ERNEST HEMIGUEI – “PLAKU DHE DETI”

0
714

Xhelal Zejneli

Ernest Hemingvei (Xhelal Zejneli) është shkrimtar amerikan. Lindi në Ouk Park (Oak Park) më 21 korrik 1899. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje. Babai i tij quhej Klerenc (Clarence), ndërsa e ëma Grejs Hol (Grace Hall). Ishte i dyti prej gjashtë fëmijëve të prindërve të tij. Ishin dy vëllezër e katër motra. E pagëzuan me emrin e gjyshit nga vija e nënës dhe të dajës Miler. Heminguei lindi në shtëpinë e gjyshit ku dhe jetoi familja e tij. Ouk Park ishte një qendër banimi e klasës së mesme, me shumicë protestantësh. Mjedis konservator ku çmohej puna dhe edukimi fetar. Me të atin shpesh shkonte në peshkim në liqenin Miçigen. Pranë njërit prej liqeneve, familja e tij kishte një shtëpizë të quajtur “Windermere”. E ëma kishte prirje për këngë. Më kot u përpoq t’ia mbillte dashurinë për muzikë edhe të birit. Ai s’ishte për këtë punë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në qytetin e lindjes. Qysh si nxënës shkolle të mesme, sipas shëmbëlltyrës së satirikëve të njohur të kohës, shkruante artikuj të përshkuar me humor. I botonte në gazetën “Trapeze” të shkollës. Me të mbaruar shkollën e mesme, më 1917 u punësua si reporter në gazetën „Kansas City Star“. Heminguei nuk ndoqi studime universitare dhe nuk kreu fakultet.

Kur u bë i moshës madhore, për shkak të problemeve me shikimin, nuk u pranua në shërbimin ushtarak. Edhe e ëma kishte pasur probleme me syrin e majtë. Prej muajit dhjetor 1917 deri në prill 1918, u punësua si shofer i automjetit të ambulancës pranë “Kryqit të Kuq”.

Në periudhën e hershme të krijimtarisë s vet shtjellonte dy tipa njerëzish: Në grupin e parë ishin luftëtarët e vlerave morale, të cilave edhe vetë u besonin, e që në realitet i respektonin vetëm dëshirat e veta emocionale. Grupi i dytë i përkisni njerëzit me karakter të ulët dhe me emocione primitive.

Gjatë Luftës së Parë Botërore u nis për në Itali. Në maj të viti 1918 iu bashkëngjit ekspeditave luftarake. Në qershor të po atij viti u plagos nga një granatë e palës austriake. Me këtë rast, një ushtar italian humb jetën, tjetrit i shkojnë këmbët, ndërsa Heminguei humb vetëdijen. Në janar të viti 1919 nga Evropa kthehet në vendlindje. Prindërit e sugjerojnë t’i regjistrojë studimet universitare. Fjalët e tyre Heminguei s’i merrte dot parasysh. Tani kohën e lirë e kalonte nëpër biblioteka dhe duke shkruar. Pas kësaj u shpërngul në Çikago. Nga vjeshta e vitit 1920 filloi të shkruajë për gazetën „Toronto Star Weekly“. Një ditë takoi Hedli Riçërdsonin (Hadley Richardson) dhe u dashurua në të. Në shtator të viti 1921 u martuan. Përparoi në punë, u bë korrespondent i „Toronto Star Weekly“  për Evropën.

Në dhjetor 1921, bashkë me gruan u vendos në Paris. Këtu u njoh me shkrimtarët dhe artistët e The Lost Generation. Në Paris u njoh edhe me të famshmin piktor Pablo Pikaso (Pablo Ruiz Picasso, 18811973). I suksesshëm në punën e gazetarisë, emri i tij bëri jehonë në botën e reporterëve gazetareskë si dhe në botën e shkrimtarëve. Duke qenë se gruan e kishte gravide, në vitin 1923 u kthyen në ShBA. Në tetor u lindi djali Xhon (John). Në janar të vitit 1924 u kthyen në Paris. Katër vjet pas lindjes së fëmijës, Heminguei u nda nga gruaja. Tani u njoh me Polinë Fajferin (Pauline Pfeiffer), reportere për revista femrash. U kurorëzuan. Në vitin 1927 u vendosën në Floridë. Po atë vit, babai i Hemingueit, si pasojë e problemeve mendore, bëri vetëvrasje. Një vit pas kësaj tragjedie familjare, d.m.th.  në vitin 1928 çiftit Heminguei i lind djalë. E pagëzojnë Patrik (Patrick).

