Absurde, komike, e dhimbshme: kështu ishte Shkodra gjatë komunizimit. Mbi kujtimet e Stefan Çapalikut «Secili çmendet simbas mënyrës së vet», ku oficerë sigurimi e keqpërdorin nusen e lagjes si skllave për seks, ku shokut Hysen i vjen inat që Amerika zbriti në hënë, ku për të ndezur një televizor rumun duhej angazhuar dy inxhinierë, ku jeta ishte egërsisht e njëtrajtshme dhe monotone – dhe ngjyrat e vetme në përditshmëri i sillte arti i gatimit i grave fisnike të Shkodrës.
Nga Enver Robelli
Çka është kjo vepër e Stefan Çapalikut? Roman, përmbledhje tregimesh, një mish-mash kujtimesh, një kaleidoskop nga pluhuri dhe ëndrrat e së kaluarës? Vepra «Secili çmendet simbas mënyrës së vet» është gjithçka nga pak – dhe këtu qëndron edhe magjia e saj. Që nga shembja e ngrehinës komuniste në Shqipëri janë botuar shumë libra – me vlerë e pa vlerë – mbi vuajtjet e njerëzve nën regjimin e Partisë së Punës. Por, ende mungojnë veprat që përshkruajnë me mjete letrare përditshmërinë në parajsën komuniste të Enver Hoxhës, ku u zhvillua njëri prej eksperimenteve më të tmerrshëm në tentim për të krijuar njeriun e ri socialist.
Stefan Çapaliku raporton mbi eksperimentin komunist në Shkodër, këtë qytet verior shqiptar me traditë të lavdishme kulturore, që mes viteve 1945-1991 u reduktua në një vatër të mbijetesës, intrigave, arrestimeve arbitrare, përpjekjes për të ruajtur dinjitetin dhe humorin. Që në fillim të veprës së tij Çapaliku përshkruan një skenë, e cila mund të merret edhe si dëshmi e qëndrimit të regjimit ndaj malësorëve dhe veriorëve, gegëve, në përgjithësi. Në autobusin italian «Viberti», të mbetur në Tiranë nga koha e Luftës së Dytë Botërore, ulet një burrë flokëkuq, i veshur keq. Ai ulet në rendin e parë. Ndoshta për të parë diçka. Ndoshta për të shmangur kontaktin me udhëtarët e ulur pas tij. Kushedi. Pas tij hyn dikush dhe e largon malësorin nga karrigia, «nga sedilia». Ai ulet në rendin e dytë, por prapë një tjetër udhëtar e përzë nga aty. «Burri lëviz sërish ngadalë dhe pyet shoferin: – A mbërrijmë të gjithë bashkë në Shkodër, more burrë».
Rrallëherë më ka ndodhur që duke lexuar një vepër letrare ta ndalë të qeshurën pas pesë sekondave – nga turpi, sepse skenat që përshkruan Çapaliku sado absurde të jenë, prapë janë të dhimbshme. Për shembull skena me televizor: babai i protagonistit kryesor të këtij libri shkon për specializim në Rumani në fushën e bujqësisë. Dalja jashtë shtetit – një ngjarje e madhe, aq e madhe, saqë në lagje nuk flitej me gjasë për asgjë tjetër. Filani doli jashtë shtetit, e pa pak botën, qoftë ajo edhe botë komuniste e Karpateve rumune, filani e braktisi Shqipërinë e rrethuar me hekura. Kur babai agronom u kthye nga Rumania, ai solli me vete ca dhurata.
«Disa çanta dhe një kashu i madh rrinte mënjanë. Ai hapi çantat dhe nxorri prej andej me radhë gjithë çfarë kishte sjellë. Për mua: një autobus të markës ‘Karpate’, një automatik me karikator rrumbullak, një lepurush gome mbushur me karamele; Për motrën një kukull të madhe që qante dhe që qeshte, e që kishte në dore një medalion me emrin e saj, Nikoleta, dhe një palë këpucë të bardha; Për Mamën një kostum gri, këpucë të zeza, një palë rruaza fosfori dhe një orë dore; Për gjyshin një brisk me hapëse shishesh dhe një kartolinë me një femër që të shkelte syrin; Për gjyshen një shall dhe një palë çorape; Për të vëllanë e vet një këmishë të bardhë najloni dhe një palë letra bixhozi.
