Diskursi sociopolitik
Çështja e emigrimit të shqiptarëve nga Shqipëria nuk është dukuri e re dhe e as e panjohur, por në sajë të përmasave në kohën e pluralizmit është bërë brengë dhe plagë e vazhdueshme e shoqërisë shqiptare. Si e tillë kjo dukuri ka marrë përmasa shqetësuese, që veçohet më shumë se në asnjë vend tjetër në ish kampin socialist në Europën Juglindore. Në lidhje me këtë dukuri kohë pas kohe nga agjensitë apo subjekte të ndryshme publikohen të dhëna të cilat paraqesin në mënyrë numërike të dhënat në nivel shtetëror, duke dëshmuar shpopullimin e vazhdueshëm të vendbanimeve shqiptare me pasoja për ditët tona dhe në të ardhmën. Ndërsa mohimi i emigracionit shqiptar për të marrë pjesë në procesin e votimit paraqet çështje të veçantë e ate kryesisht politike që duhet të zgjidhet në nivel shtetëror, duke iu mundësuar për të shprehur verdiktin e tyre si qytetarët e tjerë shqiptar.
Nail Draga
Në lidhje më këtë çështje kohë më parë në sajë të dhënave të publikuara të një ankete të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), janë prezantuar të dhëna me interes. Sipas Barometrit të Ballkanit 2020, 49% e të anketuarve i përgjigjet me “po” pyetjes se, “a po e konsideron të jetojë apo punojë jashtë?”, 46% i përgjigjet me “jo”, ndërsa 5% me “nuk e di”. Norma prej 49% e atyre që e mendojnë të largohen nga Shqipëria është lehtë më e ulët se një vit më parë, kur fiksohej në 50%. Gjithsesi kjo shifër, vijon të jetë norma më e lartë e dëshirës për t`u larguar mes të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.Të dhënat e anketës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) janë mbledhur mes periudhës dhjetor 2019 dhe janar 2020, pra nuk përfshijnë periudhën e krizës së shkaktuar nga pandemia, paçka se reflektojnë situatën pas krizës së tërmetit të nëntorit të vitit 2019.
Emigrimi në nivel të lartë
Ndërsa nga ana tjetër sipas statistikave të publikuara nga INSTAT-i, nga Shqipëria, në vitin 2019 janë larguar rreth 44 mijë persona, si emigrantë, që është niveli më lartë që nga viti 2014.
Nëse krahasohen lëvizjet dykahëshe del qartë se me shumë janë ata që ikin nga vendi e gjithnjë e më pak po preferojnë të kthehen. Në vend janë kthyer 20.7 mijë imigrantë, që është niveli më i ulët që nga viti 2010, kur INSTAT-i raporton të dhënat.
Si rrjedhojë, migracioni neto (diferencave mes emigrantëve që ikin dhe imigrantëve që vijnë) është zgjeruar, duke arritur në 2019-n në rreth 23 mijë persona që janë larguar neto nga vendi, niveli më i lartë, të paktën që nga 2011-a, kur janë të disponueshme statistikat e INSTAT.
Që prej vitit 2016 konstatohet një rritje e tendencës për të ikur nga vendi, duke rikthyer një valë të dytë emigracioni në vend, ndonëse në nivele më të ulëta në raport e periudhën 1990-2000.
Mesatarisht nga vendi gjatë periudhës 2011-2019 janë larguar rreth 400 mijë persona. Për të njëjtën periudhë janë kthyer 236 mijë të tjerë, duke bërë që nga vendi të largohen neto rreth 164 mijë persona. Krahas rritjes së migracionit neto, Shqipëria po vuan dhe tkurrjen natyrale, me numrin e vdekjeve që po barazohet me atë të lindjeve.
Popullsia e Shqipërisë po zvoglohet
Sipas të dhënave nga INSTAT-i, popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2020 rezulton 2.845.955 banorë, duke pësuar një rënie me 0,6%, krahasuar me 1 janar 2019. Në vitin 2019, shtesa natyrore e popullsisë është 6.624 banorë, duke pësuar një rënie prej 7,1 %, krahasuar me një vit më parë. Migracioni neto (Imigrantë-Emigrantë) Popullsia e është -23 mijë banorë.
Sipas të dhënave nga INSTAT-i për shkak të rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë, popullsia e Shqipërisë u pakësua vitin e kaluar me 16.5 mijë.
