Edi Rama ngre padi zyrtare, reagon Ramush Haradinaj

0
611
Ramushi - Edi

Opinion.al15/01/20

Pas raportimit nga mediat në Kosovë se Kryeministri Rama ka ngritur padi zyrtare ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj, ky i fundit ka reaguar përmes një postimi në Facebook.

Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë. Unë, sipas ligjit, do të përgadis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore!

Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë. RH,” – është shprehur Haradinaj.

Sipas Klan Kosovës padia është dorëzuar të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Rama e akuzon Haradinajn për shpifje dhe kërkon kompensim të dëmit.

Padia me mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.

Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiqin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas padisë, kryeministri i Kosovës, është autori dhe përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete, të cilat në mënyrë të përsëritur dhe në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme, sipas së cilës “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”. /Opinion.al