Dhe më në fund kashuni… Sorpresa, Surprise, Sezam hapu! Dhe kashuni u hap. U hap vetëm si objekt, dhe ne admiruam prej së largu atë gjë, të mbështjellë në mënyrë shumë të sofistikuar e që thirrej: Televizor!»
Askush në lagje nuk kishte guxim ta ndezte televizorin. «Kishte një lloj frike për ta futur në korrent atë farë malli». Duhej ndihmë profesionale për këtë. Dhe erdhën nga Tirana dy kushërinj të largët të familjes, Bebi dhe Franci, të dy inxhinierë të elektorteknikës. Tani e tutje jeta e familjes dhe e lagjes dominohej nga programet që sillte aparati televiziv rumun «Venus» – «prodhim rumun, me një bandë, i ngjashëm me ‘Superambasadorin’ jugosllav». «Venusi» sillte «italianin» dhe «jugosllavin», Rai Unon dhe TV Titogradin. «E gëzofshi televizorin» – ky ishte urimi më kutimplotë i asaj kohe në Shkodër dhe gjithkund në Shqipëri. Në Shkodër, për shembull, përveç familjes Çapaliku, televizor kishin dy shefa të partisë, një doktor dhe një filatelist. Në dhomën e televizorit ekzistonte një hierarki e qartë se kush ku mund të ulej. Gruaja e një doktori, si italiane që ishte, e ardhur në Shqipëri «prej njëzet e pesë vjetësh», përlotej sa herë që shikonte kronika, sidomos nga qyteti i saj, Roma. «Kuku, moj nanë, sa paska ndryshue moda në Romë» – kështu ofshau ajo gjatë një darke.
Ky ishte njeriu i ri socialist i Enver Hoxhës. Pjetër Meshkalla, një jezuit shqiptar, i kishte dërguar një letër kryeministrit Mehmet Shehu, ku me guxim vdekjeprurës i thoshte se fushata kundër feve «synon me formue nji brezni pa kurajo civile, pa burrni, oportuniste e ashtu tu e prishë karakterin e shqiptarit, në dam t’Atdheut. Njerëzit kanë frigë me u takue, me u përshëndetë rrugës, meqë janë në sy ose të ‘prekun’».
Satrapët e regjimit shkonin më larg. Marlidës, nuses më të bukur të lagjes, të cilën e shikonin me admirim krejt djemtë adoleshentë, agjentët e Sigurimit ia dërguan burrin në ushtri, diku larg në jug, në mënyrë që të kishin lirinë që njëri pas tjetrit ta përdornin si skllave për seks. Gati të gjithë e dinin këtë tmerr, por askush nuk guxonte të fliste në lagje.
«Kishte nisë të shfaqej një amulli, një rutinë dhe një humbje e sensit të perspektivës. Qytetasit e mi kishin humbur në terr. Koha kur thuhej hapur se komunistët nuk do ta kenë të gjatë kishte marre fund. Vihej re një përtesë për të thënë ‘Jo’, për të kundërshtuar, për të refuzuar urdhërat. Siç pata lexuar kohë më vonë te Soren Kierkegaardi, puna është se njeriu duhet të guxojë që të jetë krejtësisht vetvetja. Është fjala për një njeri, një njeri të vetëm, një njeri të caktuar dhe të vetëm; vetëm përpara Zotit, të vetëm në këtë përpjekje të jashtëzakonshme dhe në këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme».
Kishte, në këtë mes, edhe njerëz të guximshëm. Pjetër Gjini, shkrimtar, korrespondent i gazetës «Bashkimi i Kombit», autor librash me poezi, drejtor i programeve gazmore të Radio Tiranës kishte vuajtur dhjetë vjet burg. Ditën kur e kishin dënuar, ai i kishte thënë gjykatësit të hapte dritaren për të hyrë pak erë Perëndimi. Kjo batutë ia kishte shtuar edhe tri vite burg Pjetër Gjinit. Kishte, në këtë mes, njerëz që përpiqeshin të ruanin diçka nga kultura e kulinarisë. Neni Age, për shembull, ishte e njohur për përgatitjen e mezeve, një luks i paparë në Shqipërinë komuniste, në Korenë Veriore të Mesdheut, ku njerëzit vuanin edhe për bukë. Në këtë botë qytetare të Shkodrës «daja Gjon» këndonte këngë franceze, aty defilonin përkthyesit e famshëm të klasikëve botërorë, aty me ton vajtimtar thuhej: «Na e shkatërruan gjuhën. Na e dhunuen gegnishten tonë të bukur. Na e kthyen shqipen në teneqe. Në gjuhë gazetash. E ne na duhet me ndejë duarkryq…».