Me të botuar romanin “Dhe dielli lind përsëri” mori mirënjohje letrare ndërkombëtare. Këtu pasqyron jetën e brezit të humbur pas Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1929 boti veprën “Lamtumirë armë”. Në vitin 1931 i lind edhe një djalë, Gregori (Gregory), i treti prej dy grave. Në vitin 1933 Heminguei vajti në Afrikë ku qëndroi tre muaj. Atje u mor me gjuetinë e egërsirave të mëdha. Në këtë periudhë dalin dy romane realiste të tij: “Vdekja pasdite” dhe „Kodrat e gjelbra të Afrikës“.

Në fillim të vitit 1937 shpërthen në Spanjë lufta civile. Heminguei niset për në Spanjë për të raportuar për „North American Newspaper Alliance“. Këtu u njoh me shkrimtaren e re Marta Gelorn (Martha Gellhorn) me të cilën hyri në dashuri. Kjo lidhje katër vjet u mbajt në fshehtësi. U nda nga Polina për t’u kurorëzuar me Martën. Për çështje politike të caktuara,  me Polinën kishin dallime në pikëpamje. Ajo ishte në anën e regjimit fashist të Frankos, Heminguei ndërkaq, në anën e luajalistëve komunistë. Me Martën u shpërngul në Kubë. Në afërsi të Havanës bleu shtëpi të madhe. Në vitin 1940 botoi veprën “Për kë bie kambana”. Libri u prit mirë nga kritika dhe nga publiku. Kjo i solli autorit të ardhura financiare të konsiderueshme. Brenda gjashtë muajve u shitën pesëqind mijë kopje.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore vajti në Evropë për të shkruar raporte nga fushëbetejat. Shpejt pas ardhjes në Londër përjetoi fatkeqësi rrugore. Për ta marrë veten iu desh një kohë e gjatë. Gruaja e vet Marta e vizitoi në spital, me ç’rast nuk la pa e qortuar për ngasje mjeti në gjendje të dehur. Midis tyre pasoi ndarja.

Ndërkohë e bëri publike lidhjen e tij të re me Merin (Mary). E vazhdoi punën e gazetarit duke raportuar për luftën nga Parisi. Një kohë të caktuar ishte edhe në frontin kinez. Ushtroi punën e reporterit zyrtar të Armatës së parë të ushtrisë amerikane. Në mars të vitit 1946 u kthye në ShBA.

*   *   *

            Me jetën dhe veprën e tij ushtroi ndikim mbi shumë shkrimtarë. Shumë vepra të tij janë përfshirë në klasikët e letërsisë amerikane. Disa prej tyre janë përshtatur edh për filma. Përvojat jetësore ishin burim frymëzimi për t’i shkruar veprat e veta. Bëri një jetë të stuhishme të përcjellë me aventura të ndryshme. Disa herë ka qenë në rrezik për jetën.

Padrejtësinë politike dhe ekonomike e dënoi në veprat “Të kesh dhe të mos kesh” dhe „Kolona e pestë“. Në veprën „Për kë bie kambana“ flet për problemin e humbjes së lirisë.

Për romanin “Plaku dhe deti” mori çmimin amerikan për letërsi “Pulicer”. Më 28 tetor 1954 mori çmimin “Nobel”. Në ceremoninë e ndarjes së çmimit në Suedi nuk mori pjesë. Fjalimin që e shkroi Heminguei e lexoi ambasadori amerikan Xhon Kabot (John Cabot). Nuk mori pjesë në ceremoni ngase brenda një periudhe të shkurtër kishte përjetuar dy fatkeqësi ajrore, pas të cilave i duhej të këndellej. Në fatkeqësinë e parë, bashkë me Merin, fluturonte mbi qiellin e Afrikës. Për t’iu shmangur tufës së shpendëve, piloti u ra telave të telefonisë. Kaluan pa lëndime të rënda. Pas kësaj morën një aeroplan tjetër. E ndërruan dhe pilotin. Përsëri përjetuan fatkeqësi ngase mjeti fluturues mori flakë. Piloti dhe Meri shpëtuan pa u lënduar, ndërsa Heminguei pësoi frakturë në kafkë.

Në vitin 1960 Heminguei dhe Meri, nga Kuba u shpërngulën në Idaho. Artistin e madh nisën ta përlajnë mendime suiside (vetëvrasëse). Paranoja të ndryshme, të përcjella me depresion u bënë pjesë e pandarë e jetës së tij. Më 2 korrik 1961 vrau veten para hyrjes së shtëpisë së vet në Keçum (Ketchum), duke qëlluar me pushkë në kokë. Lajmi tragjik mori dheun.

