ËSHTË KOHA PËR NJË MEKANIZËM TË RI NË BALLKAN

0
427

Kjo foto shoqëron artikullin e botuar në revistën amerikane, “National Interest” (Interesi Kombëtar)
Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

Ky është titulli i një artikulli botuar të hënën në revistën amerikane “National Interest” (Interesi Kombëtar), autorët e të cilit janë tre ekspertë të njohur amerikanë të politikës së jashtme me një përvojë të gjatë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ambasadori Frank Wisner, që është i njohur mirë për botën shqiptare dhe i cili gjatë karierës së tij diplomatike u ka shërbyer 8 presidentëve amerikanë, aktualisht punon si këshilltar i çështjeve ndërkombëtare pranë firmës Squire, Patton Boggs. Bashk-autori tjetër është Ambsadori Cameron Munter, Drejtori aktual i Institutit East-West në Nju Jork dhe ish-ambasador i Amerikës në Beograd. Bashk-autori i tretë i këtij artikulli është Marko Prelec, specialist i çështjeve të Evropës lindore dhe jugore dhe ekspert i shteteve të ish-Jugosllavisë. Revista amerikane “National Interest” – e cila del dy herë në muaj e që botohet nga “Center for National Interest” — e konsideron veten si një revistë që promovon një politikë të jashtme realiste, megjithëse në mbulimin e subjekteve nuk kufizohet krejtësisht, mbi politikën e jashtme.

Në artikulllin e tyre, tre ekspertët e njohur amerikanë të çështjeve që kanë të bëjnë me politikat ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, shprehen se deri më tani Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të rregullojnë punët e Ballkanit Perëndimor, por pa sukses, ndërkohë që bëjnë thirrje për një mekanizëm të ri, duke thënë se ndaj këtij rajoni tani nevojitet, “Një politikë që pranon seriozitetin e problemeve, ndonëse do të marrë një kohë të gjatë si edhe burime të konsiderueshme, për t’i zgjidhur problemet e shumëta të rajonit.”

Zotërinjt Wisner, Munter dhe Prelec shkruajnë se në samitin e kohëve të fundit që u mbajt në Berlin, udhëheqsit e Francës dhe të Gjermanisë u bindën se duhet të përqendrohen mbi zgjidhjet reale të problemeve që kanë pllakosur vendet e Ballkanit Peërndimor. “Vizioni i ‘një Evrope të lirë, të tërë dhe në paqe’, nuk është realizuar ende në rajonin që tani e quajmë Ballkani Perëndimor.” Ndërsa ata thonë se gjëndja në “Bosnje, Kosovë, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi është e qetë”, eskpertët në fjalë paralajmërojnë njëkohësisht, se kjo “është një qetësi e rrejshme”, duke u shprehur se, “Rajoni ka probleme të mëdha, të cilat mund të përhapen në pjesë të tjera të Evropës dhe si rrjedhim të prekin edhe interesat dhe sigurinë edhe të Shteteve të Bashkuara.” Përveç problemeve me të cilat përballen vendet e këtij rajoni, përfshirë sipas tyre edhe korrupsionin e përhershëm, tre ekspertët amerikanë përmendin gjithashtu edhe influencën negative të Rusisë në rajon, si një prej problemeve me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ata thekësojnë se përpjekjet, në të kaluarën, për të zgjidhur problemet e këtij rajoni kanë dështuar për arsye të injorimit të problemeve reale dhe për shkak të përpjekjeve të ngutshme për të arritur shumë, brenda një kohe të shkurtër. “Për vite me radhë, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar udhëheqsit vendor që të largonin vëmendjen nga problemet më të mëdha të rajonit – gjë që shkaktoi konflikte serioze midis tyre – e të merreshin me punën teknike dhe politike të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shpresohej”, shkruajnë tre ekspertët amerikanë të punëve ballkanike se, “në këtë mënyrë do të zbuteshin qëndrimet e palëve ndaj konflikteve më serioze midis tyre, duke bërë të mundur, eventualisht, zgjidhjen e tyre.”

Ata janë të mendimit se, “Këto probleme nuk mund të zgjidhen shpejt dhe as nuk do të zhduken menjëherë, megjithëse vendet e Ballkanit vazhdojnë përpjekjet e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zgjidhja e këtyre problemeve nevojitë vëmendje të vazhdueshme dhe të durueshme, për një kohë të gjatë nga shumë persona, të udhëhequr nga aktorë vendas, me mbështetjen e Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara”, shkruajnë zotërinjtë Frank Wisner, Cameron Munter dhe Marko Prelec, në revistën amerikane National Interest (Interesi Kombëtar).

Ata bëjnë thirrje për vazhdimin e përpjekjeve për të gjetur zgjidhje të këtyre problemeve, por ata propozojnë që këto përpjekje duhet të bëhen larg kamerave të televizionit dhe pa pritëshmëri jo reale për suksesin e tyre. Ata i bëjnë thirrje gjithashtu Evropës se — ndërsa vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e problemeve të Ballkanit Perëndimor dhe për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO – Bashkimi Evropian duhet të ndihmojë vendet e rajonit që të rivendosin lidhjet e tyre me pjesën tjetër të kontinentit.

Ata besojnë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat ekonomike, politike dhe të sigurisë perëndimore mbetet gjithnjë një objektiv i denjë dhe jetik për vednet e ktij rajoni. Por si ekspertë të punëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, ata shkruajnë se integrimi i tyre nuk do të ndodhë shpejt, ndërkohë që duke u bazuar në përvojën e tyre prej dekadash në atë rajon, tre ekspertët amerikanë, paralajmërojnë se integrimi në vetvete i këtyre vendeve, nuk do të zgjidhë problemet politike të rajonit. “NATO dhe Bashkimi Evropian mund të pranojnë në radhët e tyre vetëm shtete normale, në paqë me vetveten dhe me fqinjtë e tyre…Askush nuk dëshiron një partner për të cilin rregullat e shtetit ligjor i konsiderojnë si tallje dhe fqinjtë e të cilëve, për ta, janë armiq të përbetuar”, shkruajnë tre specialistët amerikanë.

Ata i përfundojnë komentet e tyre mbi problemet dhe sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe politika dhe diplomacia perëndimore ndaj këtij rajoni, duke u shprehur se për zgjidhjen e sfidave në atë pjesë të Evropës nevojitet një nismë ose një mekanizëm i ri, “Nuk mjafton që për zgjidhjen e sfidave në Ballkanin Perëndimor, të varemi gjithnjë në proceset e deritanishme. Udhëheqsit evropianë bëjnë mirë që po angazhohen në këtë drejtim”, ndërkohë që në shkrimin e tyre, ata i porositin Washingtonin që, “Shtetet e Bashkuara, patjetër duhet që të mbështesin këto përpjekje”, duke thënë se, “Nuk ka më kohë për të humbur për Bosnjën, Kosovën, Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit. Tani është koha e përshtatëshme për udhëheqjen evropiane, në bashkpunim me Shtetet e Bashkuara – për tu ri-fokusuar mbi gjëndjen në Ballkanin Perëndimor, duke i kushtuar — jo vetëm rajonit dhe problemeve me të cilat përballet — vëmendjen që meriton, por edhe interesave tona për një Evropë dhe Aleancë Perëndimore stabile dhe të begatë”, përfundojnë ata artikullin e tyre në revistën amerikane, “National Interest” (Interesi Kombëtar).