FADIL VOKRRI ISHTE DHE MBETET EMBLEMË LAVDI DHE KRENARIE E FUTBOLLIT SHQIPTAR

0
2087

ARIF EJUPI

Vdekja e parakohshme e Fadil Vokrrit, kryetar i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, është pritur kudo me dhembje dhe pikëllim të thellë.

Vokrri lindi më 23 qershor 1960 në Podujevë. Origjina e familjes së tij është nga fshati Sfeqël i kësaj komune. Rizahu, gjyshi i Fadilit njihej në gjithë Llapin si njeri i urtë e arsimdashës.

Në mënyrë që katër djemtë e tij Bejtullahu, Abdullahu, Selatini dhe Muhameti, të kenë një jetë më të lehtë dhe më të begatët ai me familjen e tij të ngushtë në fillim të viteve të 50-ta largohet nga Sfeqla dhe vendoset në qytezën e Podujevës.

Me gjithë vështirësitë e shumta të asaj periudhe djem dhe vajza të kësaj familje tregohen mjaft të suksesshëm si në edukim ashtu edhe në sport.

Abdullahu, babai i Fadil Vokrrit, është njëri nga pedagogët e parë në Llap. Ai së bashku me Nexhmi Sejdiun, Ramadan Salihun, Nazmi Rrahmanin, Murat Blakun, Kadrush Ramën dhe intelektualë të tjerë të kohës konsiderohen edhe si themelues të gjimnazit të përgjithshëm “8 Nëntori” të Podujevës.

Një kohë të gjatë ai punoi si redaktor dhe drejtor i Entit të Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës. Tani ky institucion i Arsimit dhe Shkencës, njihet si “Libri Shkollor i Republikës së Kosovës”.

Pas dëbimit të Serbisë nga Kosova, Abdullahu ndihmë të jashtëzakonshme dha edhe si ligjërues i lëndës së Pedagogjisë, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Kosovës.

Ai gjithashtu la pas vetes edhe dhjetëra vepra mbi Shkollat dhe Arsimin në Kosovë.
Krahas punës edukative Abdullah Vokrri shquhej edhe si futbollist, i cili mbi një dekadë luajti në Llapin e Podujevës, së bashku me humoristin e njohur Fitim Domi-Mixha Ramë.

Rrugën e tij e ndoqën edhe dy vëllezërit e tij më të rinj Selatin dhe Muhamet Vokrri.
Selatini në pozitën e qendërsulmuesit me lojën e tij të bukur gjatë e mbajti Llapin në grupin e skuadrave më të mira të Kosovës.

Në periudhën kur Vëllazërimi i Gjakovës, zhvillonte gara në Ligën e Dytë Futbollistike të ish-Jugosllavisë, grupi i Lindjes, Selatin Vokrri dhe Luan Vokshi, si lojtarë perspektivë të këtij ekipi lakmoheshin nga skuadra të njohura dhe me renome të futbollit jugosllav.

Arsyeja që Selatini refuzonte çdo ofertë të klubeve jashtë Kosovës, qëndronte në faktin se ai ishte dënuar nga regjimi i atëhershëm jugosllav për pjesëmarrje në demonstratat e 68-ës.

Në popull këto demonstrata njiheshin edhe si demonstrata për Flamur e Universitet në Gjuhën Shqipe. Prandaj me të drejtë ai druante edhe kurdisjen e ndonjë procesi të montuar politikë.

I pathyeshëm në mbrojtjen e Llapit u tregua edhe Muhamet Vokrri, i cili dydhjetvjeçarë të plotë u solli adhuruesve të këtij ekipi momente gëzimi e hareje.

Ai për kohën pa mëdyshje ishte njëri nga mbrojtësit më të mirë të Ligës së Parë Futbollistike të Kosovës.

Vëllezërit Selatin dhe Muhamet Vokrri, po ashtu u dalluan me punën e tyre të mirë prej mësimdhënësi në shkollën ”Naim Frashëri” të Podujevës.

Famën e kësaj familje pedagogësh dhe futbollistësh të dalluar e ngriti në zenit Fadil Vokrri, i cili në moshën 17 vjeçare debutoi vrullshëm në njëmbëdhjetëshin e parë të KF“Llapi“atëbotë anëtar i Ligës së Parë të Kosovës.

Vokrri së bashku me axhën e tij Selatinin, dhe dajën Emin Simnica, si dhe me mesfushorët Shukri Shabani e Basri Muçolli përbënin sulmin më efikas të kësaj lige.