KRIJIMTARIA LETRARE – Lufta dhe dëshpërimet e pasluftës janë tema të shpeshta të tregimeve të Heminguenit. Ai shkruan për pijen, për promiskuitetin, për dhunën, për vdekjen, për viktimat e panevojshme, dhe për luftën e pakuptimtë për mbijetesë. Në opusin letrar të tij vend qendror zënë tri tema: lufta, lufta me dema dhe gjuetia. Duke qenë edhe vetë një sportist dhe gjuetar i pasionuar, në shumë vepra trajton temën e peshkimit dhe të boksit, e sidomos luftën me dema.

Periudhës më të hershme të krijimtarisë së tij i përkasin veprat “Tre rrëfime dhe dhjetë poezi” dhe romani “Vërshime pranverore”. Mirënjohjet e para  i mori me novelat. I shkroi vazhdimisht deri në fund të jetës. Botoi disa përmbledhje me novela, duke krijuar në këtë zhanër realizime të jashtëzakonshme.

Është autor i disa romaneve: “Dhe dielli lind” (“Festa”). Në të trajtohet jeta e amerikanëve të rinj, “Lamtumirë armë”, me tema nga Lufta e Parë Botërore, “Të kesh dhe të mos kesh”, ku flitet për kontrabandistët e Floridës, “Për kë bie kambana”, ku flitet për luftën civile në Spanjë; romani me temë dashurie “Matanë lumit dhe në pyll”.

Pjesa më e madhe e veprave të tij janë përmbledhje tregimesh të shkurtra. Midis tyre duhet përmendur “Në kohën tonë”, “Njerëzit pa gra”, “Fituesi nuk fiton asgjë”.

Si adhurues i luftës me dema, shkruan veprën “Vdekja pasdite”, me temë dhe përsiatje nga një ngjarje e tmerrshme. Në të, në mënyrë zhurnaliste-eseistike shkruan për luftën me dema. Në “Rrafshnaltat e gjelbra të Afrikës” shkruan për gjuetinë e egërsirave të mëdha.

Heminguei i pasqyron përshtypjet e drejtpërdrejta dhe objektive. I paraqet aksionet dhe ndodhitë e fuqishme të cilat i përshkruan në hollësi. Gjendjet emocionale i thur në kuadër të paraqitjes së aksioneve dhe të ngjarjeve.

Heminguei ka një stil letrar karakteristik: fjali e shkurtër, shumë përsëritje dhe pasqyrimi objektiv i reaksioneve vetjake (mbresa nga ndodhitë që kishte parë apo për të cilat kishte dëgjuar). Stili letrar i Hemingueit u çmua lartë në qarqet letrare. Me fjalitë e gdhendura dhe të shkurtra të cilat mezi ndërlidhen ndër vete, me gjuhën kolokviale dhe me fjalët tejet të kursyera, Heminguei arrin efekte të veçanta. Në prozën e tij, tregimtari duket sikur qëndron jashtë ngjarjes dhe sikur nuk e komenton atë. Nuk kemi kurrfarë moralizimi, patetike apo sentimentalizmi. Për këtë arsye, stili i tillë u quajt “hard-boiled” (i zier mirë). Pra, fjali të shkurtra dhe të qarta.

Sot ia veshin meritat për prurjen në letërsi të motiveve të reja. Konsiderohet themelues i tregimit modern të shkurtër dhe mjeshtër i paarritshëm i formës së vogël.

Pas suksesit të madh që arriti me librat e vet, me ardhjen e gjeneratave të reja të luftës, Heminguein filluan ta çmojnë më pak. Shumë vërejtje iu bënë sidomos romaneve të tij. Mirëpo, kur u paraqit vepra e fundit e tij “Plaku dhe deti”, Heminguein përsëri e ngrenë lartë si një nga shkrimtarët amerikanë më të rëndësishëm. Novela e sipërthënë tërhoqi vëmendjen e botës.

“PLAKU DHE DETI” – Është historia e një peshkatari plak që del të peshkojë në det të hapur, diku në ujërat e Kubës, nga kalon rryma e Golfstrimit. Nëpër ato ujëra detare, Heminguei kishte lundruar shpesh me lundrën e tij “Pilar”.

Kishte disa javë që plaku Santiago nuk kishte zënë as edhe një peshk me grepin e tij, por nuk heq dorë. Një mëngjes ai mbërrin mjaft larg me barkë dhe zë një peshk shumë të madh, si kurrë më parë. Lufta midis plakut, që është në muzgun e forcave të veta dhe peshkut gjigant, zhvillohet mjaft e ashpër, ngase peshku reziston dhe e tërheq barkën pas vetes. Dy kundërshtarët janë të denjë për njëri-tjetrin, aq sa lufta mes tyre merr përmasa epike. Kalon tërë dita dhe e tërë nata, asnjëri nuk e mposht dot tjetrin. Në një moment, plaku ndien edhe admirim ndaj peshkut.

