Ekskluzive: Serbizimi i familjes Gjaka në fshatin Shillovë të Gjilanit

0
1146
Shillovë - Gjilan

Shkruan: Prof. Dr. Qazim Namani, Shqiptari20 Shkurt 2020

Procesi i asimilimit të popullatës shqiptare dhe vllahe në Gadishullin Ilirik është temë e pa hulumtuar dhe e pa trajtuar sa duhet në aspektin shkencor.

Puna hulumtuese në terren ofron mundësitë që sa më shumë të mblidhen gjurmët e trashëgimisë kulturore, materiale e shpirtërore, dhe kujtesa e popullatës që me shekuj i ruajti dhe i krijoi ato.

Gjatë hulumtimeve në terren, përveç gjurmëve të trashëgimisë materiale, hulumtimi i toponimeve, antroponimeve dhe trungjeve familjare është shumë me rëndësi për të kuptuar të kaluarën tonë historike e kulturore.

Një përvojë e punës në terren prej shumë vitesh më kishte frymëzuar që ti kushtojë rëndësi të madhe edhe zhvillimit të familjes shqiptare gjatë sundimit mbi 500 vjeçar nga Perandoria Osmane.

Familjen shqiptare gjatë pushtimit Osman, e kishin përcjellë kriza të shumta me plotë tragjedi e humbje njerëzore, ndryshime të mëdha në aspektin e kulturës, religjionit dhe identitetit kombëtar.

Puna në terren më frymëzoi që të thellohem në hulumtime, dhe të kuptojë se shumë familje shqiptare e vllahe, gjatë pesë shekujve të fundit ishin të pa mbrojtura, andaj nga rrethanat politike dhe presionet e shumta ishin detyruar ta ndërrojnë identitetin, religjionin dhe gjuhën amtare.

Duke i mbledhur me kujdes të dhënat në mesin e popullit tonë, dhe duke i krahasuar me burime historike të kohës, fillova të hulumtojë procesin e asimilimit me ç’rast realizova disa intervista me pjesëtar të qindra familjeve shqiptare, dhe jo shqiptare për të kaluarën e tyre familjare.

Gjatë përvojës time kuptova se në Kosovë, kishte mjaft familje serbe që gjatë dy shekujve të fundit, ishin shkëputur nga trungu i tyre familjar dhe identiteti i tyre më i hershëm arbëror.

Pas incizimeve dhe intervistave të para me dy familje serbe, një ditë duke e zhvilluar një bisedë miqësore për këtë temë, me profesorin e artit Haki Gjaklin e kuptova se një familje serbe në fshatin Shillovë të Gjilanit, është në lidhje gjaku me familjen shqiptare Gjaka, që sot jeton në Ferizaj. Fillova të interesohem rreth këtij rasti, dhe nga disa qytetar në Gjilan mësova se një familje serbe që jetonte në Shillovë e mban mbiemrin Gjakliq.

Në vitin 2015 gjatë përnjohjes së terrenit, këtë rast e kisha diskutuar me anëtarët e ekipit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, dhe shumëherë e bisedonim me kolegun tim Emin Sallahun, që një ditë të bëjmë një vizitë me karakter pune në këtë familje.

Me datën 26 maj 2015, pasi e vizituam kishën në Kmetoc, duke u kthyer në drejtim të Gjilanit mu kujtua familja Gjakliq në Shillovë. Fillova ta diskutoj rastin e familjes Gjakliq me kolegët, Emini që e drejtonte veturën u pajtua që të hyjmë në fshatin Shillovë. Po sa hymë në qendër të fshatit pyetëm për shtëpinë e familjes Gjakliq. Fshatarët na treguan se ku gjendet shtëpia e familjes së Zhivojin Gjakliqit. Kur u afruam para shtëpisë e gjetëm Zhivojinin duke punuar në kopshtin e tij. Vetura e jonë kishte regjistrim zyrtarë, andaj ne e vërejtëm se Zhivojini i shikonte tabelat, u ngrit në këmbë dhe shikonte në drejtimin tonë. Ne e ndalëm veturën afër tij. E hapa me kujdes dritaren e veturës dhe e përshëndeta, duke e pyetur mos jeni ju familja Gjakliq?

Po, u përgjigj Zhivojini.
A ka mundësi ta zhvillojmë një bisedë me ju, iu drejtova unë?
Zhivojini me një buzëqeshje më tha, a mos keni ardhur për fisin tim?
Po, ashtu është, e lidhur me këtë temë, ia ktheva unë.
Zhivojini na tregoi ku mund ta parkonim veturën.
Ne të gjithë dolëm prej veturës, u përshëndetëm dhe u ulëm në tavolinën që gjendej në kopshtin e tij.
Zhivojini kishte shtëpi të madhe, kopsht të bukur, të mbushur me lule që sa po kishin çelur.

