Ndue Lazri, Gazetar dhe poet.
– Letër e hapur Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë –
• Reforma Kushtetuese e Drejtësisë është çështje jetike për demokracinë në vend dhe një gur prove i koshiencës suaj ndaj mandatit që ju ka dhënë populli.
• Jashtë nga parlamenti e nga institucionet administrative të të gjitha niveleve njerëzit e inkriminuar dhe politikanët e korruptuar.
• Jashtë nga organet e drejtësisë gjykatësit e inkubatorit me kurse 6-mujore dhe të korruptuarit që bëjnë pazare me gjyqet.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Për vendin tonë kjo është ora e së vërtetës. Nesër ju do votoni për Reformën Kushtetuese në Drejtësi, një reformë e kërkuar dhe e shumëpritur nga populli që ju ka dhënë votën dhe nga institucionet europiane e ndërkombëtare që monitorojnë ecjen e proceseve demokratike në Shqipëri. Reformë, e cila është shtyrë e vonuar për shumë vite me qëllim, sepse jeni të vetëdijshëm që ajo godet shumë nga ju, brenda kuvendit, njerëz të përfshirë në krime, vjedhje e korrupsion galopant, godet shumë pushtetarë e politikanë të të gjitha niveleve, që i kanë kthyer politikën dhe postet zyrtare në mjete të përfitimeve private, duke lënë krejtësisht mënjanë interesat e popullit. Ky oktapod mafioz i ka shtrirë tentakulat e veta, për 26 vjet me radhë në gjithë politikën shqiptare dhe në administratën shqiptare, duke e dëmtuar rëndë demokracinë në vend dhe imazhin e Shqipërisë në botë.
Ndaj ka ardhur koha që të vini për herë të fundit në provë koshiencën tuaj, para se të jetë tepër vonë, dhe të votoni reformën që ju përvëlon duart dhe ndërgjegjen. Me këtë akt do tregoni nëse jenë në anën e demokracisë dhe të interesave të popullit, apo në anën e lindjes së një diktature të re në Shqipëri, diktaturës mafioze të korrupsionit, që do e çonte vendin në kaos e mjerim të mëtejshëm.
Me miratimin e reformës ju do i hapni udhën pastrimit të parlamentit nga njerëzit e krimit dhe dorëzimin e tyre përpara drejtësisë, largimin nga organet gjyqësore të gjyqtarëve të përgatitur në inkubator me kurse 6-mujore dhe të atyre që bëjnë pazarllëqe me gjyqet, për të sjellë në ato vende njerëz me kualifikim e ndërgjegje të lartë profesionale, duke bërë të funksionojë meritokracia e jo nepotizmi e korrupsioni siç ka ndodhur deri tani.
Ashtu siç keni ditur deri tani të bashkoheni në parlament, pavarësisht ngjyrës politike, vetëm kur keni patur raste të votoni ligje që mbronin interesat e fitimet tuaja, bashkohuni të paktën një herë të vetme për të mbrojtur interesat e popullit dhe të demokracisë në vend.
Ne si emigrantë, ngremë zërin tonë e bëjmë thirrje të hapur për miratimin e reformës. Mos i shtoni një njollë tjetër koshiencës suaj dhe mos ia mohoni Shqipërisë këtë shans për të bërë një hap të rëndësishëm drejt familjes europiane.
FEDERATA NACIONALE E SHOQATAVE SHQIPTARE NË ITALI