Nga Frank Shkreli
Për disa vite me radhë jam përpjekur të ngre zërin tim modest për rrezikun e përhapjes së influencës ruso-turke në Balllkanin Perëndimor në përgjithësi dhe në Shqipëri e në Kosovë, në veçanti. Jam munduar gjithashtu që të paralajmëroj, sidomos rrezikun që do të vinte nga flirtimi që kemi venë re, vitet e fundit, në marrëdhëniet e udhëheqësve shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë me protagonistët kryesorë të kësaj përhapjeje të influencës turko-ruse, të frmyëzuar dhe të mbështetur nga Putin-Erdogan dhe emisarët e tyre, anë e mbanë trojeve shqiptare. Ky angazhim dhe kjo politikë e udhëheqësve autoritarë të këtyre dy vendeve ndaj trojeve shqiptare, është aq dashakeqëse sot, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë historisë së shqiptarëve.
Është pjesë e përpjekjeve të tyre për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe për të bërë ç’mos që të pengojnë realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për integrimin e tyre të plotë në organizmat euro-atlantike. Si Rusia ashtu edhe Turqia pretendojnë marrëdhënie “të veçanta historike” me rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë, sidomos, shqiptarët. Me këtë deklaratë, jo vetëm që Moska dhe Ankaraja kanë bindur vetveten për këtë falsitet historik, por duket se për këtë falsitet i kanë mbushur mendjen edhe klasën aktuale politike shqiptare dhe udhëheqësve të saj — disa prej të cilëve kanë kërcënuar vendet perëndimore, në të kaluarën, se Shqipëria dhe Kosova kanë alternativa të tjera, siç janë, jo vetëm Rusia dhe Turqia, por edhe Kina e Irani, nëqoftse dështon anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Fatkeqësisht, tani duket e qartë se ndikimi i Turqisë dhe i Rusisë në trojet shqiptare, edhe nëqoftse duam të besojmë se nuk po mbështetet aktivisht nga Tirana dhe nga Prishtina zyrtare, atëherë kjo influencë po pranohet në heshtje nga autoritetet shqiptare. Disa analistë janë shprehur se politikat autoritare erdogano-putiniste përputhen më shumë me natyrën e qeverisjes në Tiranë dhe në Prishtinë se sa me rregullat e demokracisë së vërtetë dhe me sundimin e ligjit.
Dy zhvillime të ditëve të fundit në lidhje me influencën ruso-turke në Shqipëri dhe në Kosovë dhe të cilat pasqyrojnë më së miri shqetësimet serioze për këtë fenomen të rrezikshëm në trojet shqiptare, u njoftuan të hënën në disa media shqiptare:
Njoftohet se të hënën në Tiranë, Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, (SHISH), Z. Helidon Bendo ka raportuar me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë, duke ngre alarmin se Rusia ka shtuar ndërhyrjet në Shqipëri. Sipas të dhënave në media, burime brenda komisionit bëjnë me dije se një pjesë e raportimit të kreut të SHISH është fokusuar në shtimin e ndikimit rus në Shqipëri, por nuk kanë dhënë detaje.
Është vështirë të thuhet se cilat janë hollësitë e raportit të SHISH, por duhet të insistohet që raporti i Z. Bendo në Komisionin e Sigurisë të Kuvendit, të bëhet publik, ashtu që populli ta dijë nga një burim zyrtar, rrezikun që po i kanoset Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë moment të historisë, nga ndërhyrjet e huaja dashakeqëse. Por kam frikë se ashtu si me çdo gjë tjetër të kësaj natyre, edhe ky raport i klasifikuar do të kamuflohet duke u përdorur më shumë për akuza dhe kundërakuza politike dhe jo si një çështje tepër e rëndësishme për sigurinë kombëtare, një rrezik që duhej të alarmonte të gjithë. Përveç përmbajtjes së raportit, lind pyetja se në cilat fusha dhe cilat nivele të shoqërisë shqiptare, përfshirë politikën, ka penetruar influenca ruse dhe nëse nga ky ndikim i Moskës në Shqipëri është cënuar rëndë siguria kombëtare dhe interesat e Kombit Shqiptar në Ballkan.
Zhvillimi tjetër ka të bëjë me gjysmën tjetër të Kombit Shqiptar — me deklaratën e fortë të lëshuar të hënën nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, në lidhje me arrestimin dhe deportimin, pothuaj një vit më parë në Turqi, të 6 shtetasve turq nga Kosova, një rast ky që është konsideruar si pasojë e drejt për drejt e zgjërimit të influencës turke, në nivelet më të larta politike në një vend të Ballkanit siç është Kosova, duke u dhënë përparësi interesave turke, në dëm të rendit të brendshëm dhe ligjeve ndërkombëtare, por edhe në dëm të interesave të vetë shtetit të Kosovës, në përgjithësi.
