E MORI NË QAFË RETORIKA ANTI-KOMUNISTE…

0
1003
Arben Çokaj - pikturë

Arben Çokaj

Një kryetare bashkie me “votë plebishitare” – sipas Kolit, e kishte kapë një qytet peng!

Pastroje territorin rreth stadiumit, ajo hiç! Rregulloja letrat dhe liroje rrugën e Velipojës, ajo hiç. Liroje more Pedonalen e Shkodrës nga kioskat! Kujt po i thua, kujt po ia ndien?!… Kishte kapë kunj me shefin e vet, me kryeministrin… dhe shante gjithë kohën, komunistët.

Po është AOC e Bernie Sanders në SHBA me ide më komunistë se Rama e Ruçi, oj bibushe… Ajo prapë, dëgjonte Kolin… “Se besimin e kam, te Zoti i Madh, te Likja…” dhe i kishte shtuar në fund edhe një “Koli…”

Erdhi dita dhe e zuri zullumi. “Nuk dal nga zyra” – tha, “nuk i njoh zgjedhjet”. Njoh dekretin e Presidentit, që nuk e njeh KQZ, “e për mua nuk ka zgjedhje”… I bllokoi disa shkolla dhe nuk i la me ba zgjedhje sipas ligjit. Koli kënaqej, si në rastin kur u dogj KZAZ në Vaun e Dejes, “ku po i bëjnë zgjedhjet kuqaloshat?” – thoshte Koli me qesëndi e nuk e ndalte qeshjen irrituese e triumfuese: “hahahahahaha…”

Por prokuroria e procedoi kryebashkiaken, për pengim të procesit zgjedhor “mbledhi këmbët karkalec!”… Dhe ligji i vjetër e ka 1-5 vjet burg, ndërsa ligji i ri, 5-10-të. Tani ec e merre vesh more jahu, se këta janë mësuar me i ba ligjet në kokën e tyre she nuk njohin shtet as ligj… ndër ta edhe Koli gjeturaku, parashikuesi i filxhanit sipas WC-së së 13-të të Monës në Gjirin e Lalzit…

E historia shkoi sipas ligjit, kryebashkiakes ia vunë byzylykun në këmbë, e jo me shkua më në zyrë, por as me dalë prej shtëpisë nuk e linin. Doli te Open i Eni Vasilit, e tha: “komunistat, ma kanë vu byzylykun në këmbë e nuk më lanë me dalë nga shtëpia…” E mori në qafë retorika anti-komuniste për nder…

Kështu e ka kjo punë, kur komunizmi të len me pasoja, se bëri shtet në një vend, që ishte mësuar pa shtet e me pushtime të huaja… E tani sa herë kujtojmë shtetin, kujtojmë vetëm atë kohë, kur pati shtet, pavarësisht si ishte, komunizmin…