Falë lojës së mrekullueshme të Fadilit ende fëmijë Llapi ua prishte llogarit edhe skuadrave si: KF “Liria” të Prizrenit, KF ”Vëllazërimi” të Gjakovës, KF “Budiçnost” të Pejës, KF ”Cervena-Zvezda” të Gjilanit, KF ”Ramiz Sadiku” të Prishtinës, KF “Kek-u” të Kastriotit, ekipe këto në periudha të ndryshme kohore anëtare të Ligës së Dytë të ish-Jugosllavisë në futboll.

Pakkush mund të besojë edhe një të vërtetë tjetër që Fadil Vokrri, krahas suksesit në fushatë e futbollit ishte i suksesshëm edhe në mësime.
Ai në shtator të vitit 1974 u regjistrua në gjimnazin e atëhershëm “8 Nëntori” të Podujevës, të cilin e kreu në qershor të vitit1978 me sukses të shkëlqyeshëm.

Fadili posedonte si virtyt të rrallë modestinë që vështirë e gjeje tek të tjerët. Ai vazhdimisht kohën e lirë e ndante me shokët dhe shoqet e tij të fëmijërisë si: Xhevrije Shalën-Bajgorën, Nurije Toplicën, Minire Demirin, Lule Muçollin, Astrije Blakçorin, Besim Hotin, Nehat Gashin, Bajram Havollin, Behxhet Blakçorin, Muhamet Hoxhën, Ibrahim Gashin, Sami Xheladinin, Bislim Selmanin, Rifat Sylën, etj.

Paharruar për asnjë çast respektin dhe mirësjelljen edhe ndaj shokëve të tjerë të gjeneratës.

Katër vite aq sa edhe luajti në KF ”Llapi” të Podujevës, të shtunat dhe të dilet e gjithë rinia e Llapit papërjashtuar edhe të moshuarit si: Sherif Hajdari, Xhafer Meta, Jetish Rekaliu, Halil dhe Ibrahim Demiri, Ejup e Alush Bekteshi, Sylejman Babatinca, Bejtullah Tahiri etj., i duartrokitnin lojës së bukur e plotë aksione të Fadil Vokrrit.

Tepër vështirë është që të përshkruhen lëvizjet e shpejta vetëtimë të Vokrrit, dhe shmangia me aq mjeshtëri e mbrojtësve kundërshtarë. Këto paraqitje të shkëlqyera të tij në skuadrën e Llapit, joshën udhëheqësit e KF “Kek-u” (ish-Obiliqi i Kosovës), që në radhët e veta të angazhojnë Fadil Vokrrin, duke i siguruar edhe punë në Administratën e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Fadili këtu qëndron vetëm tre-katër muaj dhe rikthehet në Llapin e hapave të tij të parë, ngase kjo skuadër pas shumë viteve gara në Ligën e Parë të Kosovës,rrezikonte rënien në rangë më të ultë.

Rikthimi i Fadilit në Llap siguron mbetjen e skuadrës në mesin e më të mirëve të Kosovës.
Ai përveç golave të bukur krijonte edhe spektakël të vërtetë me driblimet e tij të papara, duke na dhuruar gëzim dhe kënaqësi të veçantë.

Në momentin kur KF ”Llapi” zgjodhi problemin e qendërsulmuesit me Luan Salihun-Lulin, pa ndonjë brengë të madhe për të ardhmen e klubit të tij të fëmijërisë Fadili vendos të kalojë në KF “Prishtina”, e cila ato vite me tërë potencialin që kishte synonte inkuadrimin në Ligën e Parë Federative të ish-Jugosllavisë.

Vokrri së bashku me bashkëlojtarët e tij gjatë viteve të 80-ta stadiumin e qytetit në Prishtinë e ktheu në vendin më të preferuar të rinisë shqiptare.

Në katër anët e stadiumit dëgjohej kënga “Besa-Besë” e përcjell me daulle e zurle. Kjo atmosferë e paparë festive bartej edhe jashtë stadiumit.

Kremtja e fitoreve të Prishtinës, vazhdonte deri në orët e vona të natës. Fadilit kjo përkrahje e pakursyer e tifozërisë së zjarrtë të Prishtinës, sikur i jepte forcë e kurajë. Ai asnjëherë nuk ndiente lodhje Në ndeshjet e radhës kthehej me energji të ripërtërira dhe tejet i disponuar për lojë.

Atij edhe pse i viheshin pas dy-tre mbrojtës kundërshtarë nuk e ndalnin dot. Bile herë-herë ata tejkalonin edhe rregullat e lojës, duke startuar ndaj tij brutalisht.

