ELEGJI PËR BISHTUKË DHE KRONIKA ME DRITË

0
663
Elektrifikimi i fshatit

Disa fjalë për t’ua treguar fëmijëve, nipërve e mbesave, punën e paraardhësve si një “përrallë nga e kaluara” që duhet lexuar…

Pak dritë ! Pak dritë ! Pak dritë, o shok, o vlla…
Pak dritë ! O burrë ! O hero ! ngado që të jesh !…
Oh ! ta kisha pishën të madhe dhe të ndezun !…
Por pishë nuk kam, e vetëm janë burrat, shokët…
Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita…
(Migjeni, f. 163-164)

Një dhimbje që çan gurin e djeg drurin, një elegji që vetëm Millosh Gjergj Nikolla mund ta shkruante.

Nuk donte shumë Migjeni vetëm “pak dritë…”, vetëm ta kishte “pishën të madhe dhe të ndezun!”, “pishë nuk kishte…” por… “ asht afër drita”.

Pak dritë ka kërkuar shqiptari në shekuj, dritë lirie, dritë arsimimi, dritë në rrugë, dritë në shtëpi…

Do vinte një ditë që do të kishte “pak dritë”, jo aq lirie sa shtëpie, shoqërie…
E unë që e kam jetuar edhe pishën, edhe bishtukun, edhe kandilin, edhe llambën e fenerin me vajguri, dua që të sjell pak dritë “në tavan”, të përjetuar e të shkruar faqeve të kohës…

Vetëm pak, pak dritë nga Dibra ku linda në dritë bishtuku pishe…
Brezi që lindi dhe lind duhet ta mësojë se babai, gjyshi, stërgjyshi… bishtukun kishin për dritë, mbërthyer në një cep të oxhakut të nxirë…
Kandilin e llambën me vajguri ne brezi i “humbur” kishim dritë për të bërë detyrat e shkollës mbrëmjeve të gjata të dimrit…

Për të parën, dritën e dijes diçka kam shkruar…
Për “dritën në tavan” po shkruaj sot, përjetime në vetë të parë dhe shënime të kohës…

DIBËR – KRONIKA ME DRITË

“Bashkimi” 8 prill 1947

“Këto ditët e fundit kanë filluar në këtë qytet nga nëpunësit dhe populli puna për instalimin e elektrikut, për çeljen e gropave dhe vendosjen e shtyllave. 150 shtylla janë prerë dhe transportuar gjer në rrugën kryesore nga populli i katundeve Bulqizë, Koçaj, Vajkal…”
“Bashkimi”, 14 gusht 1947…

“Me interesimin e pushtetit dhe me kontributin e madh që dha vetë populli i këtushëm, u vendos për të parën herë në Peshkopi centrali elektrik dhe qyteti u ndriçua i tëri nga drita elektrike…”

Po ku ishte vendos centrali i parë elektrik që i dha për të parën herë në historinë e vet qytetit të Peshkopisë.

Do të desha ta dinë të rinjtë, pushtetarët e sotëm për të vënë në muret e asaj ndërtese (ekzistuese) një pllakë mbi mermerin e së cilës të shkruhej “Këtu Peshkopia mori për të parën herë dritë”

Deri vonë, deri në elektrifikimin e plotë të Dibrës, centrali elektrik që i dha dritë qytetit ishte vendosur në një ndërtesë në të majtë të rrugës së stojkallarëve që çon në lagjen e sipërme të qytetit. Më vonë në katin e dytë të ndërtesës u vendosën zyrat e elektrikut me administratën përkatëse dhe me arkën ku qytetarët paguanin energjinë elektrike të harxhuar.

Me rritjen e qytetit, në banorë por edhe në veprimtari që kërkonin energji elektrike u ndërtuan dy hidrocentrale, ai i Kallaveres dhe ai i Tominit. Hidrocentralet shfrytëzimin rrjedhën e lirë të ujit për vaditje me burim mbi llixhat e Peshkopisë, ujë që vadiste tokat e fshatrave deri në Çap të Brezhdanit e Ushtelencës e deri në Kandër, Vakuf e Kishavec…

Më pas, po në afërsi të hidrocentralit të Kallaveres, u ndërtua një termocentral që plotësoi nevojat e kohës si për ndriçim po ashtu edhe për nevoja industriale.

Në Bulqizë në vitin 1948 kishte një grup elektrik për ndriçim me fuqi 10 kw, grup i cili në vitin 1949 u dogj bashkë me barakën.

Vit pas viti u fuqizua prodhimi i energjisë elektrike në shërbim të nxjerrjes së kromit dhe ndriçimit të qyteti.

Në vitin 1950 u instalua një grup HTZ 24 kw.
Në vitin 1953 erdhi një grup “Skoda” 30 kw.
Në vitin 1954 erdhën tre grupe “Skoda” 120 kw
Në vitin 1958 erdhën tre grupe me nga 200 kw secili.
Në vitin 1960 erdhën dy grupe me 560 kw secili.
Në vitin 1963 erdhën dy grupe me nga 300 kw secili.
Në vitin 1965 erdhi një grup me 560 kw.

