Edi kujdes, nuk je pronar i vendit!

0
790

Marrë nga 360grade.al

Letra e profesoreshës për kryeministrin: I dashur Edi, a e di pse nuk të kanë “duk” punët?

I dashur Edi, a e di pse nuk të kanë “duk” punët?”, kështu e titullon letrën e saj profesoresha Zamira Çavo dërguar kryeministrit Edi Rama.

Dhe pse nuk i kanë “duk” punët shefit të kabinetit?

Përgjigjen e jep profesoresha si më poshtë:
“Në tri vite qeverisje “Rilindje” unë gjithnjë kam vlerësuar ato punë që qeveria i ka bërë mirë. Dhe jam e bindur se në vizionim e saj për të bërë punë të “cilësisë së mirë” vendin kryesor e ka zënë dukja. Por gjithsesi është për t’u vlerësuar. Unë ju jam mirënjohëse që para shtëpive tona, para shkollave apo universiteteve, nuk “mbijnë” më ndërtime që të fortët i realizonin me paratë e drogës apo paratë e politikës. Unë gjithashtu vlerësoj faktin që energjinë elektrike në pallatin tim nuk e paguaj vetëm unë, por të gjithë.

Jam krenare kur sjell vizitorë të huaj që të shikojnë se si po transformohen qendrat urbane. Ju jam mirënjohëse për angazhimin tuaj për të bërë reforma me synimin e funksionimit të shtetit! Dhe këto punë, unë i quaj vërtetë të rëndësishme. Por vërej çdo ditë se si edhe ata, që i quanin të tilla punët e mira të qeverisë, sikur kanë ndryshuar mendje. Ata “kazanët” mediatikë ose jo, që sipas jush bëjnë “përshesh” gjithçka, duket se kanë më shumë influencë, se sa puna e bërë nga Ju. Në mendimin tim ka disa arsye:

Së pari: Vizioni juaj për të bërë punë të mira për vendin duket se ka një kahje personale, një vështrim që ju si lider e keni për vehten tuaj dhe punën tuaj. Këtij vizionit Tuaj, i ka munguar ideologjia, i ka munguar fryma, i ka munguar masa. Nëse do kishit patur vizionin ideologjik të së majtës, do ta kishit vënë re se këto punët e mira, që keni bërë janë një shinë, shina tjetër është ekonomia, janë xhepat e njerëzve, janë hallet e problemet e akumuluara ndër vite, që u kanë kërrusur shpinën. Por ju keni vendosur të ecni në shinën tuaj. Dhe teksa keni parë shpinën e kërrusur të popullit, e keni gjetur më të lehtë të uleni sipër saj, për të parë se si do ndryshojë vendi dhe e ardhmja e “dukjes” së tij. Ajo dukje, që për ju përben thelbin e qeverisjes.

Ju do rrisni pagat dhe sigurisht nuk ka shqiptarë që të mos e vlerësojë këtë! Por a ju kanë thënë këshilltarët se a do ndryshojë vërtetë pozitivisht ekonomia familjare e shtresave, të cilët do përfitojnë nga kjo rritje? A ju kanë thënë se sa është rritja e çmimeve, rritja e taksave në masë dhe në numër, të cilën do duhet ta përballojnë këto grupe? A ju kanë thënë se ka shumë familje që mbahen vetëm me rrogën e njërit prej familjarëve, që mund të përfitojë nga kjo rritje? A ju kanë thënë që një familje me katër persona, ku i punësuar është vetëm njeri prej tyre, duhet ta ketë pagën mbi 600 mijë lekë (të vjetra), që të kap minimumin jetik, pale të jetojë mirë?

