EMOCIONE TË BUKURA DHE MBRESA TË PAHARRUARA…

0
802
Murat Gecaj, Preshevë

Në Preshevë, afër 6 vjet më parë:

Nga: Prof. Murat Gecaj (*), publicist e studiues

1.
Ishte pasdite e majit 2011, kur ne po udhëtonim nga Shkupi dhe po i afroheshim kufirit me Republikën e Serbisë. Siç është bërë e natyrshme, kur hyjmë në një shtet të huaj, se si ndjen njeriu një farë boshlleku, që po shkon në një tokë të pashkelur e të panjohur…
Por, në rastin tonë, të një grupi prej 11 vetash të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me drejtor Rezart Gashin e kryetar të Komisionit Qendror Dr. Ibrahim Gashin, puna ndryshonte disi.

Kjo sepse ne po u afroheshim tokave autoktone shqiptare të Luginës së Preshëvës (me Bujanocin, Preshevën e Medvegjën), pra ku do t’i gjenim e do t’i takonim vëllezërit tanë shqiptarë, të një gjaku e të një gjuhe. Kështu, mikrobuzi ynë komod, me shofer Bledin, pas kalimit të pikës kufitare pa probleme, po udhëtonte nëpër tokat shqiptare. Ndërsa ne përpiqeshim të fiksonim në kujtesë emra fshatrash, që parakalonin para syve tanë.

Ja, më në fund, arritëm në qendrën e Preshëvës, aty ku dalluam ndërtesat, e Shtëpisë e Kulturës dhe të një shkolle 8-vjeçare dhe të një shkolle të mesme…

Në Preshevë, familjen e R. Ramadanit

Aty gjetëm mikrpitësit tanë buzagazë, të degës së IIKSH në atë rajon, Xhemaledin Salihu e Alixhemal Salihu, drejtorët e shkollave Abdurrahman Zylfiu, Hafize Shaqiri e Talat Arifi. Pasi pimë kafe e u çlodhëm, dolëm të shihnim qytetin. Menjëherë, na ranë në sy qetësia e pastërtia, por dhe mbishkrimet kudo në gjuhën shqipe: në hotele, në lokale, në shkolla e shtëpi kulture etj. Sigurisht, kjo gjë na kënaqi e na mbushi me krenari të natyrshme kombëtare, për njerëzit atdhetarë të Preshëvës me rrethina. Na treguan edhe se në shkolla, shumica e mësuesve, janë shqiptarë, mësohet me tekste shqipe dhe flitet në gjuhën tona amtare etj.

Shkurt, na u duk se në Preshevë gjetëm një “Shqipëri të vogël”…

2.
Sigurisht, sidomos kur ndodhesh për herë të parë në një qytet jo të madh, mendja të shkon te njerëzit, që ke njohur dikur ose që je lidhur me ta. Pikërisht kështu ndodhi edhe me mua. Pra, u kërkova mikpritësve, pasi ua tregova adresën e Ramadan Ramadanit (Rruga “15 Nëntori”, Nr.53), që të më shoqësonte dikush, deri atje. Ata u treguan mjaft të gatshëm dhe me mua erdhi një shoqërues, nga grupi i kolegëve të Preshëvës e, për fat, benesa në katin e pare, të mikut tim, nuk ishte larg. Kur arritëm, ne dolëm prapa saj dhe vumë re se brenda kishte dritë, pra dikush ishte brenda.

Trokitëm në derë dhe menjëherë andej doli një grua, me buzëqeshje mirëdashëse. Shoqëruesi im i tha se unë isha nga Tirana dhe se doja t’i takoja djalin dhe burrin e saj. Sakaq, asaj i vezulluan sytë dhe tërë fytyra i shkëlqeu, duke thënë: “Ju, jeni Murati nga Tirana, ku ka qendruar Dritoni?” Natyrshëm, të dy përjetuam çaste emocionuese. “Tani po ua thërras me telefon, Ramadanin e Dritonin…”-foli si me vete ajo dhe na ftoi të futeshim brenda. Por ne e falënderuam për mikritjen dhe i thamë se koha nuk na premtonte.

