REPORTAZH NGA KREMTIMI O ZOJËS SË LURDIT NË STUBËLL:
Mijëra besimtarë në Stubëll
Me devocion para Zojës: Ipeshkëvi Imzot Dodë Gjergji,
famullitari i Prishtinës Dom Rrok Gjonlleshaj
dhe famullitari i Stubllës Dom Albert Jakaj
Për ta falënderuar Zojën e Lurdit për shumë mrekulli dhe ndërmjetësime te Zoti dhe për ta lutur me devocion të merituar për mrekulli të reja, kishin ardhur rreth njëzet meshtarë dhe seminaristë, si dhe qindra besimtarë nga shumë famulli të Kosovës dhe nga Shqipëria. Besimtarët e Stubllës e nderuan Nëntëditëshin në vigjilie të festës, kurse Treditëshi u kremtua me lutje dhe devocion, edhe me besimtarë të famullive përreth – nga Letnica, Binça, Kabashi e Vitia.
Shkruan: Engjëll KOLIQI
Stubëll, shkurt 2016
Sipas traditës së filluar që në vitin 1971, në Stubëll u kremtua solemnisht Dita e Zojës së Lurdit, më 11 shkurt 2016. Po rikthehemi sipërfaqësisht në fillim e kësaj historie të kremtimit të kësaj feste në Stubëll. Në atë kohë këtu ishte famullitar meshtari janjevas Dom Luka Cirimotiċ. Duke ditur fuqinë e mrekullive të Zojës së Lurdit, sidomos për të sëmurët, Dom Luka ishte marrë vesh me Dom Gjergj Gjergjin, atëherë student i teologjisë në Romë. Kishin vendosur bashkë, që mbas Shën Jozefit e Shën Gjergjit, patrone të Famullisë së Stubllës ta bëjnë edhe Zojën e Lurdit.
Studenti Gjergj Gjergji, disa ditë më parë kishte shkuar nga Roma, në Lurd të Francës, për të marrur një trupore të Zojës dhe të Bërnadetës, të cilës i ishte lajmëruar atje, trupore këto të dhuruara special për Stubllën nga kryeipeshkëvi i atëhershëm i Lurdit. Me truporen e bekuar të Zojës, Ai kishte udhëtuar nga Lurdi e deri në Stubëll, disa ditë rrugë me tren, që të mund të arrinte në ditën e festës, në Stubëll. Ashtu edhe ndodhi. Më 11 shkurt 1971, në fund të Stubllës, siç i thonë – në Rekë, kishin dalur mijëra besimtarë, për ta pritur Zojën e Bekuar, që po vinte me Dom Gjergjin tonë, nga Lurdi i Francës. Dom Gjergji, atëherë student, edhe i ri, i kishte qëndruar rrugës shumë të gjatë, me bindjen se po bënte një punë shumë të vlefshme për popullin e vet. Po atë ditë, në Stubëll kishin lulëzuar dy mrekullitë e para të Zojës së Lurdit – ishte bërë paqe, duke u falur dhe mbyllur të gjitha mosmarrëveshjet dhe ngatërresat dhe për herë tëparë kishin ndritur poçat elektrikë, pra kishte arritur energjia elektrike. Në të gjitha fytarat e besimtarëve stubllanë, atë ditë, vërehej një gëzim i madh, një çlirim zemre.
Kjo traditë e vazhduar plot 45 vjet në Stubëll, edhe sivjet u përshkua me devocion shembullor të krishterë, në nëntëditëshin para festës. Treditëshi ishte i organizuar edhe më mirë, me meshë shenjte, me lutjen e rruzares dhe me këndime të bukura kishtare. Në meshët e treditëshit, më 8, 9 e 10 shkurt merrnin pjesë nga qindra besimtarë, stubllanë edhe të famullive të tjera. Në secilën nga këto meshë bashkëcelebronin një numër i konsiderueshëm meshtarësh. Kryecelebrues të meshëve të treditëshit ishin: Dom Nikson Shabani – misionar për besimtarët shqiptarë në Austri, me seli në Vjenë, Dom Dominik Qerimi – drejtues i Qendrës Dom Bosko në Gjilan dhe drejtor i shkollës Dom Bosko atje, si dhe Dom Ambroz Demaj – meshtar misionar në Mirditë. Që të tre kanë predikuar për mrekullitë dhe porositë hyjnore të Zojës së Lurdit për ne.