Mirëpo, Vokrri me energjitë e tij të pashtershme sa hap e mbyll sytë aftësohej për vazhdimin e lojës.
Të gjithë i kalonte me lehtësi të paimagjinuar. Ai ishte në gjendje të shënojë nga çdo pozitë.

Në periudhën kur Prishtina bënte gara në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë, në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë ai në 84 ndeshje aq edhe sa luajti i detyroi portierët kundërshtarë që nga rrjetat e tyre të nxjerrin topin hiç më pak se 33 herë.

Falë lojës së tij brilante Prishtina më 1983 pas një pritje prej 10 vjetësh inkuadrohet në elitën e futbollit jugosllav në të ashtuquajturën Ligë e Parë Federative e Jugosllavisë.

Kjo Ligë pa diskutim ishte nga më të fortat jo vetëm në ish-Jugosllavi por edhe në Evropë.
Vokrri edhe këtu tregohet i suksesshëm. Në asnjë mënyrë nuk mbetet nën hijen e sulmuesve me emër si: Dragan Xhaiq, Dushan Bajeviq, Vahid Halilhoxhiq, Zlatko Kranjçar, Safet Sushiq, Nenad Bjekoviq, Zlatko Vujoviq, Dejan Saviçeviq etj.

Ai në 88 paraqitje me fanellën e Prishtinës, shënoi 22 gola duke mposhtur portierë të kalibrit si: Stojiq, Omeroviq, Meshkoviq, Kataliniq, Ivkoviq, Janjush, Panteliq etj.

Më 1984 selektori i atëhershëm i reprezentacionit të ish-Jugosllavisë, Milosh Milutinoviq, duke parë formën e shkëlqyer të Fadil Vokrrit e fton atë, dhe e aktivizon në 11-shin e parë të kësaj skuadre.

Përveç Fadilit kjo ftesë i gëzoi të gjithë, sepse ai ishte shqiptari i parë nga Kosova që luajti në një reprezentacion kaq të fortë, të futbollit, siç ishte ai i Jugosllavisë.

Me këtë përfaqësuese Fadil Vokrri zhvilloi 12 ndeshje dhe shënoi 6 gola. Po më 1984 Vokrri ishte bartës i flamurit në Lojërat Olimpike Dimërore të mbajtura në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Meqenëse ai vazhdonte me formën e tij të shkëlqyeshme, Klube të mëdha si Dinamo e Zagrebit, Hajduku i Splitit, Partizani i Beogradit, madje edhe skuadra të njohura jashtë Jugosllavisë, si Juventus i Torinos u vunë në garë për ta sjellë në radhët e veta.

Sigurt që sikur të mos paraqiste problem shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Armatën e ish-Jugosllavisë, Vokrri do të shkonte tek gjiganti i njohur italian Juventus.

Pas shumë hamendjesh ai më 1986 kalon tek Partizani i Beogradit, kampion i disahershëm i Jugosllavisë. Edhe pse i gjendur në një ambient dhe situatë të rëndë Vokrri manifeston në mënyrën më të mirë aftësitë e tij prej futbolliti me emër.

Vokrri, në Partizan luajti 27 ndeshje dhe shënoi 13 gola. Ata që e jetuan këtë periudhë e dinë fare mirë se në çfarë konkurrence shpallej futbollisti i vitit në ish-Jugosllavi.

Edhe pse në konkurrencë të denjë epiteti i më të mirit më 1987 iu dha legjendës së futbollit shqiptar Fadil Vokrri, qerdërsulmues i KF ”Partizan” të Beogradit.

Fadili ishte mjaft intelegjent dhe me shumë vëmendje përcillte e analizonte rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, dhe ish-Jugosllavi.
Ai duke hetuar përshkallëzimin e situatës pazhurmë më 1989 largohet nga Partizani dhe kalon në FC “NÎMES OLYMPIQUE” të Francës.

Këtu qëndron një vit duke treguar formë të mirë dhe lojë të shkëlqyer. Fadili me natyrën e tij të butë e gjithnjë modest kudo bënte shokë e miq.

Disa mërgimtarë tanë në Gjenevë, duke rrëfyer dhembjen e tyre për vdekjen e hershme të Vokrrit, tregojnë se disaherë në mënyrë të organizuar kanë shkuar në Nimes të Francës, për ta përkrahur idhullin e tyre Fadil Vokrri.

