Nga Kristo Zharkalliu, i cili jeton prej 60 vjetësh në Greqi.
Një nga shfaqjet më tipike të marrëzisë televizionesh ishte një emision të një stacionit shqiptar ku ishin ftuar, sipas meje, dy njerëz të njohur për fanatizmin e tyre. Panajot Barka (greku) dhe Spartak Ngjela (shqiptari)! Për Spartakun nuk do të bëjmë shumë fjalë: është i njohur “avokati” shqiptar-biri i Kiço Ngjelës dhe ish i burgosur i …komunizmit të tij. Se si u bë jurist është tjetër punë dhe nuk na takon. Njohim ama se Spartaku njeh gjithçka-për politikën, për drejtësinë, se si mendojnë amerikanët (këtë e ka qarë ai!) se si do të bëhet “Shqipëria e madhe” dhe si do të shkatërrohet korrupsioni në Shqipëri. Të mos harrojmë edhe mllefin e tij anti grek, antiserb, anti rus dhe patjetër anti turk (për turqit e së kaluarës…) Panelin e plotësonte “historiania (e panjohur) dhe studjuesja (po kaq e panjohur) Elena Kaci (?)
Por edhe Panajot Barka nuk na është i panjohur. Thonë se është professor. Thonë se është studjues. Thonë se është etnolog, e ç’nuk thonë. Megjithatë, e theksojmë, se diplomat i ka marrë në kohën e Enverit! Sigurisht nuk do t’ja vlente të mirresha me të-jam marrë në kohën kur ai bënte britma histerike “vorioepirote” kur shteti shqiptar ishte pothuajse i shthurrur.
Por në grindjen me Spartakun, Panajoti provokoi duke bërë këtë pyetje që asnjë fëmijë nuk do të guxonte ta bënte: “E dini juve se sa shqiptarë ka vrarë Kollokotronis?” Me këtë pyetje ai na lë të kuptojmë se heroi i shquar grek luftonte dhe vriste vazhdimisht shqiptarë të panumërt…dhe Panajotit nuk i mjafton kjo por ankohet se “rrezikohet” në një gazetë greke që drejtohet nga një antishqiptar i egër…i cili do të donte t’i vriste të gjithë shqiptarët (po të mundte sigurisht!!) E çuditshme!
Sa e njeh historinë e Kollokotronit ky… ”patriot” fanatik? Kur dhe si ka vrarë shqiptarë heroi i madh grek? Sa për ilustrim i themi se ai kishte pasur vëllamë “shqiptarin mysliman” Ali Farmaqin dhe vetë e ka pohuar se kur turqit e ndiqnin këmba këmbës dhe rrezikohej të vritej ose të kapej ai gjeti strehim në shtëpinë e Ali Farmaqit dhe kur turqit rrethuan sarajet e beut shqiptar dhe i kërkuan t’u dorëzonte luftëtarin grek, Aliu u përgjegj: “Vetëm kur të mos mbetet gurë mbi gurë të shtëpisë sime, mund të kapni ju vëllamën tim Kollokotronin! Po të guxoni më sulmoni..” dhe turqit nuk guxuan se Farmaqi kishte “ushtrinë” e tij që përbëhej nga shqiptarë trima dhe besnikë…
E njeh këtë zoti Barka që thotë marrëzira të tilla që krijojnë armiqësi në mes të dy popujve fqinjë? Apo nuk e di se Kollokotronis mbante nën jastëk gjatë gjithë jetës së tij Historinë e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut? Ka shumë gjëra që përgenjeshtrojnë Barkën për armiqësine e heroit me shqiptarët. Mjafton të themi se edhe kur u burgos në Nafplio ishte bashkë me “gjeneralin” arvanitas Pllaputos… Ka dhe shumë të tjera por nuk është vendi këtu t’i përmendim…
Grindja duket se u nis për çështjen e arvanitasve nga një studjuese shqiptare njëfarë Elena Kaci e cila nuk ishte më e mirë nga Barka. (Spartakun e lëmë mënjanë se ai bërtiste vetëm se e kishte prekur në sedër duke i thënë se kishte prejardhje greke…Dhe pastaj? Është e keqe kjo? Si e kupton Spartaku për ofendim?). Çështjen e arvanitasve e kam prekur jo njëherë, madje kur u thua të vërtetën si grekëve ashtu dhe shqiptarëve fanatikë të akuzojnë për “të shitur”.
