ECEJAKET ATDHETARE TË NJË POETI

0
408
Josif Bageri

Josif Jovan Bageri (1868-1915)

Në përkujtim të Josif Bagerit

Sinan Gashi Nga Sinan GASHI

Një personalitet tejet interesant i veprimtarisë atdhetare dhe poeti i talentit të lindur, është Josif Bageri, që rrugëtoi aq shumë, veproi aq dendur dhe shkroi aq shpesh vetëm për një çështje: kombëtaren, duke harruar shëndetin e vet të lig, familjen treanëtarëshe lënë rrugëve dhe dorëshkrimet e veta të shpërndara viseve të ndryshme.

Nismat njoftuese

Josif Bageri (1868-1915) pa dritën e kësaj jete për herë të parë në fshatin Nistrovë të Rekës së Sipërme të Dibrës. Ishte edhe diçka nga trashëgimia gjysh – baba që përcollën tek nipi – i biri elementin e formimit të karakterit të njeriut të sakrificës dhe të atdhedashurisë. Nga fëmijëria ai mbante mend kur në shtëpinë e tyre hynin e dilnin atdhetarë, që bisedonin e projektonin gjëra të mëdha e të domosdoshme për lirimin e popullit shqiptar nga Turqia. Duke qenë familje agrare, ajo përditë e më shumë varfërohej dhe vjen dita që punën e bariut që bënte Josifi i ri ta linte dhe të mendonte për shkollimin e mosbërë, madje as atë fillestar.

Tregohet si anegdotë, kur ai në moshën 16 – vjeçare vetë paraqitet te mësuesi i klasës së parë për ta regjistruar, gjë që nuk bën dhe krijon situatë të ndjeshme tek i riu. Duke mos mund të jetojë me profesionin trashëgimor dhe duke mos gjetur punë as në qytete tjera shqiptare të Maqedonisë, Josif Bageri me gruan e re mësyjnë kurbetin, në Sofjen e Bullgarisë, atje ku shkonin shumica e shqiptarëve vendës.

Atje takohet menjëherë me bashkëkombësit që i gjeje rrugëve të kryeqytetit bullgar duke kryer punë të thjeshta krahu a zanate të rënda, si druvarë në Rilë, në shtrimin e rrugëve me rrasa guri, ose qymyrshitës, kamerierë, gjellëbërës, analfabetë ose gjysmëmanalfabetë. Tek më vonë aty do të gjallonin pak veta që kishin kryer Shkollën Normale të Nikolla Naços. Pothuajse këtu edhe nis aktiviteti arsimor e atdhetar i kësaj mërgate, në krye të së cilës mbetet pa dyshim më i zellshmi Josif Bageri. Atje, ai dhe shumica e të tjerëve, nisin mësimin e shkrimleximit në një han që e kishte blerë Dhimitër Mole, një shqiptar që edhe u bë mësuesi i tyre.

Po atje ata gjenin ngrohtësinë shpirtërore se lexonin, bisedonin dhe e hiqnin mallin e vendlindjes si dhe u hapej horizonti i dijeve për të ardhmen e Shqipërisë, ashtu si ishin edhe kombet e shtetet e tjera, të lira e të mëvetësishme. Me interesimin e tyre, themelohet shoqëria e parë shqiptare në Bullgari me emrin “Dëshira”, e cila tuboi rreth vetes më së dyzet shqiptarë mërgimtarë, të cilët edhe projektuan synimet e veta atdhetare. Po ashtu Bageri është edhe një ndër themeluesit e shoqërisë tjetër “Afrou Dita”, e cila kishte të njëjtin mision.

Ai, edhe pse kthehet disa herë në atdhe, me mjaft vështirësi materiale, vazhdimisht has në pengesa të regjimeve. Punën e këpucëtarit që e bënte për të mbijetuar, shpesh e linte për t’u angazhuar në çështjen kombëtare. Një kohë kishte punuar edhe në Pirot të Serbisë, më 1899, në kufi me Bullgarinë, prej ku shihte më përafër synimet e shovinizmit serb për gllabërimin e tokave shqiptare. Nga atje mbajti edhe korrespondenca me atdhetarët nga Dibra, nga Peja, Gjakova e tj., prej ku njoftohej për realitetin e hidhur të kohës. Bageri, me një rast polemizoi me serbët, kur u tha: “Ju doni të ndreqni një Serbi të re në tokat e Shqipërisë së vjetër”. Mu për këtë iu bë e pamundur qëndrimi atje.

Miqtë e tij Dhimitër Mole, Adham Shkaba, Spiro Garo dhe ky vetë janë strumbullari i aktiviteteve kombëtare në Bullgari.