Në ditën e dytë nuk dihet se cili do ta mundë shokun. Peshku tërheq barkën, kurse plaku – barkën dhe peshkun. Mëngjesin e ditës së tretë, peshku nxjerr kurrizin mbi ujë dhe plaku i shumëfishon forcat që peshku i fortë të mos i shpëtojë. Plakut i bëhen duart gjak. Krahët sa nuk i shqiten nga trupi duke tërhequr. Më në fund peshku dorëzohet. I ngazëlluar, plaku e lidh për barke dhe merr rrugën e kthimit në breg. Ishte ky triumfi i tij.

Por fitorja e tij zgjat shumë pak. Tani peshkatarin e pret një betejë tjetër, edhe më e mundimshme, ajo me peshkaqenët, me armiqtë e tij të përjetshëm, që i tërheq gjaku i peshkut të vrarë. Janë një lukuni. Plaku e ndjen se nuk do të mundë ta mbrojë trofeun e vet, peshkun e madh. Lufton me këta sulmues të detit gjatë tërë natës, derisa i shteren forcat. Mezi ia del të kthehet i gjallë në breg ku e pritnin me padurim. Këta shohin të lidhur në barkë, jo peshkun e madh e të bukur, por një skelet të stërgjatë, si të ishte skeleti i një bishe detare parahistorike. Ndjejnë mëshirë për plakun, por tregojnë dhe respekt.

*   *   *

Santiago është një ideal i paarritshëm. Ai është fill i vetëm. Në vetminë e tij qëndron forca e veprës. Ai s’ka askënd për ta ndihmuar, pos vetes dhe përvojës jetësore. Ç’do të ndodhte me plakun po të kthehej në breg duarthatë? Mbase do të thoshin: “Ç’mund të presësh prej një plaku të lënë force?” Pikërisht këtë, Santiago nuk e pranon. Ai është gjallë dhe si i tillë, lufton. Nuk ka peshk që ta mundë peshkatarin. As peshkaqen. As armik që ta mposht njeriun e vendosur. Plaku vërtet kthehet me një skelet në vend të peshkut, por moralisht ai ndihet fitimtar. Pleqëria nuk nënkupton dorëzim, aq më tepër kapitullim moral. Skeleti që plaku solli në port, nuk jep imazhin e humbjes, por atë të qëndresës dhe të heroizmit.

Heminguei lartëson guximin e njeriut dhe dinjitetin e tij përballë dështimit dhe në prag të vdekjes. Historia e peshkatarit plak paraqet një simbolikë mjaft domethënëse. Plaku, në një anë dhe deti, në anën tjetër, janë dy miq armiq që nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Nga kjo simbolikë, peshkatari plak përfaqëson njeriun që lufton me forcat e verbëta të natyrës të cilat duan ta shkatërrojnë, por që nuk mund ta shpartallojnë.

Filozofia e Hemingueit ka në thelb, jo optimizmin, por dinjitetin njerëzor. Optimizmi i njeriut është mbytur diku në thellësitë e detit, bashkë me peshkun e vrarë. Në sipërfaqe mbetet një sasi dinjiteti, aq sa bën të mundur për të vazhduar jetën, betejën të nesërmen dhe përgjithmonë.

*   *   *

 Vëmendjen e qarqeve letrare Heminguei e tërhoqi për herë të parë kur si anëtar i ekspatriotëve amerikanë në Paris, iu bashkëngjit rrethit Los Generation.

LOST GENERATION (brezi i humbur) është një nocion me të cilin kuptohet grupi i shkrimtarëve amerikanë të cilët pas Luftës së Parë Botërore, përkatësisht në vitet ’20 të shekullit të kaluar vajtën në Evropë. U tubuan kryesisht në Paris i cili atëherë u shndërrua në një vendtubim të madh të shkrimtarëve huaj, për idetë e të tyre liberale dhe të hapura. Qerthullit të “brezit të humbur” i takonin poetja dhe prozatorja amerikane Gertruda Stajn (Gertrude Stein, 1874-1946); Erenest Heminguei; poeti dhe kritiku anglez me prejardhje amerikane Tomas Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965, një nga më të njohurit poetë evropianë të shekullit XX, laureat i çmimit” Nobel”, 1948); shkrimtari, poeti dhe kritiku amerikan Ezra Paund (Ezra Loomis Pound, 1885-1972, një nga poetët më të mëdhenj të gjysmës së parë të shekullit XX dhe një nga themeluesit e lëvizjes poetike të imazhizmit); shkrimtari amerikan Dos Pasos (John Roderigo Dos Passos, 1896-1970); shkrimtari amerikan Fransis Skot Fixhërald (Francis Scott Fitzgerald, 1896-1940); shkrimtarja amerikane Silvia Biç (Sylvia Beach, 1887-1962); shkrimtari amerikan Maks Istmen (Max Eastman, 1883-1969) etj.

