F A S L L I H A L I T I
viz. S. Kamberi kopertina: Elidon H.
EDIPI
. Poemth .
(nga libri “S’di të hesht”)
S’e kam fjalën për Edipin mbret
Fjalën e kam për një shokun tim
Për një Edip
Të zakonshëm
Të thjeshtë.
***
Ishim te dy tornitorë
Edipi fliste gjatë punës me tornon
Qeshte
Zihej
Grindej
Me tornon tetë orë
Sikur ta kishte tornon të dashur
Dhe tornoja ta kishte Edipin dashnor.
***
Dhe mua gjithë ditën s’më fliste me gojë
Po
Kur binte çanga
Kur dilnim jashtë
Edipi më kapte prej beli
Dhe mbi barin plot vajra të ofiçinës
Mundeshim
Rrokeshim bashkë.
***
Pastaj u bë mjeshtër Edipi
Thashë:
M’u largua.
Thashë:
Mos Edipi më iku.
***
Por ai punonte,
Zihej,
Qeshte,
Bisedonte me tornon më parë,
Mua s’më fliste gjatë punës prapë,
Por nuk harronte të rrokej me mua mbi bar.
***
U bë pastaj Edipi shef.
Thashë:
Edipi iku
Thashë:
Edipi u bë mbret.
***
Edhe në zyrë,
Si në torno punonte Edipi prapë
Dhe zihej, qeshte, bisedonte,
Me një shkresë,
Me një laps.
***
Mua s’më fliste
(Në zyrë po t’i veja
Brenda orarit zyrtar),
Por nuk harrronte të vinte,
Të mundej,
Të rrokej me mua mbi bar.
***
U bë Edipi pastaj
Kryetar Komiteti.
Thashë:
Le të hahet
Me mua tani përgjegjësi,
Le të hahet brigadieri me mua,
Le të hahet drejtori po deshi,
Le të hahet ndonjëri po deshi tashti,
Le të bëjë po deshi shaka,
Jo vetëm drejtorin,
Brigadierin
Unë
E rrufis
Por gjithë ndërmarrjen e ha.
***
Por brigadieri më tha
Një mëngjes:
Lëre,
Mos e fillo punën shoku Rexhep,
Merri leje drejtorit,
Je gjysmë minute vonesë.
***
Një e qeshur mua më hipi,
Tunda kokën,
Rrudha ballin,
Dhe vrapit ia mbatha te Edipi
I them:
………………
……………………………
……………………………………………
………………………………..
Më thotë:
Për këtë më erdhe në zyrë ti?!
Mirë se erdhe!
Kushdo
mund të më vijë,
Ulu.
Na.
Ndize
Cigarin një herë
Pastaj
U zverdh,
Pastaj u vrenjt menjherë.
***
Jemi shokë
Në zyrë të vish natyrisht
Po të vish
kur ke të drejtë.
Thashë:
Tashti m’u largua
Tashti po që më iku,
Tashti po u bë mbret Edipi!
***
Por përsëri pas orarit zyrtar,
Më kërkoi kudo Edipi atë ditë.
Më kërkoi në shtëpi,
Në kafene,
Në stadium,
Në
Pazar,
Më kërkoi dhe më gjeti,
Dhe prapë u rrok me mua mbi bar.
1972, Zëri i Rinisë.