Esat Hysa, djaloshi që theu klonin e ferrit komunist dhe iku në tokën e bekuar amerikane të lirisë

0
406
Esat Hysa me robertin

Foto: Esat Hysa me te birin, Robertin.

Historia e të riut nga Sllatina e Dibrës, që sfidoi ingranazhet e djallit…

Nga Dukagjin Hata

Ka disa ngjarje, që jo vetëm në jetën e njeriut, por dhe të banorëve të një komuniteti apo etnie, bëhen njësi matëse të psikologjisë së ndryshimit, qendra graviteti emocional, për sot e për nesër. Dhe kur i risjell ndërmend, me detajet e kohës kur kanë ndodhur, kupton më mirë peshën e të ndodhurës dhe domethënien e gjithçkaje…

E mbaj mendi si sot, kam qenë mësues në shkollën e mesme Sllovë, kur lajmi mori dhenë dhe në ato vise të izoluara, ku liria, më shumë se frymonte, lëngonte, fryu një puhi e vakët shprese. Kishte ndodhur diçka e pazakontë, përtej sinoreve të realiteti propogandistik, që tronditi qetësinë e rreme në atë zonë të largët, në gji të maleve. Ngrehinat e një sistemi të ngritur mbi dogma dhe mashtrime qenë lëkundur, por ai ende qëndronte në këmbë dhe qe bërë më i rrezikshëm në tentativën e tij për të mbajtur nën presion dhe eleminuar kundërshtarët.

Dikush kishte thyer kufirin, klonin stalinist shqiptar, duke lënë pas një shije zhgënjimi tek strukturat e krimit shtetëror, që nuk ia kishin dalë ta ndalonin.

Esat Hysa, një djalosh plot ëndrra dhe përkushtim për jetën, që nuk pajtohej me atë realitet banal e hipokrit, që Diktatura e servirte për lumturi socialiste, kishte sfiduar një regjim diabolik, që bazohej tek kontrolli dhe dirigjimi i jetës së gjithësecilit, që jetonte nën atë tirani mizore. Ai pati guxuar të thyente vijën e kufirit dhe të çante përpara, drejt një realiteti të panjohur, por premtues…

Megjithëse nën përgjim dhe survejim të plotë, ai me guxim dhe kurajë të pashmebullt, kishte mundur ta thyente klonin, duke rrënuar mitin e pathyeshmërisë së kufijve në atë epokë deliri kolektiv.

Foto: Esat Hysa

Fare pak e kam njohur nga afër Esatin, megjithëse jetonim në një njësi administrative, që aso kohe quhej koperativë bujqësore dhe që ishte një model i degardimit të gjithçkaje, që nga ekonomia që qe rrëzuar përtokë, gjer tek morali, që ishte fals dhe kuadratohej në dimensionet e shpërfytyruara të “njeriut të ri”. Por kisha dëgjuar për të, për virtyet e tij, për bujarinë, besnikërinë, kultin e miqësisë, të cilën e kishte të shenjtë dhe bënte aq shumë për të.

Mjerisht, këto virtyte, në vend që të çmoheshin e shpërbleheshin, vështroheshin me dyshim nga organet e sigurimit dhe mekanizmat djallëzore të Partisë-Shtet.

Ai ishte një djalosh plot ëndrra, i shoqërisë dhe miqësisë, i besës dhe sakrificës, me një botë të pasur shpirtërore, që nuk pajtohej me demagogjinë e kohës së pa kohë. Ai i binte klarinetës, me shumë andrralla qe rregjistruar dhe në shkollën e mesme të Muzikës, të cilën për rrethanat e asaj kohe, për vetë ngutjen e tij për të ikur nga ferri komunist, nuk arriti ta mbaronte. Klarinetës i binte me dëshirë e pasion, por, siç thotë vetë, “nuk kam pasur kurrë kohë për ta mësuar si profesionist, por për klarinetë mbaroj dhe kur të vdesë në varr do e marr me vete, aq shumë e admiroj dhe e dua me shpirt e zemër këtë vegël të bukur muzikore, këtë mbretëreshë të veglave të bukura muzikore”.

Edhe sot, në Amerikë, pas punës, në kohën e lirë, kur kërkon të çlodhet dhe të mbledh grimcat e kujtimeve të kaluara, të kohës kur ishte ende djalosh dhe pasionant pas gjithçkaje të bukur e të çiltër, merr klarinetën dhe i bie për qejf të tij…Kujton prindërit e paharruar, vëllazërinë e miqësinë, Sllatinën e tij të dashur…Klarineta është një vegël hyjnore që e afron me të kaluarën, me mungesat e tij, me mallin për ato vise, ku la përgjithmonë rininë dhe ëndrrat e tij, në një kohë të trazuar, ankthioze…

Esati kishte natyrën për të bërë shokë e miq, duke u kthyer në strumbullar shoqërie të pastër për të rinjtë e asaj kohe, çfarë jo vetëm nuk shihej me sy të mirë nga regjimi dictatorial, por ishte një arsye më shumë për të qenë nën përgjim e survejim nga sigurimi i shtetit.

