…Thashë se në “vendimet e rëndësishme” do të gjeja thirrjen për ti thënë NDAL shuarjes së Dibrës, ndal mbytjes së historisë së një treve që ka mbajtur në kurriz 18 beteja fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut kundër hordhisë më të madhe të Mesjetës turqve osmanllinj, që u dogj dhe u shkri deri në prag shuarjeje nga pushtuesit osmanë pas vdekjes së Skënderbeut, që u dogj dhe u zhbi deri në ikje biblike nga serbët e serbosllavia…
Në postën time elektronike më erdhi sot, 2 prill 2021, njoftimi se në Tiranë është mbajtur “Mbledhja e Shoqatës “Bashkësia Dibrane” ku, siç shtohet janë marrë “vendime të rëndësishme”.
Si çdo gjë dibrane, e asaj dhe kësaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar, nxitova të lexoj “vendimet e rëndësishme”.
Mendja më shkoi tek “tragjedia” e shkruar dhe e votuar në ligj e shuarjes njëherë e përgjithmonë të luginës madhështore të Drinit të Zi, luginë që fillon në Miresh e mbytet në liqenin e Fierzës, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
Thashë se në “vendimet e rëndësishme” do të gjeja thirrjen për ti thënë NDAL shuarjes së Dibrës, ndal mbytjes së historisë së një treve që ka mbajtur në kurriz 18 beteja fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut kundër hordhisë më të madhe të Mesjetës turqve osmanllinj, që u dogj dhe u shkri deri në prag shuarjeje nga pushtuesit osmanë pas vdekjes së Skënderbeut, që u dogj dhe u zhbi deri në ikje biblike nga serbët e serbosllavia.
E mendova këtë sepse nuk është mbush muaji nga dita kur kuvendi i Shqipërisë, pa asnjë zë kundër, vendosi ta mbysë Dibrën duke ndërtuar hidrocentralin e Skavicës.
Kërkova të gjej protestën e vendosur të të gjithë anëtarëve të shoqatës që në gjirin e saj mban dyzyna “Mjeshtër i Madh” dhe tituj të tjerë të shkallës më të lartë.
Thashë se në “vendimet e rëndësishme” do të lexoja peticionin e “Këshillit të të urtëve” me ftesë për të gjithë Dibranët për tu bërë firmëtarë të protestës për ti thënë JO SKAVICËS”, kudo ku janë, kësaj e asaj ane të kufirit, në Evropë, Amerikë, Azi, Afrikë, Australi, ku flitet dibrançe.
U zhgënjeva.
Shpresoj që duke e lexuar “Mbledhjen e Shoqatës “Bashkësia Dibrane”” dhe “vendimet e saj të rëndësishme” numri të zhgënjyerve do të rritet në progresion gjeometrik.
Pyeta dhe pyes veten si është e mundur që një komunitet dibranësh të parët e të cilëve ikën në mënyrën më të dhunshme nga pushtimi serb në vitin 1913 e në vitet e mëvonshme deri me mbytjen e rreth “5000 hektarë të tokës më pjellore”, që siç thoshte kryetari i komunës së Dibrës së Madhe Argëtim Fida në vitin 2010, “vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane”… dhe… “të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk donë të ja dijë në se këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën”, (PO DIBRËS, JO SKAVICËS f.6), të mos ndjejë asnjë dhimbje për shuarjen nga faqja e dheut të trevës nga mbajnë mbiemrin e trevës dhe të parëve të tyre?
Unë jam dibran dhe më dhemb çdo gjë që degëzon në gjakun e saj. Më ka dhimbur dhuna mbi degën e Drinit të Zi, Radikën, tharjen e saj për interesa sllavomaqedone, ashtu siç më ka dhimbur virgjëria e Setës që u përdhos me futjen e rrjedhës qelibar të saj nëpër tuba duke shuar një bukuri të rrallë të natyrës, ashtu siç më ka dhimbur edhe Valbona nga HEC-et korruptive mbi të dhe çdo gjë që i është vënë kazma e tash po u vihen buldozerët e sofistikuar të kohës.
Kam shkruar me dhjetëra shkrime dhe një libër të përveçëm “PO DIBRËS! JO SKAVICËS”, u jam drejtuar me letra të hapura autoriteteve të larta që kanë sunduar vendin këto 30 vjet. U jam drejtuar me emër e mbiemër deputetëve dibranë të djathtë e të majtë, intelektualëve dibranë në vend e në botë…
Dhe do të shkruaj sa të kem jetë.
Mua nuk më mbytet as edhe një pëllëmbë troje të paraardhësve të mi, ashtu siç nuk u mbytet edhe “Të urtëve” të Shoqatës “Bashkësia Dibrane”.
Më mbytet Dibra.
Thjesht: MË MBYTET DIBRA.
Më mbytet Dibra që të shpëtojë nga përmbytja Shkodra!!!