Kur kaluan vetëm pak minuta, para nesh u duk Ramadani, një burrë pak zeshkan, me sy të ndritshëm dhe që i qeshte jo vetëm fytyra, por tërë qenja e tij. Menjëherë, aty mërriti edhe i biri, Dritoni, gjithashtu shumë miqësor dhe me shprehjen e fytyrës së gëzuar. Si t’i kishtë dëgjuar fjalët e të jatit, edhe ai mu drejtua: “Sa u gëzova, që po të takoj këtu në Preshevë, xhaxhi Murat…Ka kaluar ca kohë, por nuk ju kam harruar: ty, teta Katerinën as Deivisin e vogël…”. Ndërsa unë i thashë se ky, pra nipi im, tashmë është rritur dhe është bërë “burrë” e vazhdon klasën e 11-të të Gjimnazit “Ismail Qemali”,n ë Tiranë. Meqenëse ne na prisnin kolegët e grupit tone, për të marrë pjesë në një veprimtari, u ndamë me aq, për t’u takuar në mbrëmje dhe për t’u çmallur me njëri-tjetrin.

3.
Kur erdhi ora, që ne kishim lenë, u takova me Ramadanin e Dritonin, i shoqëruar nga bashkakrahinasi im i pandarë, nga Zogajt e Malësisë së Gjakovës (Tropoja), arsimtari e publicisti Ibrahim Hajdarmataj. Një një lokal të këndshëm, pimë freskuese e çdo gjë, që dëshiruam ne, miqtë nga Tirana. Në bisedën tonë zunë vend, sidomos, koha kur Dritoni ishte student në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Tiranës dhe ai banoi në shtëpinë tonë. Bile, me shqetësimin e prindit, në atë kohë, kishte ardhur për ta takuar te ne, nga Presheva dhe i jati, Ramadani. Ndërsa e jëma, Hava fliste shpesh në telefon me Dritonin dhe përtej receptorit dëgjohej zëri i saj i mallëngjuar. Prandaj ajo edhe tani e shprehu mirënjohjen e saj, duke thënë: “Nuk do ta harroj kujdesin tuaj prindëror për Dritonin. Veçanërisht, e falënderoj nga zemra teta Katerinën!”

Në këtë bisedë tonë të ngrohtë, mësova se Dritoni, pasi e kishte mbaruar Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë, kishte pritur 2-3 vjet, sa t’i bëhej konvertimi i diplomës në Beograd. Ndërsa tani vazhdonte të priste që, në Komunë, t’i siguronin një vend pune, në profesionion e tij. Gjithnjë me kujdesin tonë prindëror, gjeta mundësinë dhe e “shtyva” sadopak këtë çështje drejt zgjidhjes, sidomos më bisedën e bërë me përgjegjësin e kabinetit të Komunës, Fatlum Mustafa. Sigurisht, edhe tani gjej rastin ta falënderoj atë, për gatishmërinë e treguar që Dritoni, së shpejti, të sistemohet në punë, në shërbim të shëndetit të bashkëqytetarëve të tij shqiptarë.

Koha e qendrimit tonë në Preshevë mbaroi shpejt dhe duhej ta mbaja premtimin, që mos të largohesha që andej, pa u takuar përsëri, me pjesëtarët e familjes së mirë Ramadani. Prandaj miku im vendës, poeti Bilall Maliqi, më shoqëroi për atje. Në dyqanin e veshjeve, që e kishin pranë banesës së tyre, u mblodhën menjehërë të katër: Ramadani e Hava, Dritoni e vëllai më i madh, Burimi. Shkëmbyem bisedat e rastit, ashtu më këmbë dhe unë i ftova ata, që të vinin për pushime në plazhin e Golemit, ku kemi dy hyrje, në pronësi të djemëve tanë, të cilët jetojnë në Itali. Ndërsa Hava kishte pëgatitur një pako me dhurata për ne. “Keni diçka brenda për teta Katerinën dhe i bëni shumë të fala nga ne, por dhe Deivisit”, u shpreh ajo, jo pa mallëngjim.

Me ndjenja të pastra miqësore e dashamirëse, duke marrë me vete kënaqësi dhe emocione të bukura, u ndava nga familja Ramadani e Preshëvës, me dëshirën e shpresën, se do të komunikojmë e të shihemi së shpejti. Dhe vërtet, sapo u ktheva në Tiranë, u lidhëm përmes Internetit me Dritonin e Burimin, ku vazhdojmë të informohemi imtësisht për jetën e njëri-tjetrit.

…Kështu, pra, siç e dëshmova dhe më lart, vizitat tona të grupit të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, si në Shkup, Preshëvë e Prishtinë, kishin jo vetëm synimin tonë kryesor: bashkëpunimin dhe veprimtaritë me vendësit, në zbatim të projektit për përafrimin dhe deri në njësim të teksteve shkollore, në të gjitha trojet amtare e në diasporë, por dhe anën tjetër të “medaljes”, kjo disi “e padukshme”, atë shpirtërore. Prandaj, përsëri e nënvizoj se, gjatë atyre katër ditëve të fundmajit 2011, ne morëm me vete dhe u “ngarkuam” me plot mbresa të bukura, të pashlyera e të paharrueshme.