Esati do të ikte pikërisht për shkak të mospërshtatjes me këtë hipokrizi kolektive, me ato parime të gënjeshtërta dhe cinike që synonin të ngrenin “lumturinë kolektive” të “masave” mbi dhimbjet dhe plagët e individit.

Ikja e tij ishte prologu i ikjeve që do të vazhdonin pambarim dhe që ende vazhdojnë jo vetëm në Sllatinë, por në gjithë Shqipërinë, për shkak se hapja e trumbetuar si demokraci, më shumë se si realitet konkret dhe i prekshëm për të gjithë, po rezulton një iluzion i humbur, për të mos thënë një mashtrim!…

Jeta e tij rinore qe përplasur në heshtje me sinoret e ciflosura të një regjimi monstër, që nuk e njihte privatësinë e individit dhe tentonte me çdo kusht e me çdo mjet të kontrollonte gjithçka, që nga pamja e jashtme deri tek mendimet e gjithëkujt, që paragjykohej si i padëshirueshëm e ku midis tyre ishte dhe emri i Esatit.

Djaloshi ëndërrimtar, që kërkonte hapësira të reja për ëndrrat e tij, kishte kryer një akt që do të mbahej mend gjatë në ato vise, ku njerëzit lindnin e vdisnin në varfëri e mjerim dhe ku ajo që propogandohej si parajsa socialiste ishte një ferr i të gjallëve mbi tokë!
Disa ditë pas ikjes së tij, takova në Peshkopi mësuesin tim të paharruar, poetin dhe studiuesin Naim Plaku.

Aso kohe punonte libertist në Estradën e Peshkopisë, ku pati vajtur me shumë mundime, pasi nomeklatura e kuqe e luftonte se ai ishte nip i Ndreve. Me të flsnim lirshëm dhe fjalë pas fjale, ra fjala tek ikja e Esatit, që patui bërë një zhurmë të madhe dhe interpretimet qenë nga më të ndryshmet, mjaft syresh të dirigjuara nga sejmenët e Sigurimit. Midis të tjerave Naimi që ishte i drejtpërdrejtë dhe me mua fliste pa teklif, më tha:

– E kam ditur se Esati do t’ia mbathte për në botën e lirë. Ai djalë nuk mund të pajtohej me hipokrizinë e këtij regjimi të sëmurë. Do Zoti e mbërrin shëndoshë e mirë atje ku ia do e bardha zemër…

Esat Hysa e kishte sfiduar atë kështjellë të sëmurë nga deliri dhe që nga brenda e gërryenin plagë dhe mallkime pa fund, në gjënë më të shenjtë që ajo predikonte, në sigurinë e pathyeshmërisë së saj nga jashtë e nga brenda…

Për rojet vigjelente të ferrit enevrist shqiptar, Esat Hysa ishte një i ri që nuk pajtohej me normat e moralit mashtrues komunist; nuk ishte një i ri si gjithë të tjerët; qëndrestar, kurajoz, i dhënë pas modës dhe shoqërisë, me një temperament shpuzë të gjallë, ai rrethohej nga miq e shokë të shumtë, me të cilët ndante kohën dhe ëndrrat, por kryeëndrrën, ikjen nga Edeni komunist, nuk e ndau me askënd, e ruajti në thellësitë më të fshehta të zemrës.

Sllatina është një nga fshatrat më të bukur e piktoreskë të Ujëmujës, me një panoramë të mrekullueshme, që të magjeps me larminë e trajtave të një peizazhi që të mbetet në mendje për një kohë të gjatë. Por kjo natyrë dehëse e fladitëse binte ndesh me realitetin mbytës që impononte Diktatura, duke bërë që edhe në këtë fshat të largët, në prehër të maleve, varfëria dhe pamundësia e një jete normale të kthehej në një stres e ankth kolektiv, sidomos për të rinjtë si Esat Hysa, shpirti i begatë i të cilëve nuk pajtohej me këtë mizerabilitet të ngritur në sistem.

Rrinin mbrëmjeve me shokët, pinin ndonjë gotë, këndonin e tregonin barcaleta, në një përpjekje sizifiane për t’i ikur rrethit të makthit shtrëngues e skllavërues. Ai bënte shumë për shoqërinë, jepte gjithçka për të dhe nuk priste prej saj asgjë, përveçse kënaqësisë që të fal prania e shokut, mikut, bashkëfshatarit me zemër të pastër.

Strukturat e sigurimit, që si kudo në Shqipëri gëlonin edhe në këto anë, kishte kohë që e ndiqnin dhe survejonin, në një tentativë të dëshpëruar për ta molepsur në ingranzahet e djallit. Esati e ndiente me intuitë makthin e kësaj përndjekje dhe bënte gjithçka që mundej, që të mos iu jepte shkas këtyre strukuturave kriminale për të ushtruar mbi të zejet e tyre diabolike.

