Elbaroza ime

0
754

Ilustrimi nga Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën E

Dea Halimi
Dea Halimi

Me Emën ktheheshim nga shkolla.
– Eja te unë, – ia bëra.
– Epo, merakoset mami im, – tha.
– Nuk vonohemi, – e mora për dore. Nëna na e hapi derën e shtëpisë dhe na puthi me dashuri. I hoqëm çantat nga krahët dhe unë e Ema hymë në dhomën time.
– Oh, – qesha. – Mami e ka pasur të qartë se këtë javë e mësoj në shkollë shkronjën E dhe më ka vendosur në dhomë lodra, që fillojnë me shkronjën E… Shiko Ema, në shtrat ka katër lodra, dy elefant, një edh, një erak dhe mbi tavolinë një vazo me elbarozë, era e së cilës ka mbushur dhomën.
– Nga i ke marrë këta elefantë, – pyeti Ema.
– Elefantin me trup të madh e të murrmë më ka sjell daja nga Elbasani, e shikon – ka feçkë të gjatë, dhëmbë të mëdhenj e të kthyer; jeton në Afrikë. Elefanti tjetër – me veshë të gjerë, është nga Azia.
– Ja dhe një zog, – tha Ema.
– Është Eraku, – ndërhyra unë, – një zog i egër e grabitqar, i ngjashëm me bufin, po me trup më të vogël. Jeton gjithnjë në vetmi dhe mund të qëndrojë gjatë në ajër pa i lëvizur fare krahët. Është shumë i zgjuar.
E lash Erakun në duart e Emës dhe iu afrova lules në saksi.
– Kjo është Elbaroza ime… Ka mbushur dhomën me erë të mirë.
– Ti i do shumë lulet, Dea.
– I dua, sidomos lulet me ngjyrë trëndafili.
– Të gjitha i ke nga e ëma?
– Jo të gjitha. Ja, shikoje këtë lule, ma ka sjellë emta ime – dhuratë për ditëlindje, ndërsa atë lulen në parvaz të dritares e kam dhuratë nga gjyshja, e cila, verën që shkoi, ma solli nga Amerika. Ajo jeton ende atje, që nga lufta atdhetare.
– Eh, sa të lumtura jemi në liri.
E mora Erakun nga duart e Emës dhe e preka lehtë njërin nga gjethet e elbarozës.