Kastriot Myftaraj
Epo nuk mund ta duroj dot ndjeshmërinë e rrejshme, tronditjen e rrejshme, të shprehur publikisht me patetikë të rrejshme, të kësaj Emina Çunmulajt (apo duhet quajtur Zonja Nazarian), për mjerimin që ka parë në fshatrat e Shkodrës që ka vizituar. Jo se nuk ka në Shkodër dhe në Shqipëri familje që jetojnë në gjendje mjerimi, siç shfaqet në fotot që publikoi Emina Çunmulaj. Por sepse Emina Çunmulaj i përket atij lloji femrash që e kanë ndërtuar jetën e tyre luksoze me një dashuri të rrejshme, me burra të cilët e kanë krijuar pasurinë e tyre duke shkaktuar drejtpërdrejt mjerimin e të tjerëve.
Pas asaj tabloje mjerimi që pa Emina Çunmulaj në atë shtëpi, në një katund të Shkodrës qëndrojnë disa femra si Emina, gra, vajza dhe dashnore të pushtetarëve dhe oligarkëve të korruptuar dhe korruptues, në rrafsh qendror dhe vendor, të cilat gra, vajza dhe dashnore bëjnë jetë luksoze me paratë publike të shpërdoruara, taksat e shqiptarëve dhe ndihmat ekonomike të huaja.
Është një tragjedi e ngjashme me atë që gjendet në origjinë të pasurisë së familjes Nazarian, ku ka hyrë nuse çika e Çunmulajve, e martuar me Sam Nazarian. Familja Nazarian ka qenë në qendër të tragjedisë së përmbysjes që ndodhi në Iran, nga një shtet dhe shoqëri laike, në një shtet dhe shoqëri fundamentaliste islamike. Britania e Madhe, e cila e zotëroi Iranin për një kohë të gjatë, nxiti për interesin e saj, krijimin e elitave laike politike, ekonomike, mediatike, akademike dhe i mbështeti ato që ta kontrollonin vendin.
Irani erdhi duke u bërë vendi më laik musliman, së bashku me Turqinë kemaliste të kohës. Nëse do të kishte vazhduar kështu, sot Irani do të ishte një vend i ngjashëm me çdo vend europian, ku feja i përket sferës private të jetës së individit nuk është ideologjia zyrtare e shtetit.
Kur Irani nisi të ketë të ardhura të mëdha financiare nga shitja e naftës, Shahu reformator Riza Pahlevi nisi një program shumë ambicioz për modernizimin e vendit, të quajtur Revolucioni i Bardhë. Për realizimin e projekteve u dhanë nga shteti shuma gjigande petrodollarësh (dollarë të fituar nga shitja e naftës). Por, në këtë rrethanë u zhvillua në vend një oligarki e fuqishme, e cila përfitoi duke u pasuruar shumë nga shpërdorimi i parave publike. Një nga familjet oligarkike që u pasuruan shumë në këtë mënyrë ishte familja Nazarian. Shahu nuk kishte paragjykime anti-Semite dhe biznesmenët hebrenj nuk diskriminoheshin në tenderat shtetërorë.
Atje ku oligarkia, me mbështetjen e politikanëve të korruptuar, thith paratë publike si vampiri gjakun e viktimës, rritet polarizimi shoqëror midis të pasurve dhe të varfërve. Polarizimi nxit dhunën në shoqëri. Propagandistët islamikë, të cilët deri atëherë kishin qenë një forcë në periferi të shoqërisë iraniane, befas gjetën terren për të bërë punën e tyre, duke nxitur popullin për t’u ngritur kundër sundimit të monarkisë dhe oligarkisë. Të frymëzuar nga më i famshmi prej tyre, Ajatollah Khomeini, ata arritën të krijojnë një lëvizje, që çoi në përmbysjen e madhe të vitit 1979. Familja Nazarian ishte ndër të parat që braktisi Iranin pas ikjes së Shahut. Duke e parashikuar përmbysjen, Nazarianët kishin depozituar para jashtë Iranit, në Perëndim dhe off-shoret.
Por Irani i sotëm është tragjedia vijuese, që ka lënë pas si bashkëpërgjegjëse Familja Nazarian. Tragjedia është shumë më e thellë se mjerimi në nivelin e jetesës për një pjesë të madhe të popullsisë. Nëse Emina Çunmulaj dëshiron ta kuptojë tragjedinë në përmasat e plota të saj, le të lexojë librat-dëshmi, që kanë shkruar disa femra iraniane që janë larguar në Perëndim. I tillë është libri i autores iraniane me banim në SHBA Azar Nafisi “Things I’ve Been Silent About: Memories of A Prodigal Daughter”. Në këtë libër tregohet tragjedia e një familjeje të zakonshme iraniane të kohës së Monarkisë, e cila bënte një jetesë sipas mënyrës laike perëndimore dhe që befas u detyrua dhunshëm të ndryshonte mënyrën e jetesës në Republikën Islamike.
Në mënyrë edhe më mbresëlënëse e paraqet këtë dramë në dy libra të saj Marjane Satrapi, një autore iraniane me banim në Francë, që pavarësisht emrit është muslimane. Në librat e saj “Persepolis 1” dhe “Persepolis 2”, në stilin e komikseve, me gravura të pajisura me shënime shpjeguese, ajo tregon se si e përjetoi shndërrimin e befasishëm dhe traumatik të jetesës në Iranin e përmbysjes së madhe, kur regjimi islamik e detyroi të vishte ferexhe dhe të mos bënte shumë nga gjërat, që ishte mësuar t’i bënte në jetë.
Le të marrë një leksion dinjiteti nga këto femra kjo Emine Çunmulaj, e cila tani kërkon të krijojë për veten reputacionin e bamirëses, ashtu si burri i saj. Shumë njerëz në Shqipëri dhe në botë marrin dy qese me ushqime për të ndihmuar një familje të varfër, siç bëri Emina, por nuk postojnë foto për këtë. Emina bëri një operacion të leverdisshëm në public relations me koston e dy qeseve me ushqime që i dha një gruaje plakë. Gjithë mediumet po merren me këtë veprim të Eminas, çka nuk mund ta arrinte pa një pagesë të madhe.
Bamirësia e Eminas është si dashuria e saj, e rrejshme. Fotografitë e Eminas me burrin e saj nuk kanë nevojë për shënimin shpjegues: “Kjo femër është martuar me këtë burrë për paratë e tij.”, që gjithkush që i shikon ta kuptojë këtë të vërtetë të thjeshtë. Së paku, në dashuri dhe martesë, Emina ka keqpërdorur veten, por në rastin e bamirësisë së saj të rrejshme keqpërdor njerëz të tjerë. Ish-baresha e katundit me emrin Nënhelm duhet ta kuptojë se realisht nuk mund të gënjejë askënd tjetër përveç vetes, sado që nuk ia thonë hapur këtë gjë.