Po ashtu me nismën dhe sakrificën materiale të tij nisi dalja e gazetës “Shypéja é Shqypënis”, ku botoi mjaft shkrime poetike dhe publicistike. Po ashtu më 1914, kur pati ardhur të jetonte në Durrës, redaktoi gazetën “Ushtima e Krujës”, me të cilën rropatet mes profesionalizmit dhe rrymave politike të kohës, të cilat i krijojnë probleme ekzistenciale, aq sa edhe vendos të kthehet edhe një herë në rrugën e rëndë te kurbetit, ku i kishte lënë dy fëmijët dhe gruan pas asfarë të ardhurash. Në mungesë të parave, niset këmbë trup trojeve të Shqipërisë, e së fundi ndalet për pushim në Prishtinë, ku e zë vdekja, nga një diagnozë sëmundjeje që e kishte përcjellë me vite të tëra.

Larg familjes, larg vendlindjes, në mëshirën e fatit, mbyllet jeta e një atdhetari idealist, ngjashëm si edhe shokët e tjerë të kësaj rese.

Jetë e harxhuar për tri veprimtari

Nëse mendohet të shikohet tërësisht angazhimi i Josif Bagerit, mund të thuhet se ai aktivitetin e vet e kishte orientuar në tri kahje: në aktivitete organizative të shqiptarëve në mërgim, në krijime publicistike dhe në krijime poetike.

Për çështjen e parë, do thënë fakte që dëshmojnë për një sakrificë tej mundësive ekonomike ekzistenciale dhe potencicialit intelektual të tij. Një njeri analfabet, një këpucëtar zanati, kishte arritur që të angazhohet me tërë qenien vetëm duke menduar se po e kryen një shërbim të obligativ në raport me atdheun dhe kombin. Mbi të gjitha ai e kishte parë e madje edhe përjetuar faktin se shkollimi është forca e parë e një njeriu, përkatësisht e një populli, andaj me gjithë qenien proklamoi vlerën dhe domosdoshmërinë e shkollimit dhe përkujdesjes ndaj gjuhës.

Ishte në takime me poetin rilindës Naim Frashërin, të cilin e adhuronte tej mase, të cilit edhe i kishte bërë një vizitë kur ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, pastaj me Nikollë Ivanajn, me Bajo Topullin, Çerçiz Topullin, Mihal Gramenon, Zeman Mashkullorin. Josif Bageri kishte pasur një kontakt edhe me poetin e veprimtarin Hilë Mosin, i cili më 10 shkurt 1907 ia kushtoi një vjershë. Letërkëmbimi me L.Gurakuqin, Shahin Kolonjën, Nikollë Ivanajn, Ibrahim Shytin, Jashar Erëbarën.

Mu për këto synime, si edhe për mbledhjen e mjeteve për nxjerrjen e gazetës së vet “Shqypéja é Shqypënis” kishte udhëtuar në Rumani dhe në Rusi, përkatësisht te shqiptarët që jetonin në Odesa. Interesimet e mëdha, përkushtimet e forta dhe ecejaket e kompletojnë si personalitet politik, që gjykonte dhe rezononte drejt për kohën dhe për shumë probleme të kësaj natyre.

Në publicistikë ai u aktivizua në veçanti pas nxjerrjes së gazetës në Sofje “Shqypéja é Shqypënis” dhe udhëheqjes në Durrës të se përkohshmes “Ushtima e Krujës”. Si në të parën, ashtu edhe në të dytën, pavarësisht pasojat dhe kritikat, ai deklaronte mendimin e vet, gjykuar sipas përvojës dhe edukimit atdhetar, së cilës ia kishte kushtuar gjithçka që pati. Vetëm po të lexohen titujt e shkrimeve, do të vlerësohej drejt lidhur me qëllimin e tij, si: ”Atynej të cilët jon kundra politikës jon”, “A ka doj Shqypëni dhe a mundën ky komb të bashkohet e të vëllazënohet?” “Lëvizja dhe të reat e saja”, “Mehet apo shtohet, ose voglohet apo madhohet kombi shqypëtar”, “Despoti serb Varnava në Dibër dhe Shqypnia” etj. Ja, po e nxjerrim një citat i cili dëshmon synimet grabitçare të fqinjëve: “…Na e dim fort shum mirë se Serbia dhe Greqia jonë ma t’rreptit anmik të Shqypënis, sepse shpresat e këtyne dy shteteve ishin dhe jon të gjendojn (zgjerojnë) kufiat e tynej, tuj shti Shqypënin në kufiat e veta”.

Mbi të gjitha ai edhe në viset shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, ku i kishte rënë fati t’i vizitonte, e t’i njihte problemet e tyre.

Mu për këto proklamime, ai nxori gazetën më titull “Shqypéja é Shqypënis”, numri i parë i së cilës doli më 18 maj 1909, ku si moto kishte një citat vjershe të Bagerit të përhershëm:

“Un jom Shypéja é Shqypënis
Sqohi, or zoqt e trimnis…
Un jom shpeza e furrikut
Epni dormën ma rrezikut
Mjaft më t’erët, n’vorfuni…
Sqohi, trima, zoqt e mi.”