Një mbërmje, kur sapo ishte ndarë nga shokët dhe po shkonte në shtëpi, vuri re një hije që e ndiqte pas dhe pas pak një dorë e fortë e zë nga krahët, me egërsi dhe brutalitet. Nën dritën e hënës që ndriçonte gjithçka, ai njohu fytyrën e skërmisur të operativit të sigurimit, një “gjuetar shtrigash”, që nuk kishte asgjë njerëzore dhe njihej në gjithë zonën si famëkeq dhe shpirtzi. Ai diç kërcënoi nëpër dhëmbë, i mbëdhtetur nga shpura e atyre që e ndiqnin pas, të armatosur, të gatshëm të hapnin zjarr në rastin më të parë…

Operativi disa herë e kishte kërcënuar, me fjalë të thëna ashtu vrazhdë dhe nëpër dhëmbë, pa guxuar të formulonte një akuzë të qartë, edhe pse qe i mbrojtur nga të gjitha anët.

Esati kishte kohë që kishte thurur planin e ikjes, por tanimë ky plan po ngrente kokë furishëm në mendjen e tij. E ndiente se nga çasti në çast, do ta arrestonin, duke sajuar histori nga më të çuditshmet e nga më absurdet, siç dinin të sajonin monstrat e sigurimit, për të burgosur dhe persektuar ata që i paragjykonin si kundërshtarë të regjimit të tyre.

Dhe një ditë iku, me kokën pas, në atë tokë ku kishte lënë varrin e nënës, dhimbjen e babait dhe trishtimin e vëllezërve, gjithë fare fisit që e deshën dhe e çmonin shumë. Ishte fund gushti 1990, kur ende falngat e krimit të përbindshëm të Diktaturës ushtronin gjithë arealin e presionit mbi ata që presupozoheshin si të pabindur dhe të padëshiruar për regjimin.

Me dhimbje në shpirt e lotë në sy, zemërpikëlluar, që po ndahej nga familja, nga miqtë e të afërmit, nga shoqëria, nga vendlindja e dashur, u nis në atë rrugë pa kthim, në kufi të fijes së perit që ndanë jetën nga vdekja…Ajo rrugë, të cilën e njihte mirë, pasi e pati shkelur në çdo pëllëmbë, njihte çdo gur e fije bari, mund të ishte fati…ose fataliteti i tij…Për fat të mirë ndodhi e para dhe djaloshi kurajoz ia doli të ikte në botën e lirë, në ato dhera që ndonëse nuk ishin të tij e të të parëve të tij, ishin dhera ku njerëzit jetonin ndryshe, jo vetëm banorët e tyre, por dhe të ardhurit nga larg, nga portat e ferrit komunist…

Nuk mund të përshkruhen ankthi, stresi, frika dhe paniku, që e shoqërojnë një të arratisur nga “parajsa” socialiste, që pret nga çasti në çast t’ia behin ushtarët e kufirit dhe ta mbërthejnë…

Vuajtjet në ish Jugosllavi, burgu, provokimet, do ta shoqëronin për rreth një vit, derisa iu miratua nga OKB-ja e drejta e emigrimit si refugjat në SHBA. Ky aprovim i shumëpritur dhe tek i cili i pati varur të gjitha shpresat, do t’i jepnin fund një kalvari të trishtë dhimbjeje e stresi, që e patën mbajtur peng “rebelin” Esat Hysa, gjersa pas një odiseje të gjatë do të mbërrinte në SHBA.

Mbërritja në Tokën e Lirisë dhe Shpresës, në tokën e bekuar amerikane, ishte kthesa vendimtare e jetës së Esatit, e cila tanimë do të merrte një kuptim të ri dhe domethënie të re.

I mësuar me vuajtje dhe vështirësi sizifiane, në një vend ku sado shumë të jepje nuk merrje thuajse asgjë në këmbim, Esati do ta gjente mjaft shpejt vetveten në këtë parajsë tokësore, ku puna dhe dinjiteti i njeriut ecnin paralel dhe mbështetnin njëra-tjetrin.

Nuk ishte fushë me lule, puna qe rëndë dhe e mundimshme, vështirësitë e fillimit qenë të mëdha, por për njerëz si Esat Hysa, që e vështrojnë jetën në sy, pa iu dridhur qerpiku, nuk mund të kishte pengesë e vështirësi që nuk kapërcehej, mjafton që t’i vlerësohej puna, t’i shpërblehej djersa dhe të ishte i lirë të jetonte sipas gustove dhe shijeve të tij, që nga flokët, veshja e gjer tek gjithçka që përbënte anën e jashtme dhe brendinë e tij shpirtërore.

Për vuajtjet dhe ankthin e familjarëve të Esat Hysës, mbetur brenda portave të ferrit, për familjen e re që krijoi në SHBA, për punën dhe sfidat e tjera në një shoqëri të hapur e të lirë, për ndihmën dhe përkrahjen e tij pa fund ndaj vendldindjes dhe sllatinasve të dashur, do të flasim në shkrime të tjerë.