Ekskluzive: FENOMENI MURAT JASHARI

0
1891
Albin Kurti - Murat Jashari

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Murat Jashari, më 13 mars 2017, bëri përpjekje për ta vrarë avokatin Azem Vllasi, i cili për shqiptarët e Kosovës është i njohur si politikani i konceptit jugosllav për Kosovën. Si zyrtar i asaj nomenklature politike, Vllasi ishte ai që shkoi në mesin e studentëve të rebeluar në pranverën e vitit 1981, më pas edhe ai u rreshtua me politikën jugosllave, për të zbatuar masa të ashpra kundër studentëve dhe popullit shqiptarë. Diferencimi në universitetin e Prishtinës mban vulën Azem Vllasi.

Në një mbledhje të OTH të LKJ-së që është mbajtur në Universitetin e Prishtinës, mbledhje kjo që ka marrë pjesë vet Azem Vllasi, janë përjashtuar nga procesi edukativo arsimor profesorët universitar: Ali Hadri, Gazmend Zajmi dhe Fehmi Agani etj. Ata janë të parët që pësuan nga politika projugosllave e Azem Vllasit. Madje, gjatë është përmendur barcoleta e akademik Ali Hadrit, i cili gjatë procesit të votimit, i është drejtuar Azem Vllasit, që ta ruaj njërin gisht, sepse mund t’i duhet për bythën e tij, kur t’ia kthejnë anën vëllezërit e tij jugosllav.

Po ashtu me emrin e Azem Vllasit, lidhet edhe marshi i Sllobodan Millosheviçit drejt Fushë Kosovës. Ndërsa kapitulli si zyrtar dhe përkrahës i politikës jugosllave mbyllet në kohën e grevës së minatorëve të cilët me pankarta kërkonin lirimin e Azem Vllasit, tashmë i prangosur nga po ai sistem, kurse minatorët e Kosovës u tradhtuan nga bashkëpartiakët e Azem Vllasit: Remzi Kolgeci, Hysamedin Azemi dhe Ali Shukrija, të cilët bënë tradhtinë e madhe për Kosovën.

Vitet e 90-ta, shoqërohen me një diferencim nga politika jugosllave, në njërën anë, kurse në anën tjetër me një mobilizim të gjithmbarshëm, atëherë kur në skenën politike të Kosovës udhëhiqte Lidhja Demokratike e Kosovë, më në krye dr. Ibrahim Rugovën dhe akademik Fehmi Aganin. Gjatë kësaj periudhe ndikimi i klikës komuniste që përfaqësohej nga Mahmut Bakalli dhe Azem Vllasi do të zbehet dukshëm, ndonëse haptas manifestoheshin përpjekje për t’u rreshtuar përmes formave të reja të neojugosllavizmit që përfaqësohej nga Veton Surroi i cili do të mbetet i fundit, në nivel jugosllav, që ka bërë përpjekje për ta ruajtur Jugosllavinë e AVNOJ-it.

Kosova po shkonte drejt luftës së pashmangshme, ndërsa garnitura e Lidhjes Komuniste të Kosovës, gjatë asaj kohe e kishte ndërtuar infrastrukturën e nëntokës, përpiqej me çdo kusht të ishin faktor. Në këtë planë janë shquar Veton Surroi e Blerim Shala, të cilët do të jenë pjesë e bisedimeve në të gjitha përpjekjet politike e diplomatike të asaj kohe.

