ËNDRRAT PËR MBARË NJERËZIMIN

0
838
Vjollca Tiku Pasku

Vjollca Tiku Pasku

Refleksion

Edhe pak ditë vagoni i kohës do të fillojë të transportojë Vitin e Ri 2017. Pëlhurat e projektimeve të reja enden në disa mendje për të shtuar sado pak dritë në botë. Të tjerë përpiqen ta ruajnë dritën e fituar, të tjerë të etur për errësirë, enden si hijet e tokës, për të shuar me rrufe terrorizmash qirinjtë e jetës… Nga fryma e dritës qiellore, ku merr jetë toka, ndjej që tani embrionet e padukshëm të filizave të mendimit që i japin jetë botës, por ndjej edhe embrionet e kalbur në rrënjë të mendimit regresiv. Ata janë të shndërruar në ngjyrën e verdhë të tharjes, sepse i ka helmuar krimbi i kauzave të çmendura. Oh, sa dhimbje!… Në vigjilje të dritës së Krishtlindjeve, dita në Berlin lindi me dymbëdhjetë jetë më pak dhe u ndezi nga një qiri në mungesën e frymës së tyre.

Të lënduarit e tjerë, në netët me plagë, do të ëndërrojnë përsëri për ditët në ardhmëri…. Shpirtrat njerëzorë u ndjenë si retë e ngarkuara, që shkarkohen duke mbushur ajrin me lagështi lotësh. Megjithatë, rëniet e një momenti zëvendësohen me këngët e zogjve të rinj. Dashuria lind në shpirt si një Perëndi e vogël, sepse kjo botë ekziston në saj të saj… Ditë të tjera lindën dhe marketi i Krishtlindjes ushton në Berlin nga zhurmat e zërave dhe vargjeve njerëzor, që ecin si flakëza të vogla, të kuqe dhe në fitilat e shpirtrave të tyre, derdhet ajo verë e kuqe, ku është përsëritur njëjtë edhe shekuj më parë. Eci në këtë mbrëmje me drita të zjarrta drejt qendrës së Braunschweigut . Çdo dritë e ndezur është një ëndërr shpirti. Sa do të dëshiroja të bëhej flashi pozitiv i realitetit, pavarësisht vështirësisë së realizimit.

Në këtë Vit të Ri do të dëshiroja gjithë lulet e trishtuara, që çelin orëve të ecjes së ditëve, të shikojnë nga kahja e diellit të optimizmit. Gjatë kokëdhimbjeve dhe psherëtimave të shpirtit të vrarë, ekziston gjithmonë zëri i burimit të pashtershëm të shpresës. Nëse ka një kambanë që thërret për mort, ka përsëri dy tinguj të rinj të lindjes së jetës. Nëse sot ka ngrica në zemra, nesër ato do të zëvendësohen me aroma zambakësh e trëndafilash. Nëse dikush provon të ngjitë një rrugë të vështirë, ka gjetur në të vërtetë psalmin e jetës, e nëse ndodh të rrëzohet, do të krijojë një bagazh përvoje dhe mes dhimbjes së rënkuar, jehona e suksesit do ta tërheqë në vazhdimësinë e udhës…Nëse banojmë në zjarrin e vuajtjes, çelësi i durimit është të shikojmë pak më poshtë, se ka edhe shumë më keq…

Edhe drita pengohet në errësirë, por lind përsëri, edhe yjet kanë netë të humbura, pa shkëlqim, në mbulesën e zezë qiellore, por në netët e tjera, shkëlqejnë nga pasqyrat reflektuese deri afër mëngjesit… Nëse gjithmonë na brejnë pyetje pa përgjigje, pas tyre fshihet një urtësi e virgjër, e cila në fluturimin e ditëve do të japë një përgjigje që bie nga lart, si flutur e një agimi të ngarkuar me vesën e puthur nga engjëjt. Vazhdoj të eci në rrugët e qytetit, i cili është bërë i dashur për mua dhe muzika yjore me dritë të bardhë më ndjek mes gjithë galaktikës yjore që vezullon në pafundësinë qiellore. Urimin tim e shpërndaj me fjalët e erës: Qofshin të bekuara ëndrrat e 2017-tës për mbarë njerëzimin!

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar