Pranë varrit të heroit Selim Berisha
– SELIM HALIL BERISHA ( 3.6.1950 – 20.3.1999 )
Me rastin e 20-vjetorit të rënës heroike të dëshmorit të kombit profesor Selim Berisha.
Presidenti i Republikës së Kosovës, dekoroi me Urdhrin “HEROI I KOSOVËS”, dëshmorin Selim Berisha, për trimëri dhe sakrificë për Lirinë e Kosovës.
Nuk do të vdes
Me jastëk nën kokë
Nëse unë do të vdes
Do të vdes me pushkë në dorë
Kështu ndër tjera shkroi tashmë heroi i Kosovës në një poezi të shkruar pak ditë para rënies së tij heroike.
Njëri prej atyre që flijuan jetën në themelet e lirisë së Kosovës, duke luftuar e rezistuar sipas shembullit të heroizmit të figurave, epike, Oso Kuka, Ahmet Delia, Demë Ahmeti, Tahir Meha e të tjerë, është edhe heroi Selim Berisha.
Ai na e tregoi rrugën e lirisë, e qëllimi deri te ajo u arrit vetëm me sakrificën sublime. Çdo hap tregonte një betejë, kurse tërë rrugëtimi përshkruante epopenë.
Çdo dëshmor simbolizon feniksin e lirisë, që rilind e do të rilind nga hiri i tij i shenjtë, në çdo kohë e në çdo cep të Shqipërisë Etnike. Dëshmorët e të gjitha periudhave kohore, jo vetëm të luftës së fundit, janë dëshmia, krenaria dhe vula historike e lirisë së Kosovës, që krijuesit i frymëzon për vepra letrare e historike.
Të jetosh dhe të ndjesh sakrificat sublime të dëshmorëve dhe të heronjve, është pjesë e një vetëdije të rrallë njerëzore, pjesë e një shpirti të madh, që mbetet pjesë e misionit të tyre të shenjtë.
Lavdi e përjetshme Heroit të Kosovës, Selim Berisha!
M.F.K.