regjistrojë Fakultetin e Dramës dhe Filmit në Beograd, ku pas katër vitesh arrin të përfundojë studimet me sukses. Menjëherë pas studimeve, ai punësohet si aktor profesionist në teatrin jugosllav të dramës, ndërsa në vitin 1966 shkëputet nga teatri dhe fillon të orientohet në film dhe me filmin “Mbledhësit e Puplave” (Skuplači Perja) atij i hapen dyert e perëndimit dhe famës botërore, film i cili vitin e kalur në 50 vjetorin e tij u shpall filmi më i mirë jugosllav i kohërave.

Musliu shpjegon se edhe pse miku i tij arriti në Hollywood, atje ai nuk u afirmua edhe aq sa priste për shkaqe politike dhe mbështetjen që kishte aktori për pushtetin komunist jugosllav.

Për shkak të kritikës filmike të gazetarëve amerikanë dhe për shkaqe politike Bekimi nuk ia arriti që të depërtojë në Hollywood në mënyrën si e mendonte ai, edhe pse ai e ka arritur kulmin e vet në film çfarë nuk e kanë arritur aktorët e ish-sistemeve komuniste. Bekimi është aktori i parë nga bota komuniste i cili depërton të luaj në perëndim”, tha Musliu, duke shtuar se nga kritika e mediave amerikane Fehmiu u vlerësua si aktor i cili nuk heq dorë nga “ideologjia komuniste”, thotë Musliu.

Fehmiu kërkoi të luajë filmin e Skenderbeut, por roli iu refezua dhe iu dha një rusi

Siç thotë Musliu, Fehmiu i cili ka luajtur në rreth 50 filma, më tepër është i preferuar në filmat italianë, ku ka luajtur më shumë filma, por thekson se ai ka luajtur edhe filma tjerë duke interpretuar në nëntë gjuhë, si në produksione jugosllave, gjermane, polake, spanjolle e arabe.

Mirëpo, aktori shqiptar nuk arriti të luaj në asnjë film në gjuhën e tij amtare, sepse sipas Musliut, në produksionet shqiptare ka munguar profesionalizmi dhe vullneti i mirë, gjë që ka penguar Fehmiun të luaj në filma shqip, edhe pse në dy filma ka filluar, por më pas ka hequr dorë.

Bekimi nuk ka mundur të pranojë që të luaj diku ku ka improvizime, ku nuk ka profesionalizëm, ndershmëri e përgjegjësi. Ai ka bërë një përpjekje të luaj në filmin ‘Kur pranvera vonohet’, shtatë muaj ka punuar në atë film si aktor dhe regjisor, por duke i parë lojërat që janë bërë pas perdes ai ka hequr dorë. Ai ka bërë përpjekje të luaj edhe në një film tjetër ‘Njeriu prej dheut’, por përsëri edhe ajo ka qenë një lojë ku qëllimi ka qenë përfitimi material”, thekson Musliu.

Më tej, duke u shprehur se Fehmiut i ka interesuar vetëm profesionalizmi dhe cilësia e punës, Musliu thotë se Fehmiu ka pasur dëshirë të madhe dhe ka kërkuar që të luaj filmin e Skenderbeut, por një gjë e tillë i ishte refuzuar.

Dëshira e tij tjetër ka qenë të luaj Skenderbeun, mirëpo qeveria shqiptare në vitet e 70-ta nuk pranoi për shkaqe ideologjike, sepse Bekimi ka kritikuar politikën e atëhershme në Shqipëri dhe ka lavdëruar politikën e Jugosllavisë, për shkak të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe të gjitha fushave të jetës”, thekson Musliu.

Fehmiu nuk njihet nga rinia shqiptare, sepse veprat e tij nuk shfaqen në hapësirat shqiptare

Musliu thekson se Fehmiu ndërkombëtarisht njihet mjaftueshëm, por se në hapësirat shqiptare nuk njihet aq sa duhet pasi që në publikun shqiptar nuk shfaqen filmat e tij. Ai shton se “asnjë televizion shtetëror, as në Shqipëri, as në Kosovë, as në Maqedoni, nuk shfaqin filmat e Bekim Fehmiut”.

Fatkeqësisht Bekim Fehmiu në qarqe ndërkombëtare, ato jugosllave po flas Serbi, Kroaci dhe Bosnjë, qarqet evropiane, sidomos në Itali, vlerësohet jashtëzakonisht lart si një ndër aktorët më të mëdhenj të Ballkanit. Mirëpo, në hapësirën shqiptare nuk vlerësohet dhe në një farë mënyrë injorohet, sidomos nga pushteti, qoftë ai qendror apo lokal. Rinia shqiptare kudo qoftë nuk e di se kush është Bekim Fehmiu”, thotë Musliu.