Zhivojini e ftoi bashkëshorten e tij, e cila pasi na përshëndeti na gostiti me pije të ndryshme e kafe. Menjëherë erdhi na përshëndeti edhe djali i tij, e reja, dhe e kuptuam se që të gjithë ishin punonjës të arsimit.

Ne u treguam se arsyeja e vizitës tonë në familjen Gjakliq ishte një informatë e jonë e mëhershme për këtë familje.
Pas kësaj filloi biseda, dhe ne parashtruam pyetje të shumta rreth familjes së tij.
Në fillim unë iu drejtova Zhivojinit duke i kërkuar që të na fliste diçka për etimologjinë e mbiemrit të tij.

Zhivojini me të qeshur tha: Po si duket mbiemri i familjes tonë Gjakliq, ka etimologji nga gjuha shqipe, dhe kuptimi i saj rrjedh nga fjala gjak në gjuhën shqipe. Unë, tha ai, e mbajë mbiemrin e vjetër familjar, ndërsa disa kushërinj dhe vëllai im, i kanë ndërruar mbiemrat para disa viteve. Vëllai im Gradimiri, tha Zhivojini, tash jeton në Beograd, atje ka funksion të lartë dhe e mban mbiemrin e stërgjyshit tonë Mihajloviq.

Ne kërkuam nga ai të na tregojë se çka dinë për origjinën e familjes së tij, se a janë të ardhur në fshatin Shillovë apo janë autokton.

Zhivojini tha: Sipas tregimeve nga të parët tanë, familja jonë para qindra viteve, kishte ardhur në Kosovë nga Velesi i Maqedonisë.

Ne ndërhymë në bisedë, duke i thënë Zhivojinit, a mos kishin qenë tre vëllezër.
Zhivojin po u përgjigj, ju kah po e dini këtë?

Ne qeshëm dhe ja shpjeguam Zhivojinit, sepse këtë rrëfimin me tre vëllezër, e kishim mbledhur gjatë punës tonë në terren te qindra familje shqiptare.

Zhivojini, e vazhdoi bisedën duke treguar se tre vëllezër kishin qenë, dy vëllezër kishin mbetur të jetojnë në Shillovë, ndërsa njëri prej tyre kishte shkuar të jetonte në malet e Zhegocit në fshatin Kishnopole. Vëllai, i cili shkoi në Kishnopolei ka pasur tre djem, dhe raportet në mes familjes Gjakliq dhe atyre në Kishnopole kurrë nuk janë ndërprerë. Madje Zhivojini tha, kam shkuar në Ferizaj për ta ngushëlluar njërin prej atyre, që i kishte vdekur nëna, pak kohë më parë.

Ne zakonisht çdo familje që e kemi vizituar ia merrnim të dhënat e kujtesës së tyre për trungun familjar. Këtë e kërkuam edhe në familjen Gjakliq, e cila dilte kështu:

Meqenëse ne i dinim gjurmët e trashëgimisë arkeologjike në fshatin Kishnopole, Zhivojinit i treguam edhe për kishën e vjetër përball fushës së fshatit. Ne i shpjeguam se emri i fshatit rrjedh nga kisha e vjetër shqiptare, dhe fusha pranë saj, por që më vonë kuptimi për fushën ka marr etimologji sllave.

Shpeshherë gjatë bisedës Zhivojini dëshironte të na fliste, për raportet e mira me shqiptarët, si është takuar pas lufte me shumë lider politik shqiptar, po thuaj të gjithë i përmendte me emër e mbiemër.

Zhivojini tha, ju siç po e shihni, unë as telefon nuk mbaj me vete, pasi që më parë kam qenë kolonel ushtarak dhe tani jam i pensionuar. Ai e potencoi se edhe pse kishte qenë oficer në armatën serbe, gjithherë ishte sjellë mirë me shqiptarë.

Ne e dëgjonim me vëmendje, dhe herë pas here ndërhynim me ndonjë pyetje në rrëfimet e Zhivojinit.

Zhivojini filloi të rrëfente për mitingun e serbëve, që mbahej në Mazgit vite me radhë. Ai shprehej i mllefosur për mos organizimin e tij të duhur, madje tregoi se kishte qenë në këshillin organizativ.

Ne atij i shpjegonim rreth ngjarjeve historike në tre shekujt e fundit, për rrethanat politike, gjendjen e popullatës shqiptare gjatë shekujve, shpërnguljet nga trojet etnike, asimilimin dhe vrasjet e shumta të shqiptarëve.