Rojtarët e nderit (të paqenë) të Partisë së Punës ishin përherë vigjilentë. Kur në televizor po shfaqej nisja e anijes kozmike «Apollo 11» drejt hënës, shoku Hysen, sekretar i partisë në fshatin Bushat, «nxorri prej goje dhëmbët e vet të verdhë, si kokrra kollomoqi gjeorgjian» dhe tha: «Edhe kjo do të ikë me të tjerat» (më parë anijet kozmike «Apollo 8», «Apollo 9» dhe «Apollo 10» nuk kishin arritur të aterrojnë në hënë). Shoku Hysen vinte me kalë nga Bushati për të parë televizor. «Shpesh kalin e lidhte atje në fund të kopshtit dhe i jepte do bar që e kishte marrë nga kooperativa. E, megjithëse, me kalë e me bar, antiamerikanizmi i kishte mbetë si sëmundje që nga koha kur kishim qenë mirë me Bashkimin Sovjetik». Kur shoku Hysen fliste marrëzi të tilla, të tjerët me zë të ulët thoshin: «Paska hangër për drekë gazetën ‘Zani i popullit’».
Konflikti se a do të aterrojnë apo jo astronautët amerikanë në hënë për pak u shndërrua në kacafytje masive në dhomën e Çapalikëve në Shkodër. Përsëri shoku Hysen ishte ai që s’mund të pajtohej që bota revizioniste e kishte lënë larg botën komuniste sa i përket zhvillimit.
«Ndërkaq, Armstrong dhe Aldrin vendosën mbi sipërfaqen e Hënës flamurin amerikan. Zot, sa i bukur! Ata e ngulën diku ndër gurë dhe vazhduan të kërcenin rrotull duke mbledhë material nga Hëna.
– Taman si majmuna, – u hodh prapë e i tha gjithë inat shoku Hysen Kristo Patanakut, që e kishte në krah.
– Majmunat e pidhit të s’at amë – u dëgjua një zë i ulët e krejt i lehtë andej nga fundi i dhomës.
Askush s’e mori vesh se kush e tha atë fjalë, por, megjithëatë, pa një pa dy, gjakrat u ndezën».
Shoku Hysen tani kishte dy hidhërime: kundër Amerikës që kishte shkelur hënën dhe kundër atij mysafirit të panjohur që ia shau nënën. Por, shoku Hysen ishte fleksibël. Në kooperativë filloi ta përdorë zbritjen në hënë si dëshmi se zoti nuk ekziston. «A e dëgjuat? Anija kozmike shkoi në Hënë. E kam parë vetë me këto dy sy. (…) Ata shkuen atje në Hanë dhe ku ishte Zoti? Ku ishte Zoti po ju pyes. Më thoni! Zoti kërkund. Nuk e gjeten. E kërkuen, por nuk e gjetën. Askund».
Kjo vepër e Stefan Çapalikut e ka vetëm një problem: i ka munguar një redaktor i hairit, një që lexon me sy hapur, një që kryen punën e tij. Atëherë nuk do të kishte ndodhur që brenda një paragrafi Çapaliku njëherë të shkruajë «hënë», pastaj «hanë», njëherë «gjeten», pastaj «gjetën». Tërë magjia e librit turbullohet me këso fjalësh jokonsekuente.
Kjo vepër e Çapalikut është e rëndësishme sidomos për ato gjenerata në rritje e sipër të shqiptarëve që nuk e kanë përjetuar në ashtin e tyre regjimin komunist. Ata që sot shijojnë jetën nëpër baret e Bllokut në Tiranë dhe në «shkuma-party» në bregdet duhet ta lexojnë këtë libër për të parë se në një kohë jo të largët në orën dy të natës zihej radha për qumësht dhe kush vonohej s’i mbetej gjë tjetër veçse të drejtohej «kah përsheshi me çaj apo me kafe elbi. Mua për vete përsheshi me kafe elbi më kishte mbirë në bark». Në këtë prezantim u përshkrua vëllimi i parë i veprës «Secili çmendet simbas mënyrës së vet». Ndërkohë Stefan Çapaliku ka dalë para lexuesit me vëllimin e dytë. Çdo lexues që ende nuk e ka lexuar këtë vepër duhet të jetë kureshtar.