Sipas Ambasadës Amerikane në Prishtinë, “Ka kaluar afro një vit që kur Kosova, pa një proces të rregullt, dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij. Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë se kanë ndodhur 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë së Kosovës, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe u rikujtojmë liderëve të Kosovës se institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”. “Nuk kemi të bëjmë me fajsinë apo pafajësinë e individëve, por me një shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Republikës së Kosovës.
“Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne bëjmë thirrje për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavend nga politikanët kosovarë, në të ardhmen”, përfundon deklarata e Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës.
Edhe Britania e Madhe, nepërmjet Ambasadës së saj në Prishtinë, mbështeti deklaratën e Ambasadës Amerikane, duke u shprehur se mbështet deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara lidhur me mungesën e përgjegjësisë institucionale për dëbimin nga Kosova të 6 shtetasve turq — duke e botuar të plotë deklaratën e ambasadës amerikane në rrjetin e saj social fejsbuk. Pas Londrës edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë mbështeti gjithashtu deklaratën amerikane, duke kërkuar transparencë për këtë rast si dhe sundimin e ligjit dhe botimin e zbulimeve të Komisionit të parlamentit të Republikës së Kosovës që ka bërë hetimet në lidhje me këtë çeshtje.
Mungesa e transparencës zyrtare nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore të Tiranës dhe Prishtinës mbi shtimin në rritje të ndërhyrjeve ruso-turke dhe të përhapjes së influencës së tyre në trojet shqiptare – të bindë se diçkaje po i vjen era këtu e deri në Stambollë dhe në Moskë. Alarmi i SHISH në Tiranë dhe mënyra se si gjashtë shtetasit turq u dëbuan nga Kosova, që sipas ambasadave perëpndimore në Prishtinë, bie ndesh me ligjet ndërkombëtare, por ka shkelur rëndë njëkohësisht edhe traditat tona të mikpritjes dhe strehimit të mikut. “Shpija e Shqiptarit ashtë e Zotit dhe e mikut”. Miqtë turq që Kosova i dorëzoi autoriteteve turke, u prenë në besë! Thuhej dikur se për atë që pret në besë mikun e shtëpisë, atij nuk i mbetet tjetër veç “a të fiket a të koritet”. Kjo është një nder vlerat themelore shqiptare, me të cilat jemi krenarë dhe që na kanë dalluar nga të tjerët.
Lind pyetja: A janë autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë më të interesuara të mbrojnë këto vlera ashtuqë shqiptarët të ankorohen fuqishëm dhe pa asnjë dyshim me Perëndimin dhe të kundërshtojnë faktorët destabilizues rusë dhe turqë në punët e shqiptarëve, a po të pranojnë në heshtje ndikimet e tyre, historikisht, të dëmshme për interesat afat- shkurtëra dhe afat-gjata të Kombit Shqiptar. Fatkeqsisht, kjo e fundit më duket më e besueshme, sepse klasa aktuale politike shqiptare, qëllimisht, sot po mundëson vakume politike, ekonomike dhe kulturore, duke krijuar kështu mos stabilitet të frymëzuar nga autokratët modernë të tipit putino-erdogan, ndërsa venë, njëkohësisht, në pikëpyetje jo vetëm respektin që ata kanë për vlerat historike shqiptare por edhe për meritat e modelit demokratik të qeverisjes, të orientuar nga vlerat perëndimore, vlera për të cilat at flasin shumë por bëjnë pak për zbatimin e tyre.
Ndryshe nga udhëheqsit e tyre, Shqiptarët e kanë vendosur se cilin model dëshirojnë të ndjekin dhe në cilin model qeverisjeje duan të jetojnë dhe të rrisin fëmijtë e tyre, duke “votuar me këmbë”, ndërkohë që janë larguar nga trojet shqiptare me qindëra mijëra drejtë vendeve perëndimore. Shqiptarët e kanë bërë të qartë se duan të jetojnë në një shtet me autoritet kushtetues dhe në varësi të sundimit të ligjit për të gjithë. Janë autoritetet qeveritare, anë e mbanë trojeve shqiptare, ata të cilët siç duket e kanë humbur rrugën kushtetuese në oborrin e tyre!