Ema Qazimi e ka kënduar këngën “Rinia ime”, me muzikë të Flamur Shehut, tekst të Betim Muços, në Festivalin e 1-rë të Interpretuesve, në vitin 1983.
Bio
Ema Qazimi është e bija e Pirros dhe Refijes, e lindur në Tiranë, më 18 nëntor 1954. E martuar me Prof. Dr. Ramazan H. Bogdanin dhe ka një vajzë të quajtur, Ershela Bogdani.
Si një personalitet i padiskutueshëm i artit skenik në fushën e interpretimit të këngës shqiptare, për afro katër dekada ajo ka qënë njëra prej ambasadoreve më të shkëlqyera të vlerave dhe traditave më të mira të Artit dhe Kulturës tonë kombëtare, brenda dhe jashtë vendit.
Në vitin 1972, kreu Shkollën e Mesme Artistike “Jordan Misja” në Tiranë, në degën Teori muzike. Në vitet 1973-1977, përfundon studimet e larta dhe diplomohet në degën e Aktrimit, pranë Fakultetit të Artit Skenik, në Akademinë e Arteve Tiranë (sot Universiteti i Arteve). Pas kryerjes së Akademisë, punon fillimisht redaktore në Radio Tirana dhe më pas aktore në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë.
Ema, pasi arrin të konsolidohet si artiste, nis karrierën e këngëtares profesioniste në Teatrin e Estradës së Tiranës, në vijim Qëndra Kulturore e Tiranës. Punon në këtë institucion deri më 18.11.2014, deri sa doli në pension, duke shënuar plot 37 vite punë si artiste profesioniste.
Në rrugëtimin e saj të gjatë artistik numërohen të realizuara mbi 100 këngë të muzikës së lehtë shqiptare. Shumica prej tyre janë kthyer në hite ndër vite e vite me radhë, duke u skalitur si njëra ndër nismëtaret e artit të kësaj gjinie në Shqipëri. Këngët e Emës dhe i gjithë repertori i saj artistik janë një pasuri e madhe e artit shqiptar muzikor dhe kjo krijimtari është e tëra e regjistruar dhe e filmuar që sot, ruhet në arkivin e Radio Televizionit Shqiptar.
Është pjesëmarrëse në rreth 4.000 shfaqje artistike, përmes Festivaleve dhe Koncerteve Recitale artistike, Dekadave të Majit, Anketave muzikore etj, duke shkelur pothujase me artin e saj të gjitha cepat e Shqipërisë.
Ema Qazimi filloi të merret me këndim në moshë shumë të re. Rreth viteve ’60, në moshën 14-vjeçare Ema, filloi të këndojë edhe në skenën e madhe shqiptare. Ajo u bë pjesë e aktiviteteve të muzikës në nivel të Shqipërisë, si në Festivalin e Këngës së Lehtë në Radio, më vonë në Radiotelevizion. Ema Qazimi është pjesëmarrëse në 25 Festivale të Radio Televizionit Shqiptar, duke nisur me Festrivalin e vitit 1968, kur ajo ishte në moshë fare të re, veçse, 14 vjeç.