(Thënie në ligjëratë të drejtë nga Berisha e Rama)
Më mbytet Dibra që korrupsioni galopant shqiptar të lundrojë “Liqenit të Zi” të Dibrës…
Me ndërtimin e Skavicës nuk ka më Dibër.
Me ndërtimin e Skavicës shuhet nga faqja gjeografike lumi Drini i Zi.
Shuhet e kaluara dhe mbytet e tashmja dhe e ardhmja.
Nuk e di në se më kuptojnë “Të urtët” e “Bashkësisë Dibrane” çuditërisht dalë në fotografi pas “vendimeve shumë të rëndësishme” me dy gishtat lart!!!
Zgjedhje e tyre…
Ta mbajnë me shëndet…
Mua si dibran më lind e drejta të pyes:
E KUJT DIBRE ËSHTË “BASHKËSIA DIBRANE”
Abdurahim Ashiku
Athinë, 2 prill 2021
KRONIKA…
Mbahet mbledhja e Shoqatës “Bashkësia Dibrane”.
Merren vendime të rëndësishme.
Ditën e shtunë, datë 27 Mars, 2021, ora 11.00 u mbajt mbledhja e shoqatës “Bashkësia Dibrane” e Tiranës.
Kjo mbledhje filloi me një homazh për disa personalitete te shquara të komunitetit dibran në Tiranë, cilët humbën jetën nga pandemia, si: mjeshtri i muzikës, kompozitori Agim Krajka, “Nderi i Kombit”, anëtari i Këshillit të të Urtëve, Asim Pregja dhe Kryetari i parë i shoqatës “Bashkësia Dibrane”, Inxhinieri dhe Profesori Hiqmet Gonxhja.
Kryesia e shoqatës, paraqiti disa propozime për miratim.
Së dyti, prezantohet projekti për ndërtimin e Obeliskut në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për familjet tiranase që hapën dyert për muhaxhirët dibranë pas eksodit të vitit 1913. Theksojmë se, mbas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, dibranët
ishin të parët që, me armë në dorë, kundërshtuan ato vendime të padrejta, sipas të cilave, përveç të tjerash, Dibra e Madhe kalonte në vartësi të Serbisë.
Së treti, Këshilli i të Urtëve dhe kryesia e shoqatës Bashkësia Dibrane miratuan projektin e arkitektit nga Shkupi, z. Afrim Shatku, për të ndërtuar në Tiranë Obeliskun e Mirënjohjes dhe Bujarisë, si shenjë vlerësimi për familjet tiranase, me në krye Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, hoxhën Zyber Hallulli. Për realizimin e këtij projekti, z. Hekuran Duka, kryetar i Komunës Dibër e Madhe, dhuron gurin e posaçëm skulpturor të trevës së Dibrës, për përgatitjen e obeliskut dhe shpenzimet e kuratorit të obeliskut. Ky obelisk bashkë me mjedisin përreth tij do të mbështetet financiarisht nga komuniteti dibran i Tiranës.
Shoqata “Bashkësia Dibrane” fton komunitetin dibran në Tiranë të kontribuojë për ndërtimin e këtij obelisku, pa lënë mënjanë ndonjë person të veçantë donator, që dëshiron t’i bashkohet kësaj ndërmarrjeje me rëndësi të veçantë historike për komunitetin dibran e tiranas.
Së katërti, u vendos organizimi i Iftarit Tradicional, i përvitshëm, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku kryesia dhe kryetari i Këshillit z. Tofik Jegeni, apeloi që të mbahet përsëri kjo traditë e spikatur e komunitetit dibran dhe shoqatës tonë, pasi është shenjë e familjaritetit, paqes, bashkimit dhe mikpritjes qytetare. U propozua që të krijohet grupi i punës: kryesia e Këshillit, komuniteti dibran i Tiranës si dhe përfaqësuesit e biznesit.
Kryesia dhe Këshilli të shoqatës “Bashkësia Dibrane”, përmes kësaj mbledhjeje solemne, i dhanë edhe një mesazh shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si edhe banorëve të Dibrës së Madhe e mërgatës shqiptare në diasporë, që të marrin pjesë masivisht në këtë proces regjistrimi, nga ku përfitojnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Nuk duhet neglizhuar aspak, pasi vetëm në këtë mënyrë, Shqiptarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të ndikojnë për një regjistrim më të saktë, duke arritur që të njihen zyrtarisht si popullatë e kombësisë shqiptare në atë rajon.
Në mbledhje u theksua se, sipas njoftimeve, në SHBA jetojnë rreth 3O mijë dibranë, të cilët duhen nxitur patjetër që të japin të dhënat e tyre për regjistrim në Dibër si edhe pranë qendrave sociale e kulturore të Shqiptarëve në USA.
Vendimet u morën në unanimitet dhe konsensus të plotë.
KRYESIA DHE KESHILLI I TE URTEVE
SHOQATA “BASHKESIA DIBRANE”