Derisa ne ia shpjegonim në mënyrë kronologjike ngjarjet e shekullit XIX, Zhivojinit i bëri shumë përshtypje regjistrimi i popullatës sipas identitetit fetar pas reformave të “Tanzimatit”. Me këto reforma identiteti kombëtar e përcaktonte edhe miletin (kombësinë). Shqiptarët mysliman të gjithë u regjistruan si osmanlinj, shqiptarët katolik si latin, ndërsa shqiptarët ortodoks në mungesë së kishës ortodokse shqiptare u detyruan të regjistrohen me etni greke, serbe dhe bullgare. Siç shihet popullata shqiptare nuk kishte mundësi që ta ruaj përkatësinë etnike arbërore, por ishte detyruar ta ndërronte identitetin kombëtar. Meqenëse në atë kohë ndikimi rus ishte shumë i madh dhe me marrëveshjen e Bukureshtit në mes të Rusisë dhe P. Osmane, popullata ortodokse që jetonte në Rumeli kishte fituar privilegje dhe përkrahjen e fuqishme të Rusisë. Në territorin e Rumelisë tani veç ishin themeluar kishat e pavarura greke, serbe, bullgare dhe rumune. Në territorin e Kosovës së sotme, në kishat ortodokse klerikët e mbanin liturgjinë në gjuhën greke, dhe ishin drejtpërsëdrejti të lidhur me Patriarkalen e Stambollit.

Në territorin e Sanxhakut të Nishit, Kosovës së sotme dhe Shqipërinë veriore, kishin depërtuar klerik fetar ortodoks që ju shërbenin agjenturave ruse në rajon. Rusët e përkrahnin kishën ortodokse serbe që ishte themeluar në vitin 1837, andaj përmes tyre shumë misionar fetar kishin hapur në Kosovë kurse fetare e më vonë edhe shkolla në gjuhën serbe. Sipas kësaj platforme dhe projekteve ruse popullata ortodokse shqiptare dhe vllahe në trevat shqiptare filloi me ritëm të shpejtë që të serbizohet. Serbizimi i plotë i popullatës ortodokse në territorin e Kosovës është arritur në vitin 1896, kur përfundimisht kisha serbe arriti ti dëbojë të gjithë klerët fetar ortodoks grek, dhe ti zëvendësojë ata me klerik serbë në Prizren, Prishtinë, Lipjan, Ferizaj, Mitrovicë, Gjilan dhe qytete të tjera.

Ne duke u mbështetur në literaturë të kohës e njoftonim Zhivojinin se në vitet e para pas reformave të “Tanzimatit”, popullata e krishterë ortodokse e Anamoravës në pamundësi për tu regjistruar me përkatësi arbërore ishte regjistruar si etni bullgare.

Zhivojini dëgjonte me vëmendje kur ne i flisnim për lidhjet farefisnore të shumë familjeve serbe me familjet shqiptare në Kosovë. Ne shpjegonim me fakte nga terreni dhe literatura për përkatësinë arbërore të popullatës ortodokse (Raja), që kishte jetuar në Kosovë gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.

Gjatë hulumtimeve në terren, por edhe duke shfletuar literaturën, sado e paktë që është për këtë çështje, ne e kishim kuptuar se familjet ortodokse shqiptare të cilat Gjinollët e Gjilanit i kishin sjellë në tokat e tyre rreth Gjilanit, Rrafshit të Kosovës dhe qytete tjera gjatë reformave të “Tanzimatit” i kishin shpëtuar procesit të islamizimit, por për fat të keq më vonë këto familje u serbizuan.

Ndërkohë gjatë bisedës ne e pyetëm Zhivojinin, se a kishte njohuri për familjet Gjaka në Podujevë me rrethinë, Prishtinë, Vushtrri dhe vendbanime tjera.

Zhivojini mbetej i habitur kur ne i flisnim për një numër të madh të familjeve shqiptare me mbiemrin e tij Gjaka.

Ai i habitur u shpreh – po shumë qenkan, unë këto si kam ditur, por prej kah e kanë origjinën këto familje.

Ne i treguam Zhivojinit, se këto familje janë me origjinë nga fshati Gjakë, i cili gjendet pak kilometra tej kufirit të sotëm Kosovë–Serbi, në anën e djathtë të rrugës që çon në Nishë. Ne i shpjeguam për fatin e hidhur që përjetuan ato familje gjatë shpërnguljes me dhunë prej fshatit të tyre nga ushtria serbe gjatë vitit 1878.

Në fund të bisedës ne e udhëzuam Zhivojinin, që ta kërkojë në hartë për ta parë se ku shtrihet fshati Gjakë, duke ja bërë me dije se edhe origjina e familjes së tij mund të jetë po nga ky fshat. Ne i thamë që është mirë të takohet me historianin tonë Hakif Bajramin, pasi që edhe familja e tij ishte shpërngulur me dhunë nga fshati Gjakë gjatë krizës lindore të vitit 1878.

