THIRRJE STRUKTURAVE TË LDK-së,
PJESËMARRËSE MË KUVENDIN E 14 MARSIT
KRYESISË TË LDK-së, NË VEÇANTI
IDRIZ ZEQIRAJ
Akademik Isa Mustafa, as kryetar dhe as i dorëhequr, deklaroi se në Kuvendin Zgjedhor të 14 marsit, do të zbatohet, pikë për pikë, statuti i LDK-së! Ndërkohë, është ky statut, që ka mundësuar riciklimin, rizgjedhjen e Isa Mustafës kryetar të LDK-së, në dy Kuvendet “Zgjedhore”, (8 dhe 9), farsë e maskaradë.
Dihet, lidershipi klanor, brenda kryesisë qendrore të LDK-së, ka përgaditur dhe kontrolluar, “xhandarmërisht”, të gjithë rrjedhën “kuvendore”, në dy seancat 30 minutshe! Kryesia e punës, e përbërë nga lidershipi klanor, ka vënë në votë, të ndarë, i parë dhe i dytë, duke votuar arbitrarisht, fiktivisht e turpërisht, me aklamacionin provokativ, ngritje dore. Votim tipik komunist, stalinist!
E vetmja risi e këtij Kuvendi të pritshëm, është votimi i fshehtë. Por, janë po ato struktura zgjedhëse: Kuvendi zgjedh kryetarin, ndërsa Këshilli i Përgjithshëm zgjedh Kryesinë e LDK-së. Të dyja këto struktura kanë qenë të paligjshme, në Kuvendin e 9-të, më 2019, duke prodhuar kryetar dhe kryesi të paligjshme. Këtë fakt, këtë paligjshmëri, e ka denoncuar, madje, botërisht, Dr. Vjosa Osmani, atëbotë, Nënkryetare e LDK-së, duke deklaruar se lidershipi dhe strukturat e LDK-së, nuk kanë legjitimitet, për ta udhëhequr partinë, sepse, prej disa vitësh, nuk janë provuar me votën e fshehtë demokatike.
“Zemërimi i Zeusit”, i lidershipit klanor, ishte i tmerrshëm dhe mori vendimin fatal, për LDK-në dhe Kosovën, hakmarrës, për përjashtimin e Vjosë Osmanit nga strukturat e partisë. Si vendimmarrësit, ashtu edhe votuesit, nga Këshilli i Përgjithshëm, u turpëruan me fund, sepse qyqarët, servilët, dallkaukët, nuk kanë të ardhme, janë të dënuar me dështim.
Kuvendi i 14 marsit, nuk ka fije legjimiteti, për të zgjedhur as kryetar dhe as kryesi. E shumta që mund të bëjë ky Kuvend, është zgjedhja e ekipit organizativ ose Këshilli Organizativ, për përgaditjen e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme, që do të mbaheshin pas disa muajve, si dhe ndryshimin tërësor të statutit aktual të LDK-së.
Ata që e kanë planifikuar thirrjen e këtij Kuvendi, më 14 mars, duhet ta bisedonin rendin e ditës: me anëtarësinë, e cila është më së paku e fajshme, për gjendjen e krijuar në LDK-e. Pastaj me strukturat e partisë. Dhe, fare pak aprovim duhet të keni nga kryesia, e cila është bashkë-fajtore me ju, lidershipin e partisë.
Në vend që të vendosni, dhunshëm e shpërfillshëm, për një Kuvend zgjedhor, duhet të kishit menduar e vendosur, për një Kuvend përgaditor, për zgjedhje të pritshme, si dhe ndryshimin e statutit të partisë. Kjo do të ishte edhe prorosia, për strukturat pjesëmarrëse në Kuvend, që ata, të përgaditën, me propozimet dhe sugjërimet e tyre, do të kontribuonin, për ekipin përgaditor zgjedhor dhe amandamentet statutare.
Përpjekja dëshpëruese, për ta vazhduar stutusquon, me retushime e harnime kozmetike, do të ishte përçarëse dhe dështuese. Mjaft më heshtje qyqare dhe skllave! Askush nuk është i tepërt për LDK-në. Asgjë nuk duhet të bëhet në frymën e linçimit, përjashtimit, injorimit dhe, aq më pak, hakmarrjes.
Përkundrazi, me organizimin e zgjedhjeve brenda-partiake në LDK-e, u jipet mundësi e barabartë të konkurrencës edhe udhëheqjes aktuale, madje, papërjashtim. Por, edhe atyre që janë larguar me bërrylime, janë pasivizuar, kanë abstenuar ndër vite në zgjedhje, duhet dhënë shanse dhe hapërsirë aktivizimi. Vetëm të bashkuar, mund ta ringrisim, sërishmi, LDK-në, e cila, padyshim është e veçantë, është aset kombëtar, pa të cilën, Kosova do të jetë e çalë, rakitike.