Më 1990 Vokrri mbrrin kulmin e karrierës së tij.duke kaluar tek Fenerbahçe e Turqisë, e cila përveç sukseseve në vendin e saj ka shënuar arritje edhe në arenën ndërkombëtare.
Pas përfundimit të Kampionatit të Turqisë në fund të vitit 1992 Vokrri rikthehet në Francë.

Meqë jetën e shihte të mangët pa futbollin nis të luajë në FC ”Bourges 18“ dhe më vonë në FC “Montluçon” të regjionit Auvergne—Rhone-Alpes të Francës, ku edhe e përfundon kerrierën e tij prej futbollisti ikonë e futbollit shqiptar dhe atij ndërkombëtar.

Edhe pse e kishte të rregulluar qëndrimin në Francë, pas përfundimit të luftës ai kthehet së bashku me familjen e tij në Kosovë, me dëshirën e vetme që të kontribuojë në zhvillimin dhe masovisimin e futbollit shqiptar.

Fillimisht e kryen funksionin e Drejtorit ekzekutiv në ish-Klubin e tij KF ”Prishtina”. Kurse më 2008 persona që njihnin në thelb profesionalizmin e Fadil Vokrrit, këmbëngulin që ai të marrë timonin e Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.

Fadili edhe pse i vetdijshëm që kjo pozitë kërkon punë dhe angazhim pranon drejtimin e kësaj Federate. Menjëherë nis rikonstruktimin e brendshëm të saj duke emëruar njerëz kompetentë në pozitat e lëna gjatë bosh. Pastaj pandërprerë lobon për anëtarësimin e Kosovës në instancat më të larta të futbollit evropian dhe të atij botëror.

Fadil Vokrri në cilësinë e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, disaherë vizitoi Zvicrën, ku i shoqëruar nga Z.Naim Malaj, ish-Ambasador i vendit tonë në Bernë të Zvicrës, bëri takime pune me Josef Sepp Blatter, president i FIFA-s.

Malaj plot nostalgji dhe emocin kujton këto takime, duke thënë që Vokrri, ishte njeri i dialogut dhe mirëkuptimit.Ai si i tillë gëzonte respekt të veçantë tek Blatter dhe Platini, i pari president i FIFA-s, kurse i dyti i UEFA-s.

Pamje nga takimi i Vokrrit dhe Malajt, me Josef Sepp Blatter president i FIFA-s

Malaj, shpjegon deri në detaje bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Fadil Vokrrin. Ndër të tjera kujton edhe takimin e vitit 2013, kur ai dhe Vokrri u pritën përzemërsisht në selin e FIFA-s në Cyrih të Zvicrës, nga Presidenti i atëhershëm i kësaj organizate Blatter.

Me këtë rast thotë Malaj,kryetari i Federatës së Futbollit tonë z. Vokrri ofroi argumente të bazuara në prova që Kosova, duhet të jetë pjestare e 211-të e këtij mekanizmi të rëndsishëm të futbollit botëror.

Në mënyrë që të zbuten reagimet e Serbisë dhe aleatve të saj fillimisht anëtarsimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA,i parapriu e drejta e zhvillimit të ndeshjeve miqësore. Kyfarë statusi as mish e as peshk nuk i pëlqeu gjithaq Vokrrit. Ai nga frika që kjo e drejtë e kufizuar mund të vazhdojë në kohë të pacaktuar intensifikoi tekimet me krerët udhëheqës të këtyre dy institucioneve elitë në Evropë dhe Botë. Ëndërra e kahëmotshme e Vokrrit u plotësua kur nga ky status i përkohshëm u kalua në atë të rregullt Kështu Federata e Futbollit të Republikës së Kosovës, e drejtuar plot një dekadë nga Fadil Vokrri, përmbushi me sukses objektivat e saj.

Vdekja e fshehtë dhe tinzare e mori shumëherët Vokrrin, cili ishte në kryrje të mandatit të tretë si Kryetar i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.

Konstatim i të gjithëve është që prirjet për lojën dhunti nga Zoti, Fadil Vokrri i shfrytëzoi maksimalisht,duke vënë gjithçka në të mirën e futbollit të Kosovës.

Andaj emërtimi i stadiumit të Prishtinës me emërin e tij as që duhet të diskutohet, por duhet të krijohet edhe ndonjë çmim prestigjioz dhe me vlerë me emrin e tij, me çfarë i bëhet nder i posaçëm Kosovës dhe sportit shqiptar në përgjithësi.

Kujtimi për Fadil Vokrrin do të jetojë prore! Fadil të qoftë i lehtë dhèu i Kosovës, të cilën e prezantove kudo në mënyrën më të mirë të mundshme!