Nocionin “brezi i humbur”, e para që e përdori ishte Gertruda Stajn. Ajo mbante një sallon në të cilën tuboheshin krijuesit letrarë për të debatuar për krijimet letrare të tyre. Në një takim të tillë, ajo tha: “Të gjithë ju jeni një brez i humbur”. Fjalia u bë e njohur për arsye se Heminguei e përmendi në hyrje të romanit të vet “Dhe dielli lind përsëri”.

Për thelbin e brezit të humbur më së shumti flasin disa prej romaneve më reprezentative, si “Gecbi i madh” (The Great Gatsby) i Fixherëldit si dhe romanet e Hemingueit “Për kë bie kambana” apo “Dhe dielli lind përsëri.

Me veprat e veta, shkrimtarët e brezit të humbur i vunë bazat e një forme krejt të re   modernizmit, duke ndikuar kësisoj te shumë shkrimtarë të mëvonshëm.

Një prej lokaleve ku takoheshin herë pas herë shkrimtarët e brezit të humbur ishte edhe restoranti La Closerie des Lilas. Nëpër ato sallone me të madhe pihej alkooli dhe duhani.   Shpesh ka pasur edhe afera dashurie. Prej këtyre krijuesve do të lindë njëra nga periudhat më të frytshme të letërsisë amerikane. Lindën edhe disa nga veprat më të mira të kësaj letërsie.

Personazhet e këtyre veprave e shohin botë ashtu si vetë autorët, të cilët guximshëm iu kundërvunë materializmit dhe absurditetit të botës moderne. Kjo ishte një kohë e ndryshimeve të mëdha dhe e zbulimeve shkencore, e industrializimit, e krizave të pasluftës, e paqëndrueshmërisë dhe e pasigurisë. Shkrimtarët u përqendruan te njeriu i thjeshtë, i humbur dhe te qëndrimi i tij ndaj botës në të cilën ndodhet, duke dhënë ndonjëherë edhe përgjigje për çështjet ekzistenciale. Shpeshherë, heroi kryesor është figurë tragjike i cili nuk mund t’i kundërvihet fatit. Ai vdes me shpirtin fisnik, si një i drejtë në botën e padrejtë, siç ndodh në romanin “Për kë bie kambana” të Hemingueit.

Shënim: Duhet shtuar se Ezra Paund ishte mbështetës i fashizmit italian, ndaj pas përfundimit të luftës, në ShBA u ballafaqua me proces gjyqësor. Për të mos e dërguar në burg, e vendosën në një spital me arsyetimin se paskësh qenë me probleme shëndetësore apo mendore.

*   *   *

Veprat: „Tre rrëfime dhe dhjetë poezi“ (Three Stories and Ten Poems, 1923) „Vërshime pranverore“ (The Torrents of Spring, 1925) „Në kohën tonë“ (In Our Time, 1925) „Dhe dielli lind përsëri“ (The Sun Also Rises, 1926) „Meshkujt pa gra“ (Men Without Women, 1927) „Lamtumirë armë“ (A Farewell to Arms, 1929) „Vdekje pasdite“ (Death in the Afternoon, 1932) „Borërat e Kilimanxharos“ (The Snows of Kilimanjaro, 1932) „Fitimtari nuk fiton asgjë“ (Winner Takes Nothing, 1933) „Kodrat e gjelbra të Afrikës“ (Green Hills of Africa, 1935) „Kolona e pestë“ (The Fifth Column, 1938) „Dyzet e nëntë novelat e para“ (The First Forty-Nine Stories, 1938) „Për kë bie kambana“ (For Whom the Bell Tolls, 1940) „Matanë lumit në pyll“ (Across the River and Into the Trees, 1950) „Plaku dhe deti“ (The Old Man and the Sea, 1952) „Solemniteti i lëvizshëm“ (A Moveable Feast, 1964) „Ishuj në rrymë“ (Islands in the Stream, 1970) „Kopshti i parajsës“ (The Garden of Eden, 1987) „E vërteta në ag“ (True at First Light,1999). Shumë vepra të tij kanë mbetur në dorëshkrime.