Në vigjilie të festës, mbas përfundimit të meshës, sipas traditës, u nxorr nga tabernakulli Sakramenti i Shenjtë dhe u ruajt e adhurua tërë natën, deri në fillim të meshës, Ditën e Zojës në ora 8, nga qindëra besimtarë, aipas orarit rrëshqitës, sipas lagjeve. Për adhurim të të Shenjtërueshmit Sakrament kishin ardhur edhe qindra besimtarë nga famullitë perrreth. Disa meshtarë ishin në dispozicion të besimtarëve, me rrëfime dhe me lutje të përbashkëta me besimtarët.
Meshën Solemne festive, të enjten e 11 shkurtit e udhëheqi Ipeshkëvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, me koncelebrim të shumë meshtarëve, të ardhur nga mbarë Kosova dhe Shqipëria, me asistimin e Vikarit Gjeneral të Administraturës Apostolike të Kosovës – Dr Dom Lush Gjergji dhe të famullitarit të Stubllës – Dom Albert Jakaj.
Pamje nga mesha solemne
Ipeshkëvi Gjergji, mbasi që foli për jetën e Zojës, lajmërimin e Saj në shumë vende të botës e në Lurd, mrekullitë dhe nevojën e lutjeve tona kushtuar Zojës, ka theksuar edhe disa momente të jetës sonë. Ai, duke folur për dashurinë që Zoti ka ndaj nesh dhe nevojën që Zotit t’ia kthejmë atë dashuri të madhe, mes tjerash ka thënë: “Të krishterët kanë në vete dy kryqa – kryqin shpirtëror për ta dashur dhe nderuar dhe kryqin trupor, për ta përjetuar”. Poashtu ka theksuar porosinë e Zojës, që ta duam njëri-tjetrin, ta ndihmojmë dhe ta respektojmë.
I ka ftuar besimtarët që të kontribuojnë konkretisht në dashurinë universale njerëzore dhe të ndjellin mrekullitë hyjnore të Zojës së Lurdit, duke lutur rregullisht Rruzaren e Zojës dhe lutje të tjera, për të gjithë nevojtarët në botë, për mbarë qenien njerëzore, pa dallime race, kombi a feje. Sidomos – ka thënë ipeshkëvi – ne në këto veprimtari lutjeje e dashurie duhet të jemi flamurtarë, sepse identifikohemi me Shenjtëreshën Nënë Tereza dhe me shenjtërit e martirët tanë iliro-dardanë. Në përfundim të meshës është bërë një proçesion – rreth kishës e ambulancës, me truporen e Zojës dhe me flamuj kishtarë. Ishte kënaqësi e madhe, duke parë rrjedhën dhe devocionin shembullor në procesion, ku ishin të pranishëm mbi njëmijë besimtarë.
Pamje nga procesioni
Duhet falënderuar edhe korin e madh të famullisë, për këndimet spektakulare gjatë meshës solemne. Për këtë organizim dhe sinkronizim të bukur të të gjithë periudhës festive e sidomos të Ditës së Zojës, lavdata për merita të jashtëzakonshme meritojnë: Famullitari Dom Albert Jakaj, motrat vinçenciane, që shërbejnë në Stubëll dhe në Letnicë, këshilltarët e kishës dhe meshtarët e famullive perrreth. Falënderojmë edhe Radio Marinë e Kosovës, për transmetim të drejtpërdrejtë të meshës solemne.
Zoja e Lurdit lutu për ne dhe na mbulo me mrekulli, të gjithë nevojtarëve! Amen!