Ne u përshëndetëm me Zhivojinin, duke e falënderuar për bisedën që e zhvilluam dhe mikpritjen që na e bëri.

Një ditë më vonë ne hymë në fshatin Kufcë, i cili është ngjitur me qytetin e Gjilanit, por që administrohet nga komuna e Artanës, pas decentralizimit. Qëllimi i vizitës tonë në këtë fshat ishte që të shohim arkitekturën e ndërtimeve të vjetra, të mblidhnim të dhëna për objekte të kultit, dhe ishim duke iu afruar Qukës së fshatit, si e quajnë banorët. Fshati Kufcë është fshat mjaft i madh, me vendbanim të dendur përbri rrugës së transitit në qytetin e Gjilanit. Mbi fshat në një kodrinë gjendet Quka e fshatit, por në drejtim të Qukës vendbanimi është i shpërndarë. Pasi e kaluam fshatin duke shkuar në drejtim të Qukës së fshatit shtëpitë ishin të shpërndara në lagje të vogla me nga dy deri në pesë shtëpi. Në këtë pjesë të fshatit në një lagje të vogël jetonin tri familje shqiptare, dhe pak më lart tyre edhe disa familje serbe.

Posa u ofruam te familjet shqiptare, e gjetëm një grua të moshuar duke punuar në kopshtin e saj. Kur e përshëndetëm në gjuhën shqipe ajo disi mbeti e habitur pasi që shumë rrallë ishin vizituar nga ndonjë zyrtar.

Ne e pyetëm se si po kalojnë si familje shqiptare, në mes të familjeve serbe, dhe si e kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë.

Plaka afshoi lehtë, duke na thënë si po shihni edhe ju vet, ishim dhe jemi të izoluar në këtë vend. Ne prapë e pyetëm, po si keni kaluar gjatë luftës, dhe a kishit frikë? Eh moj loke thoshte ajo, frikë dhe tmerr kemi përjetuar gjatë gjithë asaj kohe. Ne, tha ajo, kishim shumë frikë, dhe i kujtonim rrëfimet e të parëve tanë që tregonin, se si i kanë vrarë dhe shpërngulur shumë vite më parë nga qyteti i Nishit.

Pas një bisede të këndshme, e lamë plakën duke punuar, dhe ne vazhduam rrugën në drejtim të Qukës, me qëllim që të bëjmë disa foto, dhe të mbledhim toponimet rreth saj.

Ne pasi që ia arritëm qëllimit, duke u kthyer në lagjen e poshtme të fshatit Kufcë, pranë një shitoreje vërejtëm një njëri që po bënte më dorë, dhe po vinte drejt kah vetura e jonë. Ai ishte Zhivojin Gjakliqi, të cilin e kishim vizituar një ditë më parë në shtëpinë e tij.

Ne e ndalëm veturën dhe u përshëndetëm me të. Zhivojini na tha se a mund të pinim nga një kafe së bashku. Ne i thamë po mund të pimë kafe si jo. Zhivojini erdhi me ne deri te një kafe afër fshatit Shillovë, jo shumë larg nga shtëpia e tij, në të djathtë të rrugës që nga Gjilani shkon për Dardanë.

Zhivojini na drejtohet neve i buzëqeshur. Eh çka më keni bërë ju dje. Më keni lënë tërë natën pa gjumë. Ai tregoi se e kishte gjetur në hartë fshatin Gjakë, dhe tani sikurse e kishte krijuar bindjen, se të parët e tij kanë mund të jenë nga ky fshat, por të shpërngulur në Shillovë shumë vite më parë.

Ne e zhvilluam bisedën duke i treguar dhe plotë fakte tjera për serbizimin e shqiptarëve dhe vllahëve gjatë shekujve XVIII, XIX e XX.

Ne u ndamë me Zhivojinin duke e lënë në bisedë të thellë me një shqiptar të moshës së tij.

Duke dal prej lokalit ku pimë kafe, kamerieri me një përbuzje na tha: A ju me shkije po punoni a!?

Ne shkuam në Gjilan dhe pasi drekuam, disi ndiheshim të ofenduar prej kamerierit shqiptar. Kolegu i jonë Emini insistoi që të kthehemi prapë në lokalin ku pimë kafe me Zhivojinin. Ne u kthyem dhe e këshilluam kamerierin që mos të paragjykoj, sepse ai nuk ka aftësi të kuptojë punën tonë në terren.

Më vonë ne e kuptuam se Zhivojini si oficer serbë e kishte pasur dosjen në gjykatën e Hagës, por edhe pas bisedës që e zhvilloi me ne, kemi kuptuar se më nuk kishte marrë pjesë në mitingjet serbe të mbajtura më vonë në fshatin Mazgit.

Kështu përmbyllej një ditë pune në terren.

Dërgoi për publikim, Enis Shatri, gazetar