Këto grupe kanë punuar deri më 8 prill 1968 kur u bë lidhja me sistemin unik energjetik…
(Nga blloqet e shënimeve)

Drita në qytete nuk mund të mos reflektonte me dritë në fshat.
I pari fshat në Dibër, më i madhe me 300 shtëpi, Brezhdan – Zdojani, do ta hiqte bishtukun e pishës nga cepi i oxhakut dhe llambën e vajgurit nga balli i pamjes në dhomën e ndenjes në vjeshtë të vitit 1955…

Një kanal i thellë që mulliri i Sadik Ashikut të punonte edhe ditën edhe natën kur uji rridhte për vaditje tokave të Zdojanit, projektuar me mjeshtri nga Gani Tuçepi, një rrjedhë e ujit disa pëllëmbë larg mureve të avllisë sime, një hauz në majë të kodrës që e sheh Brezhdanin dhe perëndimin e Dibrës si në një kartolinë, një tub çeliku mes përmes vreshtit, një godinë me qerpiç, një turbinë, një gjenerator, një kuadër elektrik dhe një rrjet shpërndarës shtyllash elektrike në të gjithë fshatin.

Një dritë më tepër se në tavan, dritë në shpirt të bashkëfshatarëve të mi, dritë që solli radiot që ngriheshin në maksimum që zëri të mbushte rrugët, rrugicat, zemrat e njerëzve…

Dhe jo vetëm në Brezhdan…
Edhe në Muhurr…
Edhe në Zerqan…
Edhe në…

Drita ishte shndërruar në një kërkesë të kohës, kërkesë që do të ecte në këmbë, fushave e maleve, në një, kur njerëz mbarë do të ngriheshin e ecnin me shtylla elektrike në krah, me rrathë telash elektrikë krahë qafë, me pinca e kaçavida në instalimet në çdo dhomë, shtëpi mbas shtëpie…

Mbase (pse them “mbase”?) me siguri ky ka qenë aksioni më i madh historik, bashkë të gjithë, me krah të fuqishëm, me supe mbështetur nga njeri krah në tjetrin shtyllave, me dëshirën për dritë…

Viti 1969 ishte viti i aksionit të madh të dibranëve për të sjellë në shtëpitë e tyre dritën elektrike.
Në një kronikë të 14 shkurtit 1969 shkruhet se nga 39 fshatra që ishte planifikuar për tu elektrifikuar u elektrifikuan 79 fshatra. Për të shtuar se gjatë vitit 1970 do të elektrifikohen 87 fshatra…

Më 24 tetor të vitit 1970 Dibra përfundoi elektrifikimin e fshatrave.
Në një kronikë të gazetës “Ushtima e maleve” shkruhet:
Në më pak se dy vjet e 9 muaj u elektrifikuan 160 fshatra.
U bë rikonstruksioni i plotë në 22 fshatra.
Vetëm në vitin 1970 u elektrifikuan 91 fshatra.
U përfundua elektrifikimi 13 muaj para afatit.
U përfunduan 4 nënstacione elektrike, hidrocentrali i Tuçepit, 166 kabina transformatorësh.
U ngritën 450 kilometra linjë TN, 1100 kilometra TU.
U përdorën 8100 shtylla betoni, 22.000 shtylla druri dhe 462 tonë tel i zhveshur.
U elektrifikuan 13.320 ekonomi fshatare e veprat social kulturore. Morën dritë 13.400 shtëpi.

U shtrinë 1550 kilometra linjë TN e TU
Puna filloi më 1 mars 1968.
Punën brigada e parë e filloi në Vlashaj të Shupenzës.
Më pas u takua Bulqiza si zonë.
Gjatë aksionit pati ritme të larta.
Në vitin 1968 çdo elektricisti i ka ra të elektrifikojë mesatarisht një fshat kurse në vitet 1969 e 1970 dy e tre fshatra.

Në vitin 1968 çdo elektricisti i ra të shtrinte mesatarisht 9 kilometra linjë të TN e TU.
Në vitin 1969 e 1970 kjo u rrit në 13 kilometra.

Për një muaj në vitin 1970 u elektrifikua tërë Lura me 12 fshatra me 600 shtylla TN dhe 2000 shtylla TU me 10 kabina e 600 familje.

Shkollat e rezervave të punës të industrisë e ndërtimit dhe ndërmarrjet e Tiranës kryen të gjitha instalimet e brendshme të 13.329 ekonomive dhe veprave social kulturore, ngritën linjat e TN në disa fshatra.

Më 25 tetor 1970 populli i rrethit të Dibrës festoi në Peshkopi përfundimin e plotë të elektrifikimit të fshatit, elektrifikim që mbaroi më 6 tetor 1970…
(Nga blloku i shënimeve)

* * *

I nxora këto nga shënimet i mija blloqeve të jetës…
Nuk mund ti mbaja…

Është puna dhe djersa e një populli që aspironte për dritë, një populli që iu dha shansi i madh ta përcillte bishtukun, pishën, kandilin, llambën e vajgurit në muzeun e historisë, muze që do të desha të shkonin, ta shikonin e të uleshin në gjunjë në shenjë nderimi për babanë, nënën, gjyshin, gjyshen e tyre… që sollën “dritë në tavan”…

Kaq, vetëm disa çaste, për tua treguar fëmijëve, nipërve e mbesave… punën e paraardhësve si një “përrallë nga e kaluara”, që duhet lexuar…

Abdurahim Ashiku
Athinë, 13 maj 2020