Gazeta Shqip, 13 Shkurt 2020
Dhëndëri i ish kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si aksioner në firmën e ndërtimit “Homeplane”. Kjo kompani është themeluar nga biznesmeni Fatmir Bektashi në vitin 2008 dhe objekt i saj ishte fusha e ndërtimit.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Jamarbër Malltezi është shtuar si aksioner me 35 % tek kompania “Homeplane” në dhjetor të vitit 2018. Por sipas dokumentave të siguruara nga Gazeta SHQIP, dhëndrri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi i ka blerë këto aksione në 23 janar të vitit 2014, pra shumë më herët sesa regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ai nuk e ka regjistruar kontratën në QKB, për të qëndruar i fshehur si ndërtues.
Tani le të kthehemi tek ndërtimet!
Kompania “Homeplan” në bashkëpunim me “Kontakt” kanë aplikuar për një leje zhvillimore për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, tek zona e ish Kompleksit Partizani, pas Inxhinierisë së Ndërtimit. Leja zhvillimore është zbardhur nga Bashkia e Tiranës në 18 gusht 2013 dhe vetëm pas 6 muajsh pas nisjes së punimeve, Jamarbër Malltezi futet si aksioner i këtij pallati ndërtimi.
Malltezi është përfolur shumë për pronat e tjetërsuara tek ish Kompleksi Partizani dhe se pas ndërtimit fshihej ai. Por deri më sot, me dokumenta kjo gjë nuk ishte vërtetuar, pasi Abi (siç njihet ndryshe), nuk i kishte regjistruar aksionet e tij në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Kompleksi i ndërtuar nga Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi, ka 17 pallate dhe ky ndërtim vlerësohet mbi 20 milionë euro.
Ajo që ngre pikëpyetje të mëdha është edhe nisja e hetimeve të prokurorisë për këtë leje ndërtimi, pasi ishin evidentuar shkelje. Hetimi u pushua, por sot askush nuk i jep një shpjegim faktit sesi dhëndëri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, u bë ndërtues i një kompleksi me vlerë 20 milionë euro.
Përveç kësaj, lejen e ndërtimit e ka dhënë Lulzim Basha, në atë kohë kryetar i Bashkisë Tiranë, duke e ekspozuar Malltezin dhe vjehrrin e tij Sali Berishën, në një konflikt të hapur interesi.
Pyetja qëndron, a duhet të hetoj SPAK dhe OFL Jamarbër Malltezin dhe familjarët e tij për kompleksin 20 milionë euro?!
Më poshtë kompleksi i pallatit:
Më poshtë kontrata e 2014 ku Jamarbëri bëhet ndërtues:
Më poshtë leja e ndërtimit për Jamarbër Malltezin:
Më poshtë dokumentat e QKB-së, ku është regjistruar në 2018:
© Copyright Gazeta SHQIP