ERDHA TE JU – poezi nga ZYMER MEHANI

0
1109

ZYMER MEHANI

ERDHA TE JU

Kur ngela i vetmuar
Drejt jush pata rrugëtuar
Erdha aty, në mesin tuaj
Ju çasa juve, Vëllezër Frashëri
Ç’më kaploi gëzimi e gazi
U përula para jush
Para madhështisë suaj
E ju njëzërit më thatë:
-Shqipërinë na e ruaj!
Afër Konstandin Kristoforidhit
U afrova
Ia putha atë dorë
E ngadalë i fola
U përula para madhështisë së tij
E ai me të lartin zë më tha:
-Ma ruani gjuhën shqipe, vëlla!
E kur shkova te poeti Migjen
U mundova një refren t’ia them
Por fjala m’u ngatërrua
si peshku në karrem
E putha në ballë
Fjala m’u lidh në lak
E zemra më digjej flakë
Dhe seç m’u mbyll goja
Ngashërimi në vaj
Ma këputi shpirtin
E s’fola dot pastaj
Nga dhimbja për poetin
U shkreha në vaj
Me zë të mekur më tha:
-Ma ruaj Lulin e Vocër
I shtrenjti im vëlla!
Dhe dhimbshëm më pyeti:
-Lula të tjerë, a ka?!
Ika, renda larg
Në Shkodër prapë u ktheva
Fola me Gurakuqin
E me Filip Shirokën
I putha që të dy
E sytë ç’m’u përlotën
Përnjëherësh më pyetën:
-Vëlla, si e kemi Kosovën?-
Mbeta pa fuqi
E s’shihja me sy
Me zemrën të ndarë
Ika duke qarë
Vajta n’Elbasan
Shkova ka një anë
Aleksandër Xhuvani
Me krye ma bëri:
-Eja vëlla këtu,
Duajëm si të du’!
E më qortoi rreptë
Besa m’u kërcënu’:
-Pse s’po e ruani gjuhën
Ti e vëllezërit e tu?!
-Një helm i thellë
Na ka prishë gjakun,-
I thashë qe besa
Hiq pa doreza.
Më nuk më foli
U mërrol pak:
-Ruane gjuhën,
Mendoni pak!
E zemra ime krej u përflak
N’Shesh t’Pavarësisë
Aty në Vlorë
E takoj Plakun Mjekërdëborë
Ia putha atë dorë
Që pat ngritë Flamurin
Dalë e ngadalë
Ma ndali turrin
Më qortoi rëndë:
-Ku e latë Flamurin,
Pse s’po përmëndë
Pse Skënderbeut
Ia hoqët atë Flamur?!-
E unë u stepa,
I thashë –s’di, o burrë!
Ai me të drejtë
Ma tha një fjalë:
-Ruane Flamurin
Si sytë në ballë…
Hiqne atë larë…
S’je kosovar
Por je shqiptar!….
Unë u mallëngjeva
Në të dy gjunjtë rash:
-Të dua, atdhe!,-
Shqipnisë i thashë
U ktheva i dëshpëruar
Me zemër të flakëruar.


MË TREGO, ATDHE…

– Atdhe, trazimin tim a do të ma kuptosh?
Ne, a nuk jemi sot shpella të zbrazëta?
Po edhe ky shekull mos është njerka jote?
Vallë mos dhe kësaj here po i bëjmë “komplot” kësaj bote?
– Atdhe, a nuk e paguam me gjak këtë liri?
A mos u lindëm herët a ndoshta jemi vonuar?
Oh, mos ma dëgjo zërin tim se jam i dëshpëruar!
– Më trego, atdhe pse s’je i bashkuar?!….
Pse, atdhe dhe sot më je me sy të trishtuar?
– Edhe unë besova
Edhe unë lëngova
Por kurrë s’u dëshpërova
Nëpër flakë vrapova
Gjatë shekujsh t’neveritur
Por n’liri besova
U ktheva i kalitur.
Unë e di çfarë është pikëllimi dhe plaga
Unë e di çfarë është padrejtësia dhe ndarja
Por s’e di Evropa ç’është turpi a marrja!
Humbur e kam hapin n’rresht t’pafund t’marshimit
Se m’pat shkelur gjatë këmba e romanit, e latinit
Mandej edhe e turkut dhe e këtij katilit
Që u zhdorgj nga Karpatet n’truall t’Ilirikut
E prej rreshtit kam dalë ta kuptoj drejtimin.
Shekujt brutalisht janë lëshuar mbi mua
Në ballin tim kanë gdhendur, kanë pështyrë e damkuar
Por gjithmonë pata yje në qiellin tim të trazuar
Mirëpo besimi të mos nxitohet
Sepse Ribashkimi do të realizohet!