Kur lufta kishte përfshirë Kosovën, e në anën tjetër trysnia ndërkombëtare vazhdonte mbi Serbinë, nëpër vende të Evropës dolën emisarët jugosllav, Shkëlzen Maliqi dhe Mahmut Bakalli, për ta bindur diasporën pse duhet të vinte Amerika në Kosovë?! Në anën tjetër, në Prishtinën e mbushur me milic e paramilitar serb, komunisti Adem Demaç, do ta hap zyrën e tij, dhe publikisht do të emërohet zëdhënës i UÇK-së, kurse për këshilltar politik kishte angazhuar komunistin jugosllav Azem Vllasi, i cili pas luftës do të shpallet edhe veteran i UÇK-së. Sado që u duk befasi, lista e veteranëve të UÇK-së është kompletuar edhe me emrat e Adem Demaçit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit, Isa Mustafës, Lutfi Hazirit dhe klerikut radikal dr. Shefqet Kraniqi, por as sot e kësaj dite nuk iu njohën meritat intelektualëve kosovar dhe as diasporës e cila ishte e rreshtuar pas politikës largpamëse të Ibrahim Rugovës.

Përjashtohen disa kamuflime me militantët që kanë udhëhequr “Fondin e trepërqindëshit”, i cili kontrollohej nga Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa. Po në rrethana të njëjta veprimtarët e Fondit “Vendlindja Thërret”, janë pajisur me merita dhe mirënjohje edhe nëse vetëm tri ditë kanë penetruar në ato grupe, duke krijuar një konflikt konceptesh e vlerash të papranueshme.

Sigurisht në këto lista të veteranëve, nuk do të mungon as Murat Jasharit, i cili në atë kohë kishte emër të respektuar, për shkak të rolit të tij ndikues në organizatën e majtë “Lëvizja Popullore e Kosovës”, por edhe për shkakun se ishte vëllai i komandant Kumanovës, alias Ismet Jashari.

Në Kosovë nuk u ndanë epokat

Në Kosovë nuk u ndanë epokat, përkundrazi atë ndarjen nga sistemi totalitar komunist që e bëri Lidhja Demokratike e Kosovës, me elitën intelektuale që i printe dr. Ibrahim Rugova dhe akademik Fehmi Agani, e ngatërroi involvimi i së majtës komuniste në Kosovë, qoftë ajo që vinte nga strukturat e pastra të LKJ-së, që përfaqësoheshin nga Mahmut Bakalli, Azem Vllasi dhe deri tek Isa Mustafa, e qoftë nga e majta ekstreme që përfaqësohej nga Adem Demaçi, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi e deri tek Murat Jashari.

Ky i fundit, më vonë do të bëhet shumë i njohur me listat e pyetjeve që kishte për ish – krerët e dikurshëm të LPK-së, të cilët tashmë kishin zënë pozita të larta udhëheqëse në Kosovë dhe Maqedoni.

Vlen të përmendet se këto lista me pyetje të shumta janë publikuar nëpër gazeta e portale të shumta. Disa gazetarë, të cilët tashmë shtiren si antikomunistë, vazhdimisht kanë shantazhuar secilin intelektual që nuk ka ardhur nga e majta komuniste, vetëm e vetëm për ta ruajtur dominimin e së majtës në udhëheqjen politike në Kosovë, të cilën në përpjekje për ta sforcuar dominimin titioist të Isa Mustafës, nuk kanë lënë gurë pa lëvizur për t’i përjashtuar intelektualët e vërtetë që kanë tëbanë të shquar nacional dhe kombëtar. Ndërsa koalicioni qeverisës i LDK-së, me të majtën enveriste që përfaqësohet nga Xhvit Haliti, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, është dëmi ma i madh që i bëhej Kosovës nga strukturat politike të LDK-së, të cilat tashmë udhëhiqeshin nga komunisti Isa Mustafa.

Nuk e di çfarë kompetencash kanë Agjencioni Kosovar i Inteligjencës dhe Prokuroria e Shtetit, por këto lëvizje, këto tendenca është dashur të hetohen dhe mbase të pengoheshin sepse janë të dëmshme për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Besimi Amerikanë në të majtën kosovare

