EDHE UNË E NDIHMOVA LUFTËN – poezi nga FASLLI HALITI

0
531
Faslli Haliti - viz. Kamberi

F. HALITI:VIZ. S.KAMBRI “ARTIST I POPULLIT”

FASLLI HALITI

EDHE UNË E NDIHMOVA LUFTËN

Kur bëhej lufta,
Unë isha i vogël fare
Dhe lufta prej meje
Nuk priste ndonjë gjë të madhe

Megjithatë,
Edhe unë
Diçka luftës i dhashë:
Vdekje fashizmit, shokë!
Vdekje fashizmit, shoqe!
Cilitdo,
Kudo i thashë.

Dhe para të gjithëve:
Fashistë,
Ballistë,
Gjermanë
Këndova këngën,
S’e pushova këngën:
O i vogël, o partizan…

TOPAVE MBRETËROR

Si s’u ndez baruti juaj o topa mbretëror,
Si s’u ndez ai nga xixat,
Nga shkëndijat
E syve
Tanë?
Si s’pëlcitën kapsollat e gjyleve tuaja
Ditën e pushtimit fashist italian?

Por
S’kishte sesi,
Gjithë urrejtjen,
Gjithë inatin dhe mërinë,
Ju e kishit shfryrë kundër popullit
O topa
Mbretërorë,
S’ju kish mbetur gjë më juve
Për shfryrë kunër pushtuesit o topa të gjorë…!

SI THONI JU

Përçmuesve të këngës sonë

.poemë.

Për Luftën,
U zure
Sot
Me dikë në kafene
Megjithëse pas Luftës bisedohet për paqe
Të zihesh, grindesh, nuk ka përse!

***
Po!
Ne
I kënduam Luftës.
Si thoni ju
Të mos i këndonim kapedanes,
Partizanes,
Çlirimtares ?

Mbi zaje inkandeshente
Dhe nën dëborë flakësh,
Si Kapaneo
U vu
Atdheu ynë;
Si Kapaneo i Dante Aligerit
Që s’diti të nënshtrohej
Në shekuj,
Për jetë,
E si mund ta linim ne atdheun
Të nënshtrohej në shekullin njëzetë ?

Si thoni ju
Të mos i këndonim trimërisë së maleve me yll
Si thoni ju të mos i këndonim,
Pushkës fisnike me gjalmë,
Pushkës modeste,
Pa stolira
Argjendi,
Fildishi,
Floriri
Ari,
Pushkës trime
Që po na sillte blerimin,
Të mos i këndonim pra ne,
“Dalëngadalë po vjen behari?”

Po.
Ne
I kënduam pushkës me gjalmë
Pushkës që rrëzoi aeroplanin kob.
I kënduam edhe llastiqeve
Llastiqeve
Të Colit
Që qorronte
Gjermanët me helmetë.
Pse të mos i këndonim llastiqeve
Armës më të vjetër
Armës
Më të re?
Davidi me kë e vrau Goliatin
A s’e vrau me një gur, vërvitur me një hobè…?

Ne,
U kënduam dëshmorëve:
Si thoni ju
Të mos u këndonim plagëve të gjokseve,
Plagëve bozhure në lule të ballit,
Të mos u thurnim kurora
Me degët
E dafinave?
Në doni të pështyni,
Pështyni mbi plagët e turpshme të shpinave!

Si thoni ju
T’i linim
Pa asnjë poezi,
Pa asnjë poemë a këngë
Plagët bozhure e trimëresha,
Plagët heroina të djemve partizanë ?

Mjaft!
Me numra
Dhe llogari plagësh.
Plagët për Liri s’numërohen
Plagët e Lirisë nuk përfliten, s’namatisen,
Plagët e Lirisë vetëm venerohen…

Për Luftën,
U zure
Sot
Në kafe
Me dikë
Megjithëse pas Luftës bisedohet për paqe
Të zihesh, grindesh, nuk ka përse!

Ne luftuam.
Mjaft!
As topi
S’e luan.
Pyetni malet
Pyetni dhe fushat,
Pyetni dëshmitarët tanë,
Pyetini yjet, vetëtimat, retë
Që mes plumbave, borës breshrit, na panë
Pyetni bubullimat dhe rrufetë
Që mbi ballin tonë me yll,
Binin ditë dhe net… !