DYMBËDHJETË TEZA TË STUDIUESVE SHQIPTARË DHE TË HUAJ PËR PREJARDHJEN E EMRIT “SHQIPTAR”

1
1929

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Prej shumë tezave për prejardhjen e emrit “shqiptar” nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj, kemi zgjedhur 12 tezat më të popullarizuara në lidhje me këtë çështje:

Teza e parë : Është ajo e Milan Shufllay-t ku sipas tij, ka një bashkëlidhje të mundshme midis këtij etnonimi dhe një llagapi familjar, që dëshmohet në një shumësi variantesh grafike për zonën e Drishtit gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV-të
(1368–1402 : Schibudar, Schepuder, Schapudar, Scapuder).

Teza e dytë : Është e Da Lecces, statusi kuptimor dhe etimologjik i emrit shqip , që te Da Lecce del me kuptimin “mirësjellje, edukatë, respektueshmëri”.

Teza e tretë : Një burim tjetër i mëhershëm që e transmeton Nikollë Brankati, e përmend një këngë të vjetër arbëreshe, ku ndër të tjerash shpjegohet përdorimi i emrit “shqiptar” për ta dalluar popullsinë shqiptare në rrethin e Shkodrës dhe rrethinës, para eksodit të saj tragjik drejt Italisë në shek. XV.

Teza e katërt : Sipas Hahn-it: shqiptar duhet të jetë një formim më {-ar} prej foljes shqipoj (~ shqipëtoj , shqiptoj ) me kuptimin e dikurshëm “kuptoj, marr vesh”. Sipas tij edhe formimi i ri {shqipët-}+{-ar} ka pasur në zanafillë kuptimin parësor “kuptues, ai që kupton / bëhet i kuptueshëm (në gjuhën vet)”.

Teza e pestë : Sipas Fjalorit të Nikollë Ketës, të mbetur ende në dorëshkrim (1763), Skipi “Albania”, skiptàri “albano”.
Në të shkruhet ndër të tjera : Albanese: Arbresh, Arbënesh, Arbnÿr, Arbëruar, Arbnuer, fem. Arbreshë, Arbëneshë ecc. Albanese da Scutari fin a Scopia : shqiptar.

Teza e gjashtë : Një mendim i Aleks Budës, për të dalë te teza që sipas tij emri “shqiptar” është marrë nga simboli i shqiponjës.

Teza e shtatë : Gustav Meyeri, fjalën shqip e trajton tek folja shqip-onj “kuptoj” dhe këtë e merr si huazim nga latinishtja excipio “ndjej, dëgjoj“.

Teza e tetë : Sipas Osman Myderrizit, “Emri i vjetër nuk tregonte vetëm kombësinë, por edhe besimin. Me ndërrimin e besimit u ndje nevoja edhe e ndërrimit të tij. Emri i ri shqiptar, që u adaptua si emër kombëtar, bazohej në gjuhën, në një nga elementët kryesorë të kombësisë. Ky emër mund të jetë përdorur nga myslimanët e parë shqiptarë që në shekullin XVI, po këta, mbasi ishin të pakët, shumicës nuk ia imponuan dot”.

Teza e nëntë : SIpas Rexhep Ismailit, “Emrat shqiptar dhe Shqipëri… janë krijuar pas ndryshimeve më të thella sociale, politike e konfesionale”. Ndërkaq këtë tezë e kundërshton Engjëll Sedaj.

Teza e dhjetë : Sipas Elena Kocaqit, “Shqiptarët e quajnë veten e tyre gjithashtu me emrin shqiponjë, ashtu si dhe gjuhën e tyre. Shqiponja është simboli më i vjetër i arianizmit, e cila ruhet sot në emërtimin tjetër me të cilin e quajnë veten e tyre shqiptarët. Shqiponja lidhet me Zeusin që kishte simbol shqiponjën dhe shqiptarët duhet ta kenë quajtur veten bijë të shqiponjës qysh në kohë të hershme”.

Teza e njëmbëdhjetë : Sipas Shaban Demirajt, Me sa duket, fjala shqip në zanafillë ka pasur kuptimin e ndajfoljes qartë, hapur, troç, dhe vetëm më pas ka marrë kuptimin e ndajfoljes arbën-isht / arbër-isht. Po të njëjtën tezë e mbron dhe Eqrem Çabej.

Teza e dymbëdhjetë : Aristotel Mici është i fundit që ka bërë një studim dhe ka dhënë një tezë në vitin 2012. Sipas tij, etnonimi i ri shqiptar duhet të ndërlidhet me simbolin e moçëm të “shqipes”. Në të mirë të kësaj ideje janë shumë detaje dhe fakte historike. Argumentet e kësaj hipoteze janë në përshtatje me rregullat gjuhësore të fjalëformimit, me etnografinë dhe psikologjinë mbarëkombëtare.

Teza më e pranuar nga studiuesit : Nga dymbëdhjetë tezat të dhëna më lart, ajo më e pranuara nga shumica e studiuesve është se emri “shqiptar” duhet të jetë një formim me {-ar} prej foljes “shqipoj” (~ shqipëtoj, shqiptoj) me kuptimin e dikurshëm “kuptoj, marr vesh”.

Sipas saj edhe formimi i ri {shqipët-}+{-ar} ka pasur në zanafillë kuptimin parësor “kuptues”, ai që kupton / bëhet i kuptueshëm (në gjuhën vet)”.

1 KOMENT

  1. Shqiptar =nofke -shqep-tar-shqip-tar, tipizuese per pushtetaret pro-osman dhe tjeret qe ndruan besimin dhe pranuan pushtetin e sundimtarve pushtuesve turkomongol, kjo nofke u vendos nga Arberit, qe migruan apo tjeret arber arban arbanesh qe u shkeputen nga sundimi ketyre shkeptarve proosman, te cilet shkeptar-pushtetar plaçkitnin vrisnin vidhnin perdhunonin kundershtaret dhe familjet e tyre pasurite, duke patur kete sjellje si shperblim ndersjellte me pushtuesin osmano-arabik. emri vetem i vertete eshte Albania-Arban-ia Arber-esh-Arban-esh popullate qe nuk u shkel, migroi apo shkeput nga harta e pushtuar e pushtetit osmano-shkeptaro-turqellinj.

Komentet janë mbyllur.