Për aq sa dimë për historinë politike e diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk ka ndodhur një besim dhe një bashkëpunim, fund e krye me të majtën e një vendi, ashtu siç ka ndodhur bashkëpunimi Amerikan në Kosovë, qoftë ai bashkëpunim me të majtët enverist, titoist apo me elementin fetar fundamentalist, që së bashku e kanë sjell Kosovën në këto kriza të mëdha, me pasoja për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, klimë kjo që do të reflektohet drejtpërdrejt edhe në strategjinë e Amerikës për t’i shtrirë kufijtë e ndikimit të demokracisë edhe në Ballkanin Perëndimor. Prandaj Amerika, bashkë me vendet e Bashkimit Evropian, duhet t’i ndajnë përgjegjësitë për këtë lajthitje dhe për bashkëpunimin e tyre me të majtën ekstreme e cila është shkaktare për gjendjen e rëndë, dhe të pasigurt që tashmë është krijuar në Kosovë.

Cili ishte kontributi i mediave në Kosovë

Në këtë plan nuk përjashtohet kontributi negativ i mediave në Kosovë, të cilat nuk kanë qenë në gjendje t’iu paraprijnë proceseve, sikurse as nuk mund të përjashtohet edhe neglizhenca e institucioneve më të ndjeshme, siç janë policia, prokuroria, të cilat janë të mbushura me strukturat nga Lidhja Komuniste.

Ky ndikim komunist u shtri në mediat qendrore, ku do të shquhen Veton Surroi, Baton Haxhiu, Blerim Shala e disa sish, kurse në bordin e RTK, do të defilojnë Milazim Krasniqi, Adem Demaçi e mjaftë të tjerë të cilët nga bordi në bord kanë pasur rolin udhëheqës e ndikues. E në këtë ngarendje nuk kanë mbetur prapa as Organizata Joqeveritare, nëpër të cilat janë sistemuar kryesisht kjo strukturë e majtë të cilët me qasjet e tyre antiamerikane kanë krijuar amulli, pasiguri dhe së fundmi po rrezikojnë raportet e mira të shqiptarëve me Amerikën dhe Bashkimin Evropian.

Prandaj investimet Amerikane tek e majta ekstreme, duke mos përjashtuar as radikalizmin fetar, i ka këto pasoja?! Janë këto arsye pse i qortojmë publikisht amerikanet, të cilët duhet urgjentisht ta ndryshojnë strategjinë e tyre në përkrahje të së majtës komuniste, e cila tërë potencialin e tyre politik, intelektual dhe strategjik e kanë si qëllim për të krijuar klimë urrejtëse dhe të antiamerikane.
Por e keqja në Kosovë, mbetet në horizont, sidomos përzierja e koncepteve, sepse është dashur me këtë çështje të merret Parlamenti i Kosovës, kurse mëkatet të zgjidheshin në rrugë ligjore.

Për një kohë të gjatë ligjin në Kosovë e ka bërë organizata e famshme SHIK, përfaqësues i së cilës flitet se ishte Kadri Veseli, të cilin edhe shoqëria jonë por edhe Bashkësia Ndërkombëtare, e lejoi të ngjitet deri në krye të parlamentit të Kosovës dhe ta pushtojë edhe PDK-në, ashtu siç ka ardhur me akuza të ngjashme edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në këtë vazhdë të skandaleve, dhe shkeljeve flagrante të procesit zgjedhor shquhet edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili gjatë tërë karrierës politike ka udhëhequr në mënyrë teknokrate duke krijuar klimën e përçarjes, duke shkelur mbi rregullat e demokracisë dhe madje dy herë është dëshmuar edhe për shkelje të rënda kushtetuese, por shoqëria jonë ka lejuar që ai të vazhdojë avazin antidemokratik, fillimisht si kryetar i Prishtinës pa qenë kurrë anëtar i LDK-së, e më pas duke u bërë kryetar partie mbi shkelje të rënda statutare dhe rregullave të brendshme që i ka partia.