Gjatë vitit 2019, lindën 28.561 foshnja, duke pësuar një rënie prej 1,3 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2019 është 21.937 persona, duke pasur një rritje prej 0,6 %, krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, popullsia po plaket. Në 1 janar 2020, mosha mesatare e popullsisë rezulton 37,2 vjeç nga 36,7 që ishte në 1 janar 2019.
Nga të dhënat e publikuara del qartë se moshënimi i popullsisë dhe emigracioni aktiv pritet të kenë ndikim negativ në të ardhmen e vendit, si në drejtim të produktivitetit të punës, ashtu dhe të skemës së pensioneve.
Nuk ka dilemë së situata e krijuar nga Covid-19, përkohsisht ka frenuar tendecën e emigracionit, por duke ditur gjendjen e pavolitshme sociale, si të krijohen mundësitë emigrimi do të vazhdojë dhe Shqipëria do të zvoglohet gjithnjë.
Emigrantët shqiptarë ende pa të drejtë vote
Mediat në Shqipëri bëjnë të ditur se këto ditë është duke u punuar për Reformën Zgjedhore, ku në mënyrë të veçantë është duke trajtuar e drejta e votimit të shqiptarëve në botën e jashtme. Madje në këtë aspekt në Shqipëri ekziston edhe Ministria e Shtetit për Diasporën, ku ditë mmë pare ministry P.Majko, ka cekur së votimi është një e drejtë Kushtetuese për “shtetasit tanë që jetojnë jashtë vendit”, duke theksuar se ata “nuk mund të quhen emigrantë”. Nga një qendrim i tillë mund të kuptohet së më së fundi, kjo çështje do të jetë pjesë e agjendës së reformës zgjedhore, por se si do të vijojë puna mbetet të shihet në ditet në vijim, përkatësisht deri me datën 30 korrik, kur do të mbahet seancë plenare e Kuvendit për reformën zgjedhore.
Ka munguar përkujdesja shtetërore
Nuk ka dilemë së kemi të bëjmë me një të drejtë kushtetuese të mohuar, për shqiptarët në botën e jashtme, çështje kjo e cila deri më tash nuk ka pasur trajtimin e duhur nga institucionet shtetërore. Çdo nismë në këtë aspekt, ndonëse është e vonuar, ajo meriton trajtimin e duhur, sepse nuk kemi të bëjmë më një grup personash por me shtetasit shqiptar, që janë vendosur të jetojnë në botën e jashtme. Andaj, ata meritojnë respektin e mohuar, duke iu mundësuar votimin si shtetasit shqiptar në vend. Në kët aspekt, kësaj here më e zëshme në Kuvend është opozita parlamentare e cila ka insistuar që votimi i diasporës, përkatësisht të shtetasve shqiptarë jashtë vendit, së bashku me listat e hapura të jetë kusht për miratimin dhe votimin e reformës zgjedhore.
Ndonëse në këtë aspekt edhe nga ana e Qeverisë theksojnë se kanë të njëjtin objektiv, mbetet të shihet angazhimi politik dhe programor në këtë drejtim, sepse deri më tash çdo gjë ka përfunduar me premtime dhe deklarata të rastit, për pëfitime politike nga ana e pushtetit aktual.
Vende të rezervuara për diasporën
Pasi deri më tash në Shqipëri nuk ekziston përvoja së si do të votojnë në zgjedhjet parlamentare pjesëtarët e shtetasve shqiptar që janë në botën e jashtme, si model duhet të merren vendet e ndryshme që kanë votuar në ambasadat e vendëve të tyre në shtetët përkatëse. Madje, disa vende si p.sh. Kroacia kanë rezervuar vende të veçanta për numrin e deputetëve(3) që ata do të zgjidhen me votën e tyre. Pasi, kemi të bëjmë me një procedurë e cila do të zbatohet për herë të parë, çdo konsultim dhe bahkëpunim me vendet analoge në lidhje me këtë çështje do të ishte e mirë së ardhur.
I mbetet Kuvendit të Shqipërisë që çështjet e tilla të definohen qartë në mënyrë që Reforma zgjedhore të jetë e pranueshme për të gjithë, duke përfshi edhe shtetasit shqiptarë në botën e jashtme, e jo duke i anashkaluar si deri më tash, sepse kemi të bëjmë me një pjesë vitale të kombit tonë e cila ka dhënë kontribut më rëndësi për çështjen shqiptare si në të kaluarën dhe në ditët tona.
(Korrik 2020)