Ende nuk e keni kuptuar se esadizmi është fenomen kombëtar në Shqipëri?

0
286
Spartak Ngjela

Spartak Ngjela

Tani, opinioni publik shqiptar duket se nuk është më mosbesues kundrejt reformës antikorrupsion në Shqipëri. Por, edhe pse e beson këtë reformë, nuk e mendon dot ndryshimin e gjendjes së shoqërisë shqiptare.

Ai duket se është mosbesues kundrejt asaj që pritet të vijë në Shqipëri, edhe pas likuidimit të krerëve të korrupsionit.

Dhe, ja, këto janë pyetjet që drejtojnë mosbesuesit për këtë rast:
Nëse do bëhet pastrimi anti – korrupsion në qarqet e larta të shtetit shqiptar, çfarë do të fitojë shoqëria?
A nuk do të jenë të korruptueshëm edhe ata që do të vijnë në drejtim të shtetit shqiptar pas reformës?

Ende nuk e keni kuptuar që ne shqiptarët e shesim shtetin dhe fatin e shoqërisë, po të jemi në drejtim të saj?
Nuk e dini se të gjithë kryeministrat shqiptarë kanë shitur interesin kombëtar?
Ende nuk e keni kuptuar se esadizmi është fenomen kombëtar në Shqipëri?
Ku do të gjenden engjëjt që do të na drejtojnë?
Edhe pse mund të largohen të korrupruarit, a mendohet se mund të vijë zhvillimi shqiptar?

Në fakt, brenda këtyre pyetjeje që ngrihen përditë, qëndron skepticizmi shqiptar. Madje, ky ka mbetur ende si skepticizëm shqiptar edhe në këtë kohë reforme.

Skepticizmi është natyrë njerëzore, dhe nuk kemi si ta ndalojmë. Ne shqiptarët e kemi më të theksuar skepticizmin tonë, sepse zhgënjimet i kemi pasur në një vijë historike 500 vjeçare. Asnjë ditë në këtë periudhë të gjatë historike, historia nuk ka qenë në anë të shqiptarëve, por me pushtuesit e territoreve të gjera shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo është arsyeja që Shqipëria shkoi në zgrip të eliminimit të saj me Esat Toptanin.

Por, tre janë faktorët e shpëtimit të Shqipërisë gjatë rrezikut të parë 1919-1920: Avni Rustemi, Lufta e Vlorës dhe presidenti amerikan Willson në Konferencën e Parisit.
Kjo tani është një e vërtetë historike.

Por, në vitin 1999, historia ndryshoi plotësisht në favor të shqiptarëve, sepse sërish doli një president amerikan, Bill Klinton, që shpëtoi Shqipërinë, çliroi Kosovën dhe shpëtoi Shqipërinë nga rreziku i dytë.

Këtë tani e dinë të gjithë; madje e di shumë mirë edhe Beogradi, edhe Athina, edhe Moska; Treshja e Madhe politike që ka ndërmarrë antihistoricizmin shqiptar, minimumi në tre shekuj.

Po skepticizmi shqiptar, e ka kapur këtë? Jo. Ende nuk e ka kapur, prandaj ai ka ngritur edhe pyetjet e mësipërme.
Por, edhe ne që nuk jemi skeptikë kemi të drejtë të ngremë pyetjet tona, që ndihmojnë në eliminimin e këtij skepticizmi shoqëror:
Po pse, pavarësia e Kosovës me mbrojtje të NATO-s dhe, aktualisht, në mbrojtje të politikës amerikane dhe asaj gjermane, a nuk është e mjaftë për largimin e skepticizmit shekullor shqiptar?

A nuk po tregon kjo që historia po kthen në anë të shqiptarëve, tani, pas 500 vjetësh?
Nuk mund ta mendojmë vërtetësisht se, pas likuidimit të korrupsionit të lartë shtetëror, do të vendoset forca e ligjit në Shqipëri?
Pse, politikat e mëdha që po kryejnë me forcë reformën antikorrupsion në Shqipëri, nuk do të vijojnë në një sistem reformues për vendosjen e drejtësisë në Shqipëri?
Pse, a mund të ketë korrupsion shtetëror me pushtet gjyqësor të drejtë, të pavarur dhe të kontrolluar nga ligji?

E pra, është e kuptueshme që, me gjithë këtë, ende nuk është i mjaftueshëm arsyetimi për shmangien e skepticizmit, sepse skepticizmi vjen nga një besim shtazarak. Domethënë, ai është kthyer në zakon. Prandaj, skepticizmi shqiprar tani është ende një zakon.

Ja, kjo është arsyeja që ai ekziston, sepse në shoqërinë shqiptare mosbesimi për zhvillimin kombëtar shqiptar dhe vendosjen e drejtësisë është kthyer në zakon.

Por, si mund ta largojnë shqiptarët nga vetja këtë zakon mosbesues që kanë për zhvillimin e tyre?
Filozofia psikologjike na ka thënë që ky lloj skepticizmi largohet vetëm me konkreten, që duhet të vijë në çdo aspekt të pritshëm dhe në një vijim të gjatë kohor.
Atëherë, të gjitha pyetjet e skepticizmit të sotëm shqiprar kanë këtë përgjigje, e cila nuk mund të kapërcehet:

Reformën antikorripsion në Tiranë nuk po e drejtojnë shqiptarët, por politika amerikane, me ekspertët e saj; dhe politika gjermane ne ekspertët e saj.
E pra, ky është fakti që, reforma antikorrupsion shumë shpejt do të sjellë konkreten, domethënë likuidimin e korrupsionit të lartë shtetëror dhe vendosjen e forcës së ligjit në Shqipëri. Konkretizimi e saj do të vijë me anë të proceseve gjyqësore që do të hapë SPAK.

E pra, proceset gjyqësore janë faza e parë, kurse implementimi i administratës se re në drejtimin e Shqipërinë, është faza e dytë dhe ajo më Kryesorja për vendosjen e moralitetit në drejtimin e shtetit shqiptar.

Tani kjo po pritet. Kur të fillojë realisht ky proces, dhe do të vijojë rregullisht në kohë, sigurisht që do të fillojë ta largojë edhe skepticizmin që ka shoqëria shqiptare, në lidhje me zhvillimin shoqëror dhe ekzistencëne një shteti shqiptar me moralitet të lartë.