Edhe pse në fushata zgjedhore të gjithë kanë premtuar se do t’i hetojnë vrasjet politike, një gjë e tillë nuk u bë kurrë, sikundër nuk u kuptua se si janë lajthitur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të favorizuar personalitete të shumta mbi të cilët rëndojnë akuza të mëdha: qoftë për vrasje e likuidime fizike ose për krime politike dhe ekonomike, si dhe për shkelje të rënda të ligjit dhe ligjshmërisë kushtetuese.¨

Në këto rrethana qytetarët e revoltuar kërkojnë zgjidhje të tjera, prandaj ata përdorin rrugë kriminale, madje duke u thirru në “Kanun”, dhe kur këto nuk iu funksionojnë kërkojnë edhe ndihmën e “sheriatit”, për t’i realizuar qëllimet e veta. I kësaj natyre duhet të kategorizohet edhe atentati kundër avokatit Azem Vllasi.

A kanë qenë në dijeni institucionet përkatëse

Nga e gjithë ajo që u bë publikisht, Murat Jashari, nuk paska pasur njohuri elementare për atentate?! Por habit fakti se si ka mundur ai të hyjë në Kosovë, pa njohurit e policisë dhe pa dijen e AKI-së?! Në të kundërtën nëse, paskan qenë të informuara pse është lejuar të veproj?! E sigurisht edhe ky rast do të shkojë me këtë pompozitet publik pa u marrë seriozisht askush, pa dhënë përgjegjësi dikush.

Ne jemi dëshmitar se Murat Jasharin, është thënë se është i sëmurë psikik?! Atëherë shtrohet pyetja, si do të kualifikohet atentati kundër Azem Vllasit?! Sepse ky atentat nuk guxon të kualifikohet vetëm si veprim kundër një ish politikani, për t’i qëruar hesapet me mënyra antiligjore?!

Azem Vllasi, është qytetar i Kosovës, të cilin duhet ta mbroj ligji, policia dhe AKI-ja. Në të kundërtën duhet dikush të jap përgjegjësi pse nuk funksionon drejtësia në Kosovë. Të kthehen atentatet për t’i zgjidhur problemet me rrugë private janë të papranueshme për një shoqëri demokratike.

Nëse veprimi i Murat Jasharit, shikohet nga një prizëm tjetër, ai na i ngatërron krejtësisht gjërat, sepse ligji ndryshe duhet të vendos për një të sëmurë psikik, e ndryshe për një atentat politik me paramendim, dhe aq ma keq nëse vërtetohet se Murat Jashari, është pjesë e një organizate e cila synon t’i qërojë hesapet me kundërshtaret politik, me rrugë jashtë ligjore.

Tash shtrohet dilema: 1. Si do të trajtohet ky rast dhe 2. A do të merren parasysh akuzat e tij që ua ka drejtuar në formë pyetjesh: Xhavit Halitit, Hashim Thaçit, Fatmir Limajt, Ali Ahmetit, Fazli Veliut, e ndonjë tjetri, seriozisht.

Por i tërë krimi politik mbi avokatin Azem Vllasin si duket nuk do të përfundoj me epilogun e një krimi dhe ndëshkimi sipas ligjeve në fuqi, sepse në këtë proces janë implikuar edhe faktorë të tjerë, edhe mediat publike, por edhe organizata me indikacione terroriste.

Kur mediat bëhen prokuror dhe ekuzekutor

Mediat, në Kosovë janë bërë jo vetëm prokurë por edhe ekzekutorë, madje ato shkojnë më larg se sa atentatorët që kanë synim likuidimin fizik të kundërshtarëve politik.

Në këtë plan mund të merret Portali informativ “IndeksOnline.net”, që i ka publikuar “SMS-të e Murat Jasharit me agjenten rumune”, duke i bërë publike, 18 fotografi të skanuara dhe një tekst në të cilin pos tjerash thuhet se “Murat Jashari është udhëheqës i organizatës “Syri i Popullit” që ka për qëllim eliminimin e kinse tradhtarëve të popullit. Murat Jashari për opinionin synon të shfaqet si atdhetar i madh, por që në fakt duket të jetë një personalitet nën zero nga ana morale. Këtë e tregojnë edhe mesazhet e siguruara nga Indeksonline ku Jashari bisedon me një agjente rumune. Spiunja rumune, Mona. A, (emër i njohur për redaksinë), ka shkëmbyer mesazhe erotike me “patriotin” Murat Jasharin. Madje, takimi i tyre në biseda duket se ishte i planifikuar, por që për fillim biseda ishte “nxehur” aq shumë sa që janë shkëmbyer edhe organe gjenitale në email”.

