Ekspozita e Gani Bytyçit në Spreitenbach të Zvicrës

0
153
Foto nga ekpsozita e Ganiu Bytyçit - Zvicër

Simbolika e së mirës në kohë të vështira

Gani Bytyçi
Gani Bytyçi

Shkruan: Anton Nikë Berisha

Piktori, poeti, prozatori dhe gazetari, Gani Bytyçi, që jeton dhe vepron në Zvicër, javën e shkuar e hapi ekspozita e radhës në Galerinë e Komunës së të Spreitenbachut, bashkë me piktorin Aldo Lotti-n. Në hapje ishin të pranishëm personalitete komunale dhe artistë e artdashës të shumtë shqiptarë dhe zviceranë.

Në fjalën e rastit, artisti, Salvatore Mainardi, tha se është i lumtur që në këtë ekspozitë paraqiten veprat e dy artistëve të dalluar: Aldo Lotti-t dhe Gani Bytyçit. Ai theksoi dhe veçantitë dhe vlerat e ndryshme që e cilësojnë botën poetike të secilit krijues, po edhe atë i bashkon: arti i shprehur përmes veprave të tyre.

Për këtë ekspozitë shkuan dhe disa gazeta zvicerane, ku veçuan faktin se pikturat e Bytyçit shprehin simbolikën e së mirën në kohë të vështira të botës që ai i takon piktori.

Me këtë rast piktori Bytyçi mbajti një fjalë rasti, ku midis të tjerash tha:
Të pranishëm të nderuar, miq të dashur, ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj në numër kaq të madh në hapjen e kësaj ekspozite. Falënderoj përzemërsisht përgjegjësit për kulturë të Komunës së Spreitenbachut të cilët më ftuan të ekspozoj këtu, sidomos kuratorin e ekspozitës, z. Mainardi.

Miq të nderur, prezantimi i veprës sime përkrah pikturës së artistit, Aldo Lotti, mua më bën nder të veçantë. Zoti Mainardi u shpreh me keqardhje që artisti Lotti nuk është i pranishëm këtu. Unë do të thosha se Artisti Lotti është sonte këtu më i pranishëm se asnjëherë. Para nesh, ai sonte është i pranishëm shpirtërisht, nëpërmjet veprës së tij artistike. Ju, publik i nderuar, sonte ndodheni këtu për të përjetuar një çast kënaqësie artistike dhe estetike. Këtë kënaqësi na e jep magjia e artit. Arti është shprehje e jetës sonë.

Shumë shpesh ai është shqiptim i pjesës më dramatike të jetës; është përditshmëria jonë e kthyer në kumt dhe në komunikim artistik. E kthyer në figura e në simbole. Arti është historia e njerëzimit; është e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja e qytetërimit; është vetëdija dhe nënvetëdija jonë. Arti është amshimi ynë, testamenti, që ne e lëmë pas.

Me këtë rast po sjell disa të dhëna për Gani Bytyçin dhe punën e tij:
Lindi në Arllat të Drenasit. Aty kreu shkollën tetëvjeçare, ndërsa Normale në Ferizaj. Studimet për letërsi i mbaroi në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1969 u vendos në Ferizaj. Nga viti 1991 punon e jeton në Zvicër.

Merret me publicistikë; shkruan prozë e poezi, për të rritur dhe për fëmijë; humoreska, recensione librash e kritikë arti.

Tregimet dhe poezitë e tij i botoi në shumë gazetat dhe revistat si Rilindja, Pionieri, Gazeta e pionierëve, Shkëndija, Kosovarja, Drita, Fjala, Teuta, Nëntori, Republika, Fakti, Bota sot e të tjera.

Prej më shumë se dy dekadash i është përkushtuar dhe pikturës. Ka pasur një varg ekspozitash personale e kolektive në Zvicër, Francë, Kosovë, Shqipëri e gjetiu.

Me poezi është prezantuar në dy botime: në përmbledhjen e poezive Katërmbëdhjetë autorë, botuar nga Klubi Letrar De Rada në Ferizaj (1985) dhe në librin Lule për Nënën, (monografi për Nënën Tereze), Drita Ferizaj (1986).

Është autor i përmbledhjes së tregimeve “Makth” (2016) dhe librit “Fletëza dhembjeje” (2018).

Vepra e tij letrare dhe ajo në pikturë janë vlerësuar lart nga kritikë e studiues të letërsisë e të artit dhe janë nderuar me çmime të ndryshme.

Në konkursin letrar të UPSH-së në Gjenevë, dy herë ishte fitues i çmimit për tregim (më 2005 çmimi i parë, më 2006 çmimi i dytë).

Në vitin 2011, në Konkursin artistik tradicional të Shoqatës së artistëve dhe Galerisë së artit Art-villamagna në Francë ishte fitues i dyfishtë për pikturë (çmimit të publikut dhe çmimit të jurisë).

Është organizator dhe pjesëmarrës i disa ngjarjeve letrare e artistike, në vend dhe në Mërgatë.

Tani vepron në Cyrih (Zvicër).

Ekspozita e Gani Bytyçit bahskë me Aldo Lotti-n do të jetë e hapur deri më 28 janar 2022.