Së dyti: Shqipëria është vend i vogël dhe i varfër. Sfida më e madhe e juaja do duhej të ishte lufta me varfërinë. Dhe varfërinë e zbusin jo vetëm politikat sociale ndihmuese, por kryesisht nxitja e investimeve në sektorët prioritarë. Por ju nuk keni përcaktuar as këta sektorë. A e keni parë se çfarë po i ndodh Malit të Tomorrit? Eshtë shkërmoqur i gjithi për t’u bërë gur e për tu shtitur në biznese, që nuk pyesin për vendin, por vetëm për xhepin e tyre. Dhe në këtë Mal punojnë e rropaten çdo ditë pothuaj të gjithë kryefamiljarët e Poliçanit për 2 mijë lekë ditën, sepse nuk kanë ku të punojnë? Por nga ana tjetër nuk mund të mos e pranoj se Rilindja urbane, e ka urbanizuar vërtetë qendrën e këtij qyteti!

Së treti: Ju ndjeheni krenarë kur krahasoni punët e bëra nga ju me atë banalitet që la pas Berisha. Dhe keni plotësisht të drejtë! Por njerëzit janë të mençur dhe e shikojnë dhe e kuptojnë dhe e vlerësojnë. Ju vazhdoni tua përsërisni çdo ditë. Kjo i ka lodhur njerëzit. Madje me raste dhe i ka neveritur! Por ju vazhdoni ta bëni çdo ditë ! E mbani mend atë fabulën me ariun? Ariu kishte hequr një ditë gëzofin e vet, për të ndihmuar një njeri, që e kishte lagur shiu. Dhe pasi e bëri këtë dhe mori falenderimet e njeriut të gjorë, filloi t’ia përsëriste kaq shpesh këtë veprim, sa një ditë njeriu u hodh në një pellg me ujë të qelbur dhe i tha ariut: Më shume se kaq do lagesha?…

Së katërti: Ju jeni mjeshëtr i batutave. Unë ju dëgjoj dhe vlerësoj maksimalisht për këtë. Por batutat nuk shkojnë me qytetarin individ. Batutat shkojnë mes të barabartëve. Më ndodh gjithnjë e më shpesh që nuk di të zemërohem apo ta marr me sportivitet batutën tuaj të hedhur kuturu në mes të njerëzve të thjeshtë. Po si mund tu thuash fshatarëve në Krumë, se në vend të shtypit shqiptar, u duhet të lexojnë ‘The Guardian” apo “The San “ apo “Daily Mail”-n?? Dhe e thua në një grupi njerëzish që të kërkojnë bukë e punë për mbijetesë?! Çfarë emri mund t’i vë këtij qëndrimi përveçse një cinizëm, që shkon më profilin tuaj të një lideri euorpian por jo shqiptar? Nga podiumi ku të kanë ngjitur këta njerëz, është fare e lehtë t’ua bësh “përshesh” mëndjen dhe personalitetin, por problemi mbetet dhe ata gjithnjë e më shumë do t’ju konsiderojnë të huaj, të largët e të padëshiruar!

Së pesti: Një qeveri që punon edhe gabon. Por është i fituar ai Lider që i njeh gabimet e veta dhe bën ç’është e mundur për t’i korigjuar ato. Por ju nuk jeni i tillë! Ju nuk pranoni jo gabime, por as vërejtje. Madje silleni si një fëmijë kokfortë, që kur i thua “mos” ai e bën edhe më keq. Aty ku publiku kritikon më shumë (arsimi, shëndëtësia, koncensionet, Valbona etj.) aty bëni dhe “çfaqje publike” ku dukshëm tregoni mbështetjen tuaj ndaj këtyre gabimeve, që njerëzit i kritikojnë. Dhe publiku nuk është Lulzim Basha dhe opozita, që kritikon aty nuk është për të kritikuar! Dhe ju i quani kritikët “qentë që lehin” dhe qeverinë si të vetmen që duhet të drejtojë vendin, sepse vetëm ajo e di ç’farë duhet të bëjë. Unë nuk jam e bindur në disa raste, se Qeveria e di më mirë nga të gjithë, se çfarë duhet të bëjë. Por ata që e dinë nuk kanë instrumente që keni ju, po kështu nuk kanë as mirkuptimin tuaj.

Së fundmi: Ju jeni kryeminsitri i vendit, por nuk jeni pronari i saj! Qeveria është drejtuesja e radhës së popullit, ndaj është shërbëtorja e tij! Kam dyshimin se këto ju i keni kuptuar gabim?!”