Ky publikim i “IndeksOnline”, duhet të kualifikohet si vepra më e rëndë penale që e kanë bërë mediat publike në Kosovë, prandaj është dashur të reagoj Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Shoqëria Civile sepse:

1. Përgjimi i figurave publike, duhet të bëhet vetëm me vendimin e prokurorit.
2. Portali “IndeksOnline.net”, si duket qenka i implikuar në shërbime agjenturore, dhe nëse nuk posedon leje operimi, duhet të kualifikohet si vepër e rëndë penale.
3. Portali në fjalë, nuk ka asnjë të drejt të përcaktojë kush patriot e kush nën zero nga ana morale, sepse mund të kualifikohet si vepër penale.
4. Publikimi i SMS, të kësaj natyre, mund të bëhet vetëm me urdhër të prokurorit, por për shkak se implikohet edhe familja, nuk duhet të bëhet, prandaj rasti në fjalë mund të konsiderohet si vepër penale.
5. Publikimi i SMS, është krim i rëndë. Me këtë rast urgjentisht duhet të merret prokuroria e shtetit:
a. Sepse ka të bëjë me vrasje morale jo vetëm të të pandehurit por edhe të gruas, fëmijëve, farefisit, përkatësisht të një rrethi ma të gjerë, të cilët nuk janë të involvuar në atë krim.
b. Sepse si shërbim është i involvuar në çështje të ndjeshme të sigurimit të shtetit.
c. Sepse Mona A., si agjente rumune, qenka e implikuar në shërbimin shtetëror të Kosovës
d. Sepse, Indeks.online.net, ka bërë gjykim publik para prokurorit dhe organeve përgjegjëse të drejtësisë
e. Nëse publikimi i SMS, kanë dalë nga AKI, rasti bëhet edhe ma dramatik, ku do të duhej të shkarkoheshin një varg eprorësh përgjegjës për ruajtjen e fshehtësisë.

Tash shtrohet pyetja, nëse vërtetë Mona A. është agjente rumune, apo është skenarë i AKI?! Kjo çështje duhet për ta tronditur Kosovën. Tash duhet AKI të sqaron se çfarë lidhje ka shteti me një Agjente Rumune, dhe cila qenka detyra e saj? Në të kundërtën përgjegjësia bie mbi “indeks.online.net”, për ndërhyrje në punët e Shërbimit Informativ të Shtetit, dhe për ndërhyrje ligjore edhe në punët e Prokurorisë së Shtetit.

Vërtetë rasti është implikuar edhe më shumë se sa është shfaqur në opinion, prandaj shteti duhet të bie para lojërave të tilla.

Kush është Mona A?

AKI duhet të shpjegojë kush është Mona A, dhe të shpjegojë a merret AKI me shërbime të kësaj natyre për t’i kompromentuar figurat publike dhe nëse ka apo jo edhe raste të tjera?!

Opinioni publik e dinë se unë jam zgjedhur kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër, në një proces të rregullt zgjedhor, i cili është mbajtur më 10 maj 2015. Po ashtu opinioni publik dhe zyrtaret diplomatik, si dhe zyra të shumta përkatëse janë mirë të informuara se si Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, nga cilësia e kryetarit të LDK, nuk i ka njohur këtë proces dhe ka përdorur të gjitha mjete jo ligjore për ta degjeneruar procesin politik në Degën e LDK-së në Zvicër. Në këtë plan Isa Mustafa si udhëheqës i Shtetit të Kosovës, kryesia e LDK-së, dhe institucione përkatëse të Shtetit të Kosovës, dyshohet se qenkan të involvuara për t’i shantazhuar veprimtarinë publike të personaliteteve të caktuara.