Sipas tij, rinisë shqiptare duhet t’i ofrohen informacione që të njohin Bekim Fehmiun, pasi kjo rini ka dëgjuar emrin Bekim Fehmiu, por nuk i dinë veprat e tij dhe me çfarë profesioni është marrë.

Libri i autobiografisë së Fehmiut duhet të përkthehet në gjuhën turke

Rreth nëntë muaj para se Fehmiu të kryejë vetëvrasje, pësoi një sulm në tru, gjë e cila ndikoi në të pamurit e tij dhe në aftësinë për t’u kujdesur për veten. Sipas Musliut, Fehmiut i pengonte të jetë barrë e dikujt tjetër dhe kjo gjë ndikoi që ai të kryejë vetëvrasjen.

Unë jam dëshmitar i drejtpërdrejtë pasi disa minuta pasi ka ndodhur tragjedia kam biseduar me gruan e tij dhe i pari e kam dhënë lajmin në të gjitha mediat shqiptare. Ai e ka përgatitur vdekjen në mënyrë profesionale. E ka përcjell gruan të shkojë në parukeri dhe ndërkohë ka përgatitur shtratin dhe dy letra lamtumirëse. Ka rënë në shtrat, është mbuluar, e ka vendosur pistolën në kokë dhe kur është kthyer gruaja pas një ore e ka gjetur të vdekur”, shpjegon Musliu.

Bekim Fehmiu, thotë Musliu, nuk ka dashur të varroset si çdo njeri tjetër, por ka kërkuar të varroset pa kurrfarë ceremonie, trupi i tij të digjet dhe pluhuri të derdhet në lumin Lumbardhi të Prizrenit, nëpërmjet të cilit “trupi dhe shpirti i tij të udhëtojë në mbarë botën”. Kështu që, familja e tij e respektuan dëshirën e Fehmiut dhe trupi i tij përfundoi në këtë mënyrë.

Prizreni është qyteti i prejardhjes së Fehmiut. Musliu thotë se edhe pse ishte aktor jugosllav ai asnjëherë nuk e ka mohuar se është me prejardhje shqiptare nga Prizreni, por edhe e ka lavdëruar këtë qytet duke e krahasuar me Parisin. Në librin autobiografik të tij “E shkëlqyer dhe e tmerrshme” përmendet qyteti i Prizrenit, i cili vlerësohet si një qytet multietnik dhe multikulturor.

Unë do të insistoj që ai libër të botohet në gjuhën turke, për arsye se aty përmend shumë figura, doktorë e profesorë që janë shokë të tij, por në ndërkohë kanë shkuar në Turqi dhe atje jetojnë. Ai libër duhet të përkthehet edhe në gjuhën turke, ku Prizreni prezantohet si një qytet multikulturor dhe multietnik”, tha Musliu.

Kush ishte Bekim Fehmiu?

Bekim Fehmiu ka lindur më 1 qershor të vitit 1936, ndërsa u nda nga jeta më 15 qershor të vitit 2010. Ai ishte një aktor jugosllav me prejardhje shqiptare dhe aktori i parë i Evropës Lindore që luajti në Hollywood gjatë Luftës së Ftohtë.

Ai lindi në Sarajevë ku jetoi dy vite në një familje shqiptare nga Gjakova e Kosovës. Gjatë rrugës për t’u kthyer në vendlindje, familja Fehmiu u ndal në Shkodër ku jetoi disa vjet, ndërsa në vitin 1941 u zhvendos në Prizren, ku Bekimi e kaloi fëmijërinë e tij. Ai ishte pjesë e aktrimit në shkollën e mesme në Prizren dhe pas diplomimit u bë anëtar i Teatrit Popullur të Qarkut në Prishtinë. Në vitin 1960 ai u diplomua në Fakultetin e Arteve të Dramës në Beograd.

Në vitet e 60-ta, ai arriti suksese të mëdha duke luajtur në filmat “Even Met Happy Gypsies”, Dino De Laurentiis, “The Odyssey”, me të cilat ka fituar çmime të shumta dhe është propozuar për Oscar. Në karrierën e tij ka luajtur në rreth 50 filma ndërsa filmi i fundit ishte ai “Genghis Khan” në vitin 1992, por ai nuk përfundoi për shkaqe të problemeve financiare.

Fehmiu u martua me aktoren serbe Branka Petrić. Çifti kishte dy djem, Hedon dhe Uliks dhe banonin në Zvezdara të Beogradit. Uliks Fehmiu po ashtu është aktor.

Marrë nga Nacionale.Info