Europa në alarm nga kriminaliteti shqiptar

0
1246

Lapsi.al, 11 Shtator 2017

Në fillim ishte Anglia. Që prej vitit 2015 e përditshmja “The Guardian” merrte shqiptarët si shembull të kriminalitetit në mbretërinë ishullore. Drogë, trafik qeniesh njerëzore, shfrytëzim minorenësh, grabitje bankash si rekordi i 53 milionë paundëve në kasafortën e Tonbridge, në Kent.

Në mes të gushtit të këtij viti, alarmin e jep Holanda. Policia dhe Prokuroria e këtij vendi i dorëzuan qeverisë një raport me kërkesën për të kthyer regjimin e vizave për shqiptarët. Arsyeja ishte rritja e kriminalitetit nga bandat shqiptare.

“Kriminelët shqiptarë në Holandë janë fuqizuar se tepërmi vitet të fundit, ku ata operojnë kryesisht në trafikun e drogës, pastrim parash dhe në trafikun e qënieve njerëzore” thuhet në raport (lexo më poshtë në lapsi.al shkrimin e plotë).

“Kriminaliteti shqiptar është rritur edhe në Francë”, raportonte në fillim të këtij muaji gazeta franceze “Le Figaro”, në një shkrim që kishte në fokus rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë dhe ndihmën që u jepej atyre nga grupet kriminale shqiptare (lexo më poshtë në faqen e lapsi.al shkrimin e plotë).

“Një gjë është e sigurt. Shqiptarët që arrijnë në masë (si azilkërkues), mbështeten nga grupe mafioze të vërteta, të vendosura në Metz, Lion e Calvados. Trafiku i qenieve njerëzore, të minorenëve dhe prostitucioni e minojnë këtë komunitet vulnerabël. Shkurt, kriminaliteti shqiptar po vendoset në Francë dhe shteti duhet të reagojë”, citonte Le Figaro një funksionar të Ministrisë franceze të Brendshme.

Tani është edhe Spanja. Një investigim i gazetës britanike “Daily Mirror” zbuloi një rrugë të re që përdorin grupet mafioze shqiptare për të dërguar emigrantë klandestinë në Angli (lexo më poshtë shkrimin e plotë të përgatitur nga lapsi.al).

I nisin nga porti i Bilbaos në Spanjë.

“Mafia shqiptare ka hapur një rrugë të re për të trafikuar emigrantë në Britaninë e Madhe nëpërmjet një porti spanjoll, sipas një investigimi të Sunday People të gazetës Daily Mirror. Trafikantët që kërkojnë deri në 2.500 paund për person po trafikojnë me sukses me anije që nisen nga Bilbao, të dëshpëruarit që kërkojnë një jetë të re – përfshirë refugjatët nga Ballkani, Iraku, Afganistani dhe Siria. Policia në qytetin verior të Spanjës po përballen me rritjen e emigrantëve gjatë tre muajve të fundit. Në dy vjet ka pasur një rritje dhjetëfish të njerëzve të kapur duke u përpjekur për të hyrë në kamionë ose kontenierë në port”, shkruante Daily Mirror.

Pesë shtete të fuqishme të Europës po përballen me një valë në rritje të aktivitetit kriminal shqiptar dhe të kërkesave në rritje për azil. Në Francë, mbi 7 mijë shqiptarë kanë aplikuar këtë vit dhe kanë zënë vendin e parë në listë.

Në Gjermani, shqiptarët konkurruan për vendin e parë në vitin 2016 me sirianët që u larguan nga lufta e gjatë civile dhe ISIS.

Italia ka problem kryesor drogën. Lumenj me kanabis vërshojnë thuajse çdo ditë në brigjet italiane, me skafe, gomone e së fundi me jahte.

10 ton janë kapur vetëm këtë javë. Prokurori i Antimafias italiane deklaronte vetëm disa javë më parë se kanabisi shqiptar ka futur në konflikt grupet më të rrezikshme mafioze që veprojnë përgjatë Ardiatikut.

Edhe Greqia përballet me të njëjtin fenomen, por në fluks më të vogël, si pasojë e tregut jo të favorshëm që ka në trafikun e drogës.

“Flitet për një kriminalitet etnik shqiptar” deklaroi kryeministri Edi Rama sot në seancën e parlamentit, duke kërkuar, kryesisht nga opozita, që të heshtet për këtë shqetësim.

Të dhënat mbi aktivitetin në rritje të grupeve kriminale shqiptare janë pjesë të raporteve të policive partnere.

Disa prej tyre u janë dërguar edhe autoriteteve shqiptare, pasi paratë e përfituara nga aktivitetet kriminale po pastrohen në Shqipëri, kryesisht në sektorin e ndërtimit. /Lapsi.al