Edhe shoqëritë e shqiptarëve të mërguar “Dëshira” dhe “Afrohu dita” drejtpërdrejt projektonin programe, shprehnin mendime dhe nuk e shuanin vrullin atdhetar që të shuhet në mërgim. Ç’është e vërteta, aso kohe, e tërë çështja shqiptare ruhej nga kolonitë shqiptare nëpër botë, atje projektoheshin dhe hartoheshin programe, botoheshin të përkohshme dhe libra të gjitha për një synim të vetëm: bërjes së shtetit shqiptar të mëvetësishëm, të cilin mjaft e kishin përvetësuar të tjerët, por synonin që ta asgjësonin tërësisht.

Poezia, dhunti e lindur dhe mënyrë e shfryrjes shpirtërore

Josif Bageri poezinë e kishte dhunti të lindur, ngase që në rini, kishte shkruar vjersha, duke dëftuar përjetimet shpirtërore që e ngacmomin vazhdimisht, madje edhe ato që kishin të bënin me jetën e tij.

Për ta njohur më mirë këtë personalitet dhe brendësinë shpirtërore emocionale të tij, vetëm do lexuar poezinë. Ashtu, kishte bindjen, do të ishte më komunikativ dhe më i qetë në kryerjen e misionit të tij.

Një herë nisi vetëm t’i lexonte ato para të tjerëve, më pastaj i publikoi në të përkohshmet e së fundi i mblodhi në vëllime të veçanta. Dihet se ka botuar vëllimin poetik “Kopësht Malsori” më 1910 në Sofje, që në të vërtetë titulli i saktë i librit ishte “Kopësht Malsori, mësime të shtyptaruesta dhe vjersha” prej Josif Bagerit, dhe veprën e dytë të lënë në dorëshkrim, në mungesë të mjeteve financiare për botim,  “Sqohi shqypëtarë” dhe po në dorëshkrim, vepra “Armiqtë e Shqipërisë dhe veprat e tradhëtarëve shqiptarë”.

Në veprën e botuar, me dyzet e tri poezi, në të cilat mbisundon tema atdhetare, e cila që nga titulli reflekton brendinë, si: “Dashuri e memëdheut”, “Ngehu amdhe”, “Cila zember shqyptari munden me durue…” e tjerë, duke vargëzuar në stilin e rilindësve ky himnizon çështjen shqiptare, nxit krenarinë shqiptare, dinjitetin e tij, duke pasur për model fytyra të ndryshme shqiptare, si N.Frashërin, Papa Kristo Negovanin, Vëllezërit Topulli e tjerë.

“Komb i vjetër, me vetia
Besa kemi kjoh;
Trima t’fjamtun me lavdia!…
Bota na ka thon.
O amdhe i Gjergj Kastriotit!
Sill at’koh t’Sulltan Muratit;
Gjergj Kastriotin, ti na ngjall!
Se na kemi fort shum mall
Me i ra dhe nj’her Turkis…”

Josif Bageri ishte i shqetësuar edhe për fatin e shqiptarëve, si të të ligave të kohës, përçarjeve të natyrës fetare e po ashtu edhe vetive tjera të liga që ishin prezente në truallin e të parëve. Ja si e përshkruan në një vjershë:

“Male e fusha, plot me kusar
Fliten kuvise;
Me njerëz t’liq, njerëz barbar,
Jon mbush kta vise!”

Pra tema shoqërore nxjerr krye herë-herë, ngase dashuria atdhetare te ai ishte gjithçka në jetë. Edhe pse këto brenga të një realiteti të hidhur e ngrysin në çaste poetin, ai nuk e shuan optimizmin e ardhmënisë, sepse të gjitha këto i sheh si rezultat të robërisë së gjatë:

“Po mos u dro, Ti, o Shqypni,
Se t’u kan ndodhun!
Femi me mend, që të kërkojnë
Dhe për së shpejti, ty dot shpetojn!”

Në raport me fatin e tij dhe kushtimisht të veprës së tij, do cituar një fragment letre të shkruar më 3 prill 1914, për ta parë fatin e tij realisht dhe të veprave që shkroi: “Femin s’munda ta siell në Shqypëni se s’kam para, përveç ksaj ktu s’ka shtëpi… Librat s’po shiten tash për tash, se s’jon njerëzia ideale, por lakmonjës për kock të shkret. Libri s’do as buk as ujë, po dot ishte mirë t’shitet për kët nevojë. Ajo dihet se dot shiten librat dhe dot shiten me vleft, po na s’kemi durim se jemi te vorfun”.

Se çfarë ishte qenia e tij dhe çka e preokupoi tërë jetën, po e përmbyllim me një strofë të një poezie:

“Shpirti dhe zemra ime,
Sot shumë gjendet në ngushti,
Ndonse kom un shumë mendime,
Kur s’kam t’holla as’gjë s’di.
Për atdhethin shumë mallzoj!…
Për të zemra m’u bo plag;
Ah, si t’ja boj? Ktu s’guxoj!
Për kët shkak po digjem flag.