ENI TË VAJTOJMË SHQIPËRINË – HAVZI NELA

0
135
Havzi Nela

ENI TË VAJTOJMË SHQIPËRINË – HAVZI NELA

( fragment )

Eni ju o motra, eni ju o gra
Eni ju o vasha, qe dini me qa
Eni ju reçjanka, vajtimtare n’za
Eni t’marrim vajin, sot hije na ka
Eni gjithë s’bashku, le t’a shpallim zinë
Me gjamë e me kuje t’a vajtojme Shqipninë
Le t’a qajmë me lot, ta qajmë pa pushu
Me afshin e zemrës, të rrëzojmë gur e dru
Le t’a qajmë këtë nanë, le t’a qajmë këtë bijë
Le t’a qajmë këtë nuse pa foshnje në gji
Le t’ia heqim vellon, stolisjet e kota
Le t’ia zbulojme shtatin, t’a shohë e gjithë bota

Nda e përçundue, larg prej shoqesh tjera
Shikoni si dergjet, si lëngon e mjera
Mundohet qyqarja, rron me shpirt ndër dhambë
Banditët e vendit e kan vu nën kambë
E mposhtën, e shtruen, me hekur e zjarr
Neronet e kohës ia banë jetën varr
E veshën me gjemba, me tela e ferra
E kyçen nga brenda, s’e lanë as te dera
N’derë, as në dritare, s’e lanë me pa fare
Ia kanë qepë sytë, për faqe të zezë

Lidhun me zinxhirë, shkoqun krahë e fletë
Në ditën plot diell, në lumë e terr ka mbetë
E thithen shushunjëzat, i ligu, mizori
E thanë, e çnderuan, epshori e horri

A e dini shqiptarë, ç’ngreminë kemi ra
Hangrëm njeni-tjetrin, u mbytëm vëlla me vëlla
Hangrëm njeni-tjetrin me kurthe e t’pabesë
Me thasë e intriga shamata rri ndezë

O Zot, çka po heqim, çfarë na shohin sytë
S’na gëzohet mbramja, as kur zbardhën dritë
S’na tremb burgu, plumbi e as litari
Kur na shkel me kambë, na zhagmit zuzari
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë
Ngrehuni shqiptarë sot të gjithë në kambë
Nuk rrohet me zor, nuk lihet kjo nanë
A lulëzon dheu pa diell e hanë?
Jo, jo, nuk durohen sarhoshet e marrë
Banditët e vendit t’i shporrim sa me parë
Selinë e përgjakun, ta bëjmë rrafsh me tokën
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë

A jeton shqiponja e shembun përtokë
Thye krahë e pende, lidhun kamb e kokë?
A jeton kjo zonjë në llum e batak
Në lëngim e vaj, e mbytun në gjak?

Ku e keni trimninë, krenarinë e parë?
A jemi sot të denjë të quhemi shqiptarë?
A do ta lemë veten, Shqipninë në kafaz
Në det plot stuhi me dallgë me u përplasë?

Shikoni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh
Shihni popujt e tjerë me ç’gjuhë mirren vesh
Kanë shpallur miqësinë, vini vesh k’saj fjale
Po kapen dorë për dorë, po hyjnë në një valle
Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra
Asht vallja hirplotë, që i shëron plagët e vjetra

( Burrel, shkurt 1977 )

Shënim: Havzi Nela u vra politikisht, për vargjet e tij poetike dhe kundërshtinë, që ai i bëri sistemit komunist në Shqipëri.