Qazim Namani, Revista Drini – 8 Prill 2020
– “Serbi” po i thotë “Sahit Pashës”, po ashtu është o Pashë, se kur jeni ardhur e na keni marrë, ne s’kishim bukë me ngrënë. Ne atëherë u gëzuam shumë, kur ju na sollët në tokën e juaj.
– “Sahit Pasha”, tash unë kam ardhur të më japësh pak miell, se familja ime nuk po kanë çka më hëngër.
Kujtime nga rrëfimet e gjyshit
Gjyshi im i lindur në vitin 1909-2004, në Prapashticë, komuna e Prishtinës, kishte në kujtesën e tij shumë rrëfime interesante, për të kaluarën e popullit tonë.
Unë sot po e shkruaj një rrëfim, që ai e kishte dëgjuar në odën e tij, në mes të dy luftërave botërore. Këtë rrëfim ai e kishte dëgjuar në atë kohë, prej një Brahimit, nga fshati Llugë, komuna e Podujevës.
Brahimi kishte treguar një ngjarje mjaftë interesante, për “Sahit Pashën” e Sllatinës, në Rrafshin e Kosovës.
Pas rënies së sistemit feudal të pashallëqeve, në mesin e shekullit XIX, të gjithë bejlerët, agallarët dhe ajanët, që gëzonin prona të mëdha, nga popullata lokale, shpeshherë quheshin edhe pasha. Kjo traditë ju kishte mbetur, që nga e kaluara pak më e largët e sundimit osman.
Në fakt “Sahit Pasha”, kishte qenë njëri nga bejlerët me zë, në Rrafshin e Kosovës, e që kishte shumë dëshirë ta quanin edhe pasha.
Si shumë pashallarë shqiptarë në krejt trojet shqiptare, edhe “Sahit Pasha”, gjatë sundimit osman, i kishte shfrytëzuar privilegjet e tij nga pushteti, për t’i shfryrë epshet, mbi popullatën e varfër shqiptare.
Këta pashallarë, nga popullata e krishterë shqiptare (Raja), i zgjidhnin disa familje të varfra, që kishin vajza apo gra të bukura, dhe i sillnin që të punojnë, për kafshatën e bukës në pronat e tyre.
Për veprime të tilla amorale e shfrenuese, në territorin e Kosovës së sotme ishin të njohur pashallarët, që dolën nga dinastia e familjes Gjinolli. Modelin e familjes Gjinolli, e kishte ndjekur edhe “Sahit Pasha” nga Sllatina, i cili po ashtu në çifligjet e tij, gjatë sundimit osman, i kishte sjellë disa familje ortodokse shqiptare.
Me hapjen e shkollave serbe, laike dhe kishtare për ortodoksët në Kosovë, të gjitha familjet ortodokse shqiptare, kishin filluar që të regjistrohen si familje serbe.
Po filloj me rrëfimin e gjyshit tim, të cilit ia kishte treguar Brahimi prej Llugave të Llapit.
Brahimi në vitet tridhjeta të shekullit XX, e kishte pasur një mik shtëpie në fshatin Dabishec, komuna e Prishtinës, mirëpo sa herë që e çonte gruan te familja e saj, konakun e bënte në odën e familjes së gjyshit tim në Prapashticë.
Brahimi kishte treguar se, pas hyrjes së ushtrisë serbe në Kosovë në vitin 1912, “Sahit Pasha” i Sllatinës e kishte lutur Ibrahimin, që së bashku të shkojnë te një familje ortodokse shqiptare, që në atë kohë krize kishte mbetur në pronat e “Sahit Pashës”. Arsyeja e shkuarjes te kjo familje kishte qenë, për të kërkuar pak miell, prej tij për familjen e “Sahit Pashës”.
“Sahit Pasha” së bashku me Brahimin e Llugave të Llapit, kishin shkuar në shtëpinë e shqiptarit ortodoks (tani i regjistruar si serb). Tërë biseda mes tyre, ishte zhvilluar në gjuhën shqipe, pasi që më mirë “serbi” e fliste gjuhën shqipe, sesa gjuhën serbe, që e kishin mësuar me seminaret e mbajtura në kishë.
