EVROPË, KËTO NUK JANË VLERAT E PËRBASHKËTA!

0
624

Nga Frank Shkreli

Fund javën që kaloi, një numër gazetash amerikane botuan lajmin e përhapur nga agjencia amerikane e lajmeve, Asosiejted Pres, se Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin lavdëroi ish-gjenralin serb Vladimir Lazareviq — një kriminel i dënuar për krime lufte në Kosovë — për rolin e tij kundër ndërhyrjes së Aleancës ushtarake perëndimore, NATO në Kosovë, duke u shprehur se Serbia nuk duhet të jetë më e turpëruar për mizoritë e kryera, për vrasjet e mijëra civilëve të pafajshëm, burra gra e fëmijë shqiptarë të Kosovës.

Sikur Serbia të kishte shprehur më parë turpin e saj dhe të kishte kërkuar falje për krimet e shtetit serb në Kosovë kundër popullësisë civile gjatë luftës më 1999, por edhe më parë, gjë që nuk e ka bërë kurrrë, Ministri serb i Mbrojtjes deklaroi se, “Ka kaluar koha e turpit dhe se tani është koha për një krenari të qetë”, duke shtuar se ish-gjenerali Lazareviq i dënuar me 14 vjet burgim nga Tribunali i Kombeve të Bashkuara për krime lufte në ish-Jugosllavi, si dhe ushtarakët e tjerë serb që morën pjesë në masakrat kundër shqiptarëve të paarmatosur në Kosovë, “Duhet të dallohen si ndër më të mirët dhe më të guximshmit”, e ushtrisë serbe, për rolin e tyre në luftën kundër popullësisë civile shqiptare të paarmatosur në Kosovë.

I lexon njeriu këto rreshta dhe është e pamundur të mos kujtohen imazhet nga masakrat e civilëve shqiptarë të pafajshëm, si ajo në Reçak, por edhe të tjera mizori, anë e mbanë Kosovës që kanë kryer forcat ushtarake dhe policore të Millosheviqit. Masakra kundër një popullësie të pa-armatosur nga kriminelët, “më të mirë e më të guximshmit” e ushtrisë dhe të policisë serbe në luftën e Kosovës, me të cilët tani Serbia, sipas Ministrit serb të Mbrojtjes, jo vetëm që nuk duhet të jetë e turpëruar, por përkundrazi, duhet të krenohet.

Nuk jam në dijeni nëse Bashkimi Evropian ka reaguar ende ndaj kësaj deklarate absurde dhe të pa moralshme – e që është në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane – deklaratë kjo e një zyrtari të lartë serb, e për më tepër e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë. Deklarata e Ministrit serb u bë dy tre ditë para se të mbahej në Prishtinë një konferencë mbi perceptimet publike të Gjykatës së Posaçme për krime lufte, në të cilën mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë debatit, udhëheqsi i Kosovës shprehu dyshimet e tija nëse kjo gjykatë do të mund të venë drejtësi dhe nëse me të vërtetë do të ndihmojë pajtimin etnik në Kosovë. Dyshimet e Z.Thaçi janë me vend. Si mund të ketë pajtim etnik në Kosovë – me ose pa Gjykatë Speciale — kur udhëheqsit më të lartë serbë, publikisht dhe pa pikë turpi, lavdërojnë si, “më të mirët dhe më të guximshmit” e ushtrisë serbe, pikërisht ata që kryen krime lufte kundër popullësisë civile të pafajshme dhe të paarmatosur shqiptare?

Si është e mundur që, përballë deklaratave të tilla të zyrtarëve serbë – tani dhe në të kaluarën — në kundërshtim me vlerat e sajë, Evropa i hapë rugën Serbisë për antarësim në Bashkimin Evropian, ndërkohë që Kosovës i mohohet lëvizja e lirë e pa viza në zonën Shëngen, ndërkohë që, sipas Presidentit Thaçi, ndonëse Kosovës iu premtua se do ta ketë ushtrinë e vet, as ky si një nga premtimet e bëra nga ndërkombëtarët nuk është realizuar? Sipas tij, këto ishin premtime të dhëna pasi Prishtina zyrtare pranoi krijimin e Gjykatës Speciale, por “ndërkombtarët nuk e mbajtën fjalën”, theksoi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë sesionit të mbajtur në Prishtinë. Për më tepër, ai e cilësoi atë si një gjykatë etnike e cila do të kundërshtohet nga 50 për qind e qytetarëve të Kosovës, pasi, sipas tij, do të merret me krimet e supozuara të shqiptarëve dhe jo me krimet serbe në Kosovë.

Për gjëndjen e krijuar me Gjykatën Speciale, një pjesë të fajit të ndërkombtarëve duhet t’a marrin përsipër edhe autoritetet e Republikës së Kosovës, sepse nuk janë kujdesur siç duhet për punët e shtëpisë së vet, përfshirë drejtësinë në vend, ose, për vendosjen e një drejtësi të mirëfilltë”, siç u shpreh Presidenti Thaçi gjatë konferencës mbi “Perceptimin publik të Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”, që u mbajtë ditët e fundit në Kosovë. Megjitë këtë, Z. Thaçi u shpreh optimist se “Gjykata Speciale do të jetë një pikë drejtësi në oqeanin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë”.

Drejtësia, është një ndër “vlerat e përbashkëta” për të cilat supozohet se Evropa mban qëndrim të fortë, për veten e saj dhe për vendet që aspirojnë të antarësohen në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe Serbinë. Në këtë këndveshtrim, nuk mund të barazohet viktima e krimit me ata që kanë kryer krimin. Ndëshkimi i krimit është gjithashtu një vlerë e përbashkët. Zbatimi i ligjit, bazuar në institucionet demokratike kombëtare dhe ndërkombëtare (evropiane) është, pjesë e vlerave të përbashkëta, rrënjosur në besimin se pa drejtësi nuk ka paqë, as në Evropë dhe as në Ballkanin Perëndimor.

Kosova, Serbia dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për një Evropë të forte, të drejtë dhe të vendosur, që i trajton të gjithë njësoj dhe pa dallime, por edhe për një Evropë që dallon viktimën nga ai që kryen krimin. Vetëm në këtë mënyrë – me ndihmën e një Evrope që mbron vlerat e përbashkëta për të gjithë dhe pa dallim, përfshirë drejtësinë — do të çohet përpara siguria, liria, demokracia dhe begatia, për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor. E vetmja mënyrë kjo për tu përballur me sfidat e pasojave të luftërave, përfshirë vendosjen e drejtësisë në ish-Jugosllavi, përshirë luftën në Kosovë. Ishin padrejtësitë shekullore në atë territor që çuan në shpërthimin e konflikteve atje dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Më në fund, do të jetë vendosja e drejtësisë së vërtetë dhe e mohuar për aq shumë kohë, sidomos për shqiptarët në trojet e veta, ajo që do të sjellë paqë dhe stabilitet midis popujve të atij rajoni. Deklarata e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë nuk është pjesë e vlerave të përbashkëta evropiane dhe nuk ndihmon kauzën e një Evrope të lirë, demokratike, në paqë dhe të bashkuar!