E drejta e djegur!

0
1039
Rexhep Kasumaj

Berlin, dimër 2016

Pak para se të ndërronte jetë, Marcel Reich-Ranicki, ky “Papë i pejsazhit letrar” të hemisferës gjermanofolëse, pat thënë se nuk trëmbej që do ikte këso bote. Tashmë kishte takuar vdekjen në Gethot ariozofike të Varshavës, atdheut të prangosur dhe, poashtu, kish parë sytë e saj kur Tosias së dashur, do i pushonte zemra përgjithmonë, duke e lënë fillikat në muzgun e vonë të jetës…

Veçse, thjeshtë, nuk e imagjinonte shuarjen, mosekzistimin… Dhe, ah, do i mbeteshin merak gazetat që shfletonte n’mjes në kafenenë e vogël në këndin e rrugicës ku banonte, në Berlin.

Athua do të shprehej kështu me një mall t’andejmë, sikur në rrethana të pazakonta, t’shtrëngohej të lexonte shtypin e Prishtinës? Nuk e besoj. Përkundrazi, do shfrynte çlirueshëm: së paku nuk do t’ngjëroj më helmin e tij, mediokër e klientelist, të ndyrë e pështymor!

Në njëren nga këto fletushka, që shpesh i përgjasojnë Dacibaos së Mao Ce Dunit, do lexoja një ditë përftesën standarde: qytetarët shpërfillin protestën e Lëvizjes opozitare, sepse të gjithë nuk bëjnë tjetër veçse robtohen për pushtet!
Ç’marrëzi foshnjore! Po, fundja, a s’është kjo aq e natyrshme? Partitë politike, “per definitionem”, ekzistojnë për tu pajisur me Fuqinë e epërme politike. Ndërkaq, është punë më vete si do instrumentohet ajo: për industrinë e krimit apo për shërbesën e përkorë.

Nuk mund të tërhiqet, ndaj, assesi një linjë baraseliminimi njëjtësor mes atyre që i shohim të zinjë si korbat tash 16 vjet dhe atyre që s’kanë hapur akoma as fletën e bardhë e as të errtë të një kronike pushtetare! Madje, më keq ende, të parët nuk gjykohen e të dytët, për ironi, vijojnë të paragjykohen! Ndërsa, pra, të parët janë shtetprishës të dëshmuar, të dytët kushtëzohen si keqbërës të mundshëm. E, rrjedhimisht, konstruktohet mëkati i pabërë dhe amnestohet faji i pafshehur që shpallin gjithë këmbanat e arrogancës qeveritare. Dhe kjo indolencë apatike dhe pazotësia për të diferencuar ngjyrat e së ardhmes, nuk është fatalizëm i rezervuar – por fat i zgjedhur vetë!

Gjaku i prishur mund të spastrohet: ose me alternancë të shpeshtë legjislaturash ose me përmbysje rrafshuese! Si për të konfirmuar këtë, Niçe shkruante se, kur humbet kuptimi i jetës – humbet dhe e drejta për të. I adoptuar për këtë shkrim, ai do të dukej dhe i tillë: kur humbet kuptimi, e kjo dmth. morali, i pushtetit – humbet n’plotësi dhe e drejta e mbajtjes së tij!..
R. K.