Në familjen e shqiptarit ortodoks (serbit), “Sahit Pasha” ishte pritur shumë mirë, ashtu si pas traditave popullore shqiptare.
“Serbi” ishte ulur te oxhaku, ju kishte bërë kafe, ju kishte dhënë që të hanë darkë, ndërsa dy djemtë e “serbit”, që kishin kaluar mbi 20 vite moshë, ju kishin larë këmbët të dy mysafirëve, dhe ju rrinin në këmbë, duke ju shërbyer deri vonë në mbrëmje. Dikur “serbi” ju kishte thënë dy djemve të tij, që të shkojnë më fjet, dhe të dy djemtë, pasi u përshëndetën shkuan për të fjetur.
Atë natë gjatë tërë kohës kishin biseduar për tema të ndryshme, por deri sa ishin djemtë kishin qenë aty, “Sahit Pasha”, nuk e hapi temën, për të cilën kishin shkuar në konakun e tij.
- Ndërkohë “Sahit Pasha” filloi ti rrëfej hallet e veta para “serbit”, duke e thirrë në emër: Pushteti u ndërrua, por ti e din mirë, se je në tokën time.
- “Serbi” po i thotë “Sahit Pashës”, po ashtu është o Pashë, se kur jeni ardhur e na keni marrë, ne s’kishim bukë me ngrënë. Ne atëherë u gëzuam shumë, kur ju na sollët në tokën e juaj.
- “Sahit Pasha”, tash unë kam ardhur të më japësh pak miell, se familja ime nuk po kanë ç’ka me hëngër.
- “Serbi” ia ktheu, unë shumë mirë po ju kuptoj juve, dhe më kujtohet shumë mirë, se edhe familja ime dikur, nuk kishte pasur bukë për të ngrënë, dhe jemi gëzuar shumë, kur ju prej kodrinave të thata, na keni sjellë në tokën tuaj pjellore, në Rrafshin e Kosovës.
Ne këtu në tokën tuaj punuam shumë, por ishim të lumtur, sepse nuk vuanim për bukën e gojës.
- “Sahit Pasha” qëndronte në kujtime dhe në heshtje.
- “Serbi”, Pashë ti e din shumë mirë, se unë shkoja për të punuar në arat tuaja, çdo ditë para se të lindë dielli, dhe kthehesha në prag të prarimit të diellit. Ty pashë të kujtohet se shpesh herë, kur unë kthehesha në shtëpi prej arave tuaja, e shihja kapelën tuaj të kuqe të varur në hu para derës time, unë e dija se ti brenda në shtëpinë time, ishe duke bërë qefin me atë kudrën time. Pashë unë i uritur shkoja në pleme, dhe nuk bëja gjumë tërë natën. Të nesërmen zgjohesha para se të lindë dielli, dhe me veglat e punës në krah, shkoja te arat tuaja për të punuar. Unë punoja i lodhur, deri kur zgjohej, dhe ma sillte bukën te ara, kah mesi i ditës ajo kudra e jeme. Edhe përkundër krejt këtyre ngjarjeve more pashë, unë të kisha ndihmuar, dhe nuk të kisha kthyer duar thatë, por unë e di shumë mirë që këta dy djemtë, që të shërbyen mbrëmë deri vonë, nuk janë djemtë e mi, por janë djemtë tuaj, andaj sot janë rritur dhe prej tyre nuk guxoj me i dhënë askujt miell.
- Gjatë gjithë bisedës së “serbit”, “Sahit Pasha” e kishte mbajtur kokën ulur.
Të nesërmen në mëngjes, të dytë ishin larguar prej shtëpisë së “serbit”. Me “serbin” u përshëndeten për herë të fundit, pa marrë me veti asnjë kilogram miell prej arave të tij. Kështu arat e “Sahit Pashës” u bënë prona të serbit me origjinë shqiptare.