Tiranë, 6 qershor 2011 (Nga libri me autor Murat Gecaj, “Rrahin zemrat arbërore”,Tiranë, 2011, faqe 49-53)

—————-
(*) Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë dhe përgjegjës seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë.

* * *

O, SA MIRË, TË JESH NË PRESHEVË!
(Miqëve të mi preshevarë…)

Nga: Namik Selmani

1.
Unë isha në Preshevë
Me duar të dridhura mblodha lule trëndafili ndër pragje.
U përqafa me vëllezër
Si të takoja dy male, dy botë, dy ëndrra.
Ma vranë timpanin e veshit
Piskama sulltanësh të ardhur nga shtigjet e largët.
Në Sofrën e Fjalës
Më erdhën si mikesha të reja brenga, krenaria dhe kënga

2.
Unë isha në Preshevë…
Dhe preka mendueshëm lavdinë e lirisë në buste, lapidarë,
Një degë ulliri Çamërie
ua dhashë fëmijëve, nënave dhe bacalokëve tek dora.
Hej sa, çudi!
S’më ngeci aspak fjala e malluar në fytin e care.
E pëllëmba e rrudhosur
m’u bë lulishtore ku rreshtoja nëpër klasa abetaret e reja më shkronja.

3.
Veç të ishit me mua
E zemra do t’iu bëhej dhe juve bash si një gacë e ndezur zjarri.
E një kordele Vardari
Me ca valë Moravice për të gjitha vajzat do të merrnit.
Atje në Luginën e Luleve
Danubi mund ta prekja vetem me një aravan kali.
E detin emërzi
Mund ta përkdhelja si një lodër gjersa të vinte terri.

4.
Unë isha aty
E nuk isha lypës që kërkon duarzgjatur kafshatën.
Hisen e diellit
E kisha mes vëllezërish në sy, në këmbë, në fletë.
E shpellat
Më zgjonin këngën e re që dëbon theqafshëm Mandatën
I ulur këmbëkryq
Ndaja gëzimin e hapit kur mulliri blojën e pret.

5.
E nuk isha druvari
Me sëpatën e mprehtë që ahun dhe lisin me eho në tokë rrëzon.
Kisha sjellë
Një farë të e borziloku të mbjellë në një vazo zemre.
Aty e gjeta damarin e burimit
Se buza më ishte tharë nga dimrat e gjatë me llohë.
E currilët e kaltër
I mblodha për t’i dërguar në oda, ndë male dhe dete.

6.
Tamtame daullesh
Më sillnin gjëmime lufte që vinin nga shtigjet, nga malet
Në prehër Karadaku
Doja të ndalja Anijen e Fjalës në atë agim bjeshkator maji
Diku, në shkëmbinj
Si vëllam i ri, Zanat nuk më shituan as edhe një tingull fjale
E fjalëshqipen
E pashë në çdo buzë, në çdo konak si duar flamurtari.

7.
Unë isha në Preshevë
E të gjitha udhëkryqet me semaforë zemrash i kalova.
E pikëlat e djersës
Me pikëlat e gjakut i brazdova në udhët hyjnore
Vogëlush u bëra
Kur më mjaltosnin me uratat e hareshme motra e Lokja
E Presheva
Më përkundëte si një foshnjë me këngën arbërore

8.
Aty numërova ngatërrueshëm
këngët e kurbetit, këngëdasmat e këngët e vajit.
Povajator
për besë, nuk u bëra para Arkëmortit që trupin zezon.
Aty, në Preshevë,
Me stërgjyshin lahutar e nisa një këngë majekrahu
E gurin e fundit
Për oxhakun e kullës së re mes Lugine e shtrëngova fort.

9.
Aty,
Vura në kokën e thinjur një kapuç të shpuar luftëtari.
E nuk munda dot
Që t’ua numuroj një nga një plagët e kuqëluara me cifla predhe.
Në rrathët e djepit
Rizgjova përkëkdheljen që të jep një ninullë zëbehari.
E asnjë zog qiellor
Nuk e pashë ndër kafazë të hekurt, mes Presheve.

10.
Unë isha në Preshevë…

(Krijuar dhe recituar nga autori, Namik Selmani, në Preshevë, më 27 maj 2011 dhe botuar në librin “Rrahin zemrat arbërore”, faqe 118-121)