Kohët e fundit, SHB “Edlora”-Tiranë, me drejtor Ing. Vladimir Kallupin dhe administratore Edlira Kamen, ka botuar e venë në qarkullim librin tim të dytë jetëshkrimor (i pari, “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”, Tiranë, 2010), “Gjurmë, nëpër udhë…” – Libri është i pajisur me mjaft fotografi.
Një lexues i vëmendshëm mund të ketë lexuar, në faqe të ndryshme Interneti, se këto ditë janë botuar recensione dashamirëse për këtë libër. Megjithatë, mendova që, më poshtë, ta jap shkurtimisht përmbajtjen e tij…
Libri në fjalë, ka redaktor Sejdo Harkën, publicist e studiues (Tiranë) dhe recensentë: Prof. Kolë Tahiri (Bruksel) e Xheladin Mjekun, publicist e studiues (Prishtinë). Ai i kushtohet bashkëshortes sime dhe nipit, nga vajza, i cili jeton familjarisht në qytetin verior Kiel të Gjermanisë.
Në vazhdim, në kujtim e nderim të saj, kam ripublikar vjershën modeste, “Silueta”, kushtuar Nënës sime, e cila u nda nga jeta, kur nuk i kisha mbushur ende 5 vjet. Në vend të Hyrjes, është botuar fjala ime, para kolegëve e miqëve, në 75-vjetorin e ditëlindjes.
Në pjesën e parë të librit, “Gjurmë, nëpër udhë”, janë botuar disa Biseda, që kam patur rastin të bëj me kolegë e miq krijues. Kështu, njëra pas tjetrës, janë Bisedat:
-“Vetëm me arsim, mund ta përparojmë Atdheun”(me Ibrahim Hajdarmataj, arsimtar e publicist-Tropojë);
-“Përkushtim, për integrimin e shkollës shqiptare, në rrjedhat europiane”(me Vjollca Spahon, redaktore e Gazetës “Mësuesi”);
-“Barazpesha”, çelësi i çdo arritjeje të jetës sime”(me Raimonda Moisiun, publiciste e shkrimtare-Nju Jork);
-“40 vjet, miqësi dhe bashkëpunim i ndërsjelltë”(me Fran Gjokën, arsimtar e publicist-Lezhë);
-“Këndvështrimi i intelektualit, Prof. Murat Gecaj, ndaj socializmit real”(me Ditmbara Vatnikaj, studente e gazetarisë-Tiranë);
-“Kurdoherë, jam udhëhequr nga parimi: Miku më i madh e më i çmuar i jetës sime, jam unë vetë”(me Kadri Tarellin, arsimtar e publicist-Durrës);
-Bisedë në Radon “Zëri i Mitrovicës” (me Eltona Lakuriqin-moderatore);
-“Kam ndjeshmëri të veçantë për krahinën tonë, Nikaj-Mërtur”(me Gjon Zhivanin-Shkodër).
Në pjesën e dytë, “Shkrime për autorin” janë botuar:
-“Prof.Murat Gecaj, gazetari më i vjetër i “Mësuesit”( nga Prof.Ilir Kanini-Tiranë);
-“Personaliteti i Prof.Murat Gecaj”(nga Viron Kona, shkrimtar e publicist-Tiranë);
-“70 vjet, që arnojnë ëndrra “të grisura”…(Nga Dr.Fatmir Terziu, publicist e shkrimtar-Londër);
-“Murat Z.Gecaj, kronikan (jo vetëm) i arsimit tonë kombëtar” (nga Vezir Ukaj, publicist-Prishtinë);
-“Publicisti e studiuesi Murat Gecaj…”(nga Sejdo Harka, arsimtar, publicist e studiues);
-“Njohim personalitetet shqiptare: Prof.Murat Gecaj (nga Pandeli Simsia, shkrimtar-Nju Jork);
-“Fjala e hapjes dhe programi i veprimtarisë, në përurimin e librit “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”( nga Yllka Beçi, kryetare e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë).
Në pjesën e tretë, “Poezi për Murat Gecaj, nga kolegë e miq, janë botuar:
-“Ugarit shkencor të Prof.Murat Gecaj (nga Fatmir Terziu-Londër);
-“Murat Gecaj, tungjatëjeta”(nga Skënder Hasko-Tiranë);
-“Katerinë, hape derën!…”(nga Përparim Hysi-Tiranë);
-“Urim Muratit, për ditëlindje!” (nga Bardhyl Xhama-Tiranë);
-“Zemra jote…”(ngaAbide Gashi-Mitrovicë).
Në pjesën e katërt janë: 34 “Mesazhe nga kolegë e miq, ardhur me raste të ndryshme”. Po në vazhdim, janë edhe 61 mesazhe tjerë më të shkurtër, me përshëndetjeje e urime, nga kolegë e miq, banues në Shqipëri e trojet tjera amtare, por dhe në shtete të ndryshme të Europës, në Amerikë e Kanada.
Në faqet e fundit të këtij libri janë: Jetëshkrimi i shkurtër i autorit, shoqëruar me titujt e 17 librave të tij dhe të disa librave, ku është bashkautor, si dhe të studimeve në revista të ndryshme. Po aty, janë publikuar fotot e disa “Mirënjohjeve”, që më janë dhënë, si në Shqipëri e jashtë saj.
– Ky libër gjendet në fondet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe në Librarinë “Art’s”, para se të hyshë në Bulevardin e Ri të kryeqytetit tonë.
Kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, për këtë informacion, duke uruar për ju:
Gjitha të mirat, vetjake e familjare!
Respekte, nga:
Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues
Tiranë, 20 qershor 2018