Në shtatorin e vitit 2015, kam udhëtuar për pushime në Kosovë. Gjatë atyre tre javëve kam jetuar nënë presionin e “agjenteve të tipit Mona A”, identitetin e cilës po e ditka “Indeksonline”, të cilat po me këtë metodë janë sjell edhe me mua.

Pra për ironi po them edhe pse kanë qenë rumune?!, të gjitha kanë shkruar shqip. Të gjitha kanë kërkuar takime fshehtas, të gjitha kanë kërkuar takime në periferi, të gjitha kanë kërkuar marrëdhënie seksuale, të gjitha kanë kërkuar shkëmbim të videove të organeve gjenitale. Jo vetëm një por kanë qen 14 raste të tilla, pastaj kanë qenë edhe 5 meshkuj që kanë kërkuar marrëdhënie homoseksuale.

Por nëse një mori ofertash të tilla vijnë brenda një intervali të shkurtër kohorë, do të duhej të shqetësohej secili. Kur këtë rast e kam biseduar me miq, dikush më ka thënë se janë Agjente në Shërbim, por jo në shërbim të Rumanisë. Edhe pse këtë fenomen të shantazhit e kam diskutuar me miq dhe të njohur, kurrë s’kam dashur me besuar se shteti merren me këto forma për t’i kompromentuar qytetaret e vetë. Kurse në udhëtimet tjera, këto shantazhe janë reduktuar, ndërsa në rastin e fundit nuk ka ndodhur asnjë rast.

Prandaj nëse këto materiale kanë dal nga AKI, zyrtarët e saj duhet të flas publikisht pse shantazhojnë qytetaret e saj, dhe pse i bëjnë publike gjërat e tilla. Po ashtu është detyrë AKI, të tregoj kush e drejton këtë portal, dhe kush ia ka dhënë të drejtën me operuar me moralin qytetar, sidomos kur kemi të bëjmë me moralin e familjes, grave, fëmijëve dhe të rrethit shoqëror. Në këtë pikë është dashur të reagojnë organizatat e caktuara që mbrojnë vlerat e familjes dhe të shoqërisë.

Rasti i Murat Jasharit, është i paprecedent. Ai tashmë është proceduar para organeve të drejtësisë, të cilat si fenomen duhet ta trajtojnë gjerësisht dhe tërsisht, qoftë për implikimet e tij të mundshëm si përfaqësues i organizatës “Syri i Popullit” që ka për qëllim eliminimin e tradhtarëve të popullit”, e qoftë për listën me pyetje të shumta që ua ka bërë bashkë veprimtarëve të vet në organizatën e majtë “Lëvizja Popullore e Kosovës”, e qoftë për ta trajtuar këtë fenomen të implikuar drejtpërdrejt me strukturat shtetërore, me “agjenturat rumune” e deri tek ato ruse, siç e kualifikoi këtë rast edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Sigurisht, këtë rast do ta shqyrtojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat duhet t’i shikojnë mundësitë për t’i korrigjuar raportet e tyre me të majtën komuniste në Kosovë, e cila padyshim është përgjegjëse jo vetëm për krizën politike në Kosovë, por edhe për stagnimin ekonomik të vendit, po sidomos për mashtrimin dhe tradhtinë që ua kanë bërë ShBA-ve dhe BE, duke qitur në pah tendencën e tyre se kanë për qëllim me e shkatërruar Kosovën, vetëm e vetëm për të dështuar projekti Amerikan për të ngadhënjyer demokracia edhe në Ballkanin Perëndimor.

St. Gallen, 19 mars 2017.

Lëgjenda: Skandaloze: Këta janë SMS-të e Murat Jasharit me agjenten rumune (Foto +18)
http://m.indeksonline.net/lajmet/skandaloze-keta-jane-sms-te-e-murat-jasharit-me-agjenten-rumune-foto-18-68785/