ESTETIKA DHE ESTETIKA E LETËRSISË

0
1708

Isak . A H M E T I

Kohë më parë Anton Nikë Berisha & Labinot Berisha kanë nxjerrë në dritë librin më të ri: ESTETIKA DHE ESTETIKA E LETËRSISË, tekst për studentë, SHB “FAIK KONICA” , Prishtinë 2018 (fq. 460). Këtij libri, mjaft interesant dhe me vlera shumështresore (me 925 referenca), i paraprin fjala paraprake:

RËNDËSIA E ESTETIKËS DHE E ESTETIKËS SË LETËRSISË PËR STUDIMIN E VEPRAVE LETRARE.

Përmes këtij libri, të strukturuar në tri pjesë, e ku si moto janë dhënë dy tekste, njëri i Hegelit dhe tjetri i Cvetan Todorovit, është ndriçuar, në mënyrë të thelluar e me argumente, qenësia e estetikës si disiplinë filozofike dhe e estetikës së letërsisë si degë e saj në studimin e veprave të artit, sidomos të veprave letrare poetike. Në të dyja rastet, sipas dy autorëve në fjalë, edhe estetika si disiplinë filozofike edhe estetika e letërsisë, si degë e saj, mundësojnë përcaktimin dhe ndriçimin e së vërtetës artistike, format e përftimit të shfaqjes dhe të funksionimit të saj, gjë që nënkupton, para së gjithash, studimin e së bukurës dhe të madhërishmes (pa mohuar edhe të shëmtuaren), në veprat e artit dhe mundësitë e ndikimit të tyre estetik në marrësin, dëgjuesin ose lexuesin (fq. 7).

Estetika, përkatësisht medimi estetik ka qenë pjesë e gjallimit të njeriut qysh në lashtësi edhe pse ajo fillimisht nuk u quajt si e tillë. Çështja e emërtimit të disiplinave të ndryshme, pra edhe të filizofisë dhe të estetikës, lindi shumë më më vonë, mirëpo kjo, sipas vlerësimi të autorëve në fjalë, nuk e zvogëlon rëndësinë e gjakimit dhe përpjekjen e njeriut që, nga një anë, të krijojë vepra artistike, dhe nga ana tjetër, t’i përdorë ato si “shprehje e ngushëllim shpirtëror“, si katarsis, po edhe si nxitje për të vazhduar edhe më tej përftimin e veprave të tjera të artit dhe të pasurimit të ekzistencës së vet jetësore dhe shpirtërore.

Për më tepër, estetika që doli nga filozofia, po që në rrjedhën e zhvillimit dhe të pasurimit të saj gjakoi të pavarësohet dhe të përcaktojë sa më shumë objektin e studimit të saj, të kërkojë dhe të zbulojë të bukurën në veprat e artit, mënyrat e funksionimit dhe ndikimit në marrësin dhe pasurimin shpirtëror të tij, e ngushëlloi dhe e nxitë për krijimin e mëtejshëm të veprave të artit, për arsye se e bukura dhe e madhërishmja asnjëherë nuk i kanë mjaftuar njeriut, pra përherë ai ka pasur nevojë për to (fq. 8-9).

Duke iu referuar Fishtës, De Radës dhe shumë autorëve dhe studiuesve të tjerë të estetikës, autorët e librit në fjalë, kanë arritur të bëjnë një libër të estetikës dhe të estetikës së letërsisë, me vlera shumështresore, që do t’u shërbejnë jo vetëm profesorëve që ligjërojnë estetikën dhe estetikën e letërsisë por edhe studentëve që e kanë lëndë mësimi sikundër edhe gjithë atyre që, në mënyrë ose në një tjetër, u intereson estetika dhe zbatimi i saj në studimin dhe interpretimin e veprave letrare poetike (fq. 18).

Lubrin në fjalë autorët e kanë strukturuar në tri pjesë:

I. ESTETIKA SI DISIPLINË FILOZOFIKE (fq. 21-142), ku janë trajtuar:
– Estetika si disiplinë filozofike. Çështje të përgjithshme
– Rrjedha e zhvillimit historik të estetikës
– Mendime të disa autorëve rreth estetikës dhe rëndësisë së saj
– Estetika dhe disa nga rrymat – shkollat letrare
– E bukura dhe e madhërishmja si qenësi të estetikës

II. ESTETIKA E LETËRSISË (fq. 145-234), ku janë trajtuar:
– Arsyet e lindjes së estetikës së letërsisë
– Estetika si mundësi studimi dhe njohje e artit të fjalës, letërsisë
– Qenësia e marrëdhënies estetike: autori, vepra, marrësi
– Esteika e tekstit poetik dhe rëndësia e komunikimit dhe e ndikimit

III. MENDIMI ESTETIK NË LETËRSINË SHQIPE (fq. 237-422), ku janë trajtuar:
– Fillet e estetikës shqiptare
– Jeronim De Rada mbi letërsinë dhe estetikën e saj
– Anton M. Xanoni për estetikën e letërsisë
– Mbi “Shënime estetike mbi natyrë t ‘Artit” dhe mbi mendime të tjera të Fishtës
– Vëzhgime estetike – poetike të Lasgush Piradecit
– Pikëpamjet estetike të Ndre Mjedës dhe Faik Konicës
– Mendime të Mensur Raifit, Anton Pashkut, Ibrahim Rugovës rreth estetikës së letërsisë

Siç shihet nga titujt dhe nëntitujt e kësaj vepre si dhe nga përmbajtja e saj e përgjithshme, autorët në fjalë, me shumë përkushtim dhe kompetencë shkencore kanë trajtuar një gamë të gjërë çështjesh që kanë të bëjnë me estetikën dhe estetikën e letërsisë, përkatësisht me estetikën si disiplinë filozofike, rëndësinë dhe rrjedhën e zhvillimit dhe pasurimit të saj, me estetikën e letërsisë dhe mundësinë e zbatimit të saj në vënien e komunikimit sa më të mirë me veprën letrare poetike dhe ndikimin estetik në marrësin (pjesa e dytë), ndërsa në pjesën e tretë kanë trajtuar çështje estetike duke e konkretizuar në letërsinë shqipe përmes autorëve dhe disa veprave të tyre duke filluar me mendimet e Buzukut për katër psalmet dhe veprën “Meshari” (1555).

Siç shihet edhe nga vetë përmbajtja e librit të autorëve në fjalë, dy pjesët e para sjellin dijen dhe përvojat e studimit të estetikës dhe të estetikës së letërsisë në vijën horizonrale duke hedhur dritë në dukuritë, në rrymat dhe në periudhat më kryesore të zhvillimit të saj dhe të mendimit të autorëve kryesorë, ndërsa në pjesën e tretë mendimin estetik në letërsinë shqipe.

Krejt në fund le të theksojmë se libri në fjalë, si i tillë që është, është i rrallë në mjedisin tonë kulturor-letrar dhe shkencor.