Është fakt i padiskutueshëm se një nga faktorët vendimtarë të revolucionit grek qenë arvanitasit ashtu si kanë qënë dhe shumë bejlerë dhe pashallarë shqiptarë në shërbim të otomanëve që luftuan kundër kryengritrësve të krishterë-si grekë ashtu dhe arvanitas. Sigurisht ata që quhen arvanitas nuk ishin gjë tjetër veçse shqiptarë të krishterë që ishin ngulitur prej shekujsh në trevat greke-pothuajse kudo në territorin e sotëm grek.
Të mohosh këtë të vërtetë është marrëzi zoti Panajotis ashtu si është marrëzi ajo që thotë zonja Eleni se revolucionin grek e bënë vetëm arvanitasit, shi shqiptarët. Ajo kryengritje nuk ishte vetëm fetare -si duan ta paraqesin disa- por edhe klasore, Grekët dhe arvanitasit e varfër u ngritën kundër turqëve dhe bejlerëve e pashallarëve që -shumë prej tyre- ishin shqiptarë.Në krye të tyre u gjendën figura të tilla si Kollokotronis,Bubulina, Marko Boçari (suljotët) e shumë të tjerë. Që të bësh sherr se kush luftoi kundër turqëve para afro 200 vjet është marrëzi dhe kurrsesi histori. Madje historia i ka studjuar dhe shkruar dhe këtu kemi pasur shumë historian objektive si grekë ashtu dhe shqiptarë dhe nuk ka lezet t’u referohemi vetëm të huajve (fjalka vjen Falmerajerit)si bëjnë disa pseudopatriotë shovinistë.
Për arvanitasit kam shkruar disa here, madje më kanë sulmuar shumë komentatorë fanatikë analfabetë shqiptarë. Prandaj habitem pse ankohet zoti Barka se gjoja kërcënohet (po të ishin kohra të tjera do të besoja se kërkonte favoritete të veçanta nga Greqia,por ma merr mëndja se ato çka ka mundur Greqia ja ka dhënë! Si i kanë marrë shumë të tjera madje me…pohime të rreme!) Unë jetoj afro gjashtëdhjetë vjet në Greqi dhe, megjithse ngahera kam thënë të vërtetën-disa here jo dhe kaq i butë për grekët-asnjëherë nuk e kam ndierë as jam ankuar se kercënohesha. Edhe kur dikush më ka “share” kanë qënë intelektualët grekë që më kanë mbrojtur.
Është pra e habitshme se si mund të bëhet një bashkëbisedim i tillë në ekranin e televizionit dhe të thuhen kaq marrëzira të pavërteta, madje nga dikush që thotë se është profesor-studjues. Kujt i shërbejnë biseda të tilla madje dhe britma barbare si ajo “thyej qafën”? Acarohen ndërmjet tyre fanatikët që të bëjë bujë stacioni televeiziv!!! Zoti Barka na thotë se duhet të përpiqemi të miqësojmë të dy popujt,të mirëkuptojnë njeri tjetrin si fqinjë që janë dhe unë e pyes: ndihmojnë drejt miqësisë vllazërore britma të tilla kërcënuese (sa shqiptarë paska vrarë Kollokotronis dhe…mund të vrasë dhe sot?) apo të thënat e tij për arvanitasit që askush nuk i ka thënë deri sot?
Britma të tilla mund t’i dëgjojmë nga hrisavjitët (të agimit të artë) dhe nga fashistë të tjerë dhe kurrsesi nga demokratët grekë që duan menjimënd bashkëjetesën vllazërore të të dy popujve që kanë jetuar në shekuj pranë e pranë pa pasur kurrë luftë ndërmjet tyre por që kanë pasur ngahera të njëjtin fat nga pushtues e agresorë të huaj- që nga romakët deri tek turqit e më vonë nazifashistët. Thua të mos i dijë këto …profesori ynë? Në se i di dhe e bën me qëllim është menjimënd për të ardhur keq…
Për të ashtuquajturën “çështje arvanitase”,e përsëris, kemi shkruar kaq shumë, kanë shkruar vetë grekët kaq shumë gjatë shekullit të kaluar dhe nuk ja vlen të mirremi me sqarime me njerëz të tillë: injorantin Panajot Barka, fanatiken e ashtuquajtur historianen , Elena Kaciqi dhe patjetërnuk ja vlen të bëjmë shpjegime me arrogantin mëndjemadh Spartak Ngjela. “Avukati” mirë e ka gjetur dhe shkruan në të gjitha gazetat marrnitë e tij, ç